BREAKING NEWS

“Do të nisë së shpejti”, Spartak Ngjela paralajmëron lëvizjen që do të luftojë korrupsionin politik në nivele të larta: Do jetë fundi i...

“Do të nisë së shpejti”, Spartak Ngjela
x

Opinion / Editorial

Dhe tani ik... e mos më çaj kokën me gjithë atë Zogun tënd!

Dhe tani ik... e mos më çaj kokën me gjithë atë Zogun

Artikulli është serioz dhe nuk ka aspak të bëjë me “zogun” e kalamajve të vegjël, madje as me shakatë shkodrane kur të drejtohen se “paske qenë nji zog gomarit” apo “zog thiut”. Jo aspak! Materiali më shumë merret me “Zogun” e legalistëve. Natyrisht dhe është logjike, që përfaqësuesit e “Legalitetit” u takon që ta mbrojnë udhëheqësin e vet shpirtëror, i cili e dha shpirtin nëpër Europë për mbretërinë e tij, që e kishte më shumë për zemër se sa vet Shqipërinë dhe shqiptarët. Por, përpara se të merremi me bëmat e Zogut, më duhet të kujtoj se për qejfin e tij, kur unë isha fëmijë, një kushëriri im i cili babain e kishte patur xhandar në kohën e tij, më ka zhdëpur me goditje të njëpasnjëshme, nga një shami e madhe lidhur në fund të saj një gogël sa një arrë me lojën “Fluturon..fluturon... fluturon”... Kushëriri im ishte një hileqar i madh, sepse e fillonte lojën : “Fluturon...fluturon.. Zogu”! Unë me shpejtësi ngrija dorën, teksa ai më thoshte: Ore kërriç, po pse fluturon zogu?! Kur unë i përgjigjesha se ai fluturon. Jooo, ma kthente, e kam fjalën për mbretin.

Të nesërmen përsëritej avazi dhe unë duke e ditur se bëhej fjalë për mbretin, nuk e ngrija dorën. Por përsëri haja dajakun, sepse im kushëri më thoshte: O kërriç e kisha fjalën jo për mbretin Zog, por për zogun fluturak... Kështu që në këto rrethana, që kur isha nxënës ca dhe nga kërshëria, ca se dhe duhej mësuar historia u detyrova të mësoja diçka rreth figurës së tij. Pavarësisht asaj dhe dijenive të mia rreth kësaj figure sa tradhëtare, aq dhe të urryer nga populli, ajo që më befasoi pa masë këto kohët e fundit, është fakti se pak ditë më parë, në një artikull editorial njëri nga udhëheqësit e ligjshëm (legal) të legalitetit, në vend që ta mbrojë kumandarin e tij që braktisi ushtrinë dhe popullin, pa dashje i nxjerr të palarat mbretit të tij qesharak, i cili luante me formën e rendit kushtetues, si donte ai. Anadollaku qejfli i salloneve të Vjenës, kur ia donte dëshira e shpallte Shqipërinë Mbretëri e kur i kthehej mëndja e bënte Republikë, madje më vonë kujtohej, se kjo punë nuk na qenkësh gjë fare dhe e rikthente atë përsëri në mbretëri, sikur ai të luante aty “kukafshehthi” sëbashku me gjashtë princeshat gjysmë të martuara, të cilat ishin dhe motrat e tij. Legalisti në fjalë e fillon përrallën aty nga fundi i dhjetorit (25 dhjetor) në përkujtim të “triumfit” të tyre. Dhe jo rastësisht e bënë këtë. E bën në përkujtim të ardhjes së Zogut në pushtet prej serbëve dhe bajonetave të shpartalluara të Vrangelit, që ishin dhe idhulli i tij shpirtëror. Me këtë rast ai, na e paraqet “Legalitetin”, si një subjekt legal, që nga gjuha juridike do të thotë “e ligjshme”. Po mirë, po këto subjekte e opozitës të viteve 20-të të shekullit të kaluar, vallë nuk ishin legjitime?

Apo mos me këtë formë, ai justifikonte vrasjet e përndjekjet, të mëkuara këto nga helmi i bajraktarizmit mesjetar i kullave të Burgajetit? Mos vallë me këtë “legalisti” në fjalë kërkon që nëpërmjet përrallës së tij, të justifikojë të gjitha krimet, skenat e prapaskenat, që ky satrap luajti mbi kurrizin e shqiptarëve gjatë periudhës së sundimit të tij? Ai, në artikullin e vet editorial, jo pa qëllim bën sikur harron apo më saktë bën të paditurin dhe as që nuk e përmend fare se Ahmet Zogu, është dora vrastare e atdhetarëve Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi, Bajram Curri e Hasan Prishtina, pa folur këtu për dhjetra e qindra të tjerë, që ai i vriste mbas shpine. Përralla e tij, vazhdon më tej duke e konsideruar “Revolucionin e Qershorit” të vitit 1924, si një grusht shteti, me argumentin se gjoja në krye të tij, na paskësh dhe punonjës së administratës zogiste.

Por ai, pa dashje rrëshqet duke vërtetuar të kundërtën e asaj që kërkon të përçojë te lexuesit. Dhe ja se si ai shkruar me dorën e vet: “Forcat kryengritëse të ardhura nga Skrapari, Vlora, Fieri, morën Beratin” dhe pastaj pak më poshtë përmend se ranë Peshkopia, Kavaja dhe forcat kryengritëse të nisura nga Shkodra, kapin Tiranën teksa qeveria e Iljaz Vrionit merr arratinë në Durrës dhe vet Zogu e mbajti frymën në Serbi sëbashku me Osman Gazepin që e mbante si “shqyrtar”, ashtu sikurse “Don Kishoti” në roman mbante Sanço Pançon. Kur qenkan kaq shumë qytete e krahina që “legalisti zogist” i shkruan me dorën e vet, si mund të quhet puç?! Përralla me mbretin Zog, vazhdon dhe çuditërisht e përfundon dhe e çon atë deri në rimarrjen e fronit. E pyes legalistin në fjalë: A e dini ju zotni se çfarë bëri Zogu në Serbi gjatë kohës, që qëndroi atje i arratisur?! Por paraprakisht “legalistit legal” që na kapardiset si triumfator, i duhen mësuar ca parime filozofike, parime të rëndësishme këto, të cilat nënvizojnë se lëvizjet e mëdha shoqërore, në periudha historike të caktuara, udhëhiqen vërtet nga elementë të cilët vihen në krye të tyre, por kjo nuk është rastësi, nuk është rastësi sepse lëvizje të tilla, kur kanë karakter revolucionar e që shoqërohen, apo që dëshirojnë ndryshime të mëdha ekonomike sociale dhe kur ato marrin karakter masiv e që shtrihen në shumë qytete e krahina, (që z.”legalist” vet i përmend,) nuk mund tu themi se na qenkësh një grusht shteti, apo puç, sikurse ia ka ënda t’i trajtojë ai. Revolucion qershorit të vitit 1924, ishte vepër e borgjezisë së re shqiptare e përparimtare për kohën, e cila u vu në krye të masave të gjera e të përkrahura nga gjithë shtresat e popullit, por që në rastin konkret, ishte një borgjezi e sapo lindur e formës embrionale, latante dhe e pakonsoliduar.

Në raport me regjimin monarkik e despotik feudal e të korruptuar të Zogut, ky revolucion ishte një hap i madh përpara. Ishte një hap i madh përpara, sepse ata premtuan reforma të mëdha sikurse ishin: Rrënjosjen e demokracisë së vërtetë, ruajtja e së cilës duhet të mos u besohet kurrë feudalëve dhe pseudo-demokratëve; Dënimin e shkaktarëve të vëllavrasjes që kishin mbjellë në popull; Spastrimin e aparateve të shtetit, prej nëpunësve të pazotë dhe vegla të ambicieve të atyre që duan të themelojnë sundimin e vet mbi shkatërrimin e Shqipërisë dhe shtypjen e popullit; Sigurimin e pavarësisë ekonomike të popullit bujk, me anën e reformave agrare të gjera, të cilat vetëm ato kanë për ta shpëtuar kombin, nga robëria shekullore e sundimit feudal. etj. etj. I kujtojmë “legalistit” legal që shëtit me makinë të zezë, madje më të zezë se vet vepra e Zogut, se para revolucionit, ai madje nuk ishte më as kryeministër (sepse e kishin detyruar të jepte dorëheqjen për paudhësitë e tij ), kështu që dhe vet Shefqet Verlaci nuk e përfshiu në qeveri. Në këto kushte, situata ishte inkandeshente dhe do të “duhej” vrasja e deputetit të organizatës “Bashkimi”, Avni Rustemit në prill të po atij viti, pra më 1924, që të shërbente si shkëndijë e shpërthimit të revolucionit borgjez, të udhëhequr nga F. Noli, revolucion ky që do të dështonte gjashtë muaj më vonë me riardhjen tashmë si “triumfator” të Zogut. (Ndaj anadollaku legalist me kollare në qafë përdor termin e vjetër “triumfi i Legalitetit”).

Po ku na qenkësh Zogu dhe me se u mor ai gjatë kësaj periudhe, që kalemxhiu vëzhgues e vazhdues i stafetës së tij “harron” me qëllim duke dashur t’jua u tregojë admiruesve të letërsisë për fëmijë këtë përrallë? Ky Zogu i tij, me emrin Ahmet, mbasi mbathi opingat (sikurse i mbathi dhe në pushtimin italian në vitin 1939) e qëndroi për gjashtë muaj si mysafir, te antishqiptari Nikola Pashiç, kryeministër i Serbisë, na hartoi atje një rezolutë “miqësore në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, të cilët ai i deshi aq shumë dhe që kurrë e për asnjë moment nuk i braktisi.... si në një përrallë prej vërteti. Po çfarë bëri Zogu në Serbi si mik zemre i Pashiçit? Historia nënvizon se të dy besëlidhësit e pa besë nënshkruajnë një dokument i cili bën fjalë se: Shqipëria impenjohet që t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal; Se kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu (këtë e vendoste Serbia sëbashku me Pashicin) duke i akorduar Zogut dhe një kontribut shtetëror vjetor, por me kusht, që të mos ketë Ministri Lufte dhe se Shqipëria heq dorë nga Ushtria Kombëtare (do të na ruante Pashiçi... sikurse tani që na ruan NATO-ja)). Doemos që me këtë rast shtrohet pyetja: Po atëherë çdo të kishte? Përgjigjia : Do të kishim një xhandarmëri të fortë që të ruaj rregullin e qetësinë për të ndaluar çdo lëvizje kundër regjimit të Zogut (Sa e ngjashme kjo me Protokollin ballist të firmosur nga gjeneral Dalmazzo e kryeballisti Ali bej Këlcyra në vitit 1943).

Ajo që të habit më shumë, është fakti se kundërrevolucionarët rusë, të bjellogardistëve të bardhë të Pjotër Vrangelit, i cili ishte shpartalluar gjatë intervencionit kundër Rusisë bolshevike të Leninit, tashmë do të shërbenin në xhandarmërinë shqiptare dhe këta xhandarë, do t’i paguante qeveria jugosllave, sigurisht që nuk mohohej as pjesëmarrja e oficerëve jugosllavë në këtë xhandarmëri. Po mos vetëm kaq? Joooo... kjo s’mbaron këtu! Nuk mbaron sepse midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, do të realizohej një bashkim doganor (E shkreta Shqipëri! Sepse çuditërisht këtë gjë do të na e kërkonin përsëri, por tashmë të maskuar me petkun “komunist” dhe të dërguarit e rinj të shovinizmit të vjetër të Titos në vitet 1945-47, pra 20 vite më mbas, por që u hasi sharra në gozhdë nga Enver Hoxha) dhe së fundi qeveria e Zogut do ta tërhiqte pretendimin mbi Manastirin, por do të kishte të vetën një pjesë të Vermoshit, Kelmendin dhe Sh.Naumin duke ngelur këto nën zotërimin e Jugosllavisë. (Dhe ne themi se Zogu nuk na paskësh qenë një atdhetar i madh.... Po pse pak është kjo, kur mendon më shumë për Serbinë...se sa për Shqipërinë?!) Miku serb i cili e solli në pushtet me anë të bajonetave të huaja, doemos duhej shpërblyer.

Dhe Zogu si njeri i besës e bëri tamam si burrat! “Revolucioni i Qershorit” dihet se dështoi, jo për merita të Zogut dhe trimërive të tij, por për dobësitë që manifestuan udhëheqësit e këtij revolucioni me Nolin në krye, të cilët ishin të përçarë me njëri-tjetrin. Ata gabuan, sepse nuk i mbajtën premtimet ndaj popullit fukara e sidomos ndaj fshatarësisë, jo se nuk donin, por nuk e kishin guximin të përballeshin me feudalët vendas, për të bërë reformën agrare, ëndrrën shekullore të fshatarit shqiptar, i cili i mbështeti fuqishëm gjatë këtij revolucioni. Në këto kushte, feudalët e mëdhenj reaksionarë e kishin më të pranueshëm Zogun që nuk do tu merrte tokat, se sa Nolin që do i kufizonte me anë të reformës agrare. Një shkak tjetër, ishte se qeveria e Nolit, në aparatet e shtetit mbajti në administratën e vet edhe bajraktarë, ish-ushtarakë e simpatizantë të vet Zogut, të cilët luanin rol të dyfishtë. Shkurt, nuk mbajtën premtimet dhe dështimi nuk është aspak meritë e Zogut. Ai (Zogu), do ta vërtetonte dhe një herë mbas 15 vitesh, se kur vihej në provë atdhedashuria, sërish “vishte opingat” dhe ia mbathte, teksa populli hiqte e vuante dhe paguante tradhtitë e tij, sikurse ndodhi në vitin 1939, ku ai në mënyrën më të turpshme mbasi vodhi dhe floririn u largua si një cub ferrash e la atdheun nën thundrën pushtuese të fashistëve italianë.

Vuajtjet e popullit të asaj kohe, nuk mu ndanë as mua dhe çuditërisht më shoqëruan nëpërmjet lojës “Fluturo- fluturon Zogu”! Ato, për dreq do t’i paguaja dhe unë kur më ndëshkonin me goglën e shamisë. Dhe pse? Sepse thosha që Zogu fluturon! Veçse atëherë isha fëmijë dhe nuk e kuptoja si sot, që t’i jepja përgjigjen kushëririt tim me babain e tij xhandar e t’i thosha : Po Zogu fluturon! Fluturon, sepse ai fluturoi më 1924 për në Jugosllavi dhe më 1939 nëpër Evropë, fluturoi e brodhi..... si një zog korbi. Tani ik e mos më çaj kokën me gjithë atë Zogun tënd, i cili herë herë më shfaqet si një “zog-njeri” që nuk fluturon dhe herë herë “njeri- zog” që fluturon jashtë qiejve të Shqipërisë!