BREAKING NEWS

Bashkimi Europian nuk e futi Shqipërinë në listën e vendeve për lëvizjen e lirë, mjeku Alimehmeti tregon ‘provat’ pse kjo nuk duhet të ndodhte

Bashkimi Europian nuk e futi Shqipërinë në listën e vendeve
x

Opinion / Editorial

Dinjiteti nuk duhet t’i nënshtrohet interesit për të jetuar

Dinjiteti nuk duhet t’i nënshtrohet interesit për të jetuar

Është bërë sundues në kohën e ekonomisë së tregut koncepti se në jetë nuk ka miqësi të përhershme, ka interesa të përhershme. Interes ka qytetari ndaj shtetit, por edhe shteti ka interesin e votës tek qytetari. Interes ka midis dy bashkëshortëve dhe është ai që shpeshherë çon në shkatërrimin e familjes. Interes ka edhe midis prindërit e fëmijës, prindi e rrit me dashuri fëmijën që nesër, kur të jetë i pafuqishëm ta mbajë sa më mirë. Pra, do s’do, interesi është futur kudo dhe atij i janë nënshtruar të gjithë. Po dinjiteti, karakteri? Në përgjithësi kanë humbur, janë poshtëruar. Nëse aforizmi “Bota është krijuar për interes”, është bërë kudo i aplikueshëm, aforizma të tjera si “Njeriu rron për një nder”, “Karakteri është thelbi i njeriut”, “Njeriut i hahet fjala, jo mishi” etj., sot në përgjithësi kanë mbetur vetëm fjalë e përdoren si postulate në biseda boshe e deklarata mediatike. Njeriu i thjeshtë me dinjitet është zot i vetvetes, është i pavarur, kurse politikani i dinjitetshëm mbetet në histori si burrë shteti. Ka njohur historia e njerëzimit filozofë e burra shteti, që me veprimtarinë dhe dinjitetin e tyre kanë lënë gjurmë në rrjedhën e shekujve dhe mendimeve të tyre u referohet vazhdimësia e brezave për të patur sukses në udhën e tyre. Edhe kombi ynë ka nxjerrë burra shteti që me dinjitetin dhe kulturën e tyre kanë rrezatuar gjatë etapave të ndryshme të historisë. Ne krenohemi me burra dinjitozë që ka nxjerrë kombi ynë, heronj e dijetarë, shkrimtarë e gjuhëtarë, shkencëtarë dhe artistë, para dhe pas çlirimit, e u referohemi vazhdimisht atyre, por burra shteti, politikanë të lavdishëm, që të kenë lënë gjurmë në histori kemi pak. Në deklaratat mediatike dhe në raportet e studimet që bëhen politikanët, drejtuesit dhe intelektualët tanë më shumë u referohen gjenive dhe burrave të shtetit që ka nxjerrë bota. Duke analizuar veprimtarinë e politikanëve tanë që kanë patur mjaft pushtet në duar këta 70 vitet e fundit, askush nuk shpreson se brezat e ardhshëm do tu referohen për mirë bëmave të tyre, për t’i patur si udhërrëfyese. Tani, kur na nevojitet shembulli pozitiv për veprimtarinë tonë politike apo shoqërore, ne u referohemi Skënderbeut, Sami Frashërit e Ismail Qemalit, Fan Nolit e Faik Konicës, Fishtës e Çabejt, Agollit e Kadaresë, por jo Ahmet Zogut, jo Enver Hoxhës, jo Sali Berishës, jo atyre politikanëve që drejtuan shtetin pas çlirimit dhe në fillimet e demokracisë, sepse e ata nuk ditën t’i vënë energjitë e tyre në shërbim të interesave të atdheut, nuk ditën të ngrihen më lart se meskiniteti i tyre personal e nepotik, nuk shfaqën dinjitetin që duhet për të qenë burra shteti. Tek ne është bërë e zakonshme që për interesa personale, të çastit apo të perspektivës, ta dredhi hallexhiu e politikani sikur dredh cigaren me duhan vjeshtuk. Veprimtaria e Enver Hoxhës në krye të shtetit për 40 vjet ka dritëhijet e veta, por ama historia ende se ka dhënë vlerësimin e duhur për të, kështu ca nga urrejtja e kanë nxirë krejtësisht si politikan, e ca të tjerë nga interesi dhe frika nuk ia përmendin dot anët pozitive që ka. Edhe kjo është një mungesë e shfaqjes së dinjitetit, sidomos e historianit. Gjithë historia politike e Berishës në këto vite tranzicioni është përpjekja për të patur pushtet të pakufizuar dhe për ta mbajtur atë me çdo kusht sa më gjatë, mundësisht përjetësisht. Sikur t’u kishte qëndruar besnik dy sloganeve që hodhi gjatë kohës që luftonte për të marrë pushtetin në fillimet e demokracisë, atij se “për të kaluarën jemi të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” dhe se në demokraci do të jemi “opozitarë, por vëllezër”, ti kishte praktikuar ata gjatë jetës së tij si pushtetar, Sali Berisha vërtet do të mbetej në histori si burrë shteti. Por ai sapo arriti në majë të pushtetit harroi gjithçka dhe me mllefin e delirin e një komunisti të egër deshi të varrosë çdo gjë të mirë të së kaluarës, çdo gjë pozitive të paraardhësve të tij pushtetarë, madje deshi të zhdukë edhe datën e Çlirimit e të përdhosë gjakun e dëshmorëve të atdheut. Me etjen e një pushtetari të pangopur, Berisha u preu kokat të gjithë kundërshtarëve të tij politikë dhe u mbërthye mbas karriges së pushtetit për ta mbajtur atë me çdo kusht, duke eliminuar institucionin e dorëheqjes dhe të votës së lirë. E si mund të flitet për dinjitet të këtij pushtetari, kur një herë hidhej në sulm me urrejtje ndaj kundërshtarëve të tij politikë duke i konsideruar si armiq të betuar dhe pas ca kohësh ndërronte pllakë e për interes të pushtetit vetjak shtrëngonte duart me ta e i bënte miq, e madje ndante me ish-armiqtë e tij edhe një pjesë të pushtetit. Të marrësh pushtet me forma e dredhi mafiozësh është e lehtë, por të bësh gjëra të mira për vendin tënd e të mbetesh në histori si burrë shteti është shumë e vështirë. Politikani i ndershëm bëhet burrë shteti edhe atëherë kur e vlerëson kundërshtarin politik, jo ta flakë e ta joshë atë, sa herë i duhet për konjukturat politike. Politikani i dinjitetshëm duhet të jetë objektiv në gjykimin ndaj kundërshtarit, ta vlerësojë për idetë progresive që ka dhe ta tërheqë atë që të punojnë bashkërisht për të mirën e kombit. Njeriu interesaxhi është si një barkë mes dallgëve që anon sa majtas djathtas sipas llokmës më të madhe. Ai është një qenie e gjallë që nuk ka lidhje as me kulturën, as me dinjitetin dhe as me humanizmin. Koha që po jetojmë ka nxjerrë në pah mjaft politikanë dhe gazetarë, intelektualë e drejtues të niveleve të ndryshme që e kanë dredhur për interes dhe në fakt kanë patur boll përfitime. Por kjo është gjë e ulët për një që e mban veten për intelektual. E si mund të flitet për dinjitet e karakter, kur dje ke nxjerrë nga goja tonelata shpifjesh e sharjesh për një kundërshtar politik apo ish-koleg tëndin dhe sot kthehesh e i lëpihesh, sepse ai është i veshur me pushtet e mund të krijojë privilegje. Përgjithësisht sot në partitë politike, sidomos në ato të voglat, nuk ka më as ideale, as norma respektive statuore, as program me alternativa, por vetëm uzurpime të padenja për interes, përfitime materiale, kalkulime fëlliqësirash e tranzite korruptive. E çfarë morali e dinjiteti mund të ketë ta zëmë një kryetar partie që pretendon se ka programin e tij alternativ në politikën e vendit dhe deputet bëhet tek lista e një partie tjetër? Po kështu të bën përshtypje se ka mjaft nga ata të anëtarësuar në një parti, që nuk lënë gjë pa sharë e pa thënë për kundërshtarin e partisë tjetër, por menjëherë lëpijnë çka kanë pështyrë dhe bëhen me të, sapo ajo parti merr pushtetin, e madje kërkojnë e bëhen edhe drejtues të saj. Pra ka mjaft të tillë, që gdhihen lsi-stë apo demokratë dhe ngrysen socialistë, e madje me hipokrizi shfaqen si socialistë të përbetuar e duartrokasin me eufori çdo drejtues që u del përpara. Nëse një person apo parti dikur e ke urryer dhe tani fillon ta dashurosh, kjo është një dashuri plot urrejtje dhe këtë e di mirë edhe ai që i thuren elozhet e lajkat. Udhëheqësi i revolucionit anglez, gjenerali i famshëm Oliver Kromvelli e ka shprehur sinqerisht qëndrimin e tij ndaj hipokrizisë. Një ditë, kur ai po kalëronte para një turme që brohoriste, shoqëruesit e tij i thanë të shikonte e të dëgjonte se sa e donte turma. Ai buzëqeshi e u përgjigj: “Po t’më kishin parë të varur, do të kishin brohoritnin edhe më shumë”. Sa herë takoj njerëz të tillë që u lëpihen pushtetarëve për një kockë, më kujtohet thënia e një veterani, drejtues i ndershëm në monizëm dhe demokraci. “Nuk i kam dashur asnjëherë ca lloj tipash pa dinjitet që më ngjiteshin e nuk më ndaheshin për interes”, thoshte ai. Ata nuk më shqiteshin duke më thënë: “O shef, më shaj, më pështyj po deshe, unë dua vetëm të më shohin të tjerët që shoqërohem me ju. Kjo është kënaqësia ime”. Liria dhe dinjiteti duhet të jenë të parat për secilin që ekziston mbi këtë tokë, pavarësisht nga pozicioni shoqëror apo politik, në kohë të mira dhe të vështira. E gjithë bota po vazhdon të jetojë ditë të vështira. Në disa raste lufta në emër të mbrojtjes së jetës ka cënuar lirinë dhe dinjitetin e njeriut. Lidhur mekëto masa më bëri përshtypje reagimi i disa protestuesve në Gjermani, të cilët nuk e pranuan kufizimin e tejskajshëm të lirisë së personit. Ata kishin dalë në rrugë me parulla në duar në të cilat shkruhej: “Dua të më riktheni jetën time”; “Liria nuk është gjithçka, por pa lirinë gjithçka është asgjë”. Ja ky është dinjiteti! Se, jo gjithçka duhet pranuar për hir të shpëtimit të jetës njerëzore, edhe dhuna edhe ofeza edhe tallja edhe poshtërimi. Njeriu duhet të jetë luajal, i adaptueshëm me situatat, por deri aty, sa nuk preket dinjiteti, palca e personalitetit. Unë kam respekt për ata gazetarë e politikanë, pavarësisht se të kujt krahu janë, por të paktën në këta tridhjetë vite tranzicion u kanë qëndruar konseguentë bindjeve të tyre. Nuk jam krejtësisht me atë sentencën se “Njeriu që nuk ndryshosh mendje, nuk ka mendje”. Ndonjëri mund të thotë: “E çfarë shkruan?! Sot po e dredh dhe presidenti, e jo më unë që jetoj për një copë bukë”. Po njeriu nuk jeton vetëm për të ngrënë, se biologjikisht jeton edhe kafsha. Njeriu ka karakter moral, bindje, mendim, kulturë. Pastaj secili është president i vetes, e bëhet i tillë kur në çdo hap që hedh ruan dinjitetin e tij.