BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Dinjiteti dhe persekutimi i ushtarakut shqiptar, nga zvarritja me faljen e detyrimeve, te pensionet dhe mbështetja që duhet për ta

Dinjiteti dhe persekutimi i ushtarakut shqiptar, nga zvarritja me faljen e

Para disa ditësh u takova me Kolonel Thoma Kondurin, kryetar i Shoqatës së Ushtarakëve në lirim. Biseduam gjatë me këtë ushtarak të regjur dhe mu dukën tërësisht me vend shqetësimet e tij që lidheshin me dinjitetin e nëpërkëmbur aq sa ai i quante persekutime të qeverive gjatë këtyre 30 viteve të tranzicionit. Po i shkruaj ashtu siç mi tha ai shqetësimet dhe i ndjeva edhe unë, për ti vënë në vesh edhe qeverisë socialiste të drejtuar nga Edi Rama që së shpejti do të vijë përsëri në pushtet. Ushtria dhe ushtaraku shqiptar ka qenë dhe mbetet edhe për këta 100 vjet që kanë kaluar pjesa më serioze e shtetit që ka vepruar mbi bazën e betimit ushtarak para flamurit kombëtar, thelbi i të cilit që nga koha e Ismail Qemalit, Ahmet Zogut, Enver Hoxhës e deri më sot është: Betimi për të mbrojtur e për të dhënë jetën për atdheun. Pra ka qenë dhe mbetet një shtresë besnike ndaj ruajtjes së pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë kontingjent sot përfshihen edhe afro 10,000 ushtarakë në lirim, të cilët në strategjinë e mbrojtjes së vendit trajtohen teorikisht dhe në planet e planeve të shtabeve ushtarake, si rezerva aktive të forcave të armatosura. Krahas qëndrimeve të përgjegjshme dhe vlerësimit të historisë së ushtrisë kombëtare në vite dua të theksoj më me forcë edhe tendencën që shpesh herë ka mbizotëruar, të nëpërkëmbjes së dinjitetit të tyre veçanërisht 30 vitet e fundit që nga viti 1991 kur Parlamenti pluralist miratoi Statusin e Ushtarakut, për shkak se ai nuk u zbatua asnjëherë është histori diskriminuese ndaj tyre.

Madje qeveria Berisha ushtarakëve të liruar për shkak të reformës u hoqi edhe asistencën ekonomike, pra të drejtën për të jetuar. Në vendet e tjera të Lindjes po për këtë shkak qeveritë e tyre vunë në dispozicion të ushtarakëve në lirim për integrimin e tyre në jetën civile buxhete të veçanta financiare. Në Bosnje Hercegovinë për këtë qëllim u investuan 12 milionë euro çdo 5 vjet ; në Kroaci 2000 euro për çdo ushtarak në lirim, e kështu me radhë në Serbi, Hungari, Bullgari ku janë bërë financime për kurse kualifikimi profesional e integrues për këtë shtresë.

Në vitin 1999 Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për përfitimin e pensioneve të përkohshme, por edhe ky ligj nuk u zbatua nga strukturat e qeverisë së asaj kohe, të cilat edhe pse pensionet u parashikuan mesatarisht të shkonin 13,000 lekë për person më pas pa ndonjë vendim të bazuar u unifikuan duke u ulur në 8,000 lekë. Kjo situatë krijoi pakënaqësi te ushtarakët në lirim, të cilët protestuan, por dhe u përfshinë në gjyqe masive kolektive dhe individuale në degët e sigurimeve shoqërore, por situata mbeti pothuajse ajo e mëparshmja. Të vënë para këtij presioni në zbatim të nenit 35 të statusit të ushtarakut nga viti 2005 e deri në vitin 2020 Kuvendi ka miratuar 7 ligje dhe një akt normative, por të cilët kundërshtonin njëri-tjetrin. Është investuar sipas kërkesave të paraqitura edhe Gjykata Kushtetuese, por edhe vendimet e saj janë një kakofoni dispozitash, të cilat më tepër ngatërrojnë procesin e përfitimit të pensioneve dhe nuk e kanë sqaruar problemin në themel.

Kolegjet e bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 3 datë 24.11.2016 (Vendimi Zaganjori), i cili shqyrtoi këtë çështje, i penalizoi më tepër ushtarakët në lirim. Pas këtij vendimi një pjesë e ushtarakëve që kishin fituar të drejtën e pensionit u detyruan të kthejnë paratë dhe një pjese të mirë të tyre jo vetëm që nuk u është dhënë shpërblimi i parashikuar, por edhe ua kanë mbajtur.

Në dhjetor të vitit 2020 u miratua ligji nr. 156 dt. 17.12.2020 në Kuvendin e Shqipërisë, i cili mori përsipër faljen e detyrimeve të ushtarakëve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore. Por serioziteti i këtij ligji ka lënë për të dëshiruar në zbatimin e tij sepse edhe pas 4 muajsh nga dalja e tij vazhdojnë t’u mbahen paratë ushtarakëve që ishin në proces pagimi dhe se ende vendimi famëkeq gjyqësor “Zaganjori” vazhdon të ketë fuqi dhe i heq mundësinë çdo ushtaraku për të fituar në rrugë gjyqësore të drejtën e shkelur për sigurimet shoqërore shtetërore. Statusi i Ushtarakut parashikon në 18 nene të tij që trajtojnë të drejtat e ushtarakëve në rezervë, në lirim, në pension, ende mbetet i pazbatueshëm dhe zbatimi i këtyre neneve ka qenë shpeshherë në varësi të humorit të ministrave të Mbrojtjes pasi për shume nga nenet e tij ai nuk është i shoqëruar me VKM, urdhra apo udhëzime të dikastereve përkatëse.

Ushtarakët në lirim vazhdojnë individualisht, por edhe si shoqatë të mos jenë të pranishëm në konsultat e Ministrisë së Mbrojtjes apo Shtabit të Forcave të Armatosura kur bëhen konsulta të këtij lloji, nuk thirren në veprimtari publike, përvjetore, përkujtimore, promovime, festa kombëtare apo lokale, ceremonira si dhe ne demonstrime e stërvitje të ndryshme, gjë të cilën e parashikon neni 42 i Statusit. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm ende nuk kanë një evidencë për numrin e saktë të oficerëve në lirim e në pension si dhe rregulla protokollare për pjesmarrjen e tyre. Dhe duket që kjo nuk është rastësi, por është neglizhencë, paaftësi dhe diskriminim i figurës së ushtarakut në liri ndonëse vazhdimisht shoqata e tyre e ka kërkuar me këmbëngulje një trajtim të tij protokollar. Vetë institucionet kryesore ushtarake, drejtuesit e tyre, të cilët këtë radhë nuk po i nominoj me emra, nuk kanë të qartë edhe mbrojtjen e dinjitetit të institucioneve që drejtojnë dhe detyrimet që kanë.

A ndodh kjo në ushtritë e vendeve të tjera? As që mendohet! Le të rendisim edhe disa fakte të tjera: Qendrat kulturore të forcave të armatosura kanë qenë edhe janë element i rëndësishëm i planit të përhapjes së çdo ushtrie në rrethet kryesore të vendit. Pas vitit 1993 ato u zhdukën, u eliminuan, u shitën, u privatizuan edhe në rrugë antiligjore e korruptive. Turpi më i madh i këtyre qendrave që i ka mbetur në derë qeverisë socialiste dhe ministres së Mbrojtjes së kohës është eliminimi dhe tjetërsimi për veprimtarinë politike siç ishte shtëpia qendrore e ushtarakëve në Tiranë që iu dha Partisë Demokratike për zyra. U bë qëllimisht? I pakuptueshëm ky veprim, por një gjë është e sigurt, shkatërrimi i këtyre qendrave të rëndësishme të edukimit dhe trajtimit të ushtarakëve eliminoi memorien e ushtrisë sonë kombëtare, preku dinjitetin e saj dhe i la ushtarakët në lirim rrugëve. Dhe kjo nuk është pak! Në vitin 2013 u tjetërsua edhe hoteli i ushtarakeve dhe në vazhdim të analizës së këtij qëndrimi anti-ushtri jemi të detyruar të theksojmë se këto fakte nuk kanë funksionuar apo vepruar në asnjë ushtri të botës, sepse mirë ushtarakët aktivë e kryejnë veprimtarinë e tyre në kazerma, po kategoria tjetër? Ku i kryejnë veprimtaritë e tyre? Tashmë ata detyrohen t’i kryejnë këto veprimtari me pagesa në mjedise private. Ku akomodohen ushtarakët që kthehen nga misionet jashtë vendit të ngarkuar me strese dhe ngarkesa psikologjike, që pas këtyre misioneve kanë nevojë për trajtim të veçantë për trajtimin e tyre? Kjo është një neglizhence e patolerueshme nga Ministria e Mbrojtjes.

Edhe delegacionet ushtarake të vendeve mike nuk kanë mundësi ku të njihen me historinë, traditat e ushtrisë shqiptare në vite, të cilat mund të kryhen vetëm në këto qendra kulturore siç ishin shtëpitë e ushtarakëve dhe jo vetëm kaq, por nuk ka asnjë hotel apo ambient përkatës që të presë e përcjellë ushtarakë, një praktike kjo shumë prezente në vendet e tjera.

Ushtarakët në lirim dhe pension nga formimi i tyre janë shtresa më e organizuar e shoqërisë në gjithë vendin, por ata kanë nevojë jo vetëm për qendra kulturore, por edhe për mjedise pune ku ata organizohen, punojnë e studiojnë vullnetarisht artin ushtarak bashkëkohor, të rejat e shkencës dhe teknikes ushtarake në interes edhe në ndihmë të strukturave shtetërore dhe ushtrisë.

Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Lirim tashmë prej disa vitesh ka lidhje me homologet e vendeve të tjera dhe janë edhe anëtare të organizatave homologe ndërkombëtare. Por sot nuk ka një mjedis ku ato të realizojnë misionin e tyre, i cili në nenin 43 të Statusit e ngarkon Ministrinë e Mbrojtjes të mbulojë edhe shpenzimet e Shoqatës së Ushtarakëve për veprimtarinë e saj në kuadrin e Konfederatës Ndërkombëtare të Oficerëve në Rezervë të NATO-s. Ky detyrim ligjor i Statusit të Ushtarakut nuk është mbajtur parasysh në radhë të parë nga funksionarët dhe drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit te Përgjithshm. Ndaj në shumicën e rasteve flamuri shqiptar mungon në tavolinat e eventeve ndërkombëtare që bëhen për këtë qëllim. Përfaqësuesit e Shoqatës së Ushtarakëve Shqiptarë në Lirim mungojnë në këto evente sepse Ministria e Mbrojtjes e nëpërkëmb dhe e përçmon vetë shoqatën.

Po ashtu neni 40 i Statusit të Ushtarakëve në lirim dhe në pension u garanton atyre, por edhe familjarëve të tyre trajtim financiar e spitalor falas, kurse realiteti ynë është krejt i kundërti, nuk ekziston me spitali ushtarak jo vetëm per shërbimet e zakonshme mjekësore, por edhe për sëmundjet që kanë lënë pasoja në shëndetin e ushtarakëve si kimistëve, aviatorëve, nënujsave etj. Vitin e kaluar midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Shëndetësisë është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, por kjo marrëveshje nuk është bërë e njohur te Shoqata e Ushtarakëve, nuk ka gjetur e gjen zbatim ndonëse ajo në mënyrë demagogjike dhe propagandistike ka parashikuar trajtim shëndetësor në mungesë të spitalit ushtarak.

Neni 43 i Statusit njëkohësisht i garanton çdo ushtaraku në lirim apo në pension të drejtën sipas mundësive për të pushuar në shtëpitë e pushimit të ushtarakëve, por kjo gjë mbetet shumë e vështirë që një ish-ushtarak të pushojë në këto institucione ndonëse një institucion i tillë është i vetëm.

Neni 44 i Statusit të Ushtarakëve në Lirim apo Pension i garanton çdo ushtaraku që ndërron jetë të përcillet me ceremoni, Ministria e Mbrojtjes për raste të tilla ka vendosur një kufi duke ua dhënë këtë të drejtë vetëm ish-ushtarakëve madhorë. Por kjo e drejtë dhe ky vlerësim nuk realizohet edhe për ushtarakë të tillë, madhorë. Ndërsa nga bashkitë apo prefekturat nuk ka bërë vaki ndonjëherë që për raste të tilla, ata të përcillen me ceremonitë e parashikuara në rregulloret përkatëse. Edhe ky fakt tregon respektin e munguar në vijimësi të drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm për ata që kanë kontribuar dhe kushtuar tërë jetën për ushtrinë.

Nuk ka ushtarak në vendet kryesore të botës që të mos pajiset me dokument identifikimi si ushtarak, një gjë e cila për ushtarakët tanë është parashikuar në nenin 10 të Statusit. Kanë kaluar 16 vjet nga hyrja në fuqi e kësaj dispozite ligjore, aktualisht asnjë ish-ushtarak shqiptar nuk ka kartë identiteti jo vetëm ata në lirim e në pension, por edhe ata aktivë. Neglizhohet që ushtarakët të pajisen me to pasi ky dokument kushtëzon edhe kërkesa të tjera.

Në Forcat tona te Armatosura si në asnjë shtet tjetër të botes nuk ekziston database i strukturave rezerviste kur në historinë botërore ushtria, struktura rezervizte ka lindur bashkë me ushtrinë e rregullt.

Nuk ka ushtri në botë që të plotësojë misionin e saj pa u mbështetur në strukturën rezerviste. Drejtuesit kryesorë politikë, partitë e tyre e fshinë me një të rënë të lapsit shërbimin e detyrueshëm ushtarak duke e zëvendësuar këtë shërbim të kthehet tërësisht mbi bazat e shërbimit ushtarak të paguar. Ndërkohë që duhet të vijonte krahas këtij transformimi edhe edukimi i detyrueshëm ushtarak me kohë të kufizuar veçanërisht i rinisë, e cila mund te ishte objekt edhe i angazhimit profesional të oficerëve e ushtarakëve në lirim. Ne sot e bazojmë mbrojtjen e vendit në mbrojtjen kolektive sipas artikullit 5 të Paktit të Atlantikut, por artikulli 3 i këtij Pakti detyron që çdo shtet anëtar i aleancës të sigurojë vetë mbrojtjen e tij deri në mbërritjen e forcave të Aleancës, 5 vite më parë ka dalë një VKM me nr. 103 dt. 10.02.2016 për organizimin e nje strukture rezerviste, por ajo nuk është zbatuar dhe nuk ka asnjë gjurmë të këtij organizimi perveç zyrave e degëve të rekrutimit nëpër prefektura. Mungesa e një ligji të tillë që t’i hapë rrugë zgjidhjes institucionale dhe konkrete të këtij detyrimi prek Sigurinë Kombëtare.

Strukturat rezerviste të ushtrisë nuk duhen vetëm për luftë dhe të parashikohen vetëm me fjale ato janë të detyrueshme edhe në kohë paqe pasi sipas shembullit të mjaft vendeve të Europës, strukturat e forcave rezerviste përdoren edhe për qëllime të tjera dhe përballojnë edhe fronte të mëdha që krijohen herë pas here siç janë pjesëmarrja kundër epidemive të ndryshme, tërmeteve apo situatave të emergjencës civile.

Duke biseduar me Kolonel Kondurin, me këtë ish-ushtarak merakli per shqetësimet e mësipërme, unë i vlerësoj ato plotësisht të drejta. Madje ato, mendoj si mundet që ato megjithëse u janë bërë prezente organeve kryesore të mbrojtjes dhe shtetit të mos dëgjohen e zgjidhen? Si mundet të mos vlerësohen mendimet e vyera të Shoqatës së Ushtarakëve në lirim, por përcillen pa u zgjidhur e marrë parasysh nga një ministër te tjetri?? Si mundet qe ish-ushtaraket tanë halle-mëdhenj që kanë sakrifikuar gjithë jetën të nëpërkëmben në këtë mënyrë?? Kjo është një paaftësi dhe një turp i madh për të gjitha qeveritë nga viti 1992 e deri me sot.

E pyes Kolonel Thoma Kondurin si një zëdhënës kompetent i Shoqatës, se a bën ndonjë dallim se cili prej 10 ministrave të Mbrojtjes mund të thotë ndonjë fjale të mirë për trajtimin e këtyre problemeve që janë ngritur? Jo, thotë ai, nuk mbaj mend ndonjë ministër të tillë.

Ka vite që Kolonel Konduri drejton Shoqatën e Ushtarakëve në Lirim, por asnjë nga ministrat e Mbrojtjes nuk ka denjuar ta presë e dëgjojë me vëmendje. Ata janë shmangur e iu shmangen problemeve dhe ka vetëm një shpjegim: Se nuk kanë qenë e nuk janë të zotë jo vetëm të përballen me shqetësimet e tyre, por edhe me zgjidhjet konkrete pasi ato nuk janë teka të Shoqatës, por detyrime ligjore për ta. Drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit kuptohet që i kanë nënvlerësuar nuk marrin mundimin për t’i njohur ato edhe për një fakt tjetër sepse duket që nuk kanë haber për këto probleme thelbësore të ushtrisë dhe ushtarakëve.

Por të çudit fakti që kjo gjë ka ndodhur me të gjithë presidentët e radhës si komandantë të FA, por që duhet të vlerësonin në maksimum zbatimin e tyre si të domosdoshme sepse mjaft probleme kanë të bëjnë me dinjitetin e ushtarakëve.

Kjo situate aspak e kënaqshme, denigruese dhe në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve kërkon një analize të veçantë, kërkon shkundje totale nga vetë strukturat më të larta ushtarake dhe qeveria. Vetë qeveria e Edi Ramës në vitet në vijim të qeverisjes së saj duhet të angazhohet më seriozisht. Kush shkel, nëpërkëmb dhe nuk respekton dinjitetin e ushtarakëve në lirim dhe në pension dhe bëhet pjesë e diskriminimit të tyre, nuk meriton t’i besohet drejtimi i vendit, i shtetit, aq më tepër sigurimi i mbrojtjes, pavarësisë dhe lirisë së tij.