BREAKING NEWS

Ja se si nobelisti Montagnier po hedh në erë Big Farmën dhe po zbardh veprimet kriminale me covid 19

Ja se si nobelisti Montagnier  po hedh në erë Big Farmën dhe  po
x

Opinion / Editorial

“Derrat e pyllit apo pylli i derrave”, kjo është çështja!

“Derrat e pyllit apo pylli i derrave”, kjo është

Nuk e kam fjalën te përdorimi i shprehjes “nuk ka pyll pa derra” e kryeministrit në rastin e një problematike. Sigurisht është një shprehje e jona që në “të keqen” e fjalës i bën derrat e pyllit të këqij. Por pastaj pse KM-ja bën pyll sistemin dhe spitalet kjo është diçka tjetër. Pra nuk e kam fjalën te momenti i thënies se sa te rëndësia e saj. Ka nisur si shprehje gjuetie, e cila donte të vërtetonte në zonat tona se mjafton të shkosh në pyll, sepse aty do të ketë derra patjetër. Më vonë është kthyer në sensin “pezhorativ” ose përkeqësues, ku derrat janë njerëzit e këqij (derra) në pyllin e tyre ose fshatin, qytetin, lagjen apo klasën, ndërmarrjen, shtetin etj. etj. “Nuk ka pyll pa derra” në përdorimin tonë do të thotë se “nuk ka vend ku punojnë njerëz, pa individë (derra) që sillen keq apo janë të këqij”. Në këtë rast kryeministri nuk e ka kaq shumë gabim. Por...

Por nuk është problemi te “derrat e pyllit”. Ose te ato një, dy apo tre, katër derra që paska një pyll. Në fund të fundit, diku në pyll do të rrinë derrat. Pra nuk është kaq shumë e jashtëzakonshme sikundër dhe shprehja vetë që do të krijojë idenë e pikërisht të zakonshmes që shkon te drejtimi i të mos pasjes “pyll pa derra”. Ok? E këtu, nuk ka asgjë të keqe kaq shumë - të themi filozofikisht. Mirëpo e keqja e madhe është se sot ne kemi arritur të kemi, jo derrat e pyllit, ato të zakonshmit që ka tek tuk në pyll, bashkë me kafshë të tjera. Jo jo, sot në “pyllin tonë” ka vetëm derra. Pra sot ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme. Ne kemi pyllin e derrave. Po pra, pyllin (shtetin, administratën, ndërmarrjen zyrën) e derrave, ku ata nuk lejojnë asnjë lloj faune tjetër, asnjë lloj tjetër kafshe pikërisht pylli. Pra po kthehem te shprehja - nuk ka pyll pa derra, e cila ka humbur në Shqipëri jo vetëm kuptimin, por dhe rëndësinë e saj. E ka humbur, sepse kemi vetëm pyll me derra, të shtuar, të klonuar, të egërsuar, të majmur dhe të zhvilluar aq shumë, sa që pylli është kthyer plotësisht në domen të tyre. Dashje pa dashje, në këtë pyll ka vetëm derra, të tjerët nuk mbijetojnë dot. Në të gjitha strukturat e “pyllit” në fjalë ka vetëm derra, në të gjithë sektorët e tij vetëm derra, në të gjithë thellësitë e tij vetëm derra, në të gjithë shkurret e tij vetëm derra, në guvat e tij vetëm derra, në përrenjtë e tij vetëm derra dhe në këtë lloj pylli të denatyralizuar dëgjohen vetëm hungërimat e derrave dhe grindjet e tyre për territorin e pyllit të derrave. Atëherë nuk është e nevojshme të themi “derrat e pyllit” sepse nënkuptojmë dhe kafshë të tjera më të fisme, por kemi dalë ose jemi praktikisht në “pyllin e derrave” që për fat të keq është dhe shteti, vula dhe firma e tij. E kjo është tragjike dhe nuk jemi vetëm sot kështu. Kemi vite e vite në mos dekada e dekada, që nga krijimi i shtetit shqiptar për fat të keq. Sepse nuk qëndrojmë dot te shprehja “nuk ka pyll pa derra”, por jemi te realiteti i pyllit të derrave. Një pjesë e shoqërisë sot është te “nuk ka pyll pa derra”, por administrata, politika, sistemet e drejtësisë dhe arsimit apo shëndetësisë, janë prej kohësh në – pyllin e derrave dhe flas në kupola drejtuese dhe vepruese vendimmarrëse. Asgjë të keqe nuk bën “modeli i pyllit me ndonjë derr”. Por të kthesh gjithë pyllin me derra, me mentalitetin e tillë përçmues, por që në gabimin krahasues të njeriut me derrin (i cili nuk ka faj) mbulon gjithçka në pyll – kjo pastaj është tragjike. Të kthesh “pyllin” (shtet apo zyrë) në një territor të vetëm derrash me noçkë të egër grabitësish dhe që rrënojnë çdo rrënjë, çdo lëndë, çdo bimësi, çdo filiz dhe çdo vijë uji – kjo është fatkeqësi. “Pylli i derrave” është ajo që kemi ndërtuar deri tani në administratat tona dhe sjellja e derrave të egër (sërish falje për krahasimin dhe rënien në qafë, por kështu është shprehja e vjetër) dhe është imitim i funksionimit të partive. Ata janë pylli më i qartë dhe aty janë kryederrat më të egër të shkatërrimit të një shteti. E tani mjaft me krahasime dhe me shprehje shqiptare të ardhura në kohë. Në të vërtetë, nuk është një individ dhe nuk janë dy individë që prishin punë në zyrat e shtetit. Në fakt është vetë sistemi i cili ka shkatërruar jo vetëm zyrën, por vetë shtetin. E ka bërë leshko, e ka kthyer në një territor të keq, ku çdo firmë e vulë, nuk hidhet në shërbim të shoqërisë, por në përdorim të derrave individë korruptues dhe të korruptuar të dalë nga partitë. Nuk ka shans të ngjitet askush lart që ka parime dhe që mban lart nderin, moralin, etikën dhe profesionalizmin. Vetëm nderi, morali, etika dhe profesionalizmi nuk i duhet “pyllit” tonë shtet. Në këtë lloj shteti të projektuar për të qenë pyll derrash është e vështirë të bashkëjetojnë njerëz të parimeve morale, me “derrat” e korrupsionit. Njerëzit normalë, qytetarët normalë, nëpunësit normalë, kthehen në armiq të partisë si fillim dhe pastaj të “shtetit të derrave”. Nuk ka lartësim në administratë me parime jashtë “derrave të pyllit të partisë” cilado qoftë ajo. Fjalët janë të bukura dhe ligjet e shumta, po ashtu, por për “pyllin e derrave” ku nuk pranohet asnjë lloj gjëje tjetër jashtë noçkës së tyre. Shumëkush shpreson te ndërrimi pushteteve dhe te drejtësia që po ndryshon sipas fjalëve. Në të vërtetë, kemi të bëjmë po me të njëjtin “pyll” dhe mentalitet “derrash” në pyll. E vetmja gjë është të bëjnë ose paqe korruptive, ose luftë me njëri-tjetrin pikërisht derrat, por asgjë tjetër më shumë se sa kaq. Sepse është prishur ekuilibri në “territorin e tyre”. Janë shtuar kaq shumë sa kanë shfarosur gjithçka tjetër veç vetes së tyre. Për më tepër nuk ka as “gjahtar” për të ulur popullsinë e madhe. E vetmja që do të bënte punën e gjahtarit është drejtësia. Po vetëm ajo në demokraci. Në “pyllin tonë” ose shtetin tonë drejtësia ka që me formimin e shtetit të parë modern shqiptar që nuk ka kurrfarë drejtësie brenda. Si përfundim ne “nuk kemi derra pylli, por pyll derrash”.