BREAKING NEWS

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë të re doktoresha e njohur (Emri)

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë
x

Opinion / Editorial

Dijet dhe dijetarët nëpër rrugë dhe trotuare...

Dijet dhe dijetarët nëpër rrugë dhe trotuare...

 

... Kurse “raftet” e Institucioneve, administratës shtetërore dhe subjekteve private, janë mbushur me partiakë dhe analfabetë. Jetojmë në kohën e krizës mbi kriza, që është kriza e trurit! As më shumë e as më pak, edhe “truri” është bërë bashkudhëtar me librat që përditë e më shumë po dalin nga raftet e bibliotekave dhe librarive dhe po përfundojnë nëpër rrugë e trotuare. Të tjerë akoma, si “vjetërsira” që janë, mbushin raftet e kafeneve të “Mullinjve të vjetër” që as të rinjtë e as të moshuarit, nuk ua hedhin sytë. Për analogji, kështu po “del” edhe truri i njerëzve nga vendi ku e ka “instaluar” Zoti dhe po i bashkohet edhe ai “pjellës” së tij, që janë librat... U bë shumë kurioz një udhëtar dhe e “pyeti” librin : “Përse duhet të lexojmë libra.”? “Sepse edhe unë, dikur kam qënë dru”, iu përgjigj libri. Nejse. Ndoshta mund të jetë pak e ekzagjeruar, por në fund të fundit, ka pak të vërtetë që në këto tridhjetë vitet e fundit, po kthehemi në origjinë, dekada vite më mbrapa atëherë kur mungonin shkollat shqip apo nuk lejonin kushtet e vështira për të mësuar shkrim e këndim... Në një qytet, një “librashitësi”, i cili jam i sigurt që nuk ka lexuar ndonjëherë ndonjë libër, i erdhi radha që të marri përsipër një mision të vështirë të shesë libra. Si ky “librashitës” ishte edhe shteti që erdhi fill pas vitit ‘90-të. Futur në të njëjtët thasë “ku fut edhe hedhurinat për t’i hedhur tutje, “librashitësi” i nxjerr një e nga një librat dhe i vendos me “kujdesin” më të madh për t’i shitur e për të nxjerrë bukën e gojës. Kështu edhe shteti “i dijes” që erdhi pas rënies së diktaturës, kështu i nxori të gjithë dijetarët nga funksionet ku ishin dhe i zëvendësoi me të “diturit” e kohës “moderne”! Sa për të thënë, para se t’i vendosi me radhë i fryn secilit sikur gjoja t’i heqi pluhurin që ata kanë marrë gjithë ditët e beharit (gjatë kohës së diktaturës) aty në rrugë dhe më pas shkon e zë një qoshe në fillim të trotuarit duke biseduar me ndonjë shok apo duke kthyer ndonjë gotë në kafene sepse e di që “mallin” e tij, nuk e vjedh kush dhe jo vetëm kaq, por as sytë nuk ja hedh kush. Edhe shteti sot, e di që ndonjë i ditur, ekselent, shkencëtar apo profesor nuk i afrohet shtetit të “ditur”, sepse e di që të diturit me të vërtetë kanë zënë “vetveten” dhe i afrohen shtetit, vetëm ata që nuk kanë bërë “shkrap” punë në jetën e tyre. Midis dhjetra e qindra shembujve, po marr të ndjerin Moikom Zeqo. Moikomi, eci pesë herë më shpejt se koha e ndoshta më shumë, si shkrimtar, si studiues, si historian, si arkeolog, si poet. Por a e vlerësoi kush këtë erudit, këtë gjeni të letrave? E përse të afrohen të diturit, përderisa truri i tyre është më i papaguari, përderisa çdo vend është zënë nga “të diturit” me diploma fallco, me dëftesat e blera të shkollës së natës? E përse të afrohet tek shteti ndonjë dijetar mes të “diturve” të tij, apo që të duket si “delja” midis “dhive” të azdisura? Ja pra kështu si ky “librar” qëndron edhe shteti, larg dijetarëve por edhe këta qëndrojnë larg shtetit sepse u prishin punë. Po të hyjë i dituri mes armatës së politikanëve të “ditur” do të quhet i çmendur, po të jetë analist apo gazetar i pavarur e me dije, nuk mund të shkruajë e të thotë vetëm ato që i thotë shefi i tij. Po të futet në radhën e atyre që sot mbushin administratën, i dituri do të stonojë, sepse ai vërtet e ka kokën plot, por xhepat i ka bosh dhe që t’i kesh xhepat plot, sot duhet të mos kesh zënë punë me dorë dhe ai që është i punës, do të quhet “budalla” si puna e këtij më poshtë. Në një moment, doli një “budalla” dhe u interesuar për një libër, të cilin e merr në dorë dhe kërkonte “shitësin”. E gjeti më në fund tek kafja dhe e pyet për çmimin. “Librari” vërtet që nuk ka as shkollën e nevojshme as të ketë lexuar ndonjë libër, por përgjigja që i dha atij që ka në gjak librat, pra “budallait” ishte “filozofike”dhe shumë aktuale për kohën e sotme. Mbasi u mendua pak, i tha “çmimin”. “Dëgjo byrazer, edhe ai libër që ke në dorë edhe çfarë të duash të marrësh për njëmijë leka të vjetra e poshtë janë të tëra”! “Kaq pak ka vlejtur vallë ajo punë kolosale e Gustav Floberit, njërit nga shkrimtarët dhe novelistët francezë më të mëdhenj të shek të XIX, i cili njihet si njeriu që me anë të penës së tij, të bëjë autopsinë e shpirtit të njeriut përveç të tjerave edhe në librin “Zonja Bovari” që “budallait” ia zuri dora? Sikur ta dinte Floberi që tërë ai mund i tij prej afro dy vitesh që “shtrydhi” trurin për këtë libër do të vlente pas afro dy shekuj në Shqipëri, më poshtë se një mijë leka të vjetra. Po a është i vërtetë ky çmim që ka vendosur “librari” jonë në rastin konkret? Po, po kaq paguhen edhe dijetarët që shteti i ka nxjerrë nga “raftet”, një mijë leka të vjetra e poshtë, sepse ata që paguhen njëqind milionë e lart, nuk kanë nevojë as të kenë mbaruar shkollë as të kenë tituj shkencorë. Mund të themi që është shumë i vërtetë dhe ja përse. Me ndryshimin e sistemit në vitin nëntëdhjetë, sikur ta quajmë shtet demokratik atë që erdhi pas diktaturës, i cili jo një e dy, por kam mijëra arsye që të mos e quaj “demokratik” krahas të tjerave edhe për dijet dhe dijetarët, për kulturën në përgjithësi. Dijetarët e vërtetë që mbaruan studime jashtë janë punësuar atje ku kryen studimet, kurse ata që vijnë në Shqipëri mbajnë shpresa të marrin ndonjë biletë bingoje apo lloto. Në kohën e diktaturës, ashtu si për shëndetësinë, u ngritën në çdo fshat vatra kulture dhe salla leximi. A kishte formalitet në shfrytëzimin e tyre. Kishte jo pak, sidomos në fshat sepse ishte ndryshe puna në qytet. E ç’mund të bënte më shumë ai që punonte tërë ditën në arrë e në mal e të vinte në darkë të shfletonte ndonjë libër? E megjithatë diçka bëhej edhe ndonjë recension libri edhe ndonjë libër e merrnin në shtëpi për ta lexuar apo e blinin. Me ardhjen e demokracisë së “dijetarëve”, krahas fabrikave dhe uzinave që u dërguan për skrap, u dërgua edhe truri i njeriut! Nuk u a shkuli trurin nga koka shteti “modern” njerëzve jo, por duke dërguar për skrap shkollat e të gjitha niveleve që nga arsimi parashkollor e deri tek universitetet, rrjedhimisht dërgoi për skrap edhe trurin. Këtej e tutje, për qytetarët, truri, do të ishte i “panevojshëm” sepse ashtu si “dollarët” dhe “thasët me miell” që prisnin në portin e Durrësit që të dyndnin” në Shqipëri vetëm me kusht që të vinin në pushtet “demokratë” dhe jo komunistët e pakonvertuar në demokratë, kështu do të dyndnin edhe “ngarkesat me tru” të ardhur nga Europa dhe Amerika, duke ua hequr qytetarëve “trurin” që kishte “instaluar” diktatura dhe t’u vendosnin “tru demokratik” si gjetkë e gjetkë sepse në të kundërt, vaporët do të ktheheshin mbrapsht. Ka tridhjetë vite që askush nuk merr mundimin për arsimimin që ka të bëjë me gjeneratat e ardhshme, sepse të tre “shtyllat” edhe shkolla edhe puna edhe shoqëria, këto shkolla ku njeriu mbi të gjitha merr dije, mëson përveçse siguron të ardhurat për jetesë, janë rrëzuar për të mos u ngritur më kurrë. Nuk kërkon shumë mend kjo për ta kuptuar nga mëngjesi e deri në darkë. Të tërë të ditur, të tërë të mençur, të tërë mjeshtra e me një “barrë” mend, të tërë mendjellinj aq sa askënd nuk lejojnë t’i dali përpara, si puna e analistëve që na janë bërë si “mortje” çdo natë, sepse nuk flasin me gojën e tyre, por me gojën e shefave të tyre të partisë. Pra, përnatë na flasin politikanët. Po kush është politikani? Ja: “Politikan, është ai person, me politikën e të cilit, nuk je dakord. Po të jesh dakord, ai është burrë shteti”. Dhe burrë shteti është i dituri, jo ai që ka pushtetin e kërkon ta mbajë apo ta rrëmbejë. Ja pse nuk duhen njerëzit e ditur. Po të ishte e kundërta, Shqipëria, nuk do të kishte mbetur në kohën e “kurmit”. Dëgjon e ç’nuk dëgjon, dëgjon “dijetarë” të politikës, analistë, servilë politikanësh, gazetarë, këshilltarë, drejtorë, administratorë, sekretarë, kryetarë e ç’të them unë. Përrallisin, premtojnë, ngrenë komisione pas komisionesh sikur do të bëjnë “tarapanë” dhe një ditë fshihen të tëra. Mos vallë në këto poste vendosen të diturit, të aftët ata që kanë eksperiencë? As që bëhet fjalë fare, sepse duke ditur që dijet kanë ikur për “skrap”, ka ardhur radha e partiakëve dhe e injorantëve që të bëjnë komandë. Dikur ishte skeç, sot është një aktualitet ajo që thuhej tre dekada më parë: “Ti Halim që nuk di shkrim e këndim, je ministër për arsim”. Ndonëse jo kudo, por është fakt që partiakëve, nuk u interesojnë dijet, por besnikëria ndaj partisë. Kjo është mëse e natyrshme. Ja të marrim policët, por jo të gjithë. Një herë tjetër do të trajtoj sikur truri të ishte si telefoni që në darkë e heq nga xhepi dhe në mëngjes e merr përsëri. Por këtë radhë do të mjaftonte vetëm kaq. Polici, do të ngrihet në mëngjes dhe atë që nuk e harron, është veshja e uniformës dhe kapela, koburja, blloku i gjobave dhe ata që janë të zanatit edhe hekurat nga prapa. Po trurin? Atë e lënë për në fund prandaj edhe disa e marrin e vendosin tek “vendi” të tjerët e harrojnë. Po pse e harrojnë. Sepse, me thënë të drejtën truri është i fundit që hyn në punë. Kur njerëzit e shohin të veshur polic, në dorë mban edhe bllokun e gjobave, me vete ka edhe hekurat, këto do të ishin të mjaftueshme. Po truri përse do të hynte në punë? Truri do të hynte nëqoftëse ai do të këshillonte, por përderisa firmos gjobën përse duhet të këshillojë? Kështu me radhë. Edhe gjykatësi, ngrihet shpejt e shpejt dhe ikën vë veshi sa më parë redengotën e zezë dhe çekiçin e “drejtësisë”. Po t’i ketë këto, e besojnë që është gjykatës pa patur nevojë të marri “trurin” me vete sepse po të marri këtë, nuk do lironte kriminelin, nuk do të ndëshkonte viktimën, nuk do të bënte lëmsh sistemin e drejtësisë, nuk do t’i iknin nga kurrizi atyre që janë kockë e lëkurë miliona e miliona nga çështjet e shqyrtuara në Arbitrazh. Kështu edhe administratori. Edhe këta, po të kishin shkollë dhe “tru” nuk do të shkruanin edhe emrin gabim të klientit, siç shkruajnë në titrat e televizioneve klientelistët e partive. Në të kundërt, kush do të punësonte gjyqtarët për të vendosur emrat e vërtetë të klientëve? Ndryshe është puna me të diturin, profesorin. Por, po të ngrihej Profesori në mëngjes, të parin do të merrte me vete “trurin”, sepse pa të, nuk ka ku shkon. Po kush e pyet rrugës këtë që ka një “barrë mend”? Edhe një adoleshent e hedh tutje me biçikletë pavarësisht që ai ka trurin me vete dhe di ku shkon. Dhe jo vetëm kaq, por edhe i hakërrohet: “Xhaxha, ku e keni mendjen”! Vështirë është të zgjidhet korkolepsja e këtij lëmshi tridhjetëvjeçar. Në fund të fundit nuk mund të ndryshojë kurrë ai mentalitet i rrënjosur thellë që për çdo veprim që bie ndesh me moralin e kësaj shoqërie, opinioni të ndëshkon dhe thotë: Po ky (ajo) i ka trutë në vend apo jo? Kurse për çdo person apo grup personash që hapat i hedhin me dije e kulturë, të tjerët me të drejtë thonë “Është njeri (njerëz) me tru dhe jo dokudo”!

Dijet dhe dijetarët nëpër rrugë dhe trotuare...