BREAKING NEWS

SPAK sekuestron pasuritë e Adriatik Llallës, vjen paralajmërimi i fuqishëm nga Yuri Kim

SPAK sekuestron pasuritë e Adriatik Llallës, vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

Diktaturë me zor?

Diktaturë me zor?

“Fshehja e informacionit është thelbi i tiranisë. Kontrolli i rrjedhës së informacionit është mjeti i diktaturës”- Winston Churchill

Nga një aradhe e plotë kumtuesish mendimesh në gazeta dhe televizione po formulohet një akuzë e pranisë së një sistemi diktatorial tek ne. Nëse elementë të autokracisë (mbizotërimit të mendimit dhe vullnetit të një njeriu të vetëm në drejtim) tek ne ka plot, jemi larg me vite dritë nga një sistem i mirëfilltë diktatorial, ku mendimi i lirë persekutohet dhe burgoset. Sigurisht që e drejta e qytetarëve për një vështrim të qartë të mënyrës se si shpenzohen paratë e tyre si taksapagues është shkelur dhe gati asnjëherë respektuar si duhet, me tendera të shumtë jo transparentë, me vendime të marra përpara garës së trukuar. Kjo është arsyeja pse në dhënien e 1. 8 miliardë eurove të buxhetit të shtetit leje për kryerje shërbimesh dhe ndërtimesh të formës së partneritetit publik-privat (PPP-të e famshme) gjatë periudhës mars 2017- shtator 2018, nuk pati asnjë kompani të huaj serioze dhe me emër që të paraqitej në këto ankande shtetërore. Për të arritur në kulmin e groteskut dhe papërgjegjshmërisë në dhjetor 2018, ku një kompanie private shqiptare që kishte marrë një çikë si shumë tendera në vitet e fundit, iu tha: “Shiko, shko gjej në Amerikë një kompani ndërtimi që të jetë sa për emër dhe të fitosh tenderin me të, se ty me nuk ta japim dot me letrat e tua”. U tha dhe u bë. Kompania DH Albania, e paraqitur si një filial i një kompanie ndërtimi amerikane në Shtetin e Delaware (shteti i vetëm në SHBA që shërben si parajsë fiskale për kompanitë e brendshme, pasi nuk ka taksa mbi kapitalin) u paraqit nga kompania shqiptare dhe fitoi dy tendera me vlerë tërësore prej 30 milionë eurosh. Ndërkohë kjo kompani rezultoi me dokumenta të falsifikuar! Kjo po, ishte kapje e plotë e shtetit. Sërish shumë larg shtetit diktatorial. Ishte ky skandal që detyroi drejtuesin e qeverisë të zëvendësonte gjysmën e kabinetit dhe jo protestat studentore të po dhjetorit 2018. Erdhën njerëz të rinj në ministri ekonomike qendrore të Shtetit, një zv.kryeministër dhe një ministre e Financave, që sollën pastërtinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre. Dhe kështu, forcuan shpresën e ne qytetarëve për më mirë, pasi piktori nuk ngeli vetëm. Prapë ngeli autoriteti i padiskutueshëm (deri në tavanin e plotë autokratik) i njëshit të qeverisë, por kurrsesi i krahasueshëm me “paradhomën e Gëbelsit” (shprehje e kthyer proverbiale në botë, për të karakterizuar diktaturën naziste që kërkonte të hiqej si ushtrim i vullnetit të lirë të popullit gjerman). Nga janari 2019, punë të mira janë bërë për të sjellë përgjegjshmëri dhe transparencë në administrimin e parave të taksapaguesve. Janë disiplinuar disi (dukej e paimagjinueshme në shtator 2018) PPP-të, pavarësisht se vendi po vuan rendjen e marrë pas tyre dy vjet më parë dhe pagesat e kripura (112 milionë euro për vitin e ardhshëm) që jemi të detyruar të bëjmë si buxhet shteti, për shkak të kësaj marrëzie. Administrimi tatimor është bërë më i përgjegjshëm dhe abuzimi me detyrimet e shtetit dhe evazioni janë kufizuar në kufijtë e së mundshmes, duke patur ende një administratë tatimore thellësisht të lidhur me mijëra fije me pagesat nën dorë të sipërmarrjeve dhe me mjeshtra e mjeshtre me përvojë shumëvjeçare në njohjen e shtigjeve për shmangien e taksave. Administrata tatimore po bëhet gjithnjë e më shumë dixhitale, si rruga e vetme për të ulur korrupsionin dhe abuzimin brenda saj. Buxheti i vitit 2021 po provon të kënaqë 16 mijë mjekë e infermierë me 40 për qind më shumë paga mujore nga 1 janari 2021. Po provon të ndihmojë edhe 35 mijë arsimtarë jo-universitarë me 15 përqind më shumë pagë mujore po nga 1 janari 2021. Po ndihmon edhe 97 mijë bujq e fermerë të regjistruar me NIPT, që të blejnë me 40 për qind më pak naftën për punët në bujqësi. Ka dhe shumë sprova të tjera për të treguar ky buxhet i përgatitur mes mangësive madhore nga dëmet e tërmetit dhe të pandemisë së Koronavirusit, duke filluar me investimet më të larta publike në 10 vitet e fundit. Kjo panoramë nuk flet për as prag diktature, as vendosje të këtij sistemi. Ndjesinë sikur gjoja jemi në diktaturë po provojnë të na e fusin me zor në nën-ndërgjegjen tonë vetëm diskurset e përditshme pa bukë të pseudo-analistëve dhe qarjehallësve televizivë. Si një helm metodik dhe i ngadaltë, gjithnjë i pranishëm në mediat e financuara dhe mbajtura me paratë e atyre që kanë vjelë shtetin tonë si lopë race, në dobi vetëm të pasurimit vetjak. Nga kjo vjelje mbi 20-vjeçare, asnjë prej vjelësve dhe të majmurve me paratë publike që duhej të shkonin për shërbime për ne qytetarët, nuk e ka problem të mbajë 120 gazetarë dhe 30 pseudo-analistë sharlatanë në rolin e gjithologëve në 10 nga televizionet më të ndjekura të vendit. Dhe rinis kështu me vrull mundimi sizifian me goditje të përqëndruar, për instalimin me zor (vetëm në nën-ndërgjegjen tonë) të diktaturës. Një sipërmarrje e kotë, pse qytetarët tani nuk janë më as syleshë, as edhe e shikojnë më shumica politikën, si mjetin e vetëm të punësimit të tyre apo të fëmijëve të tyre.