BREAKING NEWS

Yuri Kim i dha mesazhin e fortë, Lulzim Basha bën lëvizjen urgjente

Yuri Kim i dha mesazhin e fortë, Lulzim Basha bën lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Doktorët imagjinarë të politikës, përballë heronjve të vijës së parë anti Covid-19!

Doktorët imagjinarë të politikës, përballë

Në politikën shqiptare, historikisht ka shumë mjekë që kanë lënë të varur pelerinat e bardha dhe shumë prej tyre nuk i kanë as në gardërobë, pasi i kanë flakur tej dhe kanë harruar fare diplomimin e tyre në misionin human të mjekut. Ata as që mund ta mendojnë veten engjëj të jetës. Sa për aktivizimin e tyre në profesionin e respektuar të mjekut nuk mund të bëhet fjalë. I janë dorëzuar tërësisht politikës, si individ që kanë bërë shkollim vetëm për t`u bërë zanatçinj politikë dhe sapo mësuan profesionin politik e zhveshën veten, duke hedhur në flakë betimin e Hipokratit, si një letër pa asnjë vlerë dhe si një testament që nuk u përket atyre. Kjo zhveshje është më shumë një veprim që bie erë të keqe pasi ata do ishte mirë që krahas veprimtarisë së tyre politike që është bërë profesioni i preferuar, vendi ku veç emrit publik, janë edhe privilegjet e shumta, si ngjitja deri tek ministër e kryeministër apo edhe president. Dhe këto janë për ta, maja, ku duan të ndalen dhe të jetojnë në luksin e të qenit në sytë e të gjithëve, si individ që vërtetë kanë flakur profesionin për të cilin ka paguar vendi dhe qytetarët shqiptarë, po edhe si pozicioni për të përfituar me çdo kusht paga më të larta, përfitime luksi, vakanca, atje ku nuk mund të përfytyrojë një mjek i zakonshëm qoftë edhe elitë që bënë mrekullira.

Politika, këta mjekë i ka shndërruar në imagjinarë, në individ që nuk i lidh asgjë me jetën dhe mbrojtjen e saj. Bluzat e bardha për shumë prej tyre duhet të ndryshojnë ngjyrë, duke u bërë të errëta dhe të ndryshojnë kolor sipas stinëve dhe orekseve të mjekëve politik. Dhe këtë kanë arritur ta bëjnë pa asnjë vrarje ndërgjegje. Ky ndryshim pozicioni apo qëndrim në llogoren e plitikëbërjes, i ka kthyer në njerëz që llogarisin portofolin, matin gjithçka me numër votash dhe presin të ngjiten edhe një shkallë më lartë në karrierën e tyre politike për t`u bërë violinë e parë dhe për të fituar në betejat mes qytetarëve për t`i bindur më të gjtha mënyrat që t`u rrëmbejnë, jo vetëm votën, po zemrat e shpirtin në emër të misionit si mjek të cilin në fakt e kanë hedhur tutje si mall pa vlerë. Numri i mjekëve që kanë lënë profesionin dhe bluzën e bardhe në gardërobën e harresës, në vendin tonë mund të jetë nga më të lartët. Dhe jo pa arsye. Shkak i parapëlqimit të tyre është gjykimi i qytetarëve për njerëzit që tërë jetën mbrojnë jetën dhe i shpëtojnë ata nga vdekja. Ndaj prej tri dekadash në gjithë strukturën shoqërore drejtuese e hierarkinë shtetëror do takosh shumë mjekë të cilët të presin pas derës së kryebashkiakëve, presidencës, kryeministri, seksione apo drejtori të rëndësishme. Në realitet, ata kanë zënë vendet e profesionistëve të talentuar të fushave përkatëse. Juristëve. Ekonomistëve. Inxhinierëve. Dhe shkojnë në këto poste me shumë pak aftësi menaxheriale apo drejtuese dhe në perudha shumë të shkurtra kohore humbasin nëpër letra, duke ulur në minimum pritshmëritë e qytetarëve të cilët i kanë votuar me shumë besim për t`i udhëhequr e drejtuar. Po mes mjekëve politikë dhe atyre që tërë jetën kanë ushtruar profesionin e mjekut, ka një ndryshim të jashtëzakonshëm. Ka një hendek që gjithnjë thellohet. Të parët, mjekët politik kapërcejnë çdo cak fjalamanësh dhe opinionbërës me ata që luftojnë me jetën dhe në emër të saj. Të dytët, shkrijnë gjithçka, pa kërkuar asgjë. Dhe janë të shumtë mjekët që kanë bërë emër vetëm me shembullin e tyre dhe sot ata janë bërë heronjtë e ditëve tona me sakrificat e tyre të pamata të cilët janë në vijën e parë të betejës, duke lënë mënjanë interesat e tyre vetjake e familjare.

Nuk ka shqiptarë të mos ketë në mendjen e tij një emër mjeku dhe shembullin e tij, i cili i ka shpëtuar jetën, duke i qëndruar pranë shtratit në pavionet e spitaleve edhe në kohë normale. Unë kam dhe shumë qytetarë kemi në sy mjekun e shquar, Isamil Muço i cili punoi një jetë në sistemin e drejtësisë.

Doktor Ismili, sot nuk jeton. Nuk është mes nesh fizikisht. Ai është ndarë nga jeta një vit më parë. E kujtojmë qysh se ishte fare i ri, i sapo diplomuar. U emërua në Konispol. E ktheu spitalin modest të qytetit në një spital me emër. Po jo vetëm kaq. Ai ishte gjithnjë nëpër rrugë. Në luginat e malet ,në shtigjet që të shpinin në zonat skajore të krahinës së Konispolit. Në Janijar e Markat. Në Shalës e Vërvë. Gjithnjë i heshtur, me çantën e medikamenteve në shpinë. Si një shtegëtar, në kërkim të ruajtjes së jetës. I palodhur. Dhe gjithnjë sfidues ndaj të keqes. Shëronte me fjalë më shumë se me ilaçe. Stetoskop, kishte zemrën dhe medikament fjalën. Kaluan vite. U shkollua si infeksionist i shquar. Qëndroi në krye të pavionit infektiv, atje në spitalin “Petro Nako” në Sarandë. Në luftë të vazhdueshme me viruset e infeksionet. Ishte veprimtaria e tij e shquar që e bëri ata të dashur. Të respektuar. Që Saranda, Këshilli bashkiak pas vdekjes e i dha titullin “Qytetar nderi”. Emër që e meritoi në emër të jetës dhe në beteja kundër infeksioneve dhe virusve. Ndaj edhe sarandiotët e pritën si një mrekulli vlerësimin e merituar, ditën që mjeku i talentuar, njeriu, misionari i jetës, Ismail Muço. Përballë mjekut Ismail Muço, janë rreshtuar mjekët politikanë, si Berisha, Tritan Shehu Petrit Vasili, Bardh Spahia e të tjerë që në vend të misonit të nderuar të mjekut, bëjnë kritizerin dhe demaskimin e masave që merren sot në emër të jetës për të përballuar pandeminë globale. Për ata nga zyrat e mbrojtura, të dizinfektuara pas kompjuterëve apo qytetarit dixhital, hedhin në eter fjalimet e tyre pafund.

Vetëm përçmojnë çdo masë, akt, veprim, qëndrim, sikur të ishin doktorë adhamudhët e kohëve moderne. Të duket se flasin xherahët, ata që nuk dinë nga bie mjekësia moderne. Dhe kanë marrë përsipër të bëjnë llafazanët kundrejt atyre që bëjnë heroizmin me veprën e tyre, në frontin e parë me virusin vdekje prurës. Të bësh politikanin, duke qenë mjek, është fare e lehtë. Mjaftojnë dhjetë fjalë të përzgjedhura nga fjalori i të keqes, brenda të cilave ka shumë ligësi dhe helm dhe të godasësh me topuzin e politikës, çdo masë të ndërmarrë. Nuk bëhet fjalë që ndonjëri prej tyre të riveshi pelerinën e bardhe, siç bënë shumë mjekë të shquar edhe pse në pension për të dal nga llogorja e politikës dhe për t`iu bashkuar engjëjve të jetës, kolegëve të tyre që luftojnë me rrezikun për çdo sekondë. Mund t`iu bashkohen siç edhe ka ndodhur të infektuarve nga koronavirusi. Këtë nuk e bëjnë, se ata janë mbi qytetarët, gati mbi njerëz. Janë atje në sallat mondane e podiumet e selive, vetëm për të bërë misionin e kritikut. Kjo është puna e tyre. Motivi i jetës. Dhe në Kontrast të thellë me mjekët që i kanë vënë trupin, shpirtin, zemrën ,dijet panademisë botërore, kovid-19, qëndrojnë si hije në pritje të deklaratave të radhës. Kanë harruar se para se të jenë politikanë, janë mjekë. Po kjo i takon të kaluarës së tyre. Së paku të mos bëjnë sherrxhinjtë dhe të vënë në vend të stetoskopit ligësitë. Do ishte mirë në se nuk zbresin në front në logun e burrave dhe grave heroina të bluzave të bardha të qëndrojnë në kazermë. Të mbyllen. Të heshtin kur nuk duan të flasin në emër të jetës. Aq më lehtë për ta se tani kazerma është brenda në shtëpitë e tyre dhe nuk u duhet të bëjnë asnjë metër rrugë!