Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

A do të mund t’i largohemi një ditë tranzicionit?

Postuar: 18/08/2018 - 07:14

 Sot ne shqiptarët, ende nuk kemi mundur të realizojmë asnjë prej ëndrrave tona që i nisëm me plot vrull ato ditë dhjetori të vitit 1990. Ndërsa nisnim protestat me thirrjen “E duam Shqipërinë si Evropa” ato ditë dhjetori të vitit 1990, asnjë shqiptari të lodhur nga diktatura nuk ia priste mendja se do të kalonin 30 vjet dhe ne do të vazhdonim të lundronim e të vazhdonim të jetonim në një gjysmë shtet, që vazhdon të drejtohet nga një me nder klasë politike, pa bërë asnjë lloj ndryshimi, pa asnjë lloj morali dhe krejt e pashpirt.

Kaluam fundin e shekullit duke protestuar, po kalojmë edhe dy dhjetëvjeçarë të shekullit të ri, po ne shqiptarët po mbetemi duke ëndërruar pa realizuar asnjëherë ëndrrën “të bëhemi si Evropa”. Ne e dimë shkakun pse kemi mbetur të fundit, pse kemi mbetur më të varfrit, pse kemi mbetur duke vrapuar për t’u larguar nga toka amë, pse na ka humbur shpresa, ndërsa rinia ikën duke lënë në këtë breg të Adriatikut vetëm një grumbull pleqsh të lënë nën shtypjen e një grupi oligarkësh të pashpirt dhe të një me nder klase politike pa asnjë din e imam. Një klasë politike që tallet me ne të shkretët duke na vënë në lojë me tregues që i nxjerr nga mendja e saj e mykur se, “kemi rritjen më të madhe ekonomike në Evropë, na e kalon për pak gjë vetëm Gjermania”, ose “rritja ekonomike sot është 4,5 herë më e madhe se në vitin 2013”. Ndërsa ne të shkretët banorë të këtij vendi numërojmë në fund të ditës, qindarkat, nëse na dalin të marrim një copë bukë për fëmijët. Na tall kësisoj kjo klasë politike si ia do b…, sepse thjesht e di se ne jemi të nënshtruar dhe varfëria na ka kthyer në skllevër të bindur të saj.

Na tall sepse e di se nuk e lëviz njeri nga pozicioni që ka zënë prej afro 30 vitesh që zvarritet te ky tranzicion i pafund. Bile krenohet se si po e mban vendin në rrugën e tranzicionit, me të cilin çdo dështim e quan një fitore të madhe të saj, sa herë ka zgjedhje dhe kërkon votën. Ndërsa ne të traumatizuar, pa bërë asnjë fjalë, ia japim çfarë kërkon. Kërkoi një vit më parë gjithë tepsinë, ne nuk bëmë fjalë ia dhamë të tërën, edhe pse nuk kishte asnjë lloj program zhvillimor. Ndaj brenda një viti na ka dhënë peshqesh vetëm një numër në rritje të taksave dhe një ulje të ndjeshme të pagave.

Asnjë prej kësaj me nder klase politike nuk bëzan për nivelin e ulët ekonomik, për plaçkitjen e përditshme të pasurisë së këtij vendit, të pandëshkueshmërisë të hajdutëve pa moral që drejtojnë prej afro 30 viteve 129 partitë politike albaneze. Oligarkë të politikës që edhe pse gjatë këtyre afro 30 viteve nuk na kanë sjellë as një rreze drite, po vetëm errësirë, nuk dinë të largohen, thjesht sepse janë bërë të përjetshëm. Ndërsa ne, edhe pse e dimë se me këta maluketër do të mbetemi në errësirë, nuk dimë të ngrihemi e t’i largojmë, sepse varfëria na ka nënshtruar.

Ndërsa ata, sa herë duan të na justifikohen na thonë me një ligësi të paparë: jemi ende në tranzicion, ndaj edhe mangësi mund të ketë. Dhe shtojnë duke nënqeshur: “Tranzicioni është shprehje e rritjes drejt së nesërmes se ndritur”. Varfëria na ka bërë t’i dëgjojmë idiotizma të tilla e të mos bëzajmë. Edhe pse e shohim me sytë tanë tamam të vërtetën. Të vërtetën që vetë Evropa po na e thotë haptazi: Ju duhen shumë e shumë vite të na afroheni dhe ne t’u pranojmë në BE.

I vetmi ndryshim që po na duket në horizont është dhënia me koncesion i gjithçkaje. Shëndetësia tashmë thuajse është dhënë e tëra më koncesion. Për këtë ne shqiptarët do të paguajmë afro 385 milionë euro. Me koncesion do të nisin të ndërtohen në Tiranë edhe godinat e reja të shkollave. Edhe pse tiranasit prej vitesh po paguajnë taksën e shkollës që u mblidhet për ndërtimin e shkollave të reja. Askush nuk u thotë se, pasi do të paguajnë për koncesionin, ku do të shkojë taksa e mbledhur deri tani ?

Ky tranzicion që po na duket i përjetshëm na sjell lloj-lloj budallallëqesh. Sot po shkatërrojmë mjedisin tonë për t’i lënë të lirë disa oligarkë të ndërtojnë pa fund hidrocentrale. Më e keqja është se atyre edhe prodhimin ky gjysmë shteti ynë ua blen si frengu pulën, me një çmim super të lartë. Dhe gjithë humbjen ua ngarkon fakir-fukarenjve që ende kanë mbetur pa ikur. Është e çuditshme, pse prodhimin këta oligarkë të mos e nxjerrin në tregun e lirë, po ta kenë të garantuar nga ky gjysmë shteti ynë dhe me një çmim të kripur, të cilin duhet ta përballojmë ne me hir a me pahir. Ç’rrugëtim të pështirë po kryejmë ne shqiptarët në këtë tranzicion të pafund.

Jemi lodhur e jemi varfëruar aq shumë sa tashmë edhe justifikimi i palo politikanëve tanë se, “kjo varfëri është pasojë e sistemit diktatorial” nuk ka më shqiptar që e beson. Duke i përjashtuar maluketërit hajdutë që sa të heshtim ne do të vazhdojnë në mënyrën më të paskrupullt të na sundojnë në mënyrën më kafshërore. Sepse kjo me nder klasë politike prapambetjen dhe varfërinë për shumicën e shqiptarëve po e rrit në përmasa të llahtarshme. Thjesht për të mbushur xhepat e saj.

Tashme ne e dimë mirë, se kemi patur prej afro 30 vitesh një qeverisje pa moral, të dobët e të paskrupullt. Kanë drejtuar e po na drejtojnë gjatë këtyre viteve lloj-lloj zorzopësh që në heshtje e shkatërruan dhe e plaçkitën tërë ekonominë. Pa u hyrë gjemb në këmbë. Sepse edhe drejtësinë e lanë në dorën e plazhistëve të Durrësit, që së bashku gjetën siç thotë populli: tenxherja kapakun.

Për ne shqiptarët sot kryefjala është nëse mundemi të organizojmë një mirëqeverisje. Sepse deri tani kemi treguar se, ne dimë a nuk dimë ç’qeverisje kemi ? Tashmë e dimë mirë, se kemi patur një keqqeverisje sa kemi çuditur dynjanë. Sa miqve po ua mbushim mendjen se as nuk mund të realizojmë ndonjëherë një qeverisje të mirë me këta birbo politikanësh që po na detyrojnë prej afro 30 vitesh vetëm të zvarritemi. Bile, është kjo arsyeja që e gjithë rinia ia ka mbathur. Në Australi e në Kanada, në Evropë e në Argjentinë. Sa tashmë në këtë Shqipëri kanë mbetur dalëngadalë me shumicë vetëm pleqtë. Kemi mbetur një vend ku këndojnë vetëm pleqtë. Dhe plaçkitësit familjarë të palo politikanëve e grupit të oligarkëve që vazhdojnë të plaçkitin çfarë ka mbetur ende pa plaçkitur nga pasuria e lënë nga diktatura. Është për të qeshur, po ende po mbahemi në shumëçka me rezervat e saj.

Është për të ardhur keq, që as sot e gjithë ditën, nuk e dimë nëse do të arrijmë ndonjë ditë t’i largohemi këtij tranzicioni që tashmë po na duket si i përjetshëm. Ndoshta kjo është edhe arsyeja që të gjithë duam të ikim. Sepse ky lloj tranzicioni duket ashiqare se po i leverdis kësaj klase politike që ne ende e mbajmë mbi kurriz.

Nga Riza HOXHA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 9

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2018 - 07:12

Edhe pse çështja e përkatësisë fetare të një Heroi Kombëtar, në fund të fundit, nuk ka aq rëndësi, në këtë vit jubilar të Gjergj Kastriotit, kjo çështje ka qenë ndër më të debatuarat në mesin e studiuesve dhe të histo

Postuar: 15/11/2018 - 07:11

Është e sigurtë se diktaturat krijojnë siguri dhe rend publik!

Postuar: 15/11/2018 - 07:09

Teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si punojmë dhe mendojmë në shumë drejtime përfshirë dhe audit

Postuar: 14/11/2018 - 12:25

Prishja e shtepive te banoreve te Unazes se Madhe eshte antikushtetuese, jo thjesht e paligjeshme

Postuar: 14/11/2018 - 07:06

 Protestat e opozitës tonë ngjajnë shumë me informacionet që jepeshin përditë në seksio

Postuar: 14/11/2018 - 07:05

 Shteti, duket se është e kundërta e asaj që thotë kënga për të dashurën.

Postuar: 14/11/2018 - 07:03

 Më thanë se edhe tre njerëz të kulturës, intelektualizmit kishin aplikuar për llotarinë ame