BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Dilema historike e opozitës në Kuvend

Dilema historike e opozitës në Kuvend

Opozita në Kuvend gjendet sot para një zgjedhjeje. Të këmbëngulë deri në fund për ndryshime parimore në marrëveshjen e Këshillit Politik me “mbles” dhe Perëndimin apo të shohë përtej kësaj ujdie duke mbajtur sytë tek “trofeu” i madh që mbetet referendumi për sistemin zgjedhor?

Koha nxori në pah shumë probleme me ligjin aktual zgjedhor dhe ndryshimet parimore që kërkon sot opozita parlamentare meritojnë debat, por edhe nëse gjendet vullneti e koha për to, sërish nuk prekin statuskuonë e ligjit “spanjoll” (listat e hapura sërish do serviren nga kryetarët). Zgjidhja afatgjatë është një sistem i ri zgjedhor me referendumin si “kapak”. Pavarësisht farsës me Këshillin Politik, opozita dhe reformatorët në Kuvend, sot kanë shansin historik ta fusin referendumin në axhendë.

Vendosmëri dhe urtësi

Mbledhja e mendjes rreth ligjit zgjedhor nuk është “buzëkuqi” i “kalit të ngordhur”, por hapja e një flete të re me sytë tek “trofeu” i madh i referendumit për ligjin zgjedhor. Ultimatumet e sotme të opozitës parlamentare mund të komplikojnë më shumë se rregullojnë gjërat në vend, nisur nga konteksti ditës dhe koha në dispozicion. Për dyshen PS-PD, ligji “spanjoll” mbetet tabu. Në një mënyrë apo tjetër, ato do ruajnë statuskuonë dhe firmëtarët e ndryshimeve në Parlament do të ballafaqohen me intimidimin e radhës duke rrezikuar jo vetëm fatin e amendamenteve, por dhe kauzën madhore të referendumit më pas. Edhe nëse pranohen ato, koha deri në zgjedhjet e radhës, nuk është në favor të materializimit të ndryshimeve dhe kjo rrezikon të ngusë e nxjerrë gjërat çyryk duke provokuar tension e konfuzion në politikë e elektorat dhe pezulli me ndikim tek negociatat me BE e bashkëpunimin me partnerët etj. Edhe pas ndryshimeve, problemet nuk do të shuheshin sa kohë mbetet ligji problematik “spanjoll” që asnjëherë nuk mori konfirmim në referendum. Do u vihej “kapaku” për ca kohë, por prapë do të rishfaqen një ditë. Po ashtu, marrëveshja e Këshillit Politik, u përshëndet nga Perëndimi që ka “çelësat” e negociatave me BE dhe avancimin me reforma jetike siç është dhe ajo në drejtësi që në vetvete ka ndikim tek vetë respektimi votës në vend. Në këtë kontekst, opozita parlamentare, nëse aspiron reformë reale zgjedhore dhe faktorizim në politikë, duhet të përgatitet dhe t’i japë prioritet mundësisë së votimit të kësaj marrëveshje duke shtuar kushtin e referendumit pas-zgjedhor.

Sytë tek “çmimi” i madh i referendumit!

Nëse ka gjëra në dorë, opozita parlamentare nuk duhet të humbë mundësinë historike për referendum. Insistimi për lista të hapura, vota emigrantësh etj. mund t’u dalë edhe huq ndaj referendumi duhet të jetë prioritar. Opozita parlamentare as ka pse bën stoikun apo kokëfortin në politikë duke provokuar tymnaja si vegla të këtij apo atij, as ka pse ngre zërin se do gjuajë “topin” jashtë fushe e do prishi lojën krejt, as ka pse kuturiset me lista firmëtarësh dhe zhgënjime nga kush ndërron mendje më pas etj. Ashtu siç politika e kulisave luajti tinëzisht duke ua bërë fakt të kryer ujdinë e saj, të bëjë dhe opozita “lojën” e saj në Kuvend dhe pa lëshuar pe, “topin” e reformës që Këshilli Politik ua pasoi në Kuvend, të kërkojnë t’i “pasohet” popullit në referendum! Një miratim i marrëveshjes së Këshillit Politik, me kushtin bashkangjitur të referendumit pas zgjedhjeve 2021, nuk do të ishte kapitullim për opozitën në Kuvend. Përkundrazi, do të ishte sjellje prej burri shteti e shenjë e emancipimit dhe tolerancës në politikë duke ia kaluar pastaj presionin PS për të miratuar edhe referendumin bashkë me të. Dhe në finale, materializimi e triumfi i referendumit do të ishte shenjë e urtësisë dhe pragmatizmit politik të opozitës parlamentare me mbresa e faktorizim afatgjatë në elektorat.

T’u dalësh kulisave në “lojën” e tyre

Kushtëzimi i miratimit të marrëveshjes me referendum do digjte “kartat” e politikës së kulisave që ndoshta e shpresojnë një ngërç në Parlament dhe lënien e fajit tjetërkujt për dështimin e marrëveshjes në fjalë. Fundja, politika e kulisave e ka tabu ligjin “spanjoll” dhe nëse marrëveshja dështon të kalojë në Parlament dhe ka ndikim negativ në rrugën drejt BE apo reformat në vend, asaj aq i bën! Qoftë integrimi në BE apo bashkëpunimi me SHBA për reforma bien ndesh me mbijetesën e statuskuonë e privilegjeve të politikës së përfolur për abuzim 30-vjeçar ndaj dhe rroftë sebepi me këtë rast! Një miratim e kushtëzim i tillë i marrëveshjes do i dilte përpara blofit të politikës së kulisave. Nëse refuzojnë referendumin, kanë punë me qytetarin. Nëse refuzojnë marrëveshjen për shkak të referendumit, kanë punë me SHBA, BE e qytetarin njëkohësisht. E vetmja hamendje në këtë rast do të ishte pozicionimi i PS! Miratimi i marrëveshjes me këtë kusht jo vetëm do të ruante “erzin” e marrëveshjes PS e PD, por dhe do të shmangte presionin eventual ndaj opozitës parlamentare dhe tentativat për klientelizëm politik ndaj saj. Një kusht si referendumi pas zgjedhjeve nuk do të kundërshtohej në parim as nga miqtë e partnerët ndërkombëtarë që i zuri fruthi me politikanët e kulisave dhe kanë hallin e reforma të tjera në vend. Ata dëshirojnë një ligj zgjedhor që garanton stabilitet qeverisës si premisë për reforma pa kthim, por sa kohë stabiliteti garantohet, gjithçka tjetër është vlerë e shtuar për demokracinë.

 

Referendumi, ofertë që nuk refuzohet dot!

Nëse opozita parlamentare lëshon pe dhe në emër të interesit të vendit dhe zgjidhjes afatgjatë, shpreh gadishmërinë për të votuar këtë marrëveshje, “topi” kalon tek PS e PD, të mos refuzojnë kërkesën demokratike e të arsyeshme në kohë, siç është referendumi për ligjin zgjedhor pas zgjedhjeve të 2021. Sa kohë fiton të drejtën e referendumit, opozita parlamentare ka fituar gjithçka. Kur do duroi kaq gjatë, do duroi edhe katër vjet. Dhe nëse referendumi ndryshon ligjin zgjedhor, Kuvendi do të ndryshojë që të nesërmen teksa vetë deputetët e listave të mbyllura do dalin nga rreshti se e dinë që katër vjet ikin shpejt. Dikur në Kuvend, mes debateve pafund rreth tekstit të ligjit për median me preokupim rregullimin ligjor të lirisë së fjalës, një deputet propozoi (pak a shumë) një ligj-fjali “media është e lirë”. Një parim ky thelbësor demokratik që u mbylli gojën dhe pajtoi të gjithë. E njëjta gjë me referendumin. Mes zallamahisë dhe akuzave reciproke rreth marrëveshjes PS-PD, të bien të gjithë dakord për miratimin e saj me kushtin e një referendumi më pas që si standard thelbësor demokratik mbyll gojën dhe pajton të gjithë. Një ofertë që nuk mund të refuzohet përveçse duke marrë përsipër kosto politike në elektorat.

Opozita parlamentare nuk ka pse driblon gjatë me “topin”e votës me amendime pafund. Mund të ngatërrohet me këmbët e veta, mund të cenojë predispozicionin për referendum, mund të humbë kohë të vyer boll! Nëse nuk ka hall karrigen në Kuvend, por do “gol” për votën, të insistojë që “topi” t’i pasohet popullit në referendum. Sepse çdo gjë ha debat, por jo referendumi në parim! Ai mbetet “trofeu” i madh. Dhe opozita në Kuvend bën mirë të mos ia ndajë sytë!