Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dhimitër S.Shuteriqi (1915-2003), një simonidë i letrave shqipe

Postuar: 14/11/2017 - 07:21

Ishte një ditë 14 marsi i viteve ’60, me një fjalë një ditë vere, një festë tradicionale e elbasanasve, kur e pashë për herë të parë shkrimtarin dhe studiuesin e shquar, profesorin dhe akademikun Dhimitër S. Shuteriqi. Mbante në kokë, qarkuar me flokë të thinjur kaçurrele, një beretë blu që më kujtoi për një moment beretat franceze në një film të atyre ditëve. Ecte qetësisht përmes vendlindjes rrethuar nga një brerore ullinjsh të sapodalë, me pak gri dhe me pak të kaltër nga dimri i atij moti të vështirë. Përnjëherë m’u kujtua se ai ishte një adhurues i madh i vendlindjes, ishte një “fyell marsiasi” që do t’i këndonte më vonë vargjet:

“Buçet valë e gjerë me kraheror ngërdheshur,

Me një dëshirë kryeneçe shqetësimi,

Këndon sërish marsiasi i pavdekur”.....

Ky marsias i palodhur që qëndroi edhe pse në detyra të rëndësishme shtetërore në diktaturë, si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqipërisë, si akademik, përgjithësisht jashtë trazirave dhe vazhdoi në heshtje atë punë shembullore si shkrimtar i prozës së shkurtër, publicist, kritik dhe sidomos si historian i letërsisë dhe hulumtues i shkrimeve të hershme shqipe, këto hulumtime të tij, disa prej të cilave unë kam pasur fatin t’i lexoj, të habisin me gjerësinë e vështrimit historik. “Katalogimi bibliografik i shkrimeve të hershme të shqipes” është një vepër jete e Shuteriqit të madh dhe tejet e rëndësishme për ne shqiptarët. Një vepër jete e tij mbetet dhe “Studimi monografik” për familjen princërore të Arianitëve. Ai ka dhe meritën e padiskutueshme që konturoi strukturën e vlerave hierarkike të letërsisë shqipe. Njëkohësisht po kaq të rëndësishme sa të parat janë studimet për lashtësinë mesjetare te shqiptarët, për piktorët më të mëdhenj ikonografikë mesjetarë si Onufri, vëllezërit Shpataraku që për fat janë po aq elbasanas sa ai. Por Dhimitër Shuteriqi nuk do të kuptohej në strukturën e tij të thellë pa prozën e shkurtër që mbetet shtylla vertebrale e tij krijuese. Është autor i librave me poezi “Kangët e rinisë së parë” (1935), “Kangë” (1936), por aty ku ai ndihet një Promete i çliruar, janë librat me tregime si “Gurneçka” (1957), “Gjashtëdhjetë tregime në një”, “Tregime të zgjedhura” (1972), etj. Në këtë kontekst, duke e parë atë siç thashë më sipër si një hulumtues i shquar i historisë dhe ikonografisë mesjetare, s’do të lë pa përmendur dhe performancat e shquara shkencore të tij, një botë më vete, dhe kjo e ngarkuar me një dashuri dhe frymë jetëdhënëse, si “Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850” botim i vitit 1976, “Autorë dhe tekste” (1977), “Mbi Barletin dhe shkrime të tjera” (1979), “Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet ’879-1800” (2005), “Dëshmi parabuzukiane të fjalës shqipe” (2010), “Arianitët: historia-gjenealogjia-zotërimet” (2011). Duke parë plot emocione këtë oligarki vlerash artistike, gjuhësore, shkencore, ikonografike dhe historike, menjëherë më vete mendja te një Promete i letrave elbasanase, një njeri modest, shkencëtar skrupuloz, historian këmbëngulës që larg tamtameve dhe lavdisë së rreme, krijoi një bibliotekë të pasur artistike dhe shkencore. Mund të them plot emocion se kjo është bibliotekë e një Shuteriqi të shënuar, një dashurues plot pasion i frymës së vendlindjes, një ndërtues i historisë dhe i artit elbasanas, një daltues i bareliefeve mesjetare që nga ku na vjen duhma e një shpirti të madh krijues. Ai qe një yll vezullues më tha një mik një ditë sepse duke shfletuar rastësisht bibliotekën e tij pasmortore, gjeta plot habi dhe shumë libra të shkrimtarëve dhe artistëve të shekullit të tij, me dedikime të ngrohta si librat e Pol Elyar, Filip Supo, Ilia Ehrenburg, Zhorzh Amado, Lui Aragon etj. Pra, një mozaik, një kurorë që i rri bukur mbi atë beretë allabretone si një ndriçim, si një shenjë që na e bën kujtesën më të thellë, krenarinë më të besueshme dhe moshën e korifenjve shqiptarë që ka studiuar me një dimension të kaltër stratosferik. Duke hequr nga shpirti i tij disa krijime apokrife të kohës si romani “Clirimtarët” i mbushur me pak dogma dhe pak diktaturë të kamufluar, gjërat e tjera të tij janë plot aromë karakaftesh, plot aromë ullinjsh, të lagur me pak shi biblik elbasanas që më shtie nëpër mend disa korrierë qiellorë që rreken të ringjallin tek ne profetët e një historie plot enigma të çuditshme për botën.

Nga Mustafa BERATI

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/11/2017 - 07:26

Sigurisht që është përmendur shpesh (në këto tre dekada) herë “cleptocracy-a” e cila në fakt, është hajdutëria e pushtetit, ose qeveria e vjedhjeve, por dikush akoma më shumë, ka përmendur dhe “plutocracy-në” apo më mirë – pushteti të pasurve në sundim të shtetit!

Postuar: 21/11/2017 - 07:25

Njoftimi nga ana e repartit komando mbi dezertimin apo arratisjen e 4 ushtarëve që po trajnoheshin në një qendër stërvitore në Angli na befasoi, na çuditi dhe revoltoi së tepërm

Postuar: 21/11/2017 - 07:15

Partia Demokratike lëshoi tullumbacen e radhës.

Postuar: 19/11/2017 - 07:07

Ndër veçoritë e spikatura të diskursit politik në Shqipëri është ngjyrimi i fortë emocional.

Postuar: 19/11/2017 - 07:05

Onufri (Piktor i shekullit XV)

Postuar: 19/11/2017 - 07:00

Shqiptarët nuk çuditen më për asgjë, në këtë vend ku çudirat janë bërë të zakonshme, ku edhe më budallai thotë: unë jam më i mençuri.

Postuar: 18/11/2017 - 07:20

Shqiptarët janë shquar ndër shekuj për mirënjohjen që kanë treguar ndaj gjithë atyre personaliteteve të fushave të ndryshme, politikanë, studiues, artistë, arkeologë, etnografë,