BREAKING NEWS

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i fortë i SHBA-së, ja çfarë pritet të ndodhë në vijim

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

Dje frikë nga Shteti, sot frikë nga mungesa e shtetit..!

Dje frikë nga Shteti, sot frikë nga mungesa e shtetit..!

Shteti i Diktaturës së Proletariatit ra dhe në vendin e tij filloi të instalohej një shtet i ri duke shpresuar që do të vendosej një shtet demokratik. Qysh në fillim, mund të themi që themelet e këtij shteti, filluan të hapeshin shtrembër. Popullit, i kishte vajtur “në majë të hundës” dhe donin të shpëtonin njëherë e mirë nga ajo që kishin hequr në sistemin e kaluar dhe për këtë duhej ndryshimi. Krerët e nomenklaturës komuniste, zgjodhën pasardhësit e tyre për të ardhmen dhe ky, ishte hapi i parë që kjo fije shprese filloi të venitej pa lindur. Nuk ishin as “inxhinierë”, as “arkitektë” krerët e rinj që morën përsipër këtë mision për të ngritur shtetin e ri. Avazi i vjetër komunist si: lufta do të nxirrte edhe “udhëheqësit”, do të vazhdonte tashmë mbas 50 vjetësh me avazin e ri, “sharja sa më shumë e komunizmit dhe shkatërrimi i atyre që ndërtoi komunizmi, do të nxirrnin në krye “demokratët” e vërtetë!. Të gjithë u hoqën si inxhinierë ndërtimi, si “arkitektë” për të ngritur “ndërtesën-Shtet”, të gjithë hodhën “gurë” kuturu në themelet e hapura shtrembër të këtij shteti të ri, duke ndërtuar një shtet “sorrugato”që nuk ishte as ligjor, as demokratik dhe ca më pak i të drejtës, por ishte një “kolibe” e ngritur mbi rërë, që u shkërmoq pa nam e nishan brenda katër pesë vitesh, aq sa mund të jetojë një bandë e zakonshme. A ka dëgjuar kush që në ndonjë vend me demokraci qindra vjeçare, që padyshim edhe atje demokracia nuk është e përsosur, që shteti ligjor të jetë shkatërruar më parë se të ngrihet??  Nën shembullin e këtij shteti “bandë” u ngritën me dhjetëra banda nga më të ndryshmet në male e në fusha, në rrugë e në lagje, në qytete e fshatra, që ashtu si grabiste banda “mëmë”, ashtu vepronin edhe bandat “bija” duke vrarë e grabitur ç’të gjenin përpara. Ky ishte shteti që po vendoste “drejtësinë” mbi padrejtësitë e të kaluarës komuniste. Banda “mëmë” jo vetëm që kontrollonte tërë pasuritë, por vidhte me të dy duart pasurinë kombëtare. Të kuptohemi.  Ndërrimi i sistemit, të gjithë i gjeti njësoj, pesë më lart, pesë më poshtë, sepse Komunizmi nuk lejoi diferenca në paga, të gjithë ishin “proletarë” që kishin vetëm forcën e krahut. Atëherë, si është e mundur që një pakicë, shkoi në majat më të larta e u bënë bosa, kurse shumica mbeti në “fund të pusit”? Këta bosë, nuk ishin ata që trashëguan pasurinë, por ata që vodhën me të dy duart, ata që kishin jo vetëm “gishtin” por të “dy këmbët” në “qypin me mjaltë”! Ligji 7501, hapi kapakun e oreksit për më të fortët dhe e mbylli për ata që i takonte prona e pasuria. Po të ishin të aftët në krye, diçka do të bënin për të qeverisur mirë, por u vendosën njerëz me konflikte interesi që nuk kishin haber nga shteti ligjor, dhe si e tillë, ata poshtë, bandat vartëse kontrollonin një territor të caktuar, duke grabitur udhëtarë, tregtarë biznese e ç’të mundnin. Plaçkitja dhe grabitja u bënë të modës në këtë periudhë rrëmuje dhe kaosi. Nuk grabiteshin dhe vriteshin armiqtë, por të vetët, shqiptarët. Filloi “lufta” kundër njëri tjetrit dhe kudo, hyri frika, nga shteti i frikshëm. Dje frikë nga shteti, këtej e tutje, frikë nga mungesa e shtetit. Fantazma komuniste, luftohej me të gjitha llojet e armëve duke ecur në rrugën që la në mes komunizmi, nga komunistë të deklaruar antikomunistë. Po kush ishin armët më të preferuara të komunizmit që e robëroi këtë popull? Ishte partia shtet, ishte lufta e klasave dhe neni agjitacion e propagandë përveç shumë të tjerave. Partia shtet u zëvendësua me pluripartizmin dhe partitë filluan të ngriheshin njëra pas tjetrës si “kalifkat” që ngrinin kalamanët! Po kush mbushte radhët e këtyre partive? Ishin të paktë ata që me të vërtetë kishin dhënë prova të një demokrati të vërtetë në të kaluarën, por, këta, “nuk vlenin” sepse na kthenin sërish në sistemin e kaluar! Shumica tjetër, ishin bashkëvuajtës, “bashkëvjedhës, “bashkësigurimsa”, njerëz me konflikte interesi, bashkëpatriotë etj etj. që mbi interesat e Kombit, i lidhte qëllimi i përbashkët për të çuar gjithçka në zero! Pse nuk u hapën dhe nuk kanë për t’u hapur dosjet, apo siç quhet Ligji i lustracionit? Sepse të tërë krerët e të tëra ngjyrave, janë në unitet!. Lufta e klasave si dikur midis ballistëve, komunistëve e ish kulakëve, u zëvendësua me luftën që bëhej midis ish komunistëve dhe demokratëve e cila kjo u fut edhe brenda familjes që ndaheshin burri me gruan për bindjet e kundërta. Këtë, as komunizmi nuk e bëri. Lufta e klasave që zhvillonte Partia shtet në sistemin e kaluar, nuk e përçau më shumë popullin aq sa e përçanë dhe po e përçajnë partitë që nuk janë një e dy por janë me dhjetëra. “Doni të militoni në këtë apo në atë parti”, përkthehej “do të vini me ne, apo me armikun”! Hyri tashmë një armik i ri, partia kundërshtare! Përçarja, filloi qysh në pjesëtarët e të njëjtës familje, midis banorëve të fshatit e të Lagjes për t’u shtrirë kudo. U nxit urrejtja, u nxit hasmëria. Këtu është zanafilla që ky popull nuk po ngre kokë!. Filloi kështu të nxitej urrejtja ndaj njëri tjetrit, midis atyre që kishin qenë anëtarë partie apo që kishin nga një post në sistemin e kaluar dhe atyre që kishin vuajtur në burgjet e internimet në të kaluarën. Të gjithë tashmë dilnin të persekutuar, të gjithë hiqeshin “luftëtarë” që kishin kontribuar për demokraci. Urrejtja shkoi edhe më tej. Rrëmbyen kazma e lopata dhe filluan të shkatërrojnë fabrika e uzina, shkolla e Kombinate, ura e hidrocentrale, hidrovore e deri tek stallat e bagëtive. Po pse? Sepse i kishin ndërtuar komunistët, bile edhe më keq, të gjitha këto sende jo frymore “flisnin” gjuhën komuniste, ishin vetë komunistët..! Fabrikat dhe uzinat, nuk mund të shfrytëzoheshin në të ardhmen sepse binin erë komunist dhe nuk mund të punonin atje punëtorët “demokratë”!. Edhe stallat e lopëve u shkatërruan si “fajtore” që nuk i “jepnin qumësht” të gjithëve që ngriheshin që në orën 03:00 të mëngjesit dhe në të ardhmen, aty nuk mund të mbaheshin lopët “demokrate”!. As në shkollë nuk mund të mësonin fëmijë e studentë “demokratë”, as në çerdhet e ndërtuara nga “këlyshët” komunistë, nuk mund të qëndronin “këlyshët” e demokratëve!. Humbi logjika e ftohtë, humbi toleranca, humbi dashuria, humbi gjithçka. Edhe gjakmarrja, kjo plagë e madhe e të kaluarës, në sistemin e kaluar u shua e filloi dashuria e respekti ndaj atyre që kishin qenë në hasmëri për dekada të tëra, por ja që tani, po lindnin hasmëri të reja. Një popull i vogël që të mëdhenjtë na kanë përçarë, na kanë skllavëruar, na kanë ndarë në pesë shtete, edhe kaq sa kemi mbetur vetëm momentet e rastësishme na kanë shpëtua nga shpërbërja. Gjithçka u shkatërrua, ekonomia u paralizua dhe sytë po i mbanim jashtë nga “Pelikani” për të na sjellë ushqime. Ja ç’tregon një punëtor i vjetër që punoi më shumë se 20 vjet në Kombinatin Metalurgjik. për mirëmbajtjen e furrnaltës së këtij Kombinati. “Afër drekës, vijnë tre persona, të cilët ishin krerë të lartë të Partisë Demokratike. Më thonë që unë të zbres poshtë dhe ashtu bëra. “Ç’farë bëni ? më thonë. “Po punoj” i them. “A keni mundësi që ta shkatërroni këtë furrnaltë? më thonë. “Po si ta shkatërroj, i them kur kjo punë mua më mban kalamajtë me bukë, ku punoj prej më se 20 vitesh? “Ne ju themi ta shkatërroni, mjaft punuat si skllevër. Këtej e tutje, do të qëndroni në shtëpi dhe ne do t’ju japim paratë..”! Kjo ishte metodologjia e Shtetit të ri dhe me paratë që ju “dha” atyre që kishin derdhur djersë, ata ja mbathën për të ikur nga “sytë këmbët”!. Më parë thamë që shteti komunist vërtet vriste për ato që ai i kishte të shkruara në “qitapin” e tij? Qytetarët e dinin këtë dhe i shmangeshin. Po tani me këtë Shtet të ri, nga të ruheshin më parë kur “plumbat” filluan të vijnë nga të katër anët? “Plumba” nga bandat, “plumba” nga grabitësit, “plumba” nga hasmët e rinj, “plumba” ngado...Dyert dikur me kompensato të presuar, tashmë u bënë të blinduara, sepse erdhi “liria dhe demokracia” edhe për keqbërësit..Duke mos pasur infrastrukturën e nevojshme për ekonominë e tregut, ju vendos kazma edhe banjove në katet e para të ndërtesave të cilat u kthyen në kioska për të shitur ato të “panjohurat” deri atëherë, çimçakëzët dhe Coca-Colat, kurse kuzhinat u kthyen për të mbledhur e shitur rroba me shumicë e pakicë.. Luftë për ekzistencë në kushtet e falimentimit të ekonomisë. Secili për hesap të vet, disa për mbijetesë, e të tjerët më të “shkathët” e më të “mëdhenjtë” lart, për të vjedhur sikur të ishin hapur “depot e grekut”!. “Bollëku” erdhi shumë shpejt. U Ndërtuan “fabrikat” piramidale ku hynin paratë, “mbarseshin” dhe “pillnin” para me shumicë! “Fabrika” që “prodhonin” para! “Kështu e lëntë, thoshin disa, ne qëndrojmë në kafene dhe paratë na vijnë në tavolinë”, “Futim njëqind mijë dhe për një muaj marrim një milion”! “Sa mbrapa paskemi qenë që në diktaturë rropateshim gjithë ditën për 40 pikë..!..!. Por ky entuziazëm, u shua sa hap e mbyll sytë!. Nuk mbetej gjë tjetër përveçse të rrëmbenin armët, të vinin në ndihmë tanket dhe autoblindat. Populli u rebelua! Kush ishte shkaku? Ishte Shteti i “frikshëm” qe u krijua. Ngjarjet tronditëse. të fillimvitit 1997, do të mbahen mënd me shekuj. U shqyen depo e ushtrisë e u rrëmbyen qindra e mijëra armë të lehta e të rënda, miliona municione të rënda e të lehta të të gjitha kalibrave. Tanke dhe avionë, makina të “grasos” topa e murtaja të të gjitha kalibrave, u shitën për “skrap” gjoja dhe paratë u futën nëpër xhepa. Më shumë se uria, shumë herë më e madhe ishte frika nga shteti i “frikshëm”, nga mënyra se si u ndërtua dhe si funksionoi ai “Gogol Shtet”,! Shteti i Diktaturës, siç e thamë, tërë pasurinë kombëtare e bëri armë e municion sepse ishte Lufta e ftohtë. Armët atëherë qëndronin në depo të veçanta. Ato kyçeshin me një dry “elzzet” dhe ruheshin nga roja i stallave të bagëtive. Arkëtaren me paratë e punonjësve të ndërmarrjes, e shoqëronte në këmbë një rroje që çalonte me një pushkë “belcik” pa fishekë, por kurrkush nuk i dilte përpara. Jo vetëm që armët nuk i preku kush por askush nuk guxonte të shkonte para depos së armëve duke ndryshuar edhe drejtimin e lëvizjes. Po tani? Të gjithë u pajisën me armatim të lehtë e të rëndë, tre e katër armë, aq sa i takonin ç’do qytetari të të gjitha moshave, në kohën e diktaturës! Frika nga shteti i “frikshëm” “demokrat” ishte e madhe. Askush nuk ka një statistikë se sa jetë njerëzish u flijuan pa asnjë shkak. Por a mbajti kush përgjegjësi? Askush! A i hyri gjemb në këmbë kujt? Askujt!. Aq e vërtetë është kjo që populli u rebelua nga frika e Shtetit “të frikshëm” sa që edhe mbas më shumë se 25 vitesh nga ajo kohë, ish Presidenti dhe ish Kryeministri bën thirrje: “U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të rrëmbejnë armët për të mbrojtur pronën dhe pasuritë e tyre, për të mbrojtur banesat e tyre nga shteti mafioz”. Ky shtet “mafioz” nuk ishte shtet i “pushtuesve”, por ishte Shteti shqiptar. Ja pra, ky është mentaliteti që krijoi atë shtet të ashtuquajtur “shtet i së drejtës” apo “Shtet demokratik” por që ishte shteti më antihuman që është krijuar ndonjëherë! Ky Shtet i “arnuar” me mballoma nga më të papërdorshmet, vazhdon të qëndrojë në krye të këtij sistemi , themelet e të cilit u hapën shtrembër qysh me rënien e komunizmit.