Opinion / Editorial

Drejtësia dhe pandëshkueshmëria vonon, por kurrsesi nuk harron

Drejtësia dhe pandëshkueshmëria vonon, por kurrsesi nuk harron

Masakra e përgjakshme makabre e 21 janarit të vitit 2011 ku u vranë 4 qytetarë të pafajshëm nga qeveria vrastare e atëhershme ka hyrë në vitin e dhjetë dhe akoma nuk janë ndëshkuar shkaktarët e asaj tragjedie të pashembullt e të paprecedentë në këto 30 vjet demokraci. Është fakt i pamohueshëm se opozita me urën e zjarrit në dorë ka tentuar disa herë t’i vërë zjarrin Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera shtetërore e megjithatë asnjë i plagosur nga radhët e saj, madje ka përdorur gjatë protestave flakadanë, molotovë dhe mjete piroteknike, eksplozivë me rrezikshmëri të lartë për jetën dhe shëndetin e njerëzve e megjithatë as edhe një i dëmtuar edhe i vrarë nga protestuesit që demonstronin me agresivitet të lartë dhe dhunë të papërmbajtshme e të tejskajshme. Po vazhdoj me arsyetimin se në demokraci nuk vriten njerëzit. Jelekverdhët në kryeqytetin e Francës protestuan për muaj, por askush nuk u vra. Po kështu qytetarët francezë protestuan masivisht kundër vendimit të presidentit Macron për ngritjen e moshës së pensioneve e megjithatë asnjë i vrarë dhe i plagosur.

Vetëm tek ne ndodhin marrëzira dhe barbarizma të tilla të papara e të padëgjuara makabre. Qytetarët më 21 janar të vitit 2011 protestuan për padrejtësitë që bëheshin në kurriz të tyre, për pazaret e fëlliqura, të shëmtuara e skandaloze që bënte në atë kohë Ilir Meta me një ministër, e konkretisht me të ndjerin Dritan Prifti, i cili nuk u thye para shantazheve dhe kërcënimeve të Ilir Metës. Në retrospektivë kujtoj se videoja u dha me zë dhe figurë e që u pa nga i gjithë publiku. Pikërisht kjo ishte arsyeja që qytetarët u revoltuan së tepërmi dhe dolën masivisht në protestë. Askush nuk i keqpërdori protestuesit, përkundrazi ishte urrejtja, pakënaqësia, revolta, dëshpërimi edhe zemërimi e padrejtësia deri në ekstrem që i detyroi protestuesit që të demonstronin para Kryeministrisë revoltën e tyre kundër keqqeverisjes së atëhershme kur në pushtet ishte Partia Demokratike. Dhe si për ironi të fatit, protestuesit dhe viktimat e 21 Janarit u quajtën kokëpalarë, të keqpërdorur dhe puçistë, duke dashur që të përmbysin qeverinë dhe rendin kushtetues. Çdokush ka të drejtë të bëjë pyetjen logjike: Por si do të përmbysej qeveria kur të 4 viktimat marshonin para Kryeministrisë të paarmatosur e me duar në xhepa e krejt në mënyrë paqësore?! Çuditërisht e çuditshme dhe po kaq e habitshme pasi kaluan afro 10 vjet nga masakra çnjerëzore, dëgjojmë edhe sot e kësaj dite që kryetarët kryesorë të qeverisjes së atëhershme, sot në opozitë deklarojnë paturpësisht se nuk kanë asnjë pendesë për ngjarjen e 21 Janarit, pasi sipas tyre vrasjet ishin të justifikueshme sepse u mbrojt institucioni, pra Kryeministria. Ndonëse nuk u kërcënua institucioni në fjalë, sipas logjikës aventureske të qeverisë ose më saktë të keq qeverisjes së atëhershme se ata do të vrisnin edhe më shumë mjafton që të mbrohej institucioni, po njerëzit le të vriteshin dhe gjaku të lante bulevardin dhe le të bëhej hataja. U kujtoj këtyre kokëkrisurve aventurierë primitivë se edhe sikur vërtet të kërcënohej institucioni, e që në fakt nuk iu prek asnjë fije floku, institucionet ndërtohen, por jeta e njerëzve nuk riparohet e nuk rikthehet. Familjarët edhe të afërmit e viktimave në kujtim të të rënëve e përkujtojnë me dhimbje e trishtim të thellë këtë ngjarje makabre e të paprecedente dhe bëjnë apel mbarë qytetar qeverisë, që kjo ngjarje të rigjykohet e të zbërthehet sa më parë që të jetë e mundur dhe shkaktarët të përballen me drejtësinë e të përgjigjen sipas ligjit. Ndryshe familjarët e viktimave nuk do të jenë asnjëherë të qetë dhe nuk do të pushojnë asnjë çast së kërkuari drejtësi, po kështu pa u vënë drejtësia në vend edhe shpirtrat e viktimave nuk do të prehen në paqe e qetësi.

Duke qenë se jemi në fazën e ngritjes e të konsolidimit të organeve të reja të drejtësisë e sidomos të SPAK-ut, që kanë edhe mbështetjen dhe përkrahjen e SHBA-ve dhe shteteve europiane ku ekziston dhe funksionon normalisht dhe institucionalisht shteti i së drejtës, ku para ligjit janë të gjithë të barabartë dhe pa asnjë dallim, përfshirë edhe politikanët dhe funksionarët me pushtet. Prandaj shpresojmë së tepërmi se SPAK-u do ta vlerësojë me tërë seriozitetin që meriton zbardhja dhe ndriçimi i ngjarjes së rëndë të 21 Janarit ndryshe SPAK-u mbetet pak fare ose aspak. Si përfundim më duhet të kujtoj e të adresoj një kritikë të ashpër edhe ndaj qeverisë së socialistëve, e cila duhet të ndihet totalisht e turpëruar pasi ngjarja e turpshme e 21 Janarit ka mbetur në harresë dhe e pagjykuar drejtësisht.