Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Deti që na bashkon dhe na ndan me Greqinë

Deti që na bashkon dhe na ndan me Greqinë

Teksa çështja e detit me Turqinë është në pikën e vlimit, pala greke hap llogarinë me palën shqiptare! Kjo qasje duket tepër absurde, paradoksale. Po pse pikërisht tani? Greqia me një gur vret dy zogj: sfidon hapur Turqinë ( bjeri legenit!) dhe nga ana tjetër i vë shqiptarët para faktit të kryer. Zgjidhja e propozuar me gjasë është edhe një grusht diplomatik për Turqinë, thyen mitin e miqësisë tradicionale midis dy vendeve që bazohet në besim dhe një komunitet të gjerë të integruar mjaft mirë prej shekujsh. Dobëson pozitat e Turqisë në Ballkan dhe të vetë autoritetit të Erdoganit, është një bonus për kundërshtarët politikë dhe komunitetet e margjinalizuara, të cilët synojnë rikthimin e shtetit laik të themeluar nga Ataturku. Për Shqipërinë, një pro nën zë, ose vendosje vetoje kundërshtuese për perspektivën e saj europiane. Kjo iniciativë “e larjes së llogarive të vjetra” njëherë e mirë, e vënies para faktit të kryer, ngjan e kalkuluar edhe me situatën ndërkombëtare. Jeruzalemi me gjithë kundërshtinë që krijoi në fillim tek bota arabe, tashmë mund të quhet plotësisht kryeqendra e hebrenjve, problemi gjeorgjian krijon mbivendosje diplomatike dhe rrit protagonizmin rus, tensionet mes Kinës dhe SHBA-ve shihen në rritje dhe kjo e fundit është e mbërthyer nga pragzgjedhjet presidenciale, ku aksionet e Trump janë në kuota të diskutueshme. Sa për BE-në, po ashtu është përfshirë nga probleme të brendshme që zënë fill që nga kriza e fundit ekonomike, ku dalja e Britanisë e ka vënë në pikëpyetje Unionin dhe e ka gjetur të papërgatitur në menaxhimin e pandemisë së koronavirusit. Greqia, e cila shikohej si “delja e zezë” nga vendet anëtare dhe i kërkohej shitja e ishujve për larjen e borxheve, tanimë e rimëkëmbur dikton kushtet e saj, kërkon të trajtohet më shumë se e barabartë, duke e shkarkuar barrën e problemeve të saj ta akumuluara mbi supet e të gjithëve. Mbështetja pa rezerva e Francës dhe Britanisë është produkti i këtij inkursioni dhe një gur sprove për Gjermaninë si lidership i ardhshëm, në administrimin e krizave multinacionale, në kushtet kur NATO, po e humbet rolin dhe legjitimitetin e saj. Grekët e hapën “Kutinë e Pandorës” dhe do përpiqen të peshkojnë ç’të mundin në turbullirën e krijuar. Sido që ta cekim, shovinizmi i tyre nuk ka ndryshuar kahje dhe frika e shumëkujt në lidhje me delimitimin e vijës detare është e përligjur. Europa, duam apo s’duam, i favorizon dukshëm ashtu siç ka bërë prej shekujsh. Pas rënies së Perandorisë Osmane, prej popullsish konglomerate, mbetje pushtimesh pa tharm autoktonie, krijuan dhe pagëzuan një komb për një histori të antikitetit që kishte mbetur shkretë! Por po kaq jashtë logjikës është qëndrimi i protagonistëve politikë në Tiranë, ku njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit, nisur nga qëllime aspak parimore, atdhetare, për përfitime elektorale apo të çastit. Përtej retorikave është çasti të ulen sëbashku, të lënë emocionet, patetizmat, të diskutojnë me përgjegjësi për situatën dhe të gjejnë konsensus. Madje do ishte me vend (qoftë edhe për të fituar kohë), Greqia në parantezë të kushtëzohej për çështjen në fjalë me abrogimin e Ligjit të Luftës dhe respektimin e të drejtave të popullsisë çame. Por më thelbësorja: duhet të flasin ekspertët, madje të ftohen edhe ekspertë të pavarur ndërkombëtarë dhe rezultati të certifikohet nga të mandatuarit politikë.