BREAKING NEWS

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona
x

Opinion / Editorial

Devolli i Sipërm, trimëria, krenaria, bukuria dhe... “shëmtia”

Devolli i Sipërm, trimëria, krenaria, bukuria dhe...

Bëhet fjalë për “perlat” e Devollit të sipërm, Dardhën, Sinicën, Qytezën. Tek shkruaj për këta fshatra dhe nuk jam unë i vetëm, por janë të shumtë që kanë shkruar për trimërinë e tyre, për krenarinë, për bukurinë.. E megjithatë, përsëri më duket pak. Sikur nuk më ngopet syri pa shkruar për ata që meritojnë këta njerëz të mrekullueshëm, që bënë sakrifica të mëdha dhe asnjëherë nuk u vlerësuan ashtu si ata e meritojnë. Që janë “kartolinë” siç i kanë quajtur, kjo është një gjë që duket, qysh në hyrje të tyre. T’i quash “margaritarë” përsëri jo vetëm që nuk bën gabim, por përsëri është pak. Trimërinë e tyre e kanë treguar ndër shekuj e nuk i janë përulur asnjëherë halldupit turk. Trima dhe bujarë. Çdo banor që të takosh, të ofron shpirtbujarinë e tij, të ofron kulturën të ofron çiltërsinë ashtu si natyra, që as ajo, as vetë këta banorë, nuk kanë “tradhtuar” asnjëherë njëri-tjetrin ndër shekuj. Natyra dhe njeriu si kudo, por në mënyrë të veçantë në këtë zonë të thellë, historikisht i janë gjendur pranë njëri-tjetrit, janë marrë vesh në mënyrë të përkryer me njëri-tjetrin. Në Devollin e Sipërm, natyra vendosi burimin e lumit Devoll me ujë “brisk” të ftohtë që u jep jetë fushave e kodrinave, “përkëdhel” lugina e fusha pjellore, deri atje ku ndal e kthehet ne dritë. Edhe banorët e tyre, nuk mbetën prapa saj. Edhe ata, atje vendosën “burimet e dijeve”, arsimimin, kulturën, traditën dhe nuk i mbajtën “monopol” për vete. I shpërndanë ato duke shkuar krah për krah me lumin Devoll e duke shkuar edhe më larg nga atje ku Devolli kthehet në dritë. E shoqëruan Devollin deri në Gramsh dhe shkuan edhe më tej, deri në Pukë, atje ku kërkohej kontributi i tyre. Shumë prej tyre, në ndjekje të rrjedhës së Devollit, qëndruan në malësitë e Gorës dhe Oparit, të tjerë shkuan në Librazhd, Gramsh e deri në Pukë. Edhe ilaçet, natyra i ka ndarë bashkë me banorët. Jo vetëm ilaçet e shumta bio që natyra i ka falur këtij vendi, por edhe ato që marrin në spitale. Një i moshuar në Dardhë bëri dy ndërhyrje në zemër në Amerikë. Mjekët i dhanë edhe pesë lloje ilaçe me vete. Kur e morën vesh vendin prej nga ishte, i hoqën dy prej tyre. “Për këto, nuk keni nevojë atje, ua ka falur natyra”! Kështu i thanë. Kanë kaluar qysh atëherë 30 vite. Po vazhdojmë me Dardhën, meqë e filluam atje. Të parin që takojmë bashkë me Rizain, është Koli Skëndi, Kryetar i Shoqatës “Shpresa” i cili na pret me mirësi. Riza Shaholli, u tregua i papërtuar për të na shoqëruar. Ai bashkë me familjen e tij, janë një histori suksesi, për bimët medicinale, për punësimin e dhjetëra familjeve në Devoll e më shumë akoma në malësitë e Gorës dhe Oparit. Rizaj çdo gjë e sheh me syrin e specialistit, të këtyre mrekullive të natyrës. Herë pas here, ndalon dhe merr ndonjë degë meshteknë me vlera të shumta kurative. Koli, është tek të nëntëdhjetat, por “Qitapin” e tij nuk e ndan ku ka të shkruar rrugën që ka ndjekur fshati Dardhë. Banorët e parë kanë ardhur këtu nga fshatrat përreth rreth vitit 1668 deri në vitin 1700. Nuk donin t’i nënshtroheshin turkut. Fukarallëku i detyronte që të mos paguanin xhelepe, fukarenj por krenarë dhe atdhetarë. Natyra, i mori brenda gjirit të saj të bukur. Në fillim të shek të XX-të Dardha kishte afro 400 shtëpi. Në Dardhë “të çlodhet edhe shpirti edhe trupi”. Kështu shprehej në një guidë turistike në vitet 30-të Mexhide Zogu, motra e Mbretit Zog. E si mos të të çlodhet edhe shpirti edhe trupi, me atë klimë që nuk e gjen kurrkund tjetër përveç në Voskopojë. Uji, është me shumë vlera kurative. Afro njëqind burime uji i ka dhënë natyra Dardhës, të gjitha të kthyera në çezma. Edhe banorët, nuk mbetën më pas. Gjatë 30 viteve qysh nga çlirimi afro 100 kuadro vetëm mësues shumica e tyre me arsim të lartë ka nxjerrë Dardha dhe jo vetëm, por edhe mjekë, ushtarakë, profesorë, ekonomistë, agronomë dhe veterinerë të shquar. Anë e mbanë Shqipërisë ata kanë dhënë kontributin e tyre. Me qindra janë dardharët të shpërndarë nëpër botë, e të organizuar në shoqëri të ndryshme bamirëse si “Vëllazëria dardhare”, “Vëllazëri patriotike dardhare” në Kembrixh 1906 etj. Në Dardhë ka lindur edhe koleksionisti Papa Jani Zengo, mësues, piktor koreograf fotograf. Në vitin 1886, ai përgatiti fjalorin shqip me 33 gërma. Fotografia e tij e parë dokumentohet në vitin 1864. Edhe njerëzit edhe natyra edhe uji kurativ, askush nuk të japin “lejë” të largohesh dhe ashtu si me marifet marrim rrugën poshtë në drejtim të Sinicës, “Kryeqendrën” e Devollit të Sipërm. Tërë ajo bukuri natyrore, tërë ato cicërima zogjsh, duket sikur na “ankohen” për atë kontrast të madh midis natyrës dhe njeriut. Edhe herën e kaluar, kur erdhëm nga Mirasi edhe sot që vijmë nga Dardha, i njëjti realitet, një rrugë copë-copë. Shija e mikpritjes në Dardhë, na iku shpejt. Nuk është më shumë se 3 km deri në Sinicë, po të duket sikur është 20 km. Kjo, nuk është në dorën e natyrës, ajo i ka kryer me përpikmëri detyrat e saj, kjo është në dorën e njeriut. Është po ajo rrugë që ka qenë në kohën e turkut “rezil” që banorët të shpëtonin prej tij. Edhe ajo gotë raki bio nga kumbulla e egër që na qerasën dardharët na doli nëpër hundë. Nuk e kanë keq politikanët dhe biznesmenët që vijnë pushojnë në Dardhë dhe marrin rrugën e kthimit të shtruar me asfalt. Nuk u intereson atyre të shkojnë në burimin e dijes, të dritës, në Sinicë, Nikolicë, Qytezë, nuk u intereson të shohin këtë muze të gjallë ku dëshmitarët janë të shumtë, që tregojnë se ky vend ka qenë i populluar shekuj e shekuj më parë. Sa e sa beteja janë zhvilluar në Bozhigrad (Miras) qysh nga koha e Perandorisë Osmane për t’i nënshtruar, por nuk kanë mundur. Ali Pasha, kërkonte një rrugë kalimi për të depërtuar në thellësi, por burrat bozhgradarë i bënë pritë dhe i shkaktuan atij humbje të mëdha. Atëherë Aliu, përdori “kulaçin”. I mori me të mirë për trimëritë e tyre dhe shumë prej tyre i mori në oborrin e tij, ku i ofroi ofiqe dhe dhurata. Mbasi bëri këtë, atëherë dërgoi Kapedanin Jusuf Arapi në pabesi duke u shkaktuar humbje të mëdha. E kush nuk ka shkruar për trimëritë e bozhigradarëve... Kënga kushtuar trimave bozhgradarë, shkoi deri tek Bubulina, (Dhaskarina Pinoci) me origjinë nga komuniteti arbëror në ishullin Nidhra, komandante e anijes luftarake “Agamemnon”, e cila dha një kontribut të madh në pavarësinë e popullit grek: “Bubulina ka çu fjalë/ Më sillni një bozhgradar të gjallë/ T’i puth këmbë e ballë, / Me atë të bëj një djalë. / T’i bëj zap këta pashallarë osmanë”. Por betejat e tyre vazhduan edhe më pas dhe asnjëherë nuk u mposhtën. “Kalatë” e trimërisë Sinicë, Qytezë, e më tej akoma Poncarë, nuk u nënshtruan as nga masakrat e andartëve grekë në vitet 1914-1918, masakra këto nga më ç’njerëzoret. Të gjitha shtëpitë e fisit Memelli në Sinicë, u bënë shkrumb e hi. Po kështu edhe në Poncarë e Menkulas e gjetkë në Devoll, fshatrat e të cilin iu nënshtruan edhe përdhunimeve masive. Në Kuç, vranë Baba Kasëmin, por në Bozhigrad, nuk mundën të futen, mbasi 500 burra të armatosur e të drejtuar nga Sulejman Zerani dhe Emin Zerani, u bënë barrikadë e pakapërcyeshme. Gjithçka, e dëshmon historia, por për politikën, këto duken si “vjetërsira”. Një popull që nuk e di prej nga vjen, nuk e di as ku shkon. Si duket politikanët merren me probleme të mëdha dhe nuk u intereson të çojnë rrugën në këto “kala” të trimërisë, sepse rruga është përparim, rruga është kulturë, rrugë është zhvillim. Sidomos në këta tridhjetë vite të fundit jo vetëm që nuk është bërë asnjë investim, por përkundrazi, vetëm është shkatërruar. Nejse. Në këto mendime, mbërrijmë në Sinicë. Të njëjtin person takojmë rrugës si herën e kaluar, Vangjel Ketrin, i cili rrugën nga Mirasi, prej një orë e gjysëm deri në Sinicë e ka marrë në këmbë. Vangjeli është nëntëdhjetë vjeç dhe këtë jetëgjatësi, ia “dedikon” politikës, që e “kalit” për të mbajtur në formë shëndetin. Nga fisi i tij “Ketri”, kanë dalë ekonomistë, profesorë, mjekë e deri në Kryepeshkopë në Boston të Amerikës si Ilia Ketri. E pse të shkojnë politikanët në këto “kala” që dëshmojnë historinë e trimërinë, përderisa nuk ka votues? Banorët e Sinicës, i gjejmë duke mbledhur prodhimet e tyre të fundit, arrat dhe rakinë e kumbullës. Kryeplaku i fshatit Afrim Memelli, veterani Stavri Dimoshi ky burrë shembullor e me zemër të madhe të ofrojnë gjithçka e flasin me pasion për Sinicën, flasin me pasion, por edhe psherëtijnë. Ata kanë pasionin për të treguar gjithçka, por kanë edhe shumë ankesa, jo “qiqra në hell”, por një rrugë me çakull.. Vala e Madhe dhe Vala e Vogël janë dy “perlat” e Sinicës. Që të dyja të frekuentuara aq shumë nga turistë vendas e të huaj. Katarakti që ato formojnë janë një Niagarë e Vogël, por më e bukur. I tremben banorët se mos shteti bën edhe me ato ndonjë “dallaver”! Të tjerë thonë që ato nuk preken, por kush beson? Janë mësuar tashmë banorët edhe me pabesitë. Edhe Sinicën, natyra ashtu si Dardhën, nuk e la t’i mbetej “hatri”, por i dhuroi edhe asaj mbi 120 burime uji, ujë si kristal. Vala e Madhe, Vala e Vogël, formojnë lumin Devoll dhe e bëjnë atë të papërmbajtur. Edhe dijetarët e fshatrave Sinicë, Dardhë e Qytezë, u bashkuan të gjithë e formuan një armatë dijetarësh sot në çdo cep të botës. Banesat, janë ndërtuar të reja qysh në vitin 1935, me kontributin e vetë banorëve emigrantë në vende të ndryshme të botës. Qysh atëherë, asnjë investim as në Sinicë, as në Qytezë, as në Nikolicë. Po pse vallë biri i Sinicës, Albert Hysolli, mos do të priste nga shteti të ndërtonte shtëpinë e gjyshit të tij, Abdurahman Hysolli? Alberti punon në Athinë dhe me të ardhurat që mbledh, me shumë sakrifica ka ndërtuar shtëpinë e gjyshit të tij, ka “disiplinuar” burimet me ujë të pastër duke i futur në një depo të përbashkët për t’i shpërndarë nëpër familje. Gjyshi i tij, ka bërë shumë për Sinicën e për Shqipërinë. Le të njihemi pak me këtë figurë të shquar atdhetare...

(Vijon në numrin e radhës)