BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Diferencat e qëndrimeve dhe reagimeve të qeverive, në rastet kur vriten qytetarët me armët e shtetit

Diferencat e qëndrimeve dhe reagimeve të qeverive, në rastet kur

E drejta e jetës është një e drejtë universale e sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në Konventën Ndërkombëtare të Lirive dhe të Drejtave Themelore të Njeriut. Dhe mbrojtja e jetëve njerëzore është detyra kryesore e qeverive. Pa hyrje, pa fjalë boshe dhe pa bërë lojëra në artikulimin e fjalëve, po ballafaqojmë disa qëndrime kryesore ligjore, politike, morale dhe njerëzore të dy qeverive. Për të konkretizuar diferencat e këtyre qëndrimeve po iu referohemi vetëm dy ngjarjeve: Vrasjes të Klodian Rashës në datën 8 dhjetor 2020 dhe vrasjeve të Ziverit, Hekuranit, Aleksit dhe Faikut në 21 janar të vitit 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

1. Vendi, kushtet dhe rrethanat e ndodhjes të dy ngjarjeve:

a. I riu Klodian Rasha u vra nga një polic që nuk ishte në përbërje të një formacioni ruajtje apo sigurie, por ishte në një detyrë rutinë dhe të pavarur patrullimi, ku shpërdoroi detyrën dhe vrau me dashje një qytetar, në një rrugicë të errët në Laprakë.

b. Në 21 janar u vranë katër protestues paqësorë para kryeministrisë nga disa efektivë të gardës që kryenin detyrën e tyre, në kuadrin e një operacioni të planizuar për ruajtjen dhe sigurinë e Kryeministrisë, i cili drejtohej dhe mbikëqyrej në mënyrë direkte jo vetëm nga komanda e gardës, por drejtpërdrejt edhe nga Berisha e Basha.

2. Trajtimi dhe menaxhimi ligjor i dy ngjarjeve:

a. Vrasja e Klodianit u trajtua ligjërisht që në momentin e parë. Këtë e tregojnë këto fakte: Policia u vetëpërjashtua nga hetimi se ishte në konflikt interesi; polici u ndalua menjëherë si autor i krimit; policia siguroi dhe ia dorëzoi prokurorisë të paprekur vendin e ngjarjes; prokuroria udhëhoqi hetimet dhe kërkoi arrestimin e policit dhe gjykata vendosi për arrestimin e tij. Pra prokurorisë iu krijua hapësira ligjore për të kryer hetimet pa asnjë pengesë. Si rrjedhojë hetimet u kryen brënda një kohe rekord, u zbardh ngjarja kriminale dheu klasifikua si vrasje me dashje.

b. Në protestën e 21 janarit Berisha dhe Basha që në momentin e parë i prishën provat, zhdukën serverat e Kryeministrisë dhe u ndërhy deri tek manipulimi i armëve me të cilat u krye krimi. Pas 21 janarit 2011, Berisha dhe Basha jo vetëm nuk bashkëpunuan, por e penguan prokurorinë për të kryer detyrën dhe misionin e saj, nuk lejuan zbatimin e urdhër-arresteve të prokurorisë dhe sulmuan prokurorinë duke e cilësuar Kryeprokuroren “lavire bulevardi”. Jo vetëm nuk lejuan arrestimin e autorëve të vrasjeve, por iu garantuan mbrojtje autorëve të krimit, duke i siguruar ata direkt në godinën e Kryeministrisë. Berisha dhe Basha dolën mbi ligjin, sepse vetëm gjykata konfirmon apo e rrëzon urdhrin e prokurorit.

3. Përgjegjësitë morale dhe shtetërore që morën dy qeveritë pas dy ngjarjeve:

a. Në momentin e vrasjes të Klodianit, Rama ishte në Amerikë, kurse Lleshaj ishte pranë familjes të tij. Pra nuk ishin prezent në vendin e ngjarjes. Ministri Lleshaj pa patur asnjë përgjegjësi direkte zbatoi një standard perëndimor. Me aktin e dorëheqjes ai dha një mesazh shtetëror për zbutjen e dhimbjes dhe ngushëllimin e familjes, për qetësimin e protestuesve dhe për t’i hapur rrugën një hetimi të drejtë të ngjarjes që u shkaktua nga një armë e shtetit. Rama, Lleshaj dhe Çuçi vizituan familjen e Klodianit, e ngushëlluan dhe treguan një akt njerëzor ndjese jo vetëm ndaj familjes Rasha por dhe ndaj publikut. Një javë pas ngjarjes, qeveria i akordoi familjes një dëmshpërblim financiar ligjor dhe u pranua publikisht që vrasja ishte një vrasje me dashje.

b. Në 21 janar 2011, ish-ministri Basha ishte në tarracën e Kryeministrisë dhe Berisha në zyrën e tij në Kryeministri. Pra ishin në vendin e ngjarjes dhe drejtonin operacionin për ruajtjen dhe sigurinë e Kryeministrisë. Pra ishin prezent në vendin e ngjarjes. Por dhe në këto rrethana rënduese nuk pati as dorëheqje dhe as shkarkim të ministrit të Brendshëm. Përkundrazi Basha pas “heroizmit” të 21 janarit, u shpërblye me detyrën e kryebashkiakut të Tiranës dhe më pas me atë të kryetarit të PD. Ata jo vetëm nuk guxuan të vizitonin familjet e 4 të vrarëve të 21 janarit, por nuk iu dhanë familjeve të katër të vrarëve as dëmshpërblimin financiar ligjor që meritonin, por iu dërgonin privatisht në familje emisarët e tyre që iu ofronin shuma të mëdha lekësh, për të blerë padrejtësinë dhe pafajësinë e autorëve të krimit. Berisha dhe Basha as dje dhe as sot nuk i kanë pranuar 4 vrasjet e 21 janarit si krime, por i kanë vlerësuar si vrasje ligjore që janë kryer nga Garda për mbrojtjen e Kryeministrisë. Veprimet e gardistëve janë ligjore vetëm brenda rrethimit të Kryeministrisë. Fakti është që 4 protestuesit u vranë me dashje, sepse ishin jashtë rrethimit, në mes të bulevardit dhe për të siguruar rendin në këtë hapësirë publike, përgjigjet ligjërisht Policia e Shtetit. Ata fillimisht tentuan që vrasjet t’ia faturonin opozitës, duke përdorur teorinë e vrasjeve në afërsi me stilolapsa apo çadra pistoletë. Sali Berisha edhe para disa ditësh deklaroi me mburrje dhe krenarisë kishte një plan, për të vrarë kryetarin e Partisë Socialiste, pas protestës së 21 Janarit 2011. Ai theksoi: “Nëse Edi Rama do të afrohej të nesërmen e 21 janarit pranë kryeministrisë dhe nëse vetëm një gjethe do të prekej, 5 snajperë do ta qëllonin atë në lule të ballit”. Ky pohim përbën një vepër penale që sfidon organet e reja të drejtësisë dhe njëherazi vërteton se Berisha dhe Basha jo vetëm që e drejtonin operacionin e gardës, por kishin si pjesë të atij plani edhe urdhrin për vrasjen e liderit të opozitës.

4. Karakteri i protestave pas dy ngjarjeve:

a. Pas vrasjes së Klodianit për disa ditë rresht u kryen disa protesta, të cilat degjeneruan dhe u orientuan drejt dhunës, agresivitetit dhe shkatërrimit të objekteve duke krijuar premisa për humbje të tjera jetësh nga protestuesit apo nga policia. Këto protesta vijuan të bëheshin më agresive megjithë deklarimin publik që bëri i ati i Klodianit, i cili me gjithë dhimbjen e papërballueshme që kishte në shpirt, kërkoi drejtësi dhe theksoi që për djalin e tij mos dëmtohej asnjë lule. Për herë të parë ndodh që në protestën e datës 10 dhjetor të sulmohen dhe dëmtohen Muzeu Historik Kombëtar, Biblioteka Kombëtare dhe Teatri Operës dhe Baletit, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen e Klodianit apo me gjendjen ekonomike, me keqqeverisjen apo me dhjetëra arsye të tjera që mund të dilet në një protestë. Nxjerrja në krye të protestave dhe sulmeve mbi këto objekte të fëmijëve të mitur kundrejt pagesës, në kundërshtim flagrant me ligjin është një veprim skandaloz, i turpshëm dhe një precedent i paparë ndonjëherë më parë. Pushteti nuk merret asnjëherë me protesta të dhunshme dhe aq më pak pushteti nuk merret duke përdorur si kamikazë të miturit. Fakti që Saliu dhe Meta kanë kohë që trumbetojnë me forcë një tip të ri paradoksal të “Revolucionit Demokratik”(dy nocione që përjashtojnë njëri-tjetrin) të çojnë në arsyetimin logjik se te kjo dyshe agresive që ka humbur ekuilibrat politikë e kanë frymëzimin mendjet e mbrapshta dhe tinzare të PD dhe LSI-së, të cilët i organizuan dhe drejtuan të miturit drejt dhunës dhe shkatërrimit. Misioni dhe detyra e politikanëve është që adoleshentët dhe të miturit t’i orientojnë drejt paqes dhe kundër dhunës; drejt ndërtimit dhe jo shkatërrimit; drejt edukimit, diturisë e zbatimit të ligjeve dhe jo drejt injorancës, anti-ligjshmërisë dhe krimit.

b. Kurse pas 21 janarit u organizua një tubim i vetëm masiv, ku me mijëra qytetarë bënë homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe me dhimbje në shpirt vendosën buqeta me lule në vendet ku u vranë katër protestuesit paqësorë, Ziveri, Hekurani, Aleksi dhe Faiku.

Së fundi theksojmë se protestat janë një e drejtë legjitime e qytetarëve dhe janë të shëndetshme për demokracinë. Po ashtu është e vërtetë që në godinat qeveritare përgatiten skenarët dhe planifikohen aferat e korrupsionit nga pushtetarët e radhës dhe me të drejtë organizohen protesta, në të cilat organizohen falangat e militantëve partiakë më ekstremë dhe sulmohen apo qëllohen me gurrë dhe molotov godina e Kryeministrisë apo ministrive të tjera. Por asnjëherë partitë opozitare të këtij vendi nuk i kanë orientuar protestuesit për të sulmuar apo shkatërruar vilat superluksoze të ndërtuara nga pushtetarët e korruptuar në Lalëz, Hamallaj, Qerret, Lundër, Farkë, apo në pjesë të tjera të përzgjedhura të vendit, të cilat janë në fakt produkti më i pastër i korrupsionit politik.