Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Diktatori” Rama dhe “qingjat” demokratë të opozitës

Postuar: 18/07/2018 - 07:11

 Skena ku zhvillohet beteja politike e sotme është mbushur me aktorë grotesk, në shumicë jo vetëm politikanë të opozitës, por dhe të stanit mediatik, sahanlëpirës dhe xhepafryrë prej parave të përfituara si shërbim në interes të grupimeve të caktuara opozitare, që financojnë pjesë të tregut mediatik dhe rrjete sociale.

Nga gjithçka thuhet e dëgjohet në deklarata prej foltores së SHQUP-it, përçka përcjell diskursi politik, jo vetëm në sallën e Parlamentit, mund të bëhet ky formulim: Kemi në njërin krah një kryeministër, një Edi Rama- diktator, që shpërfaq kudo autoritarizmin e tij, autorin e të gjitha të këqijave dhe fatkeqësive të këtij vendi, dhe në anën tjetër një opozitë të nëpërkëmbur prej tij, kryetarë partish e berishistë të tjerë që, në urtësinë e tyre engjëllore luftojnë për të mbrojtur demokracinë në rrezik, dhe perspektivën europiane të Shqipërisë…

Ndërkaq, opozita e shet përditë krejt lirë Shqipërinë, pasi e ka shpallur si vendin më të pabanueshëm në planet për shkak, sipas saj, të pasigurisë dhe frikës prej krimit. Se për shkak të lidhjes së krimit me politikën (kupto qeverisjes) dhe kryeministrin Rama, si kryekriminel dhe kryehajdut, vendi shkon drejt shkatërrimit. Se jemi vendi i parë në garën e trafikimit të kanabisit dhe drogave të forta drejt Italisë e më gjerë; se jemi vendi ku brezit të ri i është mbyllur çdo perspektivë dhe mohuar aspirata për të jetuar e punuar këtu etj., etj. Shkurt, jemi një vend dhe popull në rrezik, ndaj kjo qeveri dhe ky kryeministër duhet të largohen një orë e më parë. Këtë kërkon opozita, paçka se qeveria është aty nga që jo opozita, por shqiptarët kanë votuar në shumicë për të.

Po ç’rëndësi ka kjo për “berishë, lulë, monikët”? Ata kanë lupën e tyre për ti parë gjërat, jo thjesht artificialisht të fryra, por dhe kokëposhtë. Për ta, e keqe është vetëm qeveria socialiste. Antidemokratik është çdo veprim politik i mazhorancës. Fyese dhe autoritariste është çdo shprehje, fjalë dhe veprim i kryeministrit. Vetë ata janë pëllumba. Janë dele të urta dhe viktima e autoritarizmit. Veç, sjellja e përditshme i tradhton. Kjo opozitë ndihet e frustruar për shkak të mungesës së argumentit dhe pafuqishmërisë për të qenë konkuruese e konstruktive në përballje me mazhorancën në debatin politik. Kjo i çon deputetët e saj në shkelje të kodit të etikës.

Kjo opozitë e ka degjeneruar diskursin politik deri në kufijtë e një lloji të veçantë krimi, pasi me mënyrën e të sjellurit e shndërron politikën nga një mjet ndryshimi e progresi, në mjet konflikti e lufte për interesa të ngushta pushteti, duke i larguar njerëzit gjithnjë e më shumë prej saj. Dhe kjo është përgjegjësi. Shprehja e popullit “hajduti thërret kapeni hajdutin” i shkon për shtat këtyre tipave, kësaj opozite, që ka në epiqendër të veprimit jo thjesht opozitarizmin demokratik, por agresivitetin dhe sjelljen populiste, ku kundërshtari politik nuk është për të një konkurent pushteti, por një armik.

Ta identifikosh kundërshtarin politik si armik do të thotë të kesh mendësi jo demokratike. Në demokraci nuk ka antagonizëm klasash, por antagonizëm mendimesh, idesh dhe forcat politike gjenden përditë në frontin e “luftës” për t’i përhapur këto ide, për t’ia bërë prezente publikut të gjerë dhe fituar besimin e votuesve. Nëse PD dhe opozita shqiptare e shikon kundërshtarin politik në qeverisje si armik, kjo nuk e çon kurrkund tjetër, veç në kërkimin e metodave violente të luftës politike (pse jo dhe të veshur me demagogji) për ta larguar atë. Hapur fare po shfaqet kjo në sjelljen e sotme të opozitës dhe mbështetësve të saj nga fusha e medias apo shoqëria civile etj. Joshëse për të ka qenë psh, qëndrimi i disa ekstremistëve që kundërshtojnë ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar dhe ca biçim analistësh politikë ia bëjnë me sy me thirrjen për luftë, pasi qeveria është duke shembur “një vend të shenjtë”, siç është godina e Teatrit Kombëtar, etj. Nga ana tjetër, Kryemadhi premton se “për tre muaj do pastroj llumin e Ramës”, se do ta “rrëzoj Kryeministrin Rama” dhe për këtë e ka një program.(!)

Dhe në këtë betejë deklaratash, ku zbulohet sonambulizmi i “berishë, lulë, monikë”, opozita ndihet të jetë e tillë si zgjedhja e shqiptarëve. I keni dëgjuar kur flasin në foltoren e Parlamentit dhe para kamerave? Populli- thonë ata. “Populli vuan”, “Shqiptarët janë populli më i varfër”, “Populli nuk e duron këtë…”, “Populli do ngrihet...”, “Ne jemi me popullin”, “Populli... Populli... Populli...”, është lejtmotivi i tyre në diskursin politik. Në emër të popullit flasin vetëm diktatorët. Vetëm në sistemet diktatoriale përballë sundimtarit ka vetëm popull. Në demokraci jo.

Opozita, duke folur nga njëra anë në emër të popullit lobon kundër vendit. Përmes deklaratave, emisarëve në selitë e partive homologe europiane dhe kudo që mundet, flet, bërtet, shan dhe po ia nxin përditë faqen Shqipërisë, pra këtij populli. Bëhet kjo në emër të luftës kundër të keqes që ka pllakosur vendin “për shkak të keqqeverisjes dhe autoritarizmit të kryeministrit”, i cili “duhet të largohet sa më parë...”?! Nuk beson kush se kjo është kërkesë popullore? Gjithçka bëhet në emër të pushtetit që kërkojnë ngulmësisht. Po kjo opozitë sonambule e ka humbur drejtpeshimin dhe rrugën drejt pushtetit. E shikon atë të deformuar, ndaj ecën e përçartur në një luftë pa sens.

Asnjë opozitë nuk mund të vijë në pushtet përmes deklaratave, mashtrimit, shpifjeve dhe demagogjisë. Kjo opozitë nuk e ka të qartë rrugën ku po ecën dhe strategjinë e luftës politike për tëmbërritur te pushteti. “Berishë, lulë, monikët” janë përditë duke ecur në rrugën e gabuar, më saktë, në rrugën pa krye të opozitëbërjes. Populli, (term gudulisës për opozitën), nuk të afrohet kur ti gënjen. Kur ti shan. Kur ti akuzon pa tagër. Kur ti ia nxin faqen Shqipërisë në botë. Kur ti përdor një leksik politik të bajatizuar, ku gjithherë dhe gjithkund përmendet droga dhe krimi. Populli nuk të afrohet as kur e ul opozitarizmin tënd në nivelin e një kauze të pakuptimtë për një godinë teatri, apo kur kapesh jo pas ideve e kauzave, lufta për të cilat ia vlen të bëhet pasi synohen perspektiva të reja për vendin.

E filloi opozita me çadrën, ku shpalli si objektiv politik “republikën e re”, dhe duket se po mbërrin sërish në një çadër të re, ku mendon të mbyllet për të bojkotuar zgjedhjet e pritshme vendore. Pse? Ngaqë, sipas “berishë, lulë, monikës”, Rama dhe mazhoranca kanë “bllokuar” reformën zgjedhore. Kanë futur në ngerç vetingun dhe ligjin për shkollën e magjistraturës, etj. Kjo është lupa që opozita shikon, kokëposhtë, gjithçka në këtë vend. Që akuzon pozitën për gjithçka ajo vetë praktikon në përditshmërinë e veprimit të saj politik.

Nga Panajot ZOTO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 63

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e një lëvizjeje masive studentore, e cila deri tani në thelb ka disa kërkesa dhe që mundet nesër të përparojnë dhe me të t

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b

Postuar: 09/12/2018 - 07:13

 Nuk është vetëm dufi i studentëve.  Protesta e tyre ka trazuar gjithë shoqërinë.

Postuar: 08/12/2018 - 07:22

Ҫdo vit, miliona njerëz detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehë si refug

Postuar: 08/12/2018 - 07:21

Njohja me një vendim për ngritjen në Shqipëri, të varrezave të ushtarëve grekë të vrarë gjatë Luf

Postuar: 08/12/2018 - 07:20

Një opozitë që nuk frymëzon! Është ky konstatimi që e bën kushdo në këtë vend.