BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Opinion / Editorial

Diletantizmi dhe apeli i BB, për rishikimin e skemës së pensioneve

Diletantizmi dhe apeli i BB, për rishikimin e skemës së

Njoftimi për raportin e Bankës Botërore “Shqipëria, sfidat e politikave të pensioneve në 2020” dhe rekomandimi i saj për monitorimin e rishikimin e skemës së pensioneve, natyrisht përbën lajm.

Kjo për faktin e thjeshtë se Banka Botërore është një institucion i mirënjohur i specializuar ndërkombëtar, më një përvojë të gjatë, kompetente në këtë fushë dhe njëkohësisht me kontribut të drejtpërdrejtë në reformimin e sistemit të sigurimeve shoqërore në vendin tonë. Qoftë dhe vetëm ofrimi i të dhënave krahasuese, për tregues të tillë sinjifikativë të sigurive shoqërore në vendin tonë dhe në vende të tjera si ato të Ballkanit, Europës, lidhur me: a) Norma e varësisë së sistemit (numri mesatar i kontribuuesve / numri mesatar i pensioneve, ose kontribues për 100 pensionistë); b) Shkalla e zëvendësimit-raporti (pension mesatar pleqërie / pagë mesatare bruto); c)Shpenzimet për pensione në % ndaj PBB; d) Norma e kontributit të sigurimeve shoqërore etj; është mjaft domethënës dhe njëkohësisht orientues. Ndërkohë analiza e treguesve sintetikë të skemës së pensioneve, problemeve që kanë shoqëruar reformën e sistemit të pensioneve tek ne, rekomandimet për monitorimin e saj dhe përballimin e sfidave të politikës së pensioneve, janë sa instruktive aq dhe konstruktive. Në këto rrethana, njoftimi për raportin “Shqipëria, sfidat e politikave të pensioneve në 2020”, nuk mund të kufizohet vetëm në lajm, apo thjesht në një lexim onjegian të tij sidomos nga politikëbërësit.

Aktualisht në vendin tonë ka mbi 651mijë pensionistë dhe numri i tyre rritet me një ritëm rritje jo të vogël nga një vit në tjetrin, kur popullsia në moshën e punës është në stanjacion dhe pas një ose dy vjetësh do jetë vetëm në rënie. Këtu ja vlen të mbahet parasysh se numri i pensioneve të mbyllura të pleqërisë (të vdekur) gjatë 2019, ishin 13,389, ndërsa ai pensioneve të reja të lidhura ishte 26,345, pra me një shtesë neto prej 12,956. Pensioni mesatar pleqërie urban, në vitin e kaluar ishte 16,254 lek në muaj, ndërsa duke i shtuar dhe kompensimet ishte 17,626 lekë në muaj. Por masa mesatare mujore e pensioneve të reja të pleqërisë, ishte 14,841 lek.

Si dihet metodika e llogaritjes të pensionit në thelb është Y=C+N/100 *P, ku Y është masa mujore e pensionit; N është numri i viteve kur individi ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore; P është paga mesatare bruto e indeksuar gjatë gjithë viteve të punës gjatë të cilës janë paguar kontributet ose emërtohet baza e mesatare të vlerësuar mujore. Ndërsa C është një konstante që njihet si pensioni social ose pagesa jo kontributive që për vitin 2020 është7 674 (shtatë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e katër) lekë. Ajo ndryshon, korrektohet çdo vit me indeksin e inflacionit. Ndërkohë dhe ajo korrektohet për çdo individ duke e shumëzuar me numrin e viteve kontributive të realizuara N, duke u pjesëtuar me numrin e viteve të kërkuara, që për vitin 2020 është 37 vjet. Treguesi fundit rritet çdo vit me 4 muaj. Ndërsa N dhe P, varen në thelb nga individi, i cili zgjedh ose pranon këtë apo atë lloj pune, më këtë ose atë pagë dhe njëkohësisht interesohet se i janë paguar ose jo kontributet e sigurimeve shoqërore, C është e përcaktuar nga ligji, duke u korrektuar, si më lart, dhe po e shënoj me C*.

Gjatë viteve të fundit pensionet vetëm po indeksohen në nivelin e inflacionit, por nuk rriten. Niveli i tyre lë për të dëshiruar, por nuk është herezi që organet kompetente të njoftojnë se sa është rritja reale e pensionit mesatar urban të pleqërisë krahasuar me vitin 1990. Deficiti i sigurimeve shoqërore ka arritur përmasa të mëdha dhe që nga viti 2013, kur rezultoi 44.5 miliardë lekë, ai në mjaft vite ka tejkaluar deficitin e buxhetit të shtetit, duke u shndërruar në një faktor që bën presion për rritjen e tatim -taksave të tjera. Pra sfidat e politikave për rishikimin e skemës së pensioneve edhe me kaq, janë evidente.

Zgjedhjet parlamentare po afrohen dhe kanë për të ndodhur brenda harkut kohor të një viti. Nga partia më e madhe opozitare me sa duket zgjidhja e sfidave shihet në uljen e normës së kontributit të sigurimeve shoqërore. Ajo ka shpallur se nëse zgjedhësit e sjellin në pushtet do të realizojë “Tatimi sheshtë në nivelin 9% për tatimin mbi fitimin, tatimin mbi të ardhurat nga paga mbi 30 mijë lekë, tatimin mbi të ardhurat e tjera personale dhe kontributin e punëdhënësve dhe punëmarrësve për sigurimet shoqërore”. Pra nëse norma aktuale e kontributit të sigurimeve shoqërore aktualisht që nga viti 2009 është 24.5 %, ajo do të ulet në 18 %; për punëmarrësit nga 9.5% aktualisht në 9%, ndërsa për punëdhënësit nga 15% në 9 për qind. Nuk është qartësuar se sa do të jetë kontributi i sigurimeve shoqërore për të vetëpunësuarit, i cili aktualisht është 23%.

Në këto kushte monitorimi i ecurisë së efekteve të reformës së pensioneve, politikave të ndjekura dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të sistemit, si tërheq vëmendjen edhe Banka Botërore është shtruar

Buxheti i sigurimeve shoqërore në fakt në vitet 2005-2012-2019
 Emërtimi/vitet
2005
2012
2012-2005
2012/2005
2019
2019-2012
2019/2012

Të ardhurat e sig.shoq.
33.1
49.53
16.48
150%
84.27
34.73
170%

Shpenzimet e sig.shoq

49.0
89.86
40.85
183%
131.24
41.38
146%

Deficiti

-15.9
-40.33
-24.38
253%
-47.0
-6.64
116%

Burimi: Ministria e Financave dhe Ekonomisë

në rend të ditës. Në këtë rrafsh, për të krijuar një ide më të qartë mbi rezultatet e politikave të pensioneve të ndjekura në vendin tonë vitet e fundit, le të bëjmë krahasimin midis dy periudhave të barabarta 7-vjeçare, 2005-2012 dhe 2012-2019. Karakteristike është, se gjatë secilës periudhë është ndjekur në thelb e njëjta politikë (ka qënë e njëjta mazhorancë, përveç vitit 2013 që është realizuar nga dy mazhoranca të ndryshme), ndërsa midis dy periudhave janë ndjekur dukshëm politika dhe administrime të ndryshme në fushën e sigurimeve shoqërore. Si mund të shihet edhe nga të dhënat e tabelës nr 1, gjatë periudhës 2005-2012, është rritur dukshëm deficiti i sigurimeve shoqërore-skemës së pensioneve, mbi 2.5 herë, ose në terma absolute nga 16 miliardë në 40 miliardë lekë, me një shtesë prej 24 miliardë, duke cënuar dukshëm qëndrueshmërinë e skemës. Një ecuri krejt tjetër ka patur gjatë periudhës 2012-2019, ku deficiti i skemës është thelluar, por vetëm me një shtesë prej 6.6 miliardë lekë në terma absolutë, ose një ritëm shtese vetëm prej 16%. Ndërkohë kjo shtesë ka ndodhur më tepër se gjysma, në vitin 2013.

Kjo rezultante e ndryshimeve të deficitit nuk është rrjedhojë e shtesës së shpenzimeve, e cila për të dy periudhat 7-vjeçare është thuajse e njëjtë në terma absolutë, rreth 41 miliard lekë. Natyrisht këtu nuk mund të mos mbahet parasysh fakti se gjatë periudhës 2005-2012 numri i pensionistëve të pleqërisë ka qënë thuajse konstant, i diktuar nga dukuritë demografike, prej daljes masive në pension gjatë dekadës 90-të dhe prej reformës parametrike të vitit 2002, që parashikonte rritjen çdo vit të moshës së daljes në pension si për burrat dhe për gratë me 6 muaj në vit. Në këto kushte shtesa e shpenzimeve të sigurimeve shoqërore ka shkuar në një masë jo të vogël për rritjen e nivelit mesatar të pensioneve. Krejt ndryshe ka ndodhur në periudhën 2012-2019 ku shtesa e shpenzimeve është përdorur për të mbuluar shtimin e vazhdueshëm të numrit të pensionistëve dhe vetëm të indeksimit, por jo të rritjes së tij.

Përsa i përket shtesës së të ardhurave buxhetore, duhet thënë se gjatë periudhës së dytë 2012-2019, u ruajt i njëjti nivel i normës së kontributit të sigurimeve shoqërore të realizuar pas vitit 2009, në periudhën e parë. Megjithatë shtesa e të ardhurave të sigurimeve shoqërore midis dy viteve ekstreme ishte më shumë se sa dyfishi i shtesës së të ardhurave të realizura në periudhën e parë, ose respektivisht 34.7 miliardë lekë nga 16.5 miliardë lekë. Kjo është rrjedhojë e luftës kundër informalitetit dhe shtimit të të punësuarve, që paguanin sigurimet shoqërore dhe produkt i përkujdesit për të ruajtur qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve, por edhe mundësuar nga një oportunitet i madh si ishte ndërtimi i TAP apo koncesioni për hidrocentralet në lumin Devoll, që kontribuan jo pak në rritjen e PBB dhe të të ardhurave buxhetore pa bërë shpenzime për to.

Përkundrejt këtyre alternativave dhe rezultanteve të tyre mjaft të qarta, opozita aktuale që me sa duket nuk ka nxjerrë mësimet e nevojshme nga politika e ndjekur, kërkon rikthim në praktikat e periudhës 2005-2012, pra në uljen e mëtejshme të normës së kontributit të sigurimeve shoqërore dhe jo pak, por me 6.5 pikë përqindje ose duke e ulur mbi ¼ ose 26.5 për qind. Ajo nuk ka nxjerrë mësime nga fakti se ulja e normës së kontributit të sigurimeve shoqërore nuk është shoqëruar me rritjen përkatëse të pretenduar të të ardhurave të sigurimeve shoqërore. Nuk mund të përjashtohet apo harrohet se një pjesë e rritjes faktike të të ardhurave të sigurimeve shoqërore për periudhën 2005-20013, por edhe vitet e fundit është mundësuar nga rritja e nivelit dysheme dhe tavan të pagave, mbi të cilat llogaritet kontributi i sigurimeve shoqërore. Ndërkohë vihet re se nuk mbahet parasysh sentenca se lumi nuk rrjedh dy herë në të njëjtin vend, ose se nuk është njësoj sikur të ulësh normën e kontributit nga 24.5% në 18%, edhe sikur mund ta kesh ulur nga 38.5% në 29.5% dhe më pas në 24.5%. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm se ka qënë kjo parti politike që e ka vendosur kontributin e sigurimeve shoqërore fillimisht në një nivel anormal prej 42.5%, kur ishte në pushtet.

Norma e kontributit të sigurimeve shoqërore nuk mund të vendoset apriori. Për një pension kontributiv dhe për çdo individ, pensioni është i ndërvarur nga shkalla e zëvendësimit- raporti (pension mesatar pleqërie/pagë mesatare bruto), dhe raporti midis kohës që gëzon pensionin dhe kohës që paguan kontribute të sigurimeve shoqërore. Kjo e fundit teorikisht varet ose ka bazën nga periudha mbi moshën e punës, ndaj periudhës në moshën e punë dhe jetëgjatësia. Por praktikisht në fakt në vendin tonë për vitin 2019 periudha mesatare e gëzimit të pensionit (pensioneve të mbyllura), ka rezultuar 22.8 vjet, ndërsa periudha mesatare kontributive për pensionet e reja të pleqërisë gjatë këtij viti ka qënë 29.5 vjet, një raport mbi 77%, një nivel shumë i lartë. Ndërkohë në shkallë vendi, norma kontributive varet nga norma e varësisë së sistemit (numri mesatar i kontribuuesve/numri mesatar i pensioneve, ose kontribues për 100 pensionistë). Në vendin tonë ky tregues është shumë i ulët dhe për vitin e kaluar rezultoi 1.21 nga 1.24 që ishte një vit më parë ose duke u përkeqësuar, pavarësisht përmirësimeve që pati për disa vjet pas reformës të vitit 2015. Pra mund të thuhet pa frikë se qëndrimi për të përfshirë uljen e normës së kontributit të sigurimeve shoqërore, tek taksa e sheshtë 9% është as pak as shumë diletant dhe delirant. Kjo e fundit nuk mund të zhbëhet as nga fakti se përkrahës dhe mbështetës të saj janë edhe doktorantë, që e kanë mbrojtur doktoraturën për sistemin e sigurimeve shoqërore në vendin tonë. Pandemia e Covid-19 në vendin tonë, po jep ndikime jo të vogla si në deficitin buxhetor, por edhe në skemën e pensioneve. Mjafton të kujtoj se sipas Aktit Normativ nr 28 që po diskutohet në Parlament, deficiti i kësaj skeme, për efekt të këtij faktori pritet të thellohet me 7.3 miliardë lek duke u rritur nga 48.8 miliardë lekë që ishte deficiti në buxhetin fillestar të qeverisë në 56.1 miliardë lekë për vitin 2020.

Ja përse apelet e BB nuk janë të tepërta, as për mazhorancën. Në periudhë afatshkurtër ka ardhur koha që të rishqyrtohet draft-ligji i hartuar dy vjet më parë për reformimin e skemës së pensioneve në fshat. Ndërkohë kur me zhvillimet demografike gjatë dekadës së tretë të këtij shekulli, ka për të ndodhur që popullsia mbi moshën e punës do të vazhdojë të rritet dukshëm, ndërsa popullsia në moshën e punës ka për t’u zvogëluar, duhet të nxitet më tej pjesëmarrja në punë e pensionistëve. Aktualisht ata punonjës që kanë mbushur moshën e pensionit, por nuk dalin në pension, nuk e marrin atë, e vazhdojnë punën, në kohën kur do të dalin në pension, përfitojnë një shtesë prej 6% për çdo vit pune për kohën e punuar mbi moshën e daljes në pension me kushtin se kanë paguar sigurimet shoqërore. Por këtë shtesë nuk e përfitojnë pensionistët që duan të punojnë ndonëse nëse punësohen paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore. Pensioni i tyre nuk shtohet megjithëse kanë paguar kontribute. Natyrshëm kërkohet që kur pensionistët dëshirojnë të punojnë, për kohën e punuar të rritet niveli i pensioneve ashtu si për ata që vazhdojnë punën kur kanë mbushur moshën e pensionit. Lidhur me këtë, madje ekziston një projektligj “Për disa ndryshime në skemën e pensioneve”. Ka ardhur koha që të paktën projektligjet e sipërpërmendura, të shqyrtohen krahas sugjerimeve të tjera të BB dhe të shndërrohen në ligj. Për t’u mundësuar rritja e nivelit të pensioneve të reja, element i rëndësishëm është një transparencë e plotë nga ISSH për metodikën dhe llogaritjen konkrete të pensioneve të llojeve kryesore duke u ndërgjegjësuar dhe punëtori më i thjeshtë, madje që në shkollën 9-vjeçare për zbatimin e metodikës Y=C*+N/100 *P, si llogaritet pensioni i gjyshit. Ndërkohë thelbësore mbetet rritja e produktivitet të punës për t’u mundësuar rritja e pagës të çdo punonjësi si bazë për rritjen e pensionit. Ja përse njoftimi për raportin e Bankës Botërore përbën lajm që jo vetëm duhet lexuar, por duhet reflektuar duke ndërmarrë politikat e aktet përkatëse adekuate ndaj gjendjes së skemës së pensioneve.