BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Doktor Tit Vasili, në karantinë poshtë diktatori, sot në SPAK Ramahorri!

Doktor Tit Vasili, në karantinë poshtë diktatori, sot në

Ishte e pritshme. LSI partia politike që bëri zhurmën më të madhe dhe ngriti në qiell sulmet dhe akuzat kundër Edi Ramës, se mbylli shqiptarët në karantinë dhe i izoloi nga bota, duke shkelur të drejtat e fituara me përmbysjen e sistemit komunist. Në krah të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, hije e saj, doktor Petrit Vasili, zëvendëskryetari i partisë presidenciale, kandidati që për fare pak milimetër, u bë kryeministri i Shqipërisë në 2017, nuk la gjë pa sharë e pa sulmuar me deklaratat gojore, simbolikat dhe thirrjet për demonstrata në emër të lirisë kundër mbylljes së qytetarëve në shtëpi. Shkatërrimin e bizneseve, uljen e fuqisë blerëse, përdorimin e mjeteve mbrojtëse, jashtë standardit, mungesën e mjediseve për kurimin e të prekurve nga Covid-19. Doktori politik, analizoi me nota pesimiste se shqiptarët do vdesin me qindra nga virusi për shkak të sistemit shëndetësor të paorganizuar, masave të pamjaftueshme të qeverisë shqiptare. Realisht, periudha e pikut të virusit në të cilën tërë bota mori masa ekstreme, por u gjend përballë të papriturave, jo pak shtete u kapën në befasi dhe ngritën duart përballë virusit vdekjeprurës, situata këtu u mbajt nën kontroll, pikërisht nga masat shtrënguese sipas një protokolli rigoroz të OBSH, dhe përvojave të vendeve, ku fenomeni kishte nisur më parë dhe vendi ynë pati privilegjin të mësonte nga pësimet dhe masat e marra nga ata që kaluan para nesh në këtë ferrë. Për të ruajtur qytetarët, Ministria e Shëndetësisë dhe Përkrahjes Sociale në zbatim të protokolleve, krijoi komitetin përkatës me mjekët më të mirë dhe specialistë të fushës, të cilët ndoqën rigorozisht situatën. Mijëra mjekë, infermierë, të orientuar nga Ministria e Shëndetësisë, ndoqën hap pas hapi dhe gjurmuan me përpikmëri rastet e të infektuarve dhe kontaktet e tyre me individë të veçantë, familjarë apo personel shëndetësor. Në realitet, Shqipëria ishte nga vendet me numrin më të ulët të të prekurve dhe vdekjet më të pakta për njëmijë banorë në rreshtimin mes shteteve të tjera. Kjo jo se shqiptarët ishin imunë dhe të mbrojtur nga virusi as se ia futën me meze e raki, hudhra apo janë me antikorpe më rezistente se popujt e tjerë. Propaganda e opozitës, fillimisht se virusi ka hyrë në Shqipëri muaj më parë ende pa u evidentuar rasti i parë në muajin mars. Propaganda politike dhe mediat pranë tyre bënë analiza të shumta, të shfrenuara, ndezën fantazinë për të treguar se qeveria e kishte futur popullin në pus, kishte fshehur virusin për të vrarë popullin. Akuzat arritën kulmin, veçanërisht me evidentimin e rastit të parë, duke e shoqëruar tërë procesin me propagandë se nuk ishim të gatshëm për të përballuar Covid-19. Se do ndodhte kërdia. Po më shumë se gjithçka, beteja u zhvillua kundër masave që ndërmori qeveria dhe ministria e linjës e këshilluar nga komiteti i posaçëm, të cilat u shoqëruan me mbyllje totale në shtëpi dhe kyçjen e bizneseve, transportit, pikave të kufirit, koncerteve, restoranteve, stadiumeve dhe palestrave, teatrove apo grumbullimeve të njerëzve në raste festash dhe fatkeqësish. E vërteta, qytetarët, sfiduan politikën, këshilltarët e këqij, të cilët u bënin thirrje të thyenin karantinën. Në periudhën e izolimit, u hapën spitale të tjera për të dominuar sëmundjet. Spitali “Shefqet Ndroqi” u kthe në spitalin Covid-2 dhe mjediset e ish-Universitetit “Kristal” u shndërruan në spital për përballimin e virusit vdekjeprurës. Gjatë kësaj periudhe, me para në dorë, u blenë mjetet e nevojshme, nga medikamentet deri tek kostumet mbrojtëse dhe respiratorët. Të gjitha këto masa të qeverisë, u sulmuan, u denigruan nga opozita. Shumë fjalime mbajti doktori politikan, Tit Vasili. Asnjëherë nuk foli si mjek, po si politikan grindavec, fyes. Nuk la epitet pa u damkosur në shpinë kolegëve të tij, qeverisë, kryeministrit, Komitetit të përballimit të Covid-19. Realisht, Ministria e Shëndetësisë, gjatë periudhës së pikut të virusit, informoi në kohë reale qytetarët, këshilloi si të mbroheshin nga kontaktet e papërshtatshme, si të vepronin për t`u ruajtur nga infektimi prej virusit. Në kundërpërgjigje të masave të qeverisë, LSI, PD, Basha dhe Tit Vasili, kënduan të njëjtën këngë, këtë herë me marshe funebre. Me idenë se sulmonin qeverinë bënin politikën e tyre nuk iu ndanë kritikave pa asnjë bazë. Shumë herë qytetarët shqiptarë, u tunduan për të qëndruar në shtëpi. Bizneset, në jo pak raste, thyen protokollet e karantinës. Po populli në masën mbi 98 për qind, mbajti qëndrim dinjitoz, jo për hatër të Ramës a qeverisë, po se kuptonin që politikave opozitare që nuk ua ndjente nëse dikush do infektohej apo përfundonte në reanimacion. Jo pak prej tyre, si të ishin kanibalë, fërkonin duart dhe pas çdo vdekje, etiketonin pafrytshmërinë e masave të qeverisë. Në momente të veçanta dilte në pah padurimi i liderëve politikë që nuk ngopeshin me shifrat e viktimave, i shtonin, duke i shumëzuar me njëqind dhe aludonin për varre të shumta, në të cilët fshehtas varroseshin “dëshmorët” e Covidit. Jo njëherë, Berisha, akuzoi për shifra të manipuluara. Të njëjtën gjë bëri zoti Vasili. Ai veç politikan është edhe doktor që e ka ndritur shëndetësinë kur ishte në krye të dikasterit. Në periudhën e pikut të virusit bëri detyrën, luftoi si luan me qeverinë, akuza lumë fyerjesh dhe etiketimesh. Edhe pse të gjithë e njihnin realitetin më mirë se Petriti që maste me vdekje dhe shtrime apo intubime në spitalin infektiv edhe pse e dërrmoi qeverinë dhe kryeministrin për masat e izolimit dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, kur dihet se e drejta më madhore është jeta edhe pse thirri poshtë diktatura dhe në burg diktatori, kjo nuk është asgjë me atë që bën sot ky doktor Adhamudhi i ri, që mezi priste të përmbyste vetveten nga dje kur deklaronte poshtë Rama se na mbylli dhe sot thërret, poshtë Rama se nuk frenon virusin. Kjo është fiks fare me sentencën popullore. - Hip se të vrava, zbrit se të vrava! Ose me sa ma potise gomarin, me të ftohtë, ma ftohe me të ngrohtë ma dogje. E pritshme kjo sjellje prej kameleoni e një politikani që në begraundin e vet, në vend të parë ka fyerjet, etiketimet, sharjet, akuzat, fantazinë e shfrenuar për të denigruar kundërshtarët, për t`i paraqitur si sjellës të fatkeqësive. Nuk e kam njohur doktor Petrit Vasilin, nuk ia di zotësinë si mjek me bluzë të bardhë në pavijonet e spitaleve tona, në roje të shëndetit dhe jetës së shqiptarëve, në vite të shkuara. Mundet të ketë bërë çudira, të ketë sfiduar vdekjen përmes profesionalizmit të tij! Nuk jam njohur me zbulimet shkencore apo shpikjet e bëra në emër të jetës në fushën e shkencës mjekësore. Në politikën e këtyre viteve më së shumti në pushtet dhe fare pak në opozitë, kam njohur një Petrit Vasili që vetëm akuzon, fyen, bën sherre. Në ligjëratat e tij, veç fjalorit të rrugës, fyerjeve në themel dhe thikës në kockë, prekjes së dinjitetit të njeriut nuk kam parë aspak përfaqësuesin e progresit, largpamës, progresist, novator, mbrojtësin e të mirës. Nuk kam parë njeriun e balancuar, kritik, po edhe vlerësues. Fjala e tij është mbushur me mllef dhe pesimizëm. Këtë më shumë se kurdoherë e tregon sot kur ka marrë rolin e akuzatorit, bën prokurorin, gjyqtarin, llogaritarin dhe hetuesin, akuzon dhe bën thirrje për burg, për paaftësi, tani nga hapja dhe dje për mbylljen të shkojë para SPAK-ut kryeministri se janë shtuar të prekurit. Është e vërtetë se rastet janë shtuar. Po shtimi nuk kërkon licencë as vizë prej askujt. Nuk di të ketë, në Shqipëri një politikan të dytë, të fyejë kaq rëndë, sa zoti Vasili, të akuzojë pa asnjë arsye, duke ndryshuar opsionet, çdo ditë, javë, muaj. Dje kërkonte dënimin e qeverisë, largim e Ramës se kishte shkelur të drejtat e njeriut, kishte mbyllur Shqipërinë. Kishte fshehur realitetin. Tani bën të njëjtën gjë. Deklaron se është Edi Rama që ka lënë virusin të lirë. I ka hapur portat. Që nuk ka kapur për fyti këtë maskara virusi. Nuk kupton vërtet, Tit Vasili, pse janë shtuar rastet? Kjo do ishte idiotizëm ta besonim. Ai e di shumë mirë se kontaktet janë shtuar. Qytetarët, duke dëgjuar doktor Petrit Vasilin dhe doktor-politikën, janë shkujdesur, marrin pjesë në gëzime e hidhërime, duke mos ruajtur distancën sociale. Vetë Vasili në takime, pa folur për homologun e tij Basha, i cili ka nisur turin në bazë me fermerë e qytetarë, duke u premtuar qiejt, si kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë ka shumëfishuar kontaktet dhe grumbullimet. Shtimi i rasteve të virusit dhe infektimi i qytetarëve e ka bazën tek kontaktet e shtuara mes qytetarëve. Jo në ato që rendit Vasili në njoftimet e tij. Ai bënë thjesht detyrën si politikan, propagandon. Ja e dërguan Ramën në SPAK, siç kërkon, prokurori politik doktor, Petrit Vasili, vërtet do shpëtojmë nga virusi? Cila është garancia e doktor, Petrit Vasilit, se do fitojmë mbi virusin? Ku e mbështet deklaratën, se pa Ramën ose me të në burg nuk do ketë më virus? Fantazi të tilla, janë produkt i mendjeve të çartura. Vasili e di shumë mire, si mjek e politikan, se edhe ai të ishte në vend të Ramës me gjithë erudicionin që zotëron nuk do ta pengonte virusin, ashtu siç nuk e pengon dot Trump, Conte, Merkel apo Bors në Angli. Mos vallë Petrit Vasili është zoti fuqiplotë dhe mund të bëjë Mesinë? Nëse po, bujrum në kolltukun kryeministror një orë e më parë, vetëm të shpëtojmë nga Covid-19. Po Vasili i njeh mirë ligjësitë e përhapjes së virusit, ndaj lëre propagandën, zoti Vasili. Ndryshe po vijove me këtë gjuhë le të recitojmë të gjithë: Tit Vasili, doktor Adhamudhi i ri, dje thërriste poshtë diktatura që na mbylli, sot në burg ky Ramavirusi që na liroi me politikat e tij!