BREAKING NEWS

Nuk ndalet ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bën lëvizjen e papritur në betejën e tij me drejtësinë, ja vendimi më i fundit

Nuk ndalet ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bën lëvizjen e
x

Opinion / Editorial

Disa problematika të konstatuara nga KLSH në auditimet në njësitë e vetëqeverisjes vendore

Disa problematika të konstatuara nga KLSH në auditimet në

Sistemi i qeverisjes vendore në Shqipëri po i nënshtrohet një sërë reformash strukturore dhe institucionale. Ndryshimet nisën në fund të vitit 2013, me prezantimin e reformës administrative dhe territoriale, e cila ka reduktuar 373 njësitë e mëparshme të qeverisjes vendore në 61 bashki, të cilat përfshijnë 373 njësi administrative, 73 qytete dhe 2998 fshatra, reformë e cila e përfundoi këtë bashkim në vitin 2015. Procesi i zgjerimit dhe anëtarësimit në BE ka sjellë gjithashtu rritjen e interesit për përafrimin me parimet e BE-së për demokratizimin dhe angazhimin popullor në nivel vendor. Nisur nga fakti se procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është prioritar, është përcaktuar edhe Strategjia Kombëtare Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2015-2020, e cila përshtatet me kontekstin e ri të organizimit të qeverisjes vendore dhe aspiron të menaxhojë zhvillimin e territorit në mënyrë të qëndrueshme, të krijojë një sistem efikas të vetëqeverisjes vendore, ku kësaj të fundit t`i jepet mundësia dhe aftësia të ofrojë shërbime cilësore për qytetarët dhe bizneset në mënyrë transparente, efektive dhe efikase, duke përdorur teknologjinë moderne dhe të shërbimeve inovative, në përputhje me kërkesat e integrimit në BE, përmes nëpunësve civilë të paanshëm, profesionalë dhe të përgjegjshëm, si pjesë e strukturave përkatëse. Strategjia rithekson synimin për të konsoliduar burimet njerëzore vendore dhe aftësitë e tyre nëpërmjet fuqizimit të administratës vendore, jo burokratike, profesionale dhe transparente, të aftë për t’iu përgjigjur pritshmërisë së biznesit dhe të komunitetit për shërbimet publike, si dhe përmes krijimit të një sistemi të veçantë për monitorimin e performancës së NJQV-ve.

Nga auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, pavarësisht strategjisë kombëtare ndërsektoriale për decentralizimin dhe qeverisjen vendore janë konstatuar një sërë problematikash, për të cilat duhen gjetur rrugët për t`i tejkaluar për mbarëvajtjen e veprimtarisë së njësive të vetëqeverisjes vendore. E kjo në lidhje me planet e përgjithshme vendore, bashkitë nuk duken të jenë forca udhëheqëse e veprimeve dhe qëllimeve të tyre të zhvillimit. 31 bashki zotërojnë një plan të përgjithshëm vendor, ndërsa 17 prej tyre janë duke e përgatitur një të tillë. Edhe pse bashkitë kanë rezultate më të larta në zotërimin e një plani vjetor sektorial, ato mbeten prapa në zbatimin e tyre si rrjedhojë e mungesës së financimit për hartimin e një plani të përgjithshëm vendor, mungesën e fondeve për zbatimin e planeve, mungesën e një zyre statistikore për mirëmbajtjen dhe ofrimin e të dhënave të sakta dhe të besueshme, mungesën e një sistemi të integruar të raportimit në bashki, kapacitetet e papërshtatshme të vlerësimit të shërbimeve dhe vështirësitë në rekrutimin e një personeli të kualifikuar bashkiak, duke pasur në veçanti parasysh kërkesat e kompetencave të reja të vendosura nga ligji “Për vetëqeverisjen vendore”. Një tjetër problematikë është menaxhimi më eficent i financave vendore: forcimi i mëtejshëm i kapaciteteve teknike dhe njerëzore të administratës vendore për planifikimin e burimeve njerëzore dhe hartimin, zbatimin dhe monitorimin e programit buxhetit afat-mesëm (PBA), sigurimin e menaxhimit financiar transparent dhe efektiv dhe mirë administrimin e të ardhurave vendore, që lënë shumë për të dëshiruar, si në Bashkia Klos, Kurbin, Tropojë, Rrogozhinë etj.

Nga auditimet rezulton se disponueshmëria e të dhënave të sakta në nivel vendor është një tjetër mangësi madhore për sa i përket menaxhimit dhe planifikimit të çështjeve vendore. Edhe pse ka të dhëna të disponueshme në çdo bashki, ato shpesh rezultojnë të paplota, të pamjaftueshme dhe të papërditësuara për një proces vendimmarrjeje të mirë informuar. Gjithashtu konstatohen të dhënat të pasakta mbi tokat, mbi ndryshimin e fondit të tokës bujqësore, pasi asnjë bashki nuk ka përditësuar sipërfaqen e tokës bujqësore të kthyer në pemëtore, vreshta apo sera, të cilat duhet të regjistrohen me zëra të posaçëm në zyrat e Kadastrës. Edhe në procesin e transferimit dhe inventarizimit të aseteve në nivelin vendor dhe reflektimin e tyre në pasqyrat financiare të qeverisë, ku pushteti qendror i ka lënë mollën e sherrit pushtetit vendor duke transferuar pasuri/asete të cilat nuk ekzistojnë më, apo janë të zaptuara apo të tjetërsuara. Një proces i rregullt nga ana e qeverisë për transferimin e pasurive të pushtetit vendor do të konsiderohej i tillë dhe i drejtë në qoftë se shteti do të kishte liruar më parë këto pasuri nga zaptimet, të shkarkoheshin listat nga pasuritë e shkatërruara si dhe t`i jepej drejtim atyre pasurive që kanë tjetërsuar rolin e tyre në banesa. Nga ana e bashkive nuk ka forcim të monitorimit të detyrimeve të prapambetura, sidomos të atyre të reja të krijuara rishtazi, ku nga auditimet kanë rezultuar vlera shumë të mëdha detyrimesh në të gjitha bashkitë e audituara.

Ndërsa në lidhje me krijimin e sistemeve efektive të administrimit të të ardhurave të veta të qeverisjes vendore, rritjen e burimeve të financimit nga të ardhurat e veta të qeverisjes vendore, duke përfshirë këtu reformën e taksës mbi pasurinë e paluajtshme, në përgjithësi është konstatuar mosrealizim i të ardhurave e rrjedhimisht në rritjen e detyrimeve të prapambetura, me efekt planifikimin e prokurimeve mbi gjendjen jo reale të fondeve, mosrealizimin e pagave etj. Gjithashtu një vend të rëndësishëm në veprimtarinë e njësive të vetëqeverisjes vendore zë zbatimi efektiv i Ligjit të Shërbimit Civil, krijimi i një administrate vendore të depolitizuar, të paanshme dhe profesionalisht të aftë për të siguruar mirëqeverisjen vendore dhe ofrimin efektiv dhe cilësor të shërbimeve publike për qytetarët si dhe zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve teknike dhe njerëzore për njësitë e reja organizative të krijuara në nivel bashkie për zbatimin e funksioneve të transferuara pranë tyre nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme të stafit, nga ku është konstatuar moszbatim i procedurave të rekrutimit në punë si Bashkia Tropojë, Fushë Arrëz, Klos, Gjirokastër apo ajo Rrogozhinë, apo mungesë e plotë e trajnimeve nga ana e vetë bashkive.

Në disa bashki jo vetëm që nuk ka ndryshuar numri i punonjësve mbas reformës, por të gjithë punonjësit kanë funksionet që kanë patur si ish-komunarë, kjo në bashkitë Tiranë, Përmet, Durrës, Rrogozhinë etj, në një kohë që ky numër duhej të ulej. Akoma dhe më tej zbatimi i komponentëve të menaxhimit financiar dhe kontrollit, të cilat lënë ende për të dëshiruar, sidomos auditimi i brendshëm ku në disa bashki pothuajse nuk ka funksionuar, si në Bashkitë Has, Përrenjas, Kuçovë, Belsh, Klos e atë Rrogozhinë. Pavarësisht punës së bërë nga Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, sikurse u trajtua, problematikat pas kryerjes së reformës nuk janë eliminuar apo pakësuar. Nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë kryer auditime periodike, pavarësisht rekomandimeve të lëna, mbetet shumë për të bërë për ecurinë e reformës territoriale dhe vënien në eficencë të plotë të bashkive.

*Auditues, KLSH