Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Deputet, kriter jo mençuria, po fjalomania e llafazanëria!

Deputet, kriter jo mençuria, po fjalomania e llafazanëria!

Një nga kriteret për riciklim të kandidatëve për deputetë në formularin e PD-së, në përzgjedhjen e përfaqësuesve që i kaluan filtrit të përzgjedhjes nga totali i tremijë propozimeve nga baza, është edhe kriter i veçantë, origjinal në llojin e vet. Jo mençuria, erudicioni, kultura, niveli i përgjithshëm, erudicioni i individit, përfaqësues i popullit në Kuvendin e Shqipërisë, po sa është shfaqur si llafazan, fjaloman në betejën e denigrimit të kundërshtarëve politikë. Si është reshtuar në vijën e parë në sherrnajën permanente të përminutshme në skenën tonë politike. Nisur nga kjo veçori, kandidatët zgjidhen më tipikët. Të preferuarit janë ata që kanë në majë të gjuhës mllefin, sharjet e rënda, fjalorin denigrues, fyes, fjalët përvëluese ndaj cilitdo që pengon ardhjen në pushtet të opozitës. Në këtë kuptim nuk janë të paktë ata që e bëjnë baltë dhe e ndotin realitetin tonë shoqëror me deklaratat e vazhdueshme poshtëruese. Shumica prej tyre i ngjajnë sjelljes së llafazanëve që dalin në mes të lagjes dhe fyejnë me radhë banorët që jetojnë mes tyre për vite të tëra. Qëllimi, të hedhin baltë mbi cilindo që nuk mendon e gjykon si ata, po ka një ide ndryshe. Largimi nga vlerësimi i individëve të njohur në fushat e tyre, specialistë të zotë, individë me integritet që meritojnë të përfaqësojnë zgjedhësit në organin më të lartë të legjislativit nga burojnë tërë pushtetet dhe përzgjedhja e individëve që shquhen për të lëshuar parulla luftarake dhe denigruar cilindo kundërshtar, u lihet ballina e listës. Ky soj e ka garant vendin. Është i testuar nga komisionet, kalon tërë filtrat për një vend në numrin njëqind e dyzetë në Kuvend. Partia Demokratike, vuri kusht se do riciklohen prej deputetëve aktualë ata që kanë qenë më aktivët. Dhe me këtë cilësim, evidentohen ata që kanë bërë zhurmë, kanë ngritur tymnaja, kanë lëshuar broçkulla pa fund, për të shkatërruar gjithçka në mjedisin e atdheut tonë. Cili nga deputetët ka sulmuar më fort kryeministrin, cili e ka denigruar e deformuar më shumë, kush ka fyer më rëndë qeverinë, cili ka akuzuar e etiketuar tradhtarë, të korruptuar, hajdutë të fondeve dhe investimeve, mbështetës të oligarkëve dhe antikombëtar, ai është i preferuari i parë. Meriton të jetë në kryelistë, preferencial në vend të sigurtë numri i parë. I bie që deputetë, si Balliu, Salianji, Ndoka, Vokshi, Spaho, Paloka që janë shquar, jo për mençuri, po llafazanëri, fjalomani, që nuk kanë lënë kusur për të hedhur baltë mbi cilindo dhe akuzuar me gjithë forcën qeveritarët, janë të kualifikuar, ricikluar për të qenë deputet. Gëzojnë mbështetjen e Lulzim Bashës. Inkurajimin e Berishës. Simpatinë e Monikës e Metës. Po edhe të Ramës në krahun e vet. Të urtët që flasin me prova dhe fakte, argumenta e arsyetime që nuk përleshen në mjediset publike, që nuk kanë qenë në krye të revolucionit të Astirit, mohimit të masave post tërmetit apo pandemisë nuk kanë dhunuar forcat e rendit, nuk kanë marrë pjesë në djegien e institucioneve shkollore, siç vepruan homologët e tyre në Shkodër apo Dibër, ata që nuk kanë sulmuar me dinamit dhe nuk kanë hedhur lëndë tymuese në sallën e Parlamentit dhe të tjerët që nuk kanë qenë në vijnë e parë të frontit anti-Rama nuk e kanë kollaj kualifikimin. Deputetë të tillë nuk do kenë fatin të jenë në lista. Vendet e para do i zënë, skifterët, harkëtarët, shigjetarët, bojaxhinjtë e fasadave të godinave të Kryeministrisë dhe Kuvendit. Deputetët që nuk janë shquar në betejat opozitare, dhunën e organizuar nuk kanë bërë prita në kryqëzime rrugësh dhe në Parlament, nuk kanë qënë të armatosur me mjete të forta, nuk kanë ngritur zërin e polemizuar me logjikë, s’kanë vend në sallën e Kuvendit. PD, ka nevojë për qëndrestarë, individë që të marrin gjak në vetull. Kështu LSI, PBDNJ, demokristianë e me radhë secila parti. Të tillë ka me shumicë. E kanë regjistruar emrin prej vitesh në top listën e sherrxhinjve epikë. Janë në altarin e të përzgjedhurve, të bekuarve, të ulëritësve patetikë. Me sa duket, secilin nga deputetët, kandidatët që do jenë në lista, preferencialët nëse nuk kanë historik brilant, nuk janë të regjistruar në ekranet e televizioneve fjalimet e tyre bombastike, nuk kanë sharë me emër e mbiemër, jo vetëm politikanët aktivë, po edhe familjarë e tyre nga nëna, babai, motra apo vëllai nuk kanë asnjë shans të jenë preferencialë. Kush ka luftuar si Petrit Vasili, që nuk lë rast pa fyer e denigruar qeverinë dhe mllefin kundër Ramës nuk ka vend në listë. Cili nuk ka kopjuar Berishën në shpifje dhe akuza, cili nuk ka përdorur qytetarin dixhital, ai që nuk ka marrë pushkën në krah për të qëlluar me baltë cilindo nuk meriton të riciklohet. Kjo është edhe arsyeja që kriteri për gojëtarinë, llafazanërinë, fjalomaninë, logorenë, është themelore, shpallur dhe publikuar për t`u njohur nga qytetarët shqiptarë, ithtarët e militantët opozitarë në radhë të parë. Me këtë përzgjedhje, i bie që në garën me lista të hapura, të paraqiten përballë qytetarëve, jo mendjet e ndritura, po muskujt dhe djemtë petrita. Jo intelektualët, të shkolluarit, studiues, shkencëtarë, profesorë, mjekë të shquar, po sharësit, rrahësit, akuzatorët, llafollogët. Nëse nuk ka bërë llafazanin dhe fjalamanin, nëse nuk ke në fjalorin tënd fjalë që të të vrasin, të marrin erzin, të zhvlerësojnë, zhburrërojnë në sytë e publikut, harrojeni Parlamentin. Je i nderuar? I respektuar? I ditur? Me etikë? I kulturuar? Mbajë për vete! Juve u mungojnë, jo vetëm xhepi, paratë, po edhe sqepi, fjalomania ekstreme. Mund të mos jeni duhanxhi, drogaxhi, rakixhi. Të pashkolluar. Të tregosh tre miq të ngushtë shkolle. Të mos jesh mjekuar si depresiv. Mos të jesh i dënuar. Të kesh formim profesional. Të kesh botuar libra. Ç`vlerë kanë këto të gjitha?! Nuk je llafazan, rrahës, sharës klasik, nuk di të përdorësh kamxhikun e fjalomanisë dhe të fshikullosh cilindo përmes fjalorit të zi, fyes nuk ke asnjë meritë. Të gjitha kriteret e tjera janë nul. Kandidatët pretendentë për një vend në sallën e Kuvendit e njohin shumë mirë kriterin e llafazanërisë. Ndaj prej kohësh nuk lënë rast pa dalë në ekranet e televizioneve për të copëtuar gjithkënd që bën një detyrë, ministër, drejtor, punonjës në administratë apo kudo qoftë. Politikanët zënë radhën për t’u shfaqur në ekrane, me deklarata të shkuara kushedi nga cila dorë për t’i lexuar më një frymë dhe për të zënë vend në kujtesën e liderit Basha, si kamikazë, gati të ndezin zjarre, të djegin, jo vetëm një kodër apo pyll, po tërë Shqipërinë. Guximtarët në aksion të përhershëm, gjuhëshpatë e fjalën plumb me mëngët përveshur. Nga goja e tyre dëgjon çudira. Habitesh si është e mundur të zgjedhurit, ata që synojnë pushtet, guxojnë të sulmojnë me këtë fjalor të denjë për alabakët. Kompetentët që të japin lejen për të garuar, mbajnë shënim përditë, kush foli?! Sa i ashpër ishte në fjalim? Shau vënçe? Sa e dërrmoi pushtetarin? Sa fjalë të rënda përdori? Të cilës përmasë i zgjodhi? Sa tronditi me deklaratën e tij publike nga podiumi i selisë së SHQUP-it? A ishte i pamëshirshëm në sharje?! Është kjo arsyeja që ish-deputeti Gjata, vrapon në Thumanë për të akuzuar qeverinë për shkollën e rrëzuar nga tërmeti. Që Paloka të demaskojë me fjalorin më të ashpër qeverinë dhe Ramën se kanë shitur detin. Që Peço Vasili të dalë në podiumin e LSI-së dhe të shpërndajë mallkimet më denigruese dhe të lëshojë akuza që asnjëherë nuk i ka provuar. Që Kryemadhi të shajë me rob shtëpie e të përdorë arsenalin e armatimin për të luftuar me efikasitet kundërshtarët. Që t`i hipë varkës si piratët e detit e të lundrojë drejt thesareve të Karaibeve për t`u thyer hundët grekëve dhe t`u thotë me simbolika se këtu në brigjet joniane vigjilon Monika. Për të njëjtën arsye për të qenë në vëmendjen e liderëve të partive politike ngre zërin Brahimllari, Mehmetaj, Mediu, Dule gjahtari, Idrizi, Ndoka i paparë fare. Nuk ka asnjë vlerë mendja. Është flakur tutje etika e kultura. Në vend të parë është llafazanëria dhe fjalomania. Po nuk je i egër, trim, fjalamanë, po nuk ngrite zërin, po nuk shave me tërsëllimë, po nuk zhveshe shpatën e nuk mprehe gjuhën, nëse nuk godite në shenjë atë që të pengon për t`u ngjitur në pushtet, po nuk dërrmove mazhorancën, cilindo jashtë gardhit të opozitës, qaje kandidimin, harroje shpërblimin. Mençuria, kultura, përvoja, qytetaria, aftësitë, zotësia, shkollimi, etika, morali, virtyti, maturia e njerzillëku nuk kanë asnjë peshë në përzgjedhjen dhe seleksionimin për kandidim. Ah po! Veç llafazanërisë dhe fjalomanisë, ekspert i sharjeve dhe fyerjeve duhet të ketë edhe kuletë. Bile, kuleta është në vend të parë. Fjalomania pa pasuri dhe llafazanëria pa lekë nuk ka asnjë lezet dhe nuk të garanton pushtet.