Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dilema që po na tremb ne shqiptarëve!

Postuar: 23/09/2018 - 07:40

 “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, tashmë është një ëndërr që për shqiptarët është e parealizueshme. Aq sa gjithnjë e më tepër shqiptarëve po u rrit dilemën “nëse janë të aftë të vetëqeverisen”. Është kjo dilemë që po i detyron ta braktisin vendin amë. Sepse kanë humbur çdo shpresë se këtu mund të ngrenë një jetë më të mirë për vete dhe brezat që do të vijnë. Kanë humbur çdo shpresë sepse e shohin se vendin e drejtimit nuk e lëshojnë maskarenjtë që sot janë bërë të gjithëfuqishëm dhe të pandëshkueshëm.

Të mbytur në llumin e maskaradave, modeli i drejtuesve që ende merr frymë në këtë Shqipëri, na sjell vetëm fatkeqësi e varfëri. Heshtim edhe pse të gjithë e shohim se kanë mundur të ngrenë një gjysmë shtet krejtësisht familjar. Aq sa “të pandëshkuarit” që i takojnë familjes tjetër nuk kanë asnjë lloj frike që të kërkojnë edhe rrëzimin e qeverisë të familjes tjetër përmes grushtit të shtetit. Secili nga të pandëshkuarit nxjerr nga goja pa u menduar ç’thotë tamam si lopa bajgën. Sepse pjesëtarët e familjes e dinë mirë se, për ta nuk ka drejtësi as sot, as nesër, sado vettingje të kryhen. Sepse ata vetë e kanë kthyer këtë gjysmë shtetin e ri në qesharak, të cilit askush nuk i beson më. Sepse është kthyer në një gjysmë shtet që ka forcë të arrestojë vetëm ndonjë që për të mposhtur sadopak varfërinë, arin të vjedhë energjinë elektrike, ndonjë që i vjedh fqinjit ndonjë pulë.

Shqiptarët e mbytur në varfëri ëndërrojnë që gjysmë shteti grotesk i tyre një ditë do të arrijë të arrestojë ndonjë milioner oligark, që u ngjajnë më shumë plaçkitësve, që fshijnë djersën e ballit nga lodhja në valle me 500 euroshe. 

Të lodhur nga varfëria e të nëpërkëmbur nga një palo klasë politike që nuk di gjë tjetër vetëm të mbushë xhepat e saj, tashmë jemi të bindur se ka ardhur koha të evidentojmë e të nxjerrim në shesh problemet që na kanë shkaktuar më shumë dhembje ndër vite gjatë këtij tranzicioni që nuk ka të sosur. Sot nuk duhet të heshtim për Gërdecin, për 21 janarin, për mbjelljen e gjithë Shqipërisë me kanabis, për ngritjen e një shteti grotesk me administratë krejtësisht familjare etj, etj. Është e çuditshme se si deri tani për këto vepra kriminale ende nuk ka asnjë prapa hekurave. Bile shumë prej fajtorëve tashmë janë kthyer në biznesmenë e oligarkë që kanë fshehur kushedi se në ç’banka miliona, aq sa as vetë nuk e dinë shumën e saktë. Janë vetëm këto detaje që na tregojnë ne shqiptarëve që ende kemi mbetur këtu, se çfarë gjysmë shteti grotesk kemi mundur të ndërtojmë e të ngremë në këto afro 30 vite të kësaj me nder demokracie. Kryesorja, të mos heshtim si deri tani, po t’i dalim për zot vetes dhe fëmijëve tanë. Që shtëpinë tonë të mos e lëmë në duart e maskarenjve politikë siç ka ndodhur realisht gjatë këtyre afro 30 viteve të këtij tranzicioni të pafund dhe tragjik për shqiptarët. 

Humbja e shpresës ndër shqiptarët po e kthen tokën shqiptare në një shesh të zbrazët. Të gjithë po ikin. Po ikin ku të mundin. Jo nga varfëria që I ka mundur. Po tashmë të gjithë jemi të bindur se drejtimi i gjysmë shtetit ka rënë në duart e një klani barbar, prej të cilit vështirë të shpëtojmë ndonjë ditë. Atëherë? Të ikim turravrap.

Ky gjysmë shteti ynë është i mbushur plot me gomarllëqe që rëndojnë mbi trupin e lodhur të shqiptarëve që ende nuk ia kanë dhënë vrapit për t’u larguar. Grupit qeveritar i oligarkëve (nuk po them i maskarenjve) i shkon mendja se shqiptarët janë harraqë. Jo, ata mbajnë mend shumë mirë çfarë ka ndodhur vite më parë, çfarë ka ndodhur dje, apo edhe sot. Vetëm se, janë të lodhur e s’kanë çfarë t’i bëjnë këtij klani që u ka hipur në qafë. Shqiptarët turfullojnë nga poshtërsitë si ajo e vjedhjes se 713 milionë lekëve nga thesari nga një ish punonjës i BSH-së. Për gjithë këtë krim, guvernatori u largua nga posti. Dhe këtu nisi historia groteske alla albaneze. Ish guvernatori i larguar sërish mundi të përfitojë disa miliona lekë. Açik duket se ka fituar kthimin e 56 pagave, ose 42 milionë lekë. Pra, ne shqiptarët e mbytur nga varfëria paguajmë dy guvernatorë. Apo nuk i kanë pagat e “ulta” ata. Kështu na ka ndodhur edhe në sektorët e tjerë. Sa herë bëhen zgjedhje, me qindra punonjës largohen pa të drejtë nga puna. Fitojnë të drejtën dhe paguhen të paktën për një periudhë një vjeçare. Paguhen ata, paguhen edhe birbot e ministrit, deputetit, etj, etj. Poshtërsi të tilla ndodhin vetëm në këtë Shqipërinë tonë ku shumica e banorëve të mbetur ende këtu kanë vetëm pak bukë, gjizë e pak presh në sofër për fëmijët e tyre.

Plaçkitje në heshtje nga një ish punonjës e bankës? Kështu ndodh vetëm në Shqipëri, ku hale - klasa politike ka mundur të ndërtojë vetëm një gjysmë shtet krejtësisht familjar. Aq sa po çudisim botën mbarë. Ndaj çfarë thamë në fillim të këtij shkrimi sërish po e përsërisim: Me çfarë ka ndodhur në këto afro 30 vite të kësaj pseudodemokracie a mundemi ne të vetëqeverisemi në mënyrë efikase, pa ndihmën e ndërhyrjen e miqve tanë ndërkombëtarë? Vetë fluksi i largimit të shqiptarëve që sa vjen e po rritet tregon se, vetë shqiptarët nuk e besojnë. Nuk besojnë as te kjo hale - klasë politike, e cila edhe vetë e di këtë të vërtetë. Pasi në këto afro 30 vite kemi treguar se me këtë klasë politike kemi mundur të arrijmë të bëjmë vetëm një vërë në ujë, po ndonjë lloj shteti asesi jo. Kjo është açik e vërteta e jonë e dhimbshme që po e detyron shumicën e shqiptarëve t’ia japin vrapit e të largohen nga kjo Shqipëri e mbetur në duart e maskarenjve politikë. 

Na tingëlluan qesharake edhe lavdet që iu thurën kuksianëve pse e pritën qetësisht fillimin e pagesës së taksës për Rrugën e Kombit. Edhe pse ata e dinë mirë se, janë më të djegurit. Sepse nëse nuk do t’u rritet çmimi i biletës së udhëtimit, çmimi i preshit dhe i lakrës do t’u rritet, pasi transporti i tyre do t’u kushtojë më shtrenjtë tregtarëve. Pasi tarifa për automjetet e tregtisë nuk është ulur asnjë qindarkë. Kësisoj, varfëria brenda pak ditësh do të pësojë një rritje të konsiderueshme në këtë rajon me aq shumë pasuri, por edhe me më shumë varfëri. Por oligarkët hajdutë vazhdojnë të heshtin.

Sot haleja-klasë politike vazhdon të bërtasë se kërkon të kryejë vettingun e vetvetes. Pra, e pranon se është hale-klasë politike. Tamam si hale- gjyqtaro prokurorët, plazhistë të Durrësit. Sa qesharake tingëllon në kërkesën e saj? të kontrollojë vetveten? A thua se nuk e njeh vetveten çfarë monstre është? Kur gjithë shqiptarët e dinë se çfarë është në të vërtetë.

Goditja e korrupsionit të stërmadh në këtë Shqipërinë tonë mund të kryhet vetëm nga struktura të tilla si BKH, apo SPA. Bile edhe ato nën vëzhgimin e kontrollin e miqve ndërkombëtarë. Tashmë shqiptarët nuk u besojnë më shqiptarëve. Të gjithë janë të trembur nga njëri tjetri për çfarë u kanë parë sytë këto afro 30 vjet të kësaj me nder demokracie. Sot, shqiptarët presin që me ndihmën e miqve të nisin arrestimet e peshkaqenëve e peshqve të mëdhenj, tashmë të zhytur në një mal llumi të pallogaritshëm që ata ngritën për afro 30 vjet.

Ndërsa autovettingu është vetëm një segment i poshtërsisë që ka mundur të ngrejë kjo hale-klasë politike, që po bën gjithçka, thjesht t’i dalë zot vetes dhe të mbrojë malin e madh të poshtërsive të saj./ Nga Riza HOXHA 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 13

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/12/2018 - 07:34

U hap kuvendi i PD-së në konfuzionin e kohës së sotme!

Postuar: 16/12/2018 - 07:33

Protesta e studentëve e ka kaluar dhjetë ditshin dhe mesa duket do të vazhdojë vijueshmëria e saj

Postuar: 16/12/2018 - 07:31

Në ekstazën e këtyre ditëve të protestës së studentëve, veçanërisht partitë opozitare, liderët e

Postuar: 16/12/2018 - 07:28

Pas akuzave të kryeministrit Rama se pedagogët (senatet) kanë qenë shtysa kryesore për qorollepsj

Postuar: 15/12/2018 - 07:22

U nisën në dhjetor 1990, 28 vite më parë protestat e famshme të rinisë studentore, të cilat ashtu

Postuar: 15/12/2018 - 07:20

 

Postuar: 15/12/2018 - 07:19

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi mbetet shumë origjinale në përpjekjet për menaxhimin e prote