Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Deputetët me duar të gjata

Postuar: 11/07/2018 - 07:14

Kjo puna e vjedhjes është një ves i keq, që së fundmi është bërë epidemi tek ne. Së paku propaganda nuk ka heshtur kurrë për të demaskuar vjedhjen dhe vjedhësit. Një rast sporadik, një vjedhje në urbanin Kinostudio-Kombinat, një thyerje xhami, një rrëmbim kasaforte. Vjedhjet në vila, në resorte, butik, supermarkete, karburante, vjedhje në xhepa. Vjedhje të vogla. Të mëdha. Nga fëmijë e të rritur. Në grup. Hajdut ordiner. Profesionistë. Këtu, atje, në qytet, në fshat, në lagje, në kufi, në dogana, në tatime, në lejet e ndërtimit, në ZRPP, në tendera, në koncesione. Kudo vetëm vjedhjet përmenden. Në sy të të gjithëve është stampuar vetëm vesi i vjedhjes. A thua se këtu nuk punohet. Nuk shërbehet po vetëm vidhet. E vërteta është se specialistët e vjedhjes nuk vënë dorë kuturu. Nuk fëlliqen për pak gjë. Ata shkojnë shumë larg. Preja e tyre janë resortet dhe hotelet luksoze. Vilat e bosëve. Kasafortat në zyrat e biznesit. Të bankave. Dhe falë kësaj veprimtarie kanë fituar një etiketim brilant. Skifterët. Kapen, dalin para drejtësisë dh brenda një kohe rekord dalin. Dhe riciklohen si vjedhës më të stërvitur. Me këtë zanatin e hajdutllëkut kush nuk është përzier. Ministra, ish ministra. Ish qeveritarë të rangut të parë. Familjarë të tyre. Afera qindra milionëshe euro kanë ndryshuar kahje nga buxheti tek individi.

Kurrë nuk kanë pushuar së vjedhuri ata që kanë në dorë paranë e pronat. Vidh ekonominë. Pasurinë e vendit. Vidh të vjedhim. Dhe vjedhësit kanë arritur të kenë deri tani “shoqatat” e tyre, ku bëjnë pjesë vjedhësit ordinerë. Ata të pulave e celularëve. Të çimçakizave dhe ndonjëri një shishe birre. Bile këta vjedhësit pijetarë, kur shkojnë për të rrëmbyer prenë e tyre, bien aq shumë pas rakisë, verës e shampanjës që gjejnë në qilarët e pijeve sa harrojnë se janë duke bërë zanatin dhe qëndrojnë në vendvjedhje deri sa ti zërë gjumi. Këtë janë ca hajdutë budallenj, që nuk llogarisin se pronarët e shtëpisë apo ata që punojnë në repartin që vidhet mund të vijnë nga momenti në moment për të zënë në çark vjedhësin ordiner. Po në rrugëtimin e profesionit të vjedhësve përditë ka metoda e stile të reja.

Dhe në këtë garën e shëmtuar të hajdutërisë tani kanë dalë në krye vjedhësit profesionistë. Ata që u ngjit dora kudo. Dhe arrin të bëhen të “admirueshëm” si zanatçinj të zanatit më të shëmtuar që ka njohur historia njerëzore. Është kjo babëzi e hajdutëve që i kanë vënë tmerrin shoqërisë sonë. Dhe të gjithë ndihen të rrezikuar përballë kasapëve të vjedhjes, të cilët po ranë mbi prenë, bëjnë kërdinë si lukuni e ujqërve mbi kopenë e deleve. Hajduti është më kriminel se vrasësi, pasi në raste të vështira ai nuk e ka problem që pasi të të ketë vjedhur, të të marrë veç kuletës edhe jetën. Dhe në mjedisin tonë prej kohësh është përcaktuar saktësisht cili është vjedhësi. Kush ka dorë të rëndë gjatë grabitjes. Cili është i specializuar për të rrëmbyer flori. Ushqime. Paketa cigaresh. Drogë. Edhe hajdutët kanë zanatin e specialitetin e tyre. Dhe janë të ndarë e të grupuar. Dikush është në rresht të parë për të vjedhur bizhuteri. Një tjetër kasaforta. Të tjerët sende të rëndomta. Opinioni ynë shoqëror nuk ka si të fali vjedhësit. Pjesa dërrmuese e shoqërisë e urren për vdekje hajdutin. E përbuz. E anatemon. Nuk e do ta ketë as në familje as në shtëpi në lagje e qytet. Dhe pas çdo rasti që mëson për vjedhës i etiketon si individ me cene të thella në karakter. Qytetarët i tregojnë me gisht të gjithë ata që e quajnë mallin e tjetrit si të vetin dhe që kanë të drejtën ta rrëmbejnë pasurinë e atyre që tërë jetën punojnë për të ndërtuar dhe pasurinë e kanë për familjet e tyre. Është kjo arsyeja që hajdutët nuk i do askush. Ajo që i urren më shumë është familja e tyre. Se të parën që shkatërrojnë, është familja që i përkasin. Po nëse për vjedhësit brenda vendit përçmohet një lagje, një familje, një qytet në shtete të tjera, ku ushtrojnë hajdutërinë disa shqiptarë të pamoralshëm atëherë ajo që cilësohet si vend i hajdutëve është vetë shteti ynë. Edhe pse një etiketim pa baza. Edhe pse një konkluzion i padrejtë, përsëri rastet e shumta i kanë bërë shumë popujve në vendet e largëta apo shtetet përreth të na trajtojnë si njerëz që kemi dorë. Që vetëm vjedhim. Një përfundim edhe pse empirik dhe larg objektivitetit mund të themi se përsëri ky fenomen shfrytëzohet për të goditur kombin tonë dhe vetë shtetin. Ekstremistët nuk e kanë problem të na etiketojnë si popull me damkën e vjedhjes. Konkluzion ky i padrejtë. Subjektiv. Pa sens. Zhurmën më të madhe për vesin e vjedhjes e bëjnë deputetët tanë. Ata që kemi deleguar me votën tonë drejt parlamentit dhe që nuk bëjnë asgjë për ta shkundur nga supet tona këtë epitet i cili rëndon shumë në psikikën shoqërore dhe na bën të na tregojnë me gisht ata që kanë më hajdut se hajdutët tanë. Për vjedhjen dhe vjedhësit e mëdhenj ka shumë rrëfime. Tregime. Bëma pa fund. Ka deklarata. Etiketime. Numërohen rastet e detajet për të demaskuar kundërshtarët politikë. Dhe këtu nuk ka asgjë të ndarë me thikë.

Akuzat për vjedhje dhe etiketimet për vjedhës dëgjohen nga tërë krahët e politikës tonë. Nga e majta në të djathtën ekstreme. Nën akuzë vihen përditë qeveritarët e opozitarët. Qytetarët e zakonshëm e të dinjitetshëm me batakçinj, që e kanë shndërruar në strategji dhe mënyrë jetese vjedhjen dhe jetojnë vetëm duke vjedhur. Po në rrymën e vjedhjeve, në ushtrinë e hajdutëve, së fundmi janë rreshtuar edhe vetë deputetët. Jo për ato vjedhjet sipas akuzave që pëlcasin si të jenë tullumbace apo enë prej qelqi dhe disa prej tyre janë edhe të vërteta dhe këtë duhet ta pranojmë për t`u korigjuar, po vjedhës të posaçëm të specializuar. Kujtojmë këtu se si nga deputetët e LSI-së në seancën e zgjedhjes së Kryeprokurores së Përgjithshme të përkohshme u vodhën kartat e votimit deputetëve. I fshehën. E kujtojmë të gjithë skenën si zonja Kryemadhi dhe pas saj deputetet rinore, Kejda e Kërpaçi dhe kreu i formimit rinor, rendnin mes tavolinave, duke marrë kartat e votimit të kolegëve i mbanin në grusht me qëllim që mazhoranca të mos kishte numrat për të votuar. Të dështonte zgjedhje e zonjës Marku. Dhe zoti e di se ku shkuan ato karta dhe ku u mbajtën nga deputetët më të rinj të kësaj force politike. U bë shumë zhurmë për vjedhësit e kartave të deputetëve. U debatua për dilemën; ishte vjedhje ordinere apo skemë politike!? U hoqën me përdhunë nga tavolinat dhe disa nga deputetët nuk dinin ku ishin kartat personale dhe si të tillë nuk mund të ushtronin të drejtën e votës. Dhe vodhën kështu, jo një copë kartoni po vetë vullnetin e deputetëve, të cilët kërkonin të impononin tërësisht pjesën tjetër, e cila duhej larguar nga procesi. Po më kot. Askush nuk mundi të ndalte deputetët e mazhorancës dhe disa deputetë të tjerë të votonin pa mëdyshje Kryeprokuroren e përkohshme të Përgjithshme. Përfundoi edhe zgjedhja e Arta Markut. Në atë sallë të përskuqur nga tymueset ngjyruese deputetët të gjendur përballë veprimeve inatçore dhe të paskrupuj nuk mund të ndalnin votimin e deputetëve pro. Po nuk përfundoi këtu meseleja. U bë zanat që të vidhet edhe në sallën e parlamentit. Pa ndroje. Pa hezitim. Drejtpërdrejt në sy e faqe të gjithë botës. Vjedhje para kamerave. Nën prozhektor. Grabitje e të drejtës për të votuar demokracinë. Hata vjedhje! Vjedhje me imunitet. Para syrit të publikut mbarëshqiptar. Guxim i madh ky i lësëistëve deputetë. Menduam se kaloi edhe radha e vjedhjes së kartave në kuvend. U bë paska stërvitje dhe u përcaktuan edhe metodat e vjedhjes së kartave për ta dërrmuar kundërshtarin politik. Nuk e dimë sa të sofistikuar e kualifikuar janë hajdutët e sallës së Kuvendit dhe sa specialistë ata që u marrin kartat kolegëve të tyre, që deri dje ishin në një front e në një barrikadë. Dhe ajo që të çudit, është gjykimi: Jemi deputetë/ Bëjmë si duam vetë/ Askush nuk na ndal/ Asnjëri nuk na prek/. Jemi vajza të shkathëta/ Jemi burra sedërli/ Lum ti moj Shqipëri! Po kjo grabitja e deputetëve më të rinj të Kuvendit, edhe pse vjedhje e qëllimshme nuk është baraz me atë që ndodhi në sallën e Kuvendit, ku një deputet i rëndësishëm, profesor, burrë i rrahur me vaj e uthull, ish qeveritar që na drejtoi nga ministër e zv/kryeministër, ministër i Jashtëm, i Bujqësisë, arriti të fuste duart në tavolinën e deputetit Tavo dhe pasi tërhoqi kartën e votimit, sipas asaj që u shfaq në video, ia la atë deputetit të pavarur, zotit Robert Bitri, që votoi me kartën e Tavos, i cili nuk gjendej në sallë ditën kur diskutohej ligji aq shumë i denigruar nga politika dhe posaçërisht nga opozita dhe një grup aktorësh.

Që të protestohet në vendin tonë është një domosdoshmëri. Kujtojmë këtu protestat e popullit amerikan, i cili është kundër ndarjes së familjeve të emigrantëve. Një akt i madh human i një populli që për zot ka vetëm ligjin. Që nuk duan t`ia dinë për politikat e mëdha. Po këtë ligj, opozita jonë e shndërroi në kauzë të rëndësishme. Pa analizuar arsyet përse duhet shembur i vjetri dhe të ndërtohet i riu. Po vetëm për të vijuar vallen e melodinë, strategjisë anti gjithçka që bëhet në këtë vend. Po vjedhja e kartës së votimit dhe delegimi i saj në tavolinën e Bitrit siç u pa nga Profesor Panariti është vërtetë e pamendueshme. Pa marrë përsipër të vërtetojmë as të pohojmë nëse video është e sajuar apo origjinale, pasi kjo i mbetet organeve kompetente ta analizojnë, ajo që duket menjëherë është se deputeti i Korçës, duke marrë kartën e Tavovs dhe duke ia vendosur para tavolinës Bitrit bëri lëmsh tërë Kuvendin. Shumë zhurmë e pak logjikë. Dhe kjo lëvizje, e cila nuk mund të jetë spontane, ka për qëllim të futë në sherr tërë deputetët. Po nëse opozita vijon me këto skenare nuk dihet si dalin llogaritë. Nëse strategjia e saj është prodhimi i akuzave false, atëherë kjo pak peshë ka. Bile është për të qeshur. Po kur një veprim i tillë ndërmerret nga një goxha profesor, i cili ka përfaqësuar Qeverinë e Shqipërisë në dikasteret më të rëndësishme, një individ me formim të gjerë akademik atëherë nuk është për të qeshur. As për të shtrënguar dhëmbët. As për t`u vlerësuar e marrë seriozisht. Po kur këtë veprim e ndërmerr një profesor i respektuar, një deputet me përvojë dhe i cilësuar i kulturuar atëherë na ka marrë lumi. Detyrë të vështirë kishte marrë përsipër Panariti të kryente në sallën e Parlamentit. Edhe deputet edhe ngatërrestar?! Deputet që mund të kryejë veprime të tilla, të denja për fëmijët në lojra luftash.- Unë më thoshte një poet në Sarandë,- u habita shumë me Panaritin. E hoqa nga lista e të vlerësuarve. Nuk mund ta justifikoj veprimin që kreu. Kurrë nuk e mendoja se deputeti Panariti mund të vinte dorë në kartën e votimit dhe të bënte rrëmujë në Sallën e Kuvendit. T`u jepte oksigjen kolegëve për të sulmuar kundërshtarët. T`i kryente një shërbim ekstra partisë. Këtej e tutje Panariti nuk do mbahet mend si Profesor Panariti. Po si përvetësuesi i kartës së Vangjel Tavos për t`ia vënë në dorë deputetit Bitri. Jo më kot u zgjodh Panariti për këtë aksion special. Tek ai nuk mund të dyshohej. Gjykohet jashtë këtyre lojrave. Po deri dje veç. Tani, ah, ah. Nuk është më ai Panariti i parë. Tani është vetëm një ushtar!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 3

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/07/2018 - 09:30

"As kam pikë fije dyshimi që çështja e Teatrit është e lidhur me zhdukjen e kujtesës të qytetit".

Postuar: 15/07/2018 - 07:46

 Nuk është hera e parë që në qendër të denoncimeve publike janë përsëri universitetet për fa

Postuar: 15/07/2018 - 07:43

Odiseja e Teatrit Kombëtar nëpërmjet debatit të zgjatur disa mujor ka prekur aktorët, amatorët, s

Postuar: 15/07/2018 - 07:41

Në kohë autokratësh dhe trandje të demokracisë, në kohë kur shoqëri në zhvillim, mundohen të gjej

Postuar: 14/07/2018 - 07:20

Tarraca e Pallatit të Kulturës ishte vendi ku u shfaqën mbrëmë tre filma të “Dokufest&rdquo

Postuar: 14/07/2018 - 07:13

Nard Ndoka është nga deputetët më jetëgjatë në politikën shqiptare.

Postuar: 14/07/2018 - 07:12

Oligarki, elita të korruptuara, kriza, probleme sociale, - terma që i hasim çdo ditë në media.