Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

A do ta gjejë të vërtetën, pajisja e poligrafit në Shqipëri?!

Postuar: 14/04/2018 - 08:49

Debati i fundit ndërmjet ish-prokurorit Llalla dhe ambasadorit amerikan Donald Lu më kujtoi makinën e së vërtetës ose pajisjen e poligrafit. Me fillimin e punës për ngritjen SPAK dhe përgatitjen e terrenit për arrestimet VIP, do të vijë shumë shpejt në Tiranë pajisja e poligrafit, e quajtur ndryshe makina e së vërtetës. Teknologjia moderne ka arritur nivele shumë të larta edhe në këtë fushë. Specialistët e fushës, duke kuptuar raportet që ka individi sot me të vërtetën në planin mendor dhe kulturor, korrupsionin botëror, krimin e organizuar, terrorizmin, drogën, kanë bashkëpunuar me shkencën, psikologjinë dhe neurologjinë, dhe kanë shpikur aparate për të arritur tek e vërteta, nëpërmjet instrumenteve që kanë aftësi të shkojnë deri tek e vërteta. Kjo teknologji ka filluar të funksionojë, gati që para 100 vitesh. Poligrafi ose makina e së vërtetës Duke lundruar në internet lexova disa rreshta për poligrafin. Poligrafi u shpik më 1921 në Kaliforni. John Larson krijoi makinën e parë të së vërtetës, duke e bazuar atë në testin e presionit të gjakut që ishte krijuar nga psikologu William Moulton Marston. Marston besonte se ndryshimet në presionin e gjakut mund të tregojnë nëse dikush po gënjen. Poligrafi modern mat një numër ndryshimesh fizike të tilla si pulsi, frymëmarrja apo presioni i gjakut. Poligrafi u mbështet nga Leonarde Keeler, i cili më 1930 ndihmoi në themelimin e laboratorit shkencor për zbulimin e krimeve, laboratori i parë i tillë në SHBA, një vit para atij që hapi FBI. Dhe nëntëdhjetë vjet pas shpikjes, poligrafi ende nuk është pranuar nga bashkësia shkencore, ligjore apo politike. Dhe fakti është që edhe tani, kriminelë të rrezikshëm arrijnë të mashtrojnë poligrafin. Ka pretendime se poligrafi nuk ka bazë në shkencë për shkak se teknikat e poligrafit në përdorim sot u zhvilluan nga hetues, jo nga shkencëtarë. Në vitet e fundit, lloje të tjera testimi të së vërtetës kanë dalë në treg, të tilla si programe kompjuterike për analizimin e stresit të zërit. Por a munden këto teknika të reja të jenë të sigurta? Pretendimi është se mund të dallosh nëse dikushpo thotë një gënjeshtër. Por në botën reale nuk është kaq e thjeshtë. Megjithatë sjellja e kësaj aparature të sofistikuar është e domosdoshme, mbasi klasa jonë politike në këto 27 vjet nuk ka thënë as edhe njëherë të vërtetën. Në realitet politika nuk është diçka e vërtetë, por përgjatë historisë politike botërore, klasa politike e çfarëdo sistemi apo vendi në lindje dhe perëndim, ka qenë e detyruar të thotë të vërtetën për çështje të caktuara. Imagjinojeni në çfarë niveli ka arritur morali njerëzor jo vetëm tek neve, saqë industritë kanë projektuar edhe pajisjen e së vërtetës. Individi tek ne ka një problem të madh me të vërtetën, kjo për shkak të kulturës së vërtetës, natyrës psikologjike të së vërtetës, ish-diktaturës, përpjekjeve njerëzore për të ekzistuar në këto 27 vite. Duhet shkruar qartë që e vërteta tek neve ka marrë një goditje të madhe në planin psikologjik dhe shoqëror. Në rastin e klasës sonë politike të dështuar dhe të korruptuar deri në palcë, vetëm teknologjia mund të ndikojë tek e vërteta, krahas punës së institucioneve të specializuara për këto fusha. Në debatin Llalla-Lu, personalisht mbështes ambasadorin amerikan. Jo vetëm zotin Lu por edhe atë që do të vinë mbas tij. Kurse Llalla mendoj sëpaku duhet të kalojë në “testin e së vërtetës” nëpërmjet pajisjes së poligrafit. Ndërsa në rastin e zotit Lu kam besim e plotë se para se të jetë pranuar në diplomaci, e ka vënë dorën mbi kushtetutën që është një provë e madhe e së vërtetës. Tek neve pavarësisht se zyrtarët betohen në ligjin themeltar të shtetit, shpesh i kanë bërë shtetit në vite shumë dëme dhe mendoj se nuk ka poligraf që arrin tek e vërteta e tyre. Ky fenomen ka të bëjë me formimin dhe edukimin tonë në vite me të vërtetën si kulturë. Në rastin tonë shpesh kam biseduar me psikologë, edukator dhe specialistë të huaj dhe mendojnë se fëmijët tonë nuk e kanë në kulturën e tyre të thonë të vërtetën. Biles, tek ne ka edhe shprehje popullore të krahinave të ndryshme që mendojnë se nëse individët që thonë shpesh tëvërtetën dhe luftojnë për të vërtetën konsiderohen edhe pak “budallenj”, jo inteligjentë. Kurse në kulturën perëndimore, edukimi me të vërtetën është në filozofinë dhe mënyrën e të menduarit të tyre. Kështu që individi edhe mund të kuptohet për të vërtetën e tij, edhe mund të falet gjithmonë me ligj. Individi, biles edhe mund të kurohet për çrregullime të caktuara mendore, kur thotë të vërtetën. Prandaj, edukimi me të vërtetën sjell zhvillim dhe stabilitet ekonomik dhe shoqëror. E vërteta, njeriu dhe shoqëria E vërteta përkufizohet përgjithësisht si përputhja e çështjeve me faktet dhe realitetin. E vërteta është një besim i njeriut, që bazohet mbi faktet empirike (e vërejtura), fetare ose shkencore. Ndërsa feja beson të njohë dhe shprehë të vërtetën, filozofia shtron pyetjen nëse kjo është e mundshme. Filozofia kërkon të vërtetën, metafizika merret me natyrën e së vërtetës, arsyeja merret me mbrojtjen e saj, ndërsa epistimologjia (teoria e dijes) merret me njohjen e së vërtetës. Ka shumë pohime të ndryshme rreth çështjes se çfarë përbën të vërtetën, si përkufizohet dhe njihet ajo, çfarë roli luan dituria e fituar dhe e zbuluar, dhe nëse e vërteta është e kushtëzuar, përkatëse, qëllimore, apo tërësore. Ana e kundërt e së vërtetës është gënjeshtra apo e rrema, e cila përcaktohet si thënia me qëllim e të pavërtetës. Ndershmëria dhe gënjeshtra në kulturën tonë Ndershmëria është cilësia njerëzore e marrëdhënies dhe veprimit me çiltërsi, vërtetë- si dhe drejtësi në të gjitha pikëpamjet e jetës. Ndershmëria mund të përshkruhet edhe si shmangia e gënjeshtrës, trillimit dhe mashtrimit. Në krahasim me vërtetësinë, emërtimi ndershmëri nënvizon mungesën e shtysave përfituese të gënjeshtrës dhe njëkohësisht lejueshmërinë e paparamenduar të çuarjes në gabim, kjo do të thotë njeriu mund të mbesë i ndershëm, edhe nëse ai i tregon tjetrit të pavërtetën, të cilën ai e beson si të vërtetë.Në pikëpamjen e etikës, ndershmëria zakonisht mendohet cilësi pozitive. Megjithëse në jetën e përditshme shumica e njerëzve i lejon vetvetes gënjeshtra të vogla, duke e menduar ndershmërinë absolute si naivitet ose madje marrëzi. Gënjeshtra (apo rrena gegërisht), është një lloj mashtrimi në trajtën e një të pavërtete të shprehur me qëllim mashtrimin, shpesh me qëllim të mëtejshëm mbajtjen e nje sekreti apo namit (famës), apo për të shmangur një ndëshkim. Gënjimi është shprehja e diçkaje kur njeriu e di se është e rremë me qëllim që të pranohet si e vërtetë nga dikush tjetër. Gënjeshtar është njeriu që gënjen, ka gënjyer, apo gënjen vazhdimisht. Gënjimi zakonisht lidhet me mashtrimin gojor apo komunikimin me shkrim. Forma të tjera të mashtrimit, si maskimi apo falsifikimi, përgjithësisht nuk quhen si gënjeshtra, megjithëse qëllimi kryesor mund të jetë i njëjtë; sidoqoftë, edhe një shprehje e vërtetë mund të quhet gënjeshtër nëse personi që bën këtë shprehje e bën atë të mashtrojë. Në këtë rast, është qëllimi i të qenit i pavërtetë sesa vërtetësia e pohimit vetë që merret parasysh. Shpesh njerëzit gënjejnë për të arritur një përparësi apo për të mbuluar një gabim apo një veprim të ndaluar me qëllim shmangien e kritikës apo dënimit. Gënjehet po ashtu edhe nga mirësjellja, turpi, frika, në mbrojtje të personave të tjerë apo për të asgjësuar planet e kundërshtarit. Disa njerëz janë gënjeshtarë patologjikë. Kam besim tek institucionet e reja të drejtësisë dhe sjellja e aparateve teknologjike do ta ndihmojë edhe policinë edhe drejtësinë. Por për mendimin tim, edukimin e të së vërtetës duhet të bëjë shkolla në të gjitha nivelet, familja dhe shoqëria. Shoqëria nuk duhet të “tallet” me të vërtetën dhe me individët që thonë të vërtetën, se pastaj klasa politike dhe drejtuesit e institucioneve e kanë shumë të vështirë të thonë të vërtetën, mbasi edhe ato janë pjesë e kësaj shoqërie. [email protected] / Nga Qamil GJYREZI 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 35

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/12/2018 - 07:19

Ashtu si në çdo lëvizje e protestë të viteve të fundit apo pas ndonjë skandali të shpërthyer në Shqipëri, edhe protesta e studentëve, e cila për hir të së vërtetës deri sot është paqësore, të gjithë vrapojnë të k

Postuar: 11/12/2018 - 07:17

Nuk dua të hyj në të drejtat e tyre legjitime, sepse i zoti e di ku i pikon çatia, tjetër gjë kam

Postuar: 11/12/2018 - 07:16

Kishim një mësues fantastik vizatimi në tetëvjeçare dikur në fillim të vitet 70-të!

Postuar: 11/12/2018 - 07:13

Zyra e Llogaridhënies Qeveritare(GAO) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është institucioni i a

Postuar: 09/12/2018 - 07:17

 Përpjekjet për të vënë shenjën e barazimit mes dy dhjetorëve dhe për të përfituar frytet e

Postuar: 09/12/2018 - 07:16

 Në ditën e shpallur nga Sali Berisha si "dita e Rinisë" dhe sigurisht e

Postuar: 09/12/2018 - 07:14

 Ka më shumë se një muaj që banorët e unazës se re protestojnë ditë e natë, në mbrojtje të b