BREAKING NEWS

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona
x

Opinion / Editorial

Drejtësia e re

Drejtësia e re

Në mënyrë që qytetari të ketë besim të patundur në kompetencën dhe integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të drejtësisë së re, është i domosdoshëm verifikimi, kontrolli i veprimtarisë së tyre nga një strukturë e specializuar. Këtë rol në sistemin e ri të drejtësisë sonë e luan Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i cili është një institucion krejtësisht i ri, i ngritur në frymën e reformës në drejtësi, të sponsorizuar dhe mbështetur nga aleatët tanë strategjikë, SHBA-të dhe Bashkimi Europian. Kjo strukturë është përgjegjëse për verifikimin e ankesave kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Ajo kryen hetimin e shkeljeve të tyre dhe fillimin e procedurave disiplinore ndaj tyre. Inspektori i Lartë i Drejtësisë u jep qytetarëve certifikatën se gjërat po shkojnë mirë me drejtësinë e re, se sjelljet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të vetuar janë në përputhje me ligjin, etikën e profesionit të tyre dhe moralin publik. Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa besimi publik në organet e drejtësisë së re. Është ky dimension i fundit në zemër të strukturës së re të reformës në drejtësi, që ka sjellë edhe Strategjinë e Zhvillimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë 2020-2022 (https://ild. al/wp-content/uploads/2020/10/PLANI-STRATEGJIK-DHE-PLANI-I-VEPRIMIT-2020-2022-ILD. pdf). Po pse është e rëndësishme kjo strategji? Së pari, ngritja dhe funksionimi i këtij institucioni të ri kushtetues duhet të realizohet nëpërmjet një sistemi planifikimi të integruar, si dhe sigurimit të një sërë mekanizmave të përshtatshëm të qeverisjes, monitorimit, raportimit, metodave dhe treguesve të mirëpërcaktuar të punës, së bashku me mbështetjen e duhur financiare për zbatimin e tyre. Ky proces kërkon një punë sa më gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar. Ja përse Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që nga muaji shkurt 2020 i ngritjes së strukturës, është angazhuar në shtrimin e shinave të bashkëpunimi me Prokurorin e Përgjithshëm dhe Ministrinë e Drejtësisë, për koordinimin e trajtimit të ankesave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndihma e këtyre institucioneve, nëpërmjet informimit dhe konsultimit gjatë ushtrimit dhe zbatimit të standardeve demokratike në çështjet disiplinore të gjykatësve, do të reflektohet padyshim në rritjen e performancës së sistemit të drejtësisë. Puna e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë do të bëjë që ky sistem mos jetë një çështje e keqpërdorur politikisht. Nga ana tjetër, procedimi disiplinor i gjyqtarëve dhe prokurorëve të kapur në shkelje të ligjit dhe të etikës profesionale duhet t`i shërbejë dhe është në funksion të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së tyre. Kurrsesi ai nuk duhet dhe nuk mund të përdoret në mënyrë abuzive si një mjet për të cënuar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit. Procedimi disiplinor duhet të zhvillohet në ekuilibër, midis parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë, respektimit të të drejtave të individëve, parimit të ligjshmërisë, gjykimit të drejtë dhe të paanshëm, si dhe atij të ndarjes së pushteteve. Bazuar në standardet ndërkombëtare, Ligji nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” (http://www. gjykataelarte. gov. al/web/ligj_nr_96_2016_per_statusin_e_gjyqtareve_dhe_prokuorerve_1724. pdf ) përcakton në mënyrë të qartë dhe objektive dispozitat materiale dhe procedurale lidhur me procedimin disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Procedimi disiplinor udhëhiqet nga parimi i procesit të rregullt, parimi i ligjshmërisë, parimi i inicimit të një procesi nga çdo institucion shtetëror ose nëpunës, parimi i barazisë para ligjit, parimi i prezumimit të pafajësisë dhe vlerësimit të dyshimit (parimi in dubio pro reo), parimi i proporcionalitetit, parimi i pavarësisë dhe paanësisë së institucioneve disiplinore dhe respektimi i pavarësinë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, parimi për drejtësi të hapur, parimi i konfidencialitetit dhe i të drejtës së jetës private. Në këtë kuadër edhe zbatimi i shumë aspekteve të reformës në drejtësi padyshim ka nevojë për përballjen apo përafrimin e tyre me standardet e demokracive të zhvilluara. Puna për forcimin e një sistemi drejtësie të paanshëm dhe të pavarur është një sfidë e përbashkët e mbarë institucioneve të drejtësisë sonë të re, ku spikat roli koordinues dhe llogari-kërkues i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.