BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Denoncues burracakë, dëshmitarë frikacakë!

Denoncues burracakë, dëshmitarë frikacakë!

Nuk është rasti i veçuar. As hera e parë. Dhe as sjellje e një individi të vetëm. Lumi i denoncimeve nga politikanët shqiptarë për çdo problem, ngjarje, ndodhi, rast i vogël apo i madh, lokal apo kombëtar që ndodh në Shqipëri të ketë det denoncimesh. Denoncuesit deklarojnë me “kompetencë” se janë në dijeni dhe e dinë shumë mirë kur ka ndodhur, si dhe cilët janë personat që kanë kryer një vepër të rëndë. Lumi i denoncimeve para kamerave, leximet nga smartphonët, postimet elektronike, facebook dhe sa herë u jepet rasti për të përgojuar apo anatemuar kundërshtarët politikë, para ekraneve, është i papërmbajtur. Serioziteti dhe vërtetësia e denoncimeve dhe i denoncuesve është jo vetëm i dyshimtë, por shumë herë bëhet qesharak dhe i pabesueshëm. Sapo verifikohet vërtetësia e një denoncimi dhe rezulton kallp, ai që e ka përcjellë lajmin është i përbuzuri i madh nga opinioni i gjerë i shoqërisë. Qejflinjtë e denoncimeve, përgjithësisht politikanët shqiptarë nuk ndalen para asnjë morali. Për ta nuk ka asnjë barrierë që t`i pengojë për të thënë të pavërteta, që edhe pse e dinë shumë mirë se nuk kanë ndodhur, nuk kanë asnjë vetëkontroll dhe vetëpërmbajtje. Nuk hezitojnë ta paraqesin të bardhën të zezë, gënjeshtrën të vërtetë, të mirën të keqe apo anasjelltas. Për ta nuk ka rëndësi se me gënjeshtrat e tyre “vrasin” njerëz. Bëjnë gjëmën. Mashtrojnë opinionin publik. Fusin në një thes të vërtetën me gënjeshtrën. I nxinë jetën një burri apo gruaje. Pak rëndësi në se godasin majtas apo djathtas. E rëndësishme për ta është t`ia arrijnë qëllimit, të trazojnë e bëjnë lëmsh politikën, të mbajnë peng e mashtrojnë opinionin publik. Të rrisin bursën e përfitimit politik. Për të qenë të besueshëm, denoncuesit hipokritë e të gënjeshtërt i veshin denoncimit kostumin e të vërtetës. E paraqesin tërë ngjyra e kontraste. Mjafton ta ambalazhojnë bukur dhe t`i japin shkëlqim gënjeshtrës. Japin detaje. Përcaktojnë vendin ku ndodhi. Bëjnë policin. Ekspertin. Prokurorin. Gjyqtarin. Dëshmitarin. Po të gjitha virtualisht. Kaq shumë elemente tregojnë sa ata që e dëgjojnë duhet ta besojnë patjetër. Vetë ata e besojnë të pabesueshmen, gënjeshtrën. Po tek e fundit për ta nuk ka rëndësi nëse besohen ose jo. E rëndësishme është të bëjnë zhurmën. Të pëlcasin tullumbacen. Të ecin sipas programimit. Të kënaqin epshin e shpifjeve dhe të shuajnë urinë e militantëve. Ti paraqesin problemet ashtu siç do iu pëlqente njerëzve që i rrethojnë. Të miklojnë dhe ëmbëlsojnë ca njerëz që kanë pranë dhe nuk mund të mos u hidhet një karrem për t`i mbajtur të bashkuar apo për t`i besuar liderëve politikë, të cilët duan të ekspozohen sikur të ishin sy e vesh, gjoja barometri për të mësuar çfarë ndodh dhe të gatshëm të dënojnë veprimet që bien ndesh me ligjin.

Kampioni i denoncimeve në Shqipëri është ish kryeministri Sali Berisha. Ai është në vend të parë. Dhe ky rrugëtim zë fill shumë vite më parë. Ishte ai që në ngjarjet e 2 prillit në Shkodër, bëri tablonë sinoptike. Nuk është detyra jonë për të analizuar kronologjinë e saj as faktikisht as juridikisht. Po denoncimi nuk mbeti në prillin e largët. Vijoi ditë për ditë e muaj për muaj. Dhe u bënë njëzetë e shtatë vjet. E njejta gjuhë në tërë ngjarjet nga më sporadiket, pa peshë deri tek më kulmoret. Në fokusin e denoncimeve të tij u vunë vrasjet deri tek tragjeditë më të rënda siç kanë qenë ato të piramidave, vrasja e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, ku u etiketuan vrasësit, u përmendën emra drejtuesish shtetërorë e politikë. Dhe vijoi me ngjarjen e rëndë të shpërthimit në Gërdec, ku u shua një krahinë e tërë dhe që ishte një krim shtetëror, vrasjet e bujshme të bankierëve, gjyqtarëve, biznesmenëve që kanë ndodhur këtu tek ne ndër vite t`iu vërë pa menduar dy herë nga një emër. Ai e mëson dhe e di para të gjithëve çdo gjë. Vrapon t’i adresojë se cilët i kanë organizuar dhe cilët kanë qenë urdhëruesit dhe vrasësit e vërtetë. Natyrisht për të gjitha rastet, denoncuesi ka bërë kujdes që të vërë në shënjestër kundërshtarët politikë. Se për llogari politike janë bërë edhe denoncimet. Liderët në pushtet dhe që aspirojnë për ta marrë pushtetin kanë qenë shënjestra goditëse. Shkurt, gjithë ata që janë pengesa për atë e forcën e tij politike që i kanë rrezikuar karrigen. Po denoncimet e Berishës nuk janë ndalur vetëm në kohën kur ka qenë në opozitë dhe në pushtet si lider mazhoritar apo opozitar. Ai, në mënyrë permanente ka bërë punën e vet, duke etiketuar gjithë kundërshtarët si persona që kanë bërë gjithë krimet në këtë vend. Kështu për karvanin e presupozuar të automjeteve dhe vagonat e mbetjeve helmuese që kanë “mbërritur” në Shqipëri në terrin e natës dhe legjendën se hyrën nga porti i Durrësit pastaj nga Muriqani se u sistemuan në tunelet e ushtrisë apo në zgafellat e minierave të braktisura. Një gënjeshtër e madhe. Gënjeshtër me majë.

E kështu me radhë. Pas çdo zgjedhje politike. U vodhën votat. I vodhi qeveria e krimit. Oligarkët blenë votat. U bë presion ndaj administratës. U pengun votuesit të votojnë opozitën. Mijëra denoncime. Të gjitha pa adresë. Pa asnjë provë. Asnjë dokument për ta paraqitur si dëshmi para drejtësisë. Bile askush, asnjëherë nuk e ka marrë përsipër të denoncoi me shkrim dhe ta provoj akuzën. Denoncime deri edhe për nipër e mbesa që kapen nga policia me drogë e si vjedhës dhe ngazëllehen kur u përkon mbiemri me ndonjë politikani apo deputeti për t`i bërë rastin dhuratë deputetit, siç ndodhi me deputetin shkodran ditë më parë që trafikanti i drogës ishte jo nga Shkodra siç u aludua, por pranë fshatit të doktorit në Tropojë. Pa asnjë lidhje me deputetin. Po, Berishës nuk i mjafton një emër anonim. Rasti që u bë bujë e madhe është denoncimi për kërcënim të rektorit Koni nga Shullazi, gjatë zgjedhjeve për kryesuesit e universiteteve. U denoncua fort nga Berisha. Dhe mirë bëri. Po mbeti vetëm tek fjala. Leximi i denoncimit. Fjalët mbetëm në eter dhe në letër. E kështu me mijëra denoncime. Tërësia e rasteve të denoncimeve të doktorit nuk kanë limit. Janë pafund. Denoncuesit e përditshëm janë të shumtë. Përgjithësisht nga politika. Edhe pse i qëndrojnë në hije ginesit Berisha. Po përsëri teknologjia e denoncimeve, forma, përmbajtja është pothuaj identike. Kështu vepron kryelësiësitja, Monika Kryemadhi, për drejtuesit kriminelë në qeveri, kryesuesi i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, duke vijuar me Palokën, Alibeajn, Tabakun e dhjetëra politikanë nga të gjitha anët e politikës. Shkurt, gjithë atyre që iu bie rasti që nuk e kanë për asgjë të denoncojnë pa pasur asnjë provë. Të denoncojnë politikisht. Denoncimi është vetëm fillesa. Denoncimet e drejta meritojnë mbështetje dhe vlerësim. Dhe ata që e bëjnë, duhet t`u japim tërë suportin e nevojshëm shoqëror, përgëzim dhe një falenderim nga të gjithë. Po kur kërkohet për ta provuar vërtetësinë e asaj që denoncohet ata duhet të jenë po aq entuziastë edhe për të dëshmuar. Këtu fillon edhe problemi. Ngrihet dhe merr jetë dyshimi. Mes denoncuesve si spiker, si lajmës dhe tellall dhe provës para organeve ligjzbatuese, si dëshmitar, ka një hendek të madh. Të papërfytyrueshëm. Burrat dhe gratë, njerëzit që merren me politikë dhe janë zëri që dëgjohet kudo për denoncimet, kur vjen puna për përballjen me të denoncuarin, kur është rasti në gjykim apo në ballafaqim nisin dredhitë. Dikush humbet kujtesën. Njeriun që e kishte njohur deri para disa ditësh nuk e kujtojnë më. Nuk e mbajnë mend. E kanë harruar. Mund ta “ngatërronte” me dikë tjetër. Dikush tjetër, denoncues me peshë, si profesor Dhori Kule që ishte lajmësi për kanosjen e rektorit Koni për të hequr dorë nga kandidimi dhe ishte i pari që njoftoi policinë për ngjarjen e papëlqyeshme dhe që veproi shumë drejt me atë që reklamoi, sapo erdhi rasti të ballafaqohej me të denoncuarin u sëmur. U largua nga salloni i gjykatës. Iku për çështje shëndetësore. Dhe paraqiti raport mjeksor për të mos marrë pjesë në seancën gjyqësore ndaj tij, edhe pse kishte bërë denoncimin. U largua për t`u qetësuar nga gripi.

Referuar mijëra rasteve, hendeku mes denoncimeve dhe bishtimi si dëshmitar nuk është një rast sporadik. Që pas 1990-tës e deri sot, doktor Berisha asnjëherë nuk është paraqitur si dëshmitar. E ka shpërfillur thirrjen nga gjykatat për t`i dalë zot dëshmisë së tij. Ai ia ka lënë barrën e provës prokurorisë dhe gjykatës. Nuk i ka dalë zot fjalës së tij. Dhe kjo është sjellja e tërë politikanëve denoncues. Trima në darkë me fjalën, frikacakë dhe dredharakë me dëshminë para të denoncuarit për të provuar thëniet e tyre. Nuk kanë pranuar të dëshmojnë. Edhe në rastin më të fundit në gjyqin kundër Shullazit përderisa ishte denoncuesi publik nuk ka pse kundërshton, aq më tepër të paraqesin si politike kërkesën për të dëshmuar në gjykatë për atë që dinë. Përse duhet të hezitojë ish kryeministri për të thënë atë që di, i kanë informuar, apo thënë dhe atë që vetë e ka kumtuar përmes televizioneve me forcë si sensacion, drejtpërdrejt me zë dhe figurë. Ka frikë nga e vërteta? Është manovër për t`i shpëtuar ballafaqimit? Apo thjesht se ka folur politikisht dhe pasi i ka marrë frytet e përfitimet politike nga denoncimi, tani si dëshmitar nuk ia mban të përballet në gjykatë. Dhe për t’i dhënë edhe më shumë sfond politik rastit për ta paraqitur si politikë të pastër, kryetari i PD, Basha, duke i dalë në krah e mbrojtje, luan me fjalën dhe kombinacionet e emrave, kërkon të sugjestionojë me bashkimet mekanike të emrit të të akuzuarit Shullazi me emrin e ish ministrit Saimir Tahiri. Kombinacione pa asnjë përmbajtje. Lojë fjalësh. Dhe për ti vënë kapak e trajton thirrjen normale për të dëshmuar si urdhër nga Edi Rama. Hyn mik Basha mes denoncuesit dhe dëshmuesit. Përjashton njërin nga tjetri. Dhe e gjitha ngjan me një lojë që ka vetëm një qëllim. Denonco-Mos dëshmo. Fol pa doganë. Fshihu nga gjykata. Mbrohu me procedurë. Gjyqet nuk mbarojnë kurrë. Dhe përgjegjësia mbetet jetime. Dhe shpifësi del pa lagur. Dihet se denoncuesi kushdo qoftë, njeri i thjeshtë apo politikan i lartë ka detyrimin ligjor e moral të thotë të vërtetat. Është detyrë kushtetuese dhe ligjore që denoncuesi të provojë thënien edhe si dëshmitar se tek e fundit prova ka vlerë kur merret nga gjykata në seancë gjyqësore. Saimir Tahiri, ish ministri i Brendshëm dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako u paraqitën në gjykatë, dëshmuan për sa dinin. Folën për atë se nga e kishin marrë informacionin dhe si kishin vepruar pasi ishin njohur me një ngjarje shumë të rëndë. Ata nuk e paragjykuan thirrjen në gjykatë. Dhe ishte detyrimi dhe përgjegjësia e tyre të paraqiteshin. Dhe me këtë nuk treguan se janë kampionë të ligjit e as të burrërisë. Po garantë të fjalës së thënë. Mes dëshmisë dhe denoncimit në këtë rast nuk ka asnjë hendek. Mes fuqisë së denoncimeve, atyre që mbrojnë të drejtën edhe me jetë që s`kanë frikë nga e vërteta, mes atyre që denoncojnë si burracakë dhe po atyre që i largohen dëshmisë si frikacakë, mbeten ca politikanë minorë, të vegjël, ca burreca që shqyejnë gojën dhe shajnë e etiketojnë pa hesap, por që marrin arratinë dhe u qepen procedurave me thonj, kur duhet të provojnë atë që thonë. Akuzojnë e denoncojnë, por asnjëherë nuk marrin përsipër të dëshmojnë e provojnë para drejtësisë. Duke mbetur ca politikanë, denoncues burracakë dhe dëshmitarë frikacakë!

Nga Bardhyl BEJKO