BREAKING NEWS

“Ku ishe ti president u vranë 4 persona në mes të ditës”, paditi në SPAK ministren Gjonaj, shpërthejnë keq komentuesit ndaj Metës: Pse të dalim në 2 Mars për të mbrojtur floririn e Krrabës

“Ku ishe ti president u vranë 4 persona në mes të
x

Opinion / Editorial

Dosjet e spiunëve dhe mëkati shtetëror

Dosjet e spiunëve dhe mëkati shtetëror
Aty ku ka dritë ka hije dhe aty ku ka hije ka dritë, një postulat i nohur që ende nuk ka zënë fill në Shqipëri në lidhje me të shkuarën diktatoriale, sepse mungon vullneti politik për ta shkëputur vendin nga e shkuara, por për ta tërhequr zhak atë të përlyer në tranzicion pa fund. Premtim i munguar për çerekshekulli nga politika shqiptare për krimet e diktaturës, trasparencën me të shkuarën, hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, rishikimi i historisë, mëkatet e groposura, varret e humbura të të ekzekutuarve, lënia në harresë e objekteve të krimit, të kampeve dhe burgjeve të diktaturës, mos rishikimi i historisë janë një tok problemesh të harruara qëllimisht për të zhdukur nga memorja kombëtare një krim shtetëror ndaj një kombi! Kaq mjafton për të kuptuar se politika shqiptare është e mpleksur me të shkuarën dhe nga rrënojat e diktaturës përpiqet të ekspozojë grehinën e re gri për t’ua prezantuar shqiptarëve si modelin e rendit të ri që po na paraqesin mëkatarët e djeshëm të diktaturës që sot janë më të pushtetshëm se kurrë.
 
Qeveri të ndryshme, kolor politik i jashtëzakonshëm në dukje, por në thellb të dalë nga një rrënjë e njëjta shkollë e psikologji, i njëjti stil i të bërit politikë, pikërisht me ngjashmëri me atë të regjimit që lamë pas ku një grusht njerëzish e përdorin shtetin për interesa të tyre dhe të pashkëputur me të shkuarën si një modul që rrinë mbi shqiptarët si një pengesë për t’i frenuar, usur e shfrytëzuar, a thua se kanë lindur si shërbëtorë e të prirur për të jetuar në varfëri dhe errësirë. Mbi rrënojat e krimit qëndron një shtet i tërë me institucione gjasme të pavarura e të ndarë mes palëve që janë kapur pikërisht nga ata që shënuan krime dje dhe sot, shiten si engjëj sepse shteti ka qenë inekzistent dhe sistemin e drejtësisë e drejtojnë pikërisht ata mëkatarë të diktaturës, madje ata prokurorë dhe gjyqtarë që torturuan dhe vranë me plumb pas koke mijëra shqiptarë. Një shtet që legalizon krimin në kundërshtim me dispozitat në fuqi dhe vetë Kodin Penal pasi kurrë nuk pati një hetim për krimet që u fshehën, për dyndjet, interrnimet, masakrat në grup të shqiptarëve madje dhe përdhunimet dhe dhunimet e të vdekurve. Dy dekada e gjysëm lënë në harresë me qëllim për të zhdukur memorien kombëtare që brezi i ardhshëm të mos dijë për tmerret, a kobet që kaloi vendi i tyre, duke lënë çelë shtegun e një rreziku të ri për vendin që jo rrallë herë i ka shfaqur shënjat e një regjimi ndonëse pretendojmë se jemi në demokraci.
 
Për gjatë këtyre dy dekadave e gjysëm vendi ka rënë në anarki, fatalitet dhe janë shënuar shumë herë krime si në 1997, ku humbën jetën me mijëra qyetatarë dhe pasojat vazhdojnë edhe sot, ku në 1998, u vranë disa qytetarë në bulevard dhe së fundmi në 21 janarin ogurzi u vranë disa qytetarë dhe u tmerruan mijëra të tjerë, histori të trishta që kanë gjasa të përsëriten sërish, sepse forca e një regjimi të rrëzuar lëshon hijet e tij të vrazhda e që kanë efekte të jashtëzakonshme duke provokuar ankth! Në ankthin e së shkuarës një politikë e vjetër po i lënë shqiptarët në agoni, sepse një shtet që fsheh krimet është i prirur të vetëkriminalizohet me vetëdije të plotë institucionale dhe ky është një mëkat i ri shtetëror. Ligji i dosjeve të Sigurimit të Shtetit ka afro një vit nga miratimi në Parlament që po rri pezull, sepse mungon vullneti politik i mazhorancës për të konstituuar komisionin e trasparencës, si një manovër e pastër politike për të shpëtuar nga trasparenca kokat e rëndësishme të politikës dhe të drejtësisë, mbase dhe për të përfituar kohë në zhdukjen e dokumentave shtetërore që vertetojnë implikimin dhe vetë krimin. Një dilemë e madhe, një premtim i pambajtur i mazhorancës për trasparencën me të shkuarën ndonëse po përmbyll vitin e tretë të qeverisjes, pa përmendur pjesën e integrimit në tërësi të të përndjekurve politik, një mëkat i ri i qëllimshëm i qeverisjes!
 
Ndonëse qytetarët shqiptarë paguajnë nga taksat e tyre një Institut Kundër Komunizmit, sërish asgjë për të nxjerrë në dritë krimet e së shkuarës, asgjë për të kuruar të shkuarën si shpresë e besim për të ardhmen, sepse vetë shteti është zhytur në një mëkat të ri dhe është bashkëfajtor me regjimin që lamë pas, e sërish shqiptarët presin për pagesë transparencë. Shqiptarët dhe të përndjekurit i falën vrasësit, torturuesit, madje dhe u kanë shtrirë dorën e pajtimit, por ata nuk kanë kurajon as të pranojnë krimet, madje e as t’i bëjnë të ditura, sepse kërkojnë të tjetërsojnë historinë dhe të vlerësojnë regjimin që lamë pas.