Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Deri kur për një fjalë goje do nxjerrim koburen nga brezi?

Postuar: 19/09/2019 - 07:14

E para është fjala. Shoqëritë njerëzore janë marrë vesh me fjalë, me bisedime, shkëmbim idesh dhe kanë vendosur për të ardhmen e tyre përmes dialogut, pakteve, kompromiseve. Këto zgjidhje kanë preferuar edhe kur janë përfshirë në luftra, për të vendosur paqen. Në fund janë bashkuar në tavolinat e bisedimeve. Dhe në vend të bombave kanë vënë logjikën, kanë zgjedhur fjalën. Jo në pak raste, historia ka rezervuar në vend të fjalës luftën. Ka zgjedhur armën dhe kjo i ka shkaktuar njerëzimit plagë që nuk shërohen e nuk harrohen kurrë. Edhe pse kanë ndodhur incidente të tilla që e kanë zhytur botën në katastrofa, ende sot ndodhin beteja mes shteteve, kombeve të ndryshme. Po kjo nuk do të thotë se paqja ka mbaruar dhe vendin e saj e ka zënë lufta, arma. Njerëzit e mëdhenj, burra shtetesh, prijësit, filozofë, shkencëtarë, shkrimtarë, artistë, piktorë, muzikantë, sportistë, aktorë të shquar, i kanë bërë jehonë paqes dhe kanë rekomanduar fjalën në vend të armëve. Kanë propaganduar mirësinë dhe miqësinë mes popujve dhe shteteve. Po nëse në aspektin global veprojnë forca të ndryshme, që shumë herë nuk mund të parashikohen dhe të ndryshohen për shkak të rrethanave të shumta historike, niveleve të kulturës, aksidenteve historike, mosmarrëveshjeve që kanë lindur gjatë jetës. Po kur bëhet fjalë për historinë e një kombi, të një populli që lindi dhe u rrit, u edukua dhe u ushqye në këtë vend, në këtë baltë, me këtë ajër, me këtë bukë, atëherë antagonizmi dhe zgjidhjet përmes forcës dhe zhdukjes së tjetrit nuk mund të tolerohen. Shqiptarët në tërë jetën e tyre që nga thellësia e shekujve kanë qëndruar kompakt. Jemi populli që kurrë nuk kemi zhvilluar luftë civile dhe nuk u kemi fryrë përçarjeve dhe dasive. Përkundrazi në të katër cepat e vendit, kudo ku jetojnë shqiptarët, ka një marrëdhënie e cila dallon për nga kohezioni, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Po nëse kjo është shtylla kurrizore e shoqërisë tonë nuk do të thotë se nuk vuajmë nga sëmundje të cilat në jo pak raste përfundojnë me zgjidhje të dhunshme dhe në vend të mirëkuptimit dhe dialogut nuk ta përtojnë për të të marrë jetën. Nga një sherr minimal, jo në pak raste, lihet mënjanë miqësia, respekti, mirënjohja, bashkëjetesa dhe në vend të zgjidhjeve me mirëkuptim nxirret koburja nga brezi dhe i drejtohet bashkëqytetarit apo familjarit, duke qëlluar pa iu dridhur dora, duke i marrë jetën, atë që nuk ia jep dot kurrë. Përditë, ekranet tona televizive, shtypi, komunikatat e policisë, përmes postës elektronike, lajmeve gojë më gojë, në tavolina, flasin për vrasje dhe marrje jete. Janë jo të pakta rastet kur një i ri në moshë nuk e ka për gjë që të drejtojë armën dhe tërheqë këmbëzën kundër atij që deri dje ishte shokë klase, është rritur në një oborr, kanë të njëjtën fëmijëri, janë brenda një fisi apo familjeje. Bombardimet me lajmet e para, ato të vrasjes me armë janë tronditëse. Edhe kur shkaqet janë të pazbuluara dhe nuk dihet, si, pse, kur, informimi bëhet sipas logjikës së sensacionit, vrasjet bëjnë bujë më shumë. Fatkeqësisht, jo pak raste, për një pse më shikon, një vend parkim. Një radhë e ngatërruar, një vijë uji, një copë tokë që nuk i hyn në punë askujt, sherr fëmijësh apo se i shkele në oborr, i preve plepin buzë gardhit, nuk re dakord që t`i marrësh vajzën për grua, se të vonuan kafen, të thanë se ke vjedhur një pulë të bëhet kasaphanë, siç ka ndodhur në jo pak raste. Kur një i ri ka vrarë në një fshat shtatë persona që i njihte, ishte ulur sa herë me ta në kafe, në dasma apo mort ç’mund të thuash?! Vrasje gjakftohta. Po nuk janë vetëm këto. Edhe më të rënda janë vrasjet brenda familjes. Djali godet me sëpatë babanë. Lajm i madh. Arsyeja? Më keqtrajtonte. Burri vret gruan. I dashuri të dashurën. Nipi vret gjyshen se nuk i dha paratë e pensionit për të blerë drogë. U vranë se nuk ranë dakord për ndarjen e parave të drogës. I bëri pis makinën. I zuri rrugën dhe e detyroi të ndalte pesë minuta. Njëmijë shkaqe dhe sebepe të cilat përfundojnë në nxjerrjen e kobures dhe: Më i shpejti e zbraz pa mëshirë, sikur të ishte në gjueti për të vrarë kafshë grabitqare. I shikojmë përditë. E dëgjojmë mëngjes, mbrëmje. Dhe mendojmë: Seç kemi një flakë dhe nxehtësi të brendshme ne, e cila ngre krye kur duhet stepur. Dhe në vend të dialogut, zgjedhim armën për të bërë kërdinë. Të parët tanë sapo mësonin se diku kishte lindur një sherr nuk e linin të agravohej. Burrat e mençur, atyre që u dëgjohej fjala dhe kishin statusin e pleqve të mençur, uleshin dhe flisnin, duke kërkuar që konflikti të zgjidhej me mirëkuptim. Dhe kuvendi ishte vendi ku bëheshin faljet dhe u jepej rrugëzgjidhje konflikteve. Nuk i lihej vetëgjyqësisë. Kanunet shqiptare kishin disa rregulla dhe evidentonin shumë kritere si të ndaleshin gjaqet. Ishte koha kur shoqëria jonë vuante nga prapambetja dhe ushqehej me zakone që respektoheshin edhe pse mund të shpinin në hakmarrje. Po përsëri fjala ishte në vend të parë. Dhe pajtimet nuk mungonin. Ishte koha kur shteti mungonte. Ligjet ishin të pashkruara dhe vepronte e drejta zakonore. Po sot? Me shtet. Me shoqëri të strukturuar. Me njëqind parti. Me demokraci. Me liri. Institucione dhe polici. Organe ligjzbatuese. Gjykata e prokurori. Shtyp dhe media vizive, shkolla e universitete, a shkon që të nxirret koburja e para dhe me të vihet në vend drejtësia?! Kurrsesi! Po pse atëherë nuk gjenden rrugët për të parandaluar këto akte që i kushtojnë shoqërisë, që mbyllin dyer dhe mbulojnë me zi familje dhe fise? A ka përgjegjësia shoqëria? Po politika ç`rol luan? Pajtues apo i hedh benzinë zjarrit? Në pamje të parë duket se ai që tërheq këmbëzën është një individ dhe aq. Është një person me mentalitet bajraktari. I pa kultivuar. Djalë i ri, i pamësuar. Gjaknxehtë dhe pa formim. I prirur ndaj sherrit. Po nuk është gjithnjë kështu. Vërtet përgjegjësia e parë është e atij që nxjerr koburen në mes të ditës në lagje, në qendër qyteti. Po për të arritur deri atje, ka bërë një rrugë të gjatë. Ka kapërcyer familjen. Ka tejkaluar shoqërinë. Ka anashkaluar shkollën. Ka braktisur miqtë e shokët. Ka mbetur i papunë. Është përkëdhelur dhe stimuluar për t`u rritur me gjithë të mirat. Ka dalë nga kontrolli. Është rritur në lagje, po askush nuk i ka thënë një fjalë. Nuk i ka dhënë një këshillë. Nuk e ka qortuar. Përkundrazi e kanë lënë të thyejë kokën. Është nderuar më shumë se të tjerët, si çapkën, gango, i janë hapur dyert, sikur të ishte për t`u dekoruar. Sa herë thuhet ka qënë i arrestuar. Tre apo katër herë ka provuar qelinë. Po është ricikluar. Dhe këtu konkluzioni është i qartë. Është fajtor ai që në vend të fjalës nxjerr koburen nga brezi apo strehëza e shtëpisë. Akt i dënueshëm. Shoqëria e izolon me të drejtë. Po sa përgjegjëse është vet shoqëria jonë? Sa ndikon ashpërsia dhe sherrnaja e politikës? Sharjet, dhuna në mitingje e protesta? Mirë një individ, po një parti kur merr urën e zjarrit në dorë dhe ndez godinat qeveritare, godet me molotov mbi policinë, rrëmben çizmet e bojën në sallën e Kuvendit, a nuk është zëvendësim i dialogut me dhunën? A nuk kanë nxjerrë qindra herë partitë tona “koburen” nga brezi dhe kanë qëlluar pa hezitim kundër forcave të rendit? A nuk nxit kjo politikë e dhunës për ta shumëfishuar vet dhunën? Kur debaton për ngjarje të tilla, jo pak qytetarë nuk e kanë për gjë të thonë: Ai që vret nuk është fajtori. Logjikë primitive. Fytyra e kanunit, mentalitet mesjetar. Me ç`të drejtë anashkalohet një logjike e tillë vrastare? Shoqëritë e shëndosha duhet ta kenë mision permanent të mbrojnë njerëzit nga veset, t`i paqtojnë. Nuk kushton asgjë nëse i flet dikujt kur shikon se gabon apo bën faj. Ne shqiptarët kemi në AND-në tonë pak nga shpirti i Nënë Terezës. Jemi bij të saj. Ajo që shëroi mijëra jetë dhe i mbrojti nga veset, le të jetë udhërrëfyesja jonë për të vënë mirësinë dhe mëshirën, dashurinë, atje ku ka urrejtje për të mos guxuar kurrë që për një fjalë goje të nxjerrim koburen nga brezi. Shenjtorja jonë le të mbetet busulla nga e cila duhet të udhëhiqemi sot e mot, për ta fshirë këtë plagë të rëndë që merr jetë njerëzore!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2019 - 07:20

Për opozitën tonë jashtëparlamentare si në tërë këto vite, gjithçka që ndodh në këtë vend individualizohet e pykëzohet në një emër të vetëm.

Postuar: 23/10/2019 - 07:18

Në raportin e zbatimit të buxhetit faktik të shtetit për vitin 2018, institucioni i auditimit më

Postuar: 23/10/2019 - 07:16

Me siguri na erdhi shumë keq të gjithëve për lojën që luhet si përherë në kurrizin e ne shqiptarë

Postuar: 23/10/2019 - 07:14

Marrëzia jonë, ka shkuar deri aty sa shumë kush të "zemërohet" me Francën!

Postuar: 22/10/2019 - 07:21

Ka tronditje të madhe në politikë për fundin e formimit të SPAK apo fillimin e punës së tij!

Postuar: 22/10/2019 - 07:14

Dihet që Këshilli Europian nuk arriti të marrë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave me Shq

Postuar: 22/10/2019 - 07:13

Të trishtuar dhe humbës real nga vetoja e francezëve në Këshillin e Europës, ku presidenti Macron