BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Opinion / Editorial

Do ketë drejtësi falas në Shqipëri?

Do ketë drejtësi falas në Shqipëri?

Shqiptarët e kanë paguar me pare në dorë drejtësinë, në këto vite tranzicioni. Nuk iu është dhënë mundësia asnjëherë të marrin pa paguar atë që u takon. Ka ndodhur kështu sepse të tillë e edukuan sistemin e drejtësisë politikanë, politika e hajdutërisë në vendin tonë, që në krye të herës. Është kuptuar qartë nga njerëzit se nuk janë përfaqësuar në këtë rrugëtim të vështirë, për të qenë në një komunitet të përbashkët me popujt europianë, të vendeve partnere. Nuk kanë faj shqiptarët për këtë vendnumëro, pasi politika e trazuar, problematike, konfliktuale me qëllim ose për shkak të mefshtësisë e ka futur vendin në një spirale që nuk ka zot që e shkorkoleps këtë mishmash që po çudit botën. Më shumë se çdo gjë tjetër shqiptarët kanë kuptuar se gjatë kësaj periudhe ka munguar drejtësia funksionale, ka munguar shteti i së drejtës, paçka se ky term është kthyer në një slogan në gojën e politikës dhe politikanëve. Vetëm për drejtësi funksionale nuk flitet, nuk mund të thotë askush se është vënë dorë nga strukturat e shtetit, të majtë dhe të djathtë, kur kanë qenë në mazhorancë. Duket se rotacioni është bërë vetëm për të ndërruar kuajt e pushtetit, ndërsa drejtësia është lënë në mëshirë të fatit. Drejtësia e munguar është pika më e dobët që kanë njerëzit. Kujtojmë premtimet e bujshme të politikës abuzive, këtu e tridhjetë vjet, kur premtonin se do shkojnë prapa hekurave vjedhësit e pronës së qytetarëve, toka e qytetarëve, do ndëshkoheshin të gjithë peshqit e mëdhenj, pushtetarët, qeveritarët, hajdutët, të lidhurit me krimin, autorë të trafiqeve të ndryshme. Mund të themi se vendosja e një sistemi drejtësie ka qënë pika numër një e premtimeve politike në fushatat zgjedhore. Këtë e kanë propaganduar për t’i përdorur zgjedhësit si karrem për të rrëmbyer votat dhe pastaj… mirupafshim në zgjedhjet e ardhshme! Ku është drejtësia e kërkuar, e cila është kërkesa numër një e qytetarëve, të cilët kanë tre dekada që qëndrojnë para dyerve të gjykatave dhe presin të zhvillohen proceset gjyqësore për pronat e grabitura nga mega korrupsioni. Për një drejtësi të vërtetë flasin të gjithë. Bëjnë demagogji kur thonë se jemi në rrugën e duhur. Në cilën rrugë është Shqipëria sot? Në rrugën e krimit? Në rrugën kur organet e drejtësisë po shtyjnë kohën dita-ditës duke mos u ndaluar në dosjet që kanë dekada në sirtarët e institucioneve të drejtësisë? Vetingu i famshëm nxori jashtë sistemit shumë gjyqtarë e prokurorë të implikuar me krimin. Ata nuk kanë të drejtë të futen në sistem për një kohë të miratuar me ligj. Kaq është thënë deri tani. Për vjedhjen e shekullit, ndaj tyre nuk është marrë asnjë masë tjetër. Ku kanë më nevojë për punë në gjykatë e prokurori ata, kur e kanë rregulluar anën ekonomike e financiare, përmes vjedhjeve që kanë bërë për aq kohë sa kanë punuar. Ata janë përjashtuar nga sistemi. Po vjedhja që kanë bërë për aq kohë sa kanë patur vulën e shtetit në xhep, do marrin ndëshkim? Në rast se puna mbaron këtu, pyetja shtrohet; Është shkelur ligji nga gjyqtarët dhe prokurorët në detyrë, të cilët janë pasuruar duke përvetësuar për shkak të funksionit? Kanë kryer këta vepër penale? Dikush shpërdoron detyrën, i vihen hekurat në vend, ndërsa për punonjësit e sistemit, që janë pasuruar nga fakirët, nuk ka ndëshkim ligjor. Hajde drejtësi, hajde! Ka një ngërç të madh që mban peng sistemin e ri dhe nuk e lë të reformohet sipas standardeve që kërkohen nga Bashkimi Europian dhe SHBA. Nuk ka dyshim që politika po e hedh në erë ngritjen e një drejtësie të pavarur dhe funksionale. Ashtu si e kërkojnë ekspertët ndërkombëtarë, ashtu si e do vetë sistemi për të qenë sa më pranë njerëzve, të cilëve u kanë humbur shpresat se ky sistem do kthehet tek zgjedhësit, tek ata që mbajnë sytë të jenë të barabartë në këtë shoqëri me demokraci të brishtë. Kryeministri Rama thotë se nuk është kjo Shqipëria që duam. Dakord. Shqipëria ka tridhjetë vjet që lebetitet, lemeriset, ankohet, shahet nga brenda, nga ndërkombëtarët, nga miqtë, nga armiqtë, sepse nuk ka shkuar atje ku duhet. Kush e ka penguar Shqipërinë të mos bëhet ashtu si e duam? Këtë vend e duan të mirë, me standarde të larta, e duan të gjithë, që nga Sali Berisha, Lul Basha, Monika Kryemadhi, Astrit Patozi, Jozefina Topalli, Presidenti Ilir Meta, Fatmir Mediu e plot të tjerë drejtues partish e partiçkash. Kur doni që ky vend i vogël t’i bashkohet vendeve partnere, me demokraci profesionale, përse e pengoni të marrë integrimin e premtuar nga Bashkimi Europian?

Zgjedhjet e fundit në SHBA, ku doli fitues Joe Biden, ishin një shembull i madh që tregon sa funksionale është atje demokracia. Kur flet demokracia e vërtetë nuk ka vend më për megalomanë, me politikat e tyre shteruese, mjerane, janë për t’u ardhur keq që dalin e kërkojnë vota. SHBA, fuqia e parë në botë, tregoi se me drejtësinë nuk luhet sipas oreksit të njërit apo tjetrit. Drejtësia është zot dhe ata që duan ta nëpërkëmbin, duhet të maten mirë, duhet të dinë se për kë e kanë fjalën. Tek ne në Shqipëri ndodh krejt ndryshe. Drejtësia lëviz sipas rradakes së njërit apo tjetrit drejtues partie dhe politikani. Ndodh kështu sepse, nuk po vendoset një drejtësi që të ketë fuqinë e zotit. “Kur të vijmë në pushtet, do t’i zhbëjmë me ligj të gjitha vendimmarrjet e PPP-ve të Ramës”, thotë kryedemokrati Lulzim Basha. Pse duhet pritur kaq gjatë, derisa të vijë fitorja e 25 prillit që të zhbëhen ligje e vendime që favorizojnë korrupsionin, njerëzit e kapur në vjedhje, që kanë grabitur prona dhe kapitale kolosale. Organet e drejtësisë këtu janë. Bëni denoncime të argumentuar, të bazuara, të mbështetura në fakte konkrete dhe nuk ka arsye për të dalë çdo ditë në konferenca dhe takim me gazetarë, duke përsëritur veten lidhur me përvetësimin e parave të qytetarëve nga qeverisja e Edit. Kjo është fare e lehtë për një opozitë, për çdo opozitar, madje për çdo qytetar që ka bindjen se korrupsioni po bën kërdinë. Ajo që duam të themi është kjo: do vijë një ditë që drejtësia, sistemi i drejtësisë t’u shërbejë falas qytetarëve? Që do të thotë: njerëzit do marrin drejtësinë e munguar pa paguar para? Do çlirohen shqiptarët nga slogani “jemi në drejtimin e duhur”? Boll me shprehje patetike që të nervozojnë, të demoralizojnë. Ka ikur koha kur shqiptarët kanë paguar rëndshëm për të marrë drejtësi. U shkoi jeta duke paguar, duke u hequr bukën nga goja fëmijëve për të majmur gjyqtarët, prokurorët, ndryshe ata nuk “të qajnë hallin”. Ndoshta ajo kohë ka kaluar. Pritet të rilindë një sistem drejtësie me fytyrën e demokracisë profesionale. Nëse ndodh të vijë ky çast, atëherë njerëzit do binden se e drejta është në krahun e tyre.