Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Disa gjëra mund ti bëjë ndryshe kjo qeveri!

Postuar: 15/04/2018 - 07:54

Qeveria socialiste ende nuk e ka mbushur vitin e parë të mandatit të dytë që i dhanë shqiptarët me votën masive në qershor 2017. Po, ndryshe nga mandati i parë, në këtë mandat, qeverisja socialiste është duke kaluar nëpër rrugë, që shpesh duken vështirë të kalueshme edhe për shkak të pengesave të ngritura nga një opozitë provokative në luftën e saj politike për pushtet. Në fakt, opozita është në të drejtën e vet për të shfrytëzuar çdo lloj pakënaqësie dhe çdo ferment social që nuk mund të thuhet se janë inekzistente në Shqipëri. Në këtë kuptim, të bëra bashkë problemet e shumta, sa ekonomike dhe sociale apo të sigurisë, duket se çojnë ujë në “mullirin” e opozitës, e cila po i përdor si karburant për makinën e saj propagandistike, për t’i shtyrë më tej pakënaqësitë e njerëzve dhe krijuar kështu alibinë e domosdoshmërisë së rrëzimit të qeverisë “Rama”. “Taksa” e Rrugës së Kombit, mospagesa e naftëtarëve të Uzinës së Ballshit dhe atyre të Fierit të mbetur pa punë, shqetësimet që ka krijuar futja në skemën e TVSH të biznesit të vogël, vendosja e taksës së banesave, reforma dhe tarifat e shtuara në ujin e pijshëm..., të gjitha këto, që kanë krijuar, kuptohet, vatra tensioni dhe pakënaqësi në shtresa të caktuara sociale, natyrshëm kërkojnë adresim nga qeveria. Opozita nga ana e vet bën çmos për të përfituar politikisht nga kjo situatë dhe ka marrë flamurin e mbështetjes së çdo proteste, madje të bëhet zëdhënëse dhe një zë, siç thotë i qytetarëve që “nuk dëgjohen, për hallet e tyre nga qeveria”. Në fakt ajo, më shumë se preokupacionin për këto shtresa, shikon avantazhet që protestat aktualisht krijojnë në revanshin për pushtet. Me këtë synim, ajo jo thjesht mbështet, por nxit pakënaqësitë, duke abuzuar me të vërtetat, siç është duke bërë me të ashtuquajturën “taksë për Rrugën e Kombit”, apo me biznesin e vogël, për të cilin akuzon qeverinë se “ka krijuar një klimë armiqësore me të” etj., etj. Thirrja e opozitës për “mosbindje civile” është rrjedhojë e iluzionit që krijon ky lloj fermenti social (pakënaqësi në shtresa të veçanta shoqërore), për ta parë të veçantën si dukuri të përgjithshme, që çon në përfundimin jo real kur mendon se gjithçka në këtë vend është e zezë dhe shqiptarët nga Veriu në Jug do të ngrihen me thirrjen e opozitës për të rrëzuar qeverinë. Në situatën e krijuar, ku opozita ka shpallur si kalë beteje politike mosbindjen civile me prapaskenë destabilizimin e vendit, edhe qeveria ka përgjegjësitë e veta, pasi jo pak gjëra mund t’i bënte më mirë, apo ndryshe. Në këndvështrimin e jo pak socialistëve, (mes të cilëve dhe autori i këtyre radhëve), qeverisja aktuale disa gjëra i bën nxitimthi dhe vetëkrijon problematika sociale. Petrit K, një miku im që punon si menaxher në një kompani tregtare, është shumë kritik ndaj mënyrës se si po qeveriset, siç thotë ai, me “pedalin te gazi” dhe menaxhohen problemet e përditshme nga qeveria. “Jam socialist. Kam votuar dhe do votoj për Partinë Socialiste. Nuk mund ta krahasoj këtë qeveri dhe këtë kryeministër me ata që ikën dhe kërkojnë, pasi e çuan në zgrip vendin, të vijnë sërish në pushtet përmes mashtrimit. Po kjo nuk më pengon të jem kritik për çka gjykoj se nuk bëhet mirë, sipas meje. Kjo na ndan ne me demokratët e Saliut”, thotë ai. I jap të drejtë, pasi mendoj se mund ta ndihmojmë qeverisjen edhe duke thënë hapur mendimet për gabimet, që ne mendojmë se ajo i shfaq në punën e vet. Po çfarë mund të bënte ndryshe, apo më mirë kjo qeveri? Platforma për bashkëqeverisjen është një risi që mundëson akses jo vetëm për zgjidhje problemesh që kanë qytetarë të ndryshëm, por dhe tërheqjen e mendimit të tyre për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve dhe të vetëqeverisjes, etj. Bukur! Por kjo nuk mjafton, nuk e ezauron kurrsesi nevojën, madje domosdoshmërinë e ballafaqimit dhe dialogimit të përhershëm të qeveritarëve me qytetarët. Dy problematikat e ditëve të fundit, që kanë krijuar edhe tensione sociale- ngjarjet në tunelin e Kalimashit dhe protestat e biznesit të vogël, e konfirmojnë këtë domosdoshmëri. Ministri Ahmetaj, psh, ka shpeshtuar daljen në media pasi nisi mbyllja e qepenave, për të shpjeguar jo vetëm arsyen e përfshirjes së biznesit të vogël në skemën e TVSH, por dhe synimin e reformës fiskale si nevojë për formalizimin e ekonomisë, etj. Kështu ndodhi edhe pas ngjarjeve në Kalimash, ku u bënë pas tyre sqarime për lehtësirat që u krijohen përdoruesve të shpeshtë të rrugës, etj. Dhe nëse themi që qeveria duhet t’i bëjë më mirë disa gjëra, fjala është për të bashkëbiseduar në kohë, para vendimmarrjeve me qytetarët, me ato kategori e shtresa shoqërore që reformat afektojnë më shumë, për të mos i dhënë mundësi opozitës që ti manipulojë njerëzit dhe të bëjë politikë me hallet e tyre. Tjetër. Nga mënyra se si kërkohet të zgjidhen disa çështje, të krijohet përshtypja e qeverisjes me fushata. Kohët e fundit (dhe jo vetëm) janë zhvilluar disa aktivitete, apo takime, ku qeveria ka shpallur objektiva dhe ka lançuar masa konkrete, si psh, për përmirësimin e situatës mjedisore me eliminimin e ndotjeve nga ujërat e zeza të plazheve, kundër ndotjes akustike, etj., në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik, apo sikundër përmendëm, masat për normalizimin e ekonomisë etj. Të gjitha të domosdoshme, veç mënyra e lançimit të aktiviteteve nga qeveria për promovimin e masave që duhen marrë, mendoj se e ka problemin brenda dhe të krijon një ndjesi jo konformiste. Qeveria i ka lançuar këto aktivitete promovuese si fushata. Kështu thuhet se po nisim “fushatën kundër ndotjes akustike”, “fushatën për pastrimin e plazheve”, “fushatën për parandalimin e derdhjes së ujërave të zeza në det”, apo “fushatën për formalizimin e ekonomisë”… e kështu me radhë. Pse nuk është normale kjo? Fare thjesht. Qeverisja nuk bëhet me fushata, ndaj termi “fushatë” nuk ka pse përdoret, qoftë dhe nga vetë kryeministri. Kështu psh, nëse thua fjala vjen, po fillojmë fushatën për të parandaluar ndotjen akustike nga që po afron sezoni turistik, qytetarët kanë të drejtë të pyesin: po në muajt e tjerë çdo (apo pse nuk) bëhet? Do lejohen zhurmat? Nëse thua fillon fushata për të pastruar bregdetin nga ndotjet se po fillon sezoni, qytetarët prapë pyesin: Pse tani, kur kjo punë mund dhe duhej bërë në vijimësi? Dhe shembujt mund të vijojnë… Natyrisht që jo gjithçka që lançohet si fushatë bëhet me fushatë. Problemi qëndron te perceptimi që krijohet në opinion. Kjo, njëra anë e çështjes, pasi kjo “medalje” ka dhe anën tjetër. Anën frenuese të administratës, apo siç mund ta themi, sindromin e pritjes me “të presim e shohim se çdo na thonë nga lart”. Me këtë mendoj se shpiegohen edhe paqartësitë e shumta që biznesi i vogël ka lidhur me përfshirjen në skemën e TVSH. Administrata tatimore duhet të jetë në veprim të përditshëm, dhe jo në zyrë, pasi puna e kësaj strukture është edhe në terren, në bashkëbisedim me biznesin të sqarojë, ndihmojë dhe pastaj të ndëshkojë të pandërgjegjshmit. Kur them se disa gjëra mund t’i bëjë ndryshe kjo qeveri, nuk e kam fjalën thjesht e vetëm për çka nënvizova më lart. Punët që bëhen mirë janë të shumta dhe e mira s’ka fund. Por ajo që vlen të theksohet e ritheksohet ka të bëjë me marrëdhëniet e pushtetit me qytetarët. Ata nuk mund të jenë zbatuesit apo konsumuesit e produktit të reformave që ndërmerren. Ata duhet të kenë edhe “firmën” në vendimmarrje, e cila mundësohet përmes sjelljeve transparente të çdo qeverie, me ta përmes konsultave dhe bashkëbisedimeve jo formale. Këtë duhet ta bëjë më mirë kjo qeveri, për të mos e lëkundur besimin e elektoratit që e votëbesoi në mandatin e dytë, në qershorin e kaluar./Nga Panajot ZOTO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 26

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/09/2018 - 09:38

Është kthyer në vijë sjelljeje tek ne të bërit politikë, duke mbrojtur paligjshmërinë nën flamurin e pandershmërisë. Qëndrim i hershëm ky i pothuaj shumicës së politikave tanë.

Postuar: 20/09/2018 - 09:35

Opozita në Shqipëri vazhdon të mbetet e "munguar" për vetë faktin sepse ajo nuk mund të

Postuar: 20/09/2018 - 09:33

Një nga studiot e fundit politike mes dy personave të rinj në politikën e lartë të parlamentarizm

Postuar: 19/09/2018 - 07:25

Përmbysja e pushtetit të Demokracisë Popullore, që u ligjërua pas zgjedhjeve farsë të 22 marsit 1

Postuar: 19/09/2018 - 07:23

Kur popullata çame erdhi e detyruar në Shqipëri për t’i shpëtuar vrasjeve dhe masakrave të

Postuar: 19/09/2018 - 07:22

Në rrethet normale, secili prej nesh do t'i gëzoheshim liberalizimit të vizave, gjegjësisht l

Postuar: 18/09/2018 - 07:22

Sa herë vjen ndonjë "Konferencë Peze" dhe sigurisht dalin nostalgjikët e Enverit, Parti