Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Dilemat” e një opinioni

Postuar: 15/08/2019 - 07:22

Në një rrugëtim të fundit trajnues, organizuar nga Institucioni Suprem i Auditimit Suedez ku u mblodhën auditues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në diskutimin mbi rëndësinë e qartësisë së komunikimit, organizimit dhe mënyrës së të shkruarit të një raporti auditimi, një vëmendje të veçantë mori dhe çështja mbi Opinion e Auditimit, shpjegimi i bazës për opinion, si një mesazh konkludues i punës audituese. Të japësh një opinion është një mënyrë e zakonshme ndërveprimi njerëzor, e bërë kjo në rrugë formale dhe joformale. Si individ, dita jonë nis me një opinion, i çdo lloji, qoftë ai politik, ekonomik, apo social. I lexojmë, i dëgjojmë, i (na i) diskutojnë ato dhe më pas japim dhe vetë një opinion. Kjo, pa u kujdesur shumë nëse kemi dhënë një opinion mbi fakte, apo kemi dhënë një opinion mbi opinionet. Dhënia e një opinioni gjithashtu është formalizuar në nivel profesioni, atë të opinionistit ku prej të cilit ka një pritshmëri të analizës së disa fakteve, një grup të paracaktuar impakti dhe një audiencë qytetare. Ndërkohë, për një auditues shtetëror, të japësh një opinion është detyrë dhe përgjegjësi ligjore e parashikuar kjo në Ligjin organik të Kontrollit të Lartë të Shtetit. KLSH ka kompetencën dhe çdo vit, auditon dhe jep opinion mbi zbatimin e buxhetit të konsoliduar të shtetit. Gjithashtu, sipas llojit të auditimeve që realizon, në ligj është përcaktuar se në auditimet financiare, KLSH duhet të përcaktojë nëse rezultatet dhe gjendja financiare e raportuar e subjektit që auditohet, si dhe përdorimi i burimeve janë paraqitur saktë dhe në përputhje me rregullat e raportimit financiar (neni 11), dhe të konkludojë me dhënien e opinionit të auditimit për to. E thënë thjeshtë, opinioni i auditimit është një formë komunikimi formal, deri diku shterues (për sa kohë i ngritur mbi një siguri të arsyeshme), midis dy palëve: KLSH dhe institucionit të audituar mbi të cilin opinioni i dhënë pritet që të ketë një impakt të drejtpërdrejtë. Sigurisht, ky opinion, në kuadër të strategjisë së transparencës, publikohet në një audiencë shumë të gjerë qytetare, e cila mund edhe ajo të ngrejë një opinion të saj për punën e bërë nga secila palë në varësi të njohurive dhe interesave. Kështu mënyra e të shprehurit e bazës për opinion merr një rëndësi të veçantë për të përcjellë mesazhin e duhur, kompetencën dhe sigurinë e arsyeshme në konkluzionin e dhënë pasi për qytetarin ky opinion mund të interpretohet si një notë kaluese ose jo për institucionin e audituar. Ndryshe, ai është thjeshtë një raport teknicienësh i radhës, që shfletohet shpejt për arritur në fund të raportit ku citohen përgjegjësitë disiplinore dhe dëmet materiale, nëse ka. Pavarësisht këtij zinxhiri të gjatë të opinion-dhënësve dhe marrësve, në kontekstin formal, mbështetur në Standardet Ndërkombëtare të Auditimit, një opinion është një deklaratë e qartë, e shkruar, e shprehur në një format të standardizuar, i modifikuar ose jo. Standardet e auditimit kornizojnë formën dhe përmbajtjen e këtij “mesazhi konkludues” me një impakt shumë të rëndësishëm për subjektin e audituar (të paktën kështu duhet të jetë), detajuar më tej në rekomandimet përkatëse. E thënë kështu, duket se dhënia e një opinioni është lehtësisht e formulueshme, si rrjedhojë e sintetizimit të konkluzioneve të arritura mbi evidencat e auditimit. Në mandatin e saj, KLSH që prej vitit 2016, në mënyrë progresive ka vendosur dhe arritur objektivin e rritjes së numrit të auditimeve financiare të shoqëruara me opinion mbi rregullshmërinë financiare nga 7 auditime në vitin 2016 në 29 auditime financiare në vitin 2018. Nëse do ti shqyrtonim këto opinione të dhëna në numër dhe në korrelacion me cilësinë e të dhënave nga subjekti për përdorimin e tyre si bazë për dhënien e vlerësimit të raportimit financiar, në kushtet kur vetë institucionet publike përgjegjëse për menaxhimi financiar nuk arrijnë të përpilojnë pasqyra financiare të konsoliduara, kur projektet e huaja të dedikuara për hartimin e standardeve të raportimit financiar në sektorin publik vijojnë të rishikojnë afatet e implementimit, atëherë konkludimi në një formë opinioni për veprimtarinë financiare të njësisë publike, duket se i gjen këto institucione të papërgatitura për të kuptuar saktë opinionin, rëndësinë e tij dhe impaktin që ai ka. Shqipëria gjendet në kushtet kur ende nuk ka kryer një analizë të plotë të pasqyrave financiare të shtetit, psh sa asete disponojnë realisht institucionet publike dhe ato ku shteti shqiptar është aksioner? Një nga sfidat e ndeshura edhe nga institucionet e Ballkanit Perëndimor, ishte identifikimi i qartë i elementëve të përputhshmërisë me ato financiare në dhënien e opinionit, në kushtet kur vetë auditimet e njësive ekonomike janë një ndërthurje mes këtyre të dyjave. Gjithashtu, kur në shumë prej institucioneve nuk referohet kuadri ligjor dhe korniza e parimeve, përgjithësisht të pranuara mbi bazën e të cilave këto pasqyra financiare janë përpiluar, nëse audituesi identifikon parregullsi apo mospërputhje me standardet e kontabilitetit, ai gjendet në dilemën nëse duhet ti raportojë këto problematika si baza për opinionin e përputhshmërisë, apo nën atë financiar. Situata bëhet edhe më kritike, nëse më pas do të analizojmë efektet që një gjetje materiale e aspektit financiar të njësisë, bëhet shkak për krijimin e impaktit përsëri material, në vlerësimin e përputhshmërisë së aktivitetit të saj. Si do të kryhet raportimi i kësaj problematike, një çështje vetëm për modifikimin e opinionit financiar, apo edhe të përputhshmërisë? Për më tepër, nëse një njësi rezulton me një opinion të modifikuar në aspektin financiar, a mund të jemi të sigurt se këto parregullsi nuk kanë pasur efekt mbi çështje të përputhshmërisë së aktivitetit, për të rezultuar në një opinion të pamodifikuar për përputhshmërinë? Në këto raste, ekspertiza e vetë audituesit, për vetë kompleksitetin e kësaj çështjeje, është vendimtare në garantimin e rezultateve të drejta në përputhje me kriterin ligjor, dhe për të arritur këtë audituesit në profesionin financier, mund të përballen me sfidën për të bërë dhe një “interpretim paraprak” juridik. Në anën tjetër KLSH për të disatin vit radhazi vijon të diskutojë në raportin e buxhetit faktik, se çfarë është borxh apo jo; nëse investimet e shtetit në konsulenca, trajnime dhe dieta duhet të raportohen në të njëjtin zë me investimet për rrugë, ndërtime dhe blerje pajisjesh? Kryesisht mendohet së gjatë një auditimi financiar lihen jashtë vlerësimi i procedurave të prokurimet, por faktikisht janë pikërisht prokurimet dhe lidhja e një kontrate (angazhimi), transaksione financiare të përkthyera në angazhime dhe obligime të cilat duhet të gjejnë pasqyrim sipas SNRF-ve, dhe nëse auditimi identifikon këtu parregullsi, a do të shërbejë kjo si bazë për dhënien e një opinioni të modifikuar financiar, përputhshmërie apo për të dyja? Këto çështje pavarësisht se nga publiku mund të jenë në dukje si problematika financiare, që u përkasin vetëm kontabilistëve dhe financierëve, në fund të ditës impakti që ato sot kanë në modifikimin e opinionit financiar, përkthehet në pasoja për përdorimin e duhur ose jo të duhur të fondeve publike në shërbim të qytetarëve, një aspekt ky i vlerësimit tanimë të përputhshmërisë së aktivitetit të njësisë. Në konkluzion, pavarësisht nga pozicioni, në procesin e dhënies së një opinion duhen pasur parasysh tre komponentët e tij: bazën për opinion (vlefshmëria), impakti (institucioni publik) dhe audienca (qytetari). Për të vlerësuar impaktin që një opinion ka për institucionin publik dhe vetë qytetarin, duhet të analizojmë se si i shërben ky opinion institucionit, një ministrie apo një bashkie. A kanë marrë vëmendjen e duhur nga njësitë publike raportet e auditimit që kanë rezultuar me opinion të modifikuar, apo edhe të kundërta? Nëse për një korporatë jo publike, një opinion i modifikuar rëndon dhe përkeqëson imazhin e saj, rrezikon burimet e financimit nga investitorë të tjerë dhe institucionet kredidhënëse, një opinion i modifikuar sa e shqetëson një njësi ekonomike të qeverisjes qendrore apo vendore? Zhvillimi i auditimeve financiare, dhënia e opinionit për pasqyrat financiare si një hap më tej drejt përmbushjes së objektivit ligjor dhe strategjik, për dhënien e opinionit për pasqyrat financiare të konsoliduara të shtetit është një sfidë e vazhdueshme. Impakti i KLSH-së për një pasqyrim të drejtë se sa e ka vlerën shteti shqiptar është ende modest dhe kërkon një bashkëpunim ndërinstitucional të vazhdueshëm por mbi të gjitha kërkon një rritje të brendshme të vetë audituesit në lidhje jo vetëm me aftësinë teknike që do të shfaqë në analizën e fakteve por për të kuptuar dhe arritur të aplikojë një gjykim profesional dhe etik si bazë për zgjidhje korrekte dhe etike të dilemave që ai has në identifikimin e gjetjeve, interpretimin dhe përkthimin e tyre në një deklaratë të vetme siç është Opinioni i Auditimit.

Nga Valbona Gaxha

Kryeaudituese pranë KLSH

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/08/2019 - 19:41

Jetojmë në milleniumin e ri dhe syri më sheh ende femra që ndezin qiri në terr. Në këto pirgje imazhesh të ngjallin fobi, shoh shpresë pak të ardhmen e tyre, të binjakezuar me atë që shkoi dhe vazhdon të jetë.

Postuar: 25/08/2019 - 08:03

Nuk ka e si mos të ngjallë indinjatë dhe revoltë të brendshme te njerëzit e ndershëm, jo vetëm at

Postuar: 25/08/2019 - 08:01

Oratori i shkëlqyer, luftëtari trim dhe Hero i Popullit Memo Meto, kur është pyetur se ç’ës

Postuar: 25/08/2019 - 07:58

Një udhëtim drejt humnerës.

Postuar: 25/08/2019 - 07:56

Po po, e dogjën malin e Shëngjinit me qëllim dhe sigurisht te ne është absolutisht epidemi kjo ll

Postuar: 24/08/2019 - 07:51

Studio më e freskët televizive me moderator Çim Pekën nuk kishte si të çelte siparin ndryshe, veç

Postuar: 24/08/2019 - 07:49

Një fushatë malinje dhe ç’kombëtarizuese po vazhdon prej kohësh me ulje ngritjet e saj nga