Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Do ti bindë apo do ti rigënjejë opozita ndërkombëtarët?

Postuar: 23/07/2019 - 07:18

Pasi u dergj rrugëve, mbushi burgjet me huliganët, shkatërroi dhe u shkatërrua vetë, opozita na qenka hedhur në një aksion të fundit, që pretendon se do ta rrëzojë Ramën. Kjo i ngjan asaj historisë së dhelprës, që deklaronte, se sivjet do të bëhen gorricat se më hahen mua. Opozitës i qenka mbushur mendja se, pas dështimit të aksioneve varavingo, do të përdorë metoda e forma të atilla që do ta bindë popullin dhe ndërkombëtarët. Mirëpo populli dhe ndërkombëtaret nuk binden me gënjeshtra, por me alternativa. A e di opozita që djemtë e gënjyer janë ende në burg? Po bota do të pyesë, se përse janë dënuar këta militantë, që ajo i quan popull? Dhe përgjigjja është e qartë: Kanë shkatërruar institucionet e shtetit, që në esencë është djersa e tyre. Si duket opozita paska harrua, që objektivi i saj ishte largimi i Edi Ramës nga pushteti dhe këtë nuk e arriti, se Ramës nuk iu prek asnjë qime. Por një opozitë dështake në të gjitha aksionet që ka ndërmarrë, nuk ka si të jetë e besueshme, qoftë edhe për militantët e saj, që po rrinë burgjeve për të mbrojtur krimet e krerëve të tyre. Si mund të binden ndërkombëtarët kur qëndron ende e varur në qafën e Lulushërisë vrasja e katër protestuesve në mes të sheshit? Për cilin popull flet opozita, se ata që e ndiqnin pas ishin militantë jo popull.

Që të bindësh ndokënd duhet të jesh serioz, kur duhet të kesh fituar disa aksione. Kam lexuar në një material amerikan lidhur me aksionet e partive, ku theksohej, se subjektet duhet ta çojnë deri në fund aksionin me çdo kusht, ndryshe janë të dështuara dhe duhet të dalin nga gara. Çfarë do t’u thotë opozita ndërkombëtarëve dhe popullit, kur s’ka fituar asnjë aksion?Do të vazhdojë të tregojë për dosjet “Babale”, që nuk kanë asnjë fakt që vërtetohet nga organet kompetente? Vërtiten pas tri dosjeve që janë hartuar mbi bazën e përgjimeve, të cilat nuk janë zbardhur ende se ç’të vërteta kanë. Përse nuk presin që të zbardhen e të thonë të vërteta kur dalin nëpër protesta? Opozita po merret me kicmice për të treguar se ekziston, po jo se fiton ndonjë gjë. Priti sa gjykata e Durrësit të merrte një vendim absurd, që të ngriheshin të gjithë duke deklaruar, se “30 qershori u rrëzua!”” Drejtësia nuk ka vdekur!” Çfarë rrëzoi gjykata e Durrësit, kur ai vendim s’kishte lidhje me kandidatin e zgjedhur, po me një parti tjetër? A e dinë opozitarët, se e njëjta gjë ndodhi edhe në bashki të tjera, ku Bindja Demokratike ishte rivale si në Durrës, përse u njohën kandidatët e PS? Pas dy dite kjo gjykatë e Durrësit e korrigjoi gabimin e saj duke e konfirmuar në detyrë kryebashkiaken e Durrësit dhe Lulushi na doli përsëri në televizor e na i sikterisi atë gjykatë që lavdëroi. Ja pra, sa sentimentale është opozita, merret me pasaktësira, sepse i mungojnë alternativat. Dhe me këto na dashka të bindi ndërkombëtarët dhe atë farë populli që i ka mbetur. Të gjitha këto ja veshin Ramës, sepse kur ishin në pushtet ishin mësuar të ndërhynte Saliu për të gjitha, që të “ndreqeshin” gjërat. Na paska fiksuar Lulushi një shifër 85% të zgjedhësve e braktisën Ramën dhe sillen rreth asaj shifre, me shpresë se do të bindin ndërkombëtarët dhe popullin. Në 30 qershor opozita bëri të pamundurën që njerëzit të mos shkonin në votime, por askush nuk e dëgjoi. Një pjesë e socialistëve që ishin në punë në bashkitë e djathta dhe një pjesë e opozitarëve që punonin në bashkitë e majta, ishin në dilemë, se po të vinin i pushonin nga puna dhe nuk shkuan. Po kjo nuk do të thotë se ndryshuan bindjet. Asnjë emigrant nuk mori pjesë në zgjedhje, të cilët përbëjnë 2 milion e ca veta. Por pjesa tjetër nuk votoi fare, jo se u tha opozita, po indiferentë kanë qenë për çdo votim. Opozita vuri roje të fshehta në çdo qendër votimi për të parë se kush e kishte thyer vendimin e saj. A e dini që në Skrapar edhe sot nuk i flasin në bashki, pse njëri, që nuk ishte në punë, po kishte njeriun e tij në punë! Opozita nuk ka pse ankohet, as të ndërmarrë ndonjë aksion si ato që turpëroi veten, se vetë ja dorëzoi Ramës Kuvendin, ku përplasen alternativat, i vetmi vend, ku ajo mund të bllokonte punimet e Kuvendit. Vetë ja fali Ramës 61 bashki dhe këshilla bashkiake dhe tani na zagariset nëpër mjetet informative për vjedhje votash. Ka pesë vjet opozita që akuzon qeverinë për vjedhje dhe akte kriminale, po asnjëherë nuk bëri një denoncim në organet e drejtësisë. Përkundrazi, drejtësia i ka ndëshkuar drejtuesit e saj për shpifje. Edi Rama nuk ka lënë pa bërë asnjë nga ato që ka thënë prandaj është i besueshëm në popull dhe te ndërkombëtarët. Si nuk e kupton opozita që është në rrugë të gabuar, kur nuk ka mbështetjen e asnjë strukture ndërkombëtare? Ndërkombëtarët nuk binden me letra ku sajohen shpifje e gënjeshtra. A e dini përse është kjo periudhë heshtje në opozitë? Sepse janë duke sajuar gënjeshtra më të forta nga ato që përdorën nëpër protesta. Laboratorin e drejton plaku i fshatit, që nuk po e kuptojnë që po i shpie drejt shkatërrimit total. Na del Lulushi nëpër televizione e na dërdëllis, se kur të vijmë ne në pushtet do t’i anulojmë këto ligje që ka aprovuar Kuvendi! Edhe kjo është një gënjeshtër bindëse. Si mund të vijë në pushtet një parti e hardallosur, që ka humbur të gjitha pushtetet dhe që nuk realizon dot asnjë aksion të sajin? Deri tani nuk kemi parë të shpalosin pjesë nga programi i tyre, po vetëm hedhin ndonjë shifër me hamendje, se do të rrisin pensionet trefish, po nuk thonë se cilat janë rrugët që do t’i rritin. Fatkeqësisht kjo parti nuk mund të vijë në pushtet për derisa të ketë një parti kryesore hije brenda saj. Lulushit i kanë thënë që je kryetar, po ai ka vetëm ekranin kurse pultin e mban Saliu. Dhe Lulushi vete i falet çdo ditë, ku furnizohet me gënjeshtra të reja. Cilat nga ato sajesa që ka hedhur në tregun mediatik gjatë këtyre viteve kanë qenë të vërteta? Të gjitha këto janë quajtur alternativa e opozitës. Kanë deklaruar se nuk bëjnë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër! Po kush humbet në këtë mes, se Edi Rama i bëri zgjedhjet dhe s’ka nevojë për zgjedhje. Ai rri në pushtet ju mbetët rrugëve. Madje ai nuk i pranon zgjedhjet e 13 tetorit. Atëherë cila është rruga për ta rrëzuar Ramën? Kush do t’i bëjë këto zgjedhje, kur pushtetin e ka Rama? Me protesta e shkatërrime e provuat, po humbi opozita. Me shkatërrime e provuat dhe humbët, se u mbetën burgjeve militantët. Me gënjeshtra e kaseta babalesh e provuat dhe humbët shumë terren. Do të hyni sërish në çadër që të çlodheni, se gjë nuk fitoni. Apo do të rrëmbeni pushkët, siç u rekomandon Presidenti me plakun e fshatit tuaj? Edi Rama e ka opozitën në Kuvend, pavarësisht se ju, që i kishit futur në lista nuk i pranoni. Po ata i pranon ligji. Tani nuk e dimë sa forcë bindëse do të kenë gënjeshtrat e reja, që të mbushni mendjen e ndërkombëtarëve dhe popullit të vërtetë.

Nga Enver CAKAJ

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/08/2019 - 07:22

Në sistemin e ekonomisë të tregut, për sa kohë "liria ime fillon aty ku mbaron liria jote", jo zoti Edi Rama, por edhe "perëndia" e tij të jetë në krye të vendit, kurrë qytetarët nuk mund të "

Postuar: 22/08/2019 - 07:19

Shpesh herë, në zallamahinë e një politike që kërkon ta zvetënojnë mazhorancën që qeveris vendin,

Postuar: 22/08/2019 - 07:17

Shtatori është muaji i nëntë i vitit në kuptimin fizik e kalendarik.

Postuar: 22/08/2019 - 07:16

Asnjë qeveri shqiptare këto 29-të vite post diktaturë, nuk ka mundur njëherë të vetme të ketë zba

Postuar: 22/08/2019 - 07:15

Tashmë, si për të na mbushur mendjen se hale - klasa politike është krejt e hallakatur, ky gjysmë

Postuar: 21/08/2019 - 07:47

Partia Demokratike trashëgoi nga zgjedhjet e pushtetit lokal të vitit 2015, një numër jo të vogël

Postuar: 21/08/2019 - 07:45

Nuk më kishte ndodhur ndonjëherë që, në shtëpinë time, një vizitor i huaj të shprehej me superlat