Opinion / Editorial

Drejtësia e vonuar është padrejtësi

Drejtësia e vonuar është padrejtësi

Në monizëm kishim demokracinë proletare dhe as që flitej për shtet të së drejtës, por për shtet të diktaturës së proletariatit. Ashtu ishte natyra e shtetit dhe ashtu vepronte, pa u fshehur pas fasadave. Por që kur filloi demokracia, asnjë nga shqiptarët nuk e ka hequr nga goja fjalën “drejtësi”, që nga pushtetari më i lartë e deri tek njeriu i zakonshëm. Pushtetari i lartë e ka përdorur si slogan, si maskë për të mbajtur sa më gjatë pushtetin, kurse njeriu i zakonshëm si shpresë se një ditë do ta takonte drejtësinë. Pushtetarët përmendin sloganet “shteti i së drejtës”, “zbatimi i ligjit në raport me të drejtën e shtetasit”, “para ligjit jemi të barabartë”, “do vendosim drejtësi për të gjithë, pa dallime partiake” etj., gjë që nuk u aplikua asnjëherë gjer më sot. Kurse njerëzit e thjeshtë, hallexhinjtë, endeshin në dyer shtetarësh të dhjamosur e gjykatash të korruptuara, duke thirrur herë me zë të lartë e herë si fakirë: “Kërkoj të drejtën time”, “Unë dua vetëm drejtësi”, “Kam besim tek drejtësia”, “Më jepni të drejtën, ndryshe do të bëj vetëgjyqësi”, por askush nuk ua vinte veshin.

Ata që e kishin në dorë të bënin drejtësi, e vlerësonin atë sipas midesë së tyre e si t’i vinte për mbarë për të mbushur xhepat. Tridhjetë vjet që shqiptarët e zakonshëm bëjnë sorollatje me drejtësinë dhe ajo pak ose aspak i shërbeu qytetarit. Ajo më shumë qe favor, privilegj për pushtetarin dhe dhunë e shpërfillje për qytetarin. Ashtu siç eci demokracia, e zvarritur, e nëpërkëmbur, ashtu u zvarrit dhe u përdhunua edhe drejtësia, se nuk mund të ketë demokraci të vërtetë pa një drejtësi për të gjithë. Pushteti berishian, jo vetëm që nuk e deshi kurrë drejtësinë, por bëri gjithçka që të kishte monopolin mbi të, duke futur në dorë të gjitha pushtetet dhe duke i trajtuar shqiptarët dhe veçanërisht ata që nuk ishin nga veriu, si skllevër, sepse ai me mendësinë patriarkale komuniste që kishte, mendoi vetëm për oborrin e tij dhe mbajtjen sa më gjatë e me çdo kusht të pushtetit.

Berisha e konceptoi dhe e organizoi Presidencën sapo erdhi në krye të saj si të gjithëpushtetshme, me kompetencat e pakufishme të shtetarit, me veton politike të prokurorit dhe gjykatësit që vendosnin sipas urdhrave presidencialë, me imazhin e keq të diplomatit që bënte spekulime në kurriz të interesave të Atdheut, me figurën e policit injorant që përtypnin fara para dyerve të institucioneve, të shefit të kuadrit që hiqte e vinte njerëz si t’ia jepte rradakja dhe të rektorit të universitetit që shpërndante diploma false, sa herë t’i duheshin pushtetarit pd-ist. Për tu vënë një bazë ligjore, me gjasme si shtet i së drejtës, gjithë procedurave manipulative të drejtimit, ai e ktheu tërë sistemin e drejtësisë në shërbëtore të pushtetit pd-ist.

Për këtë pastroi gjithë prokurorët dhe gjykatësit e ndershëm në emër të luftës kundër drejtësisë komuniste dhe plotësoi strukturat e këtij sistemi në mënyrë të rrufeshme, sikur nxjerr simitet nga furra, me të ashtuquajturit prokurorë e gjykatës të plepave, që bënë një kurs formal tre mujor në Durrës. Elementë që bënë këtë kurs nuk u shikuan as nga ana morale dhe as nga ana meritokratike e profesionale, por mjafton të kishin ulëritur për PD dhe të kishin mbajtur Berishën në krah nëpër mitingje. Shteti që ngriti Berisha nuk ishte kurrë shteti i së drejtës, por shtet i padrejtësisë, sepse të gjithë ata që zunë kolltukët e kishin nga një kleçkë në veprimtarinë e tyre, që Berisha ua dinte shumë mirë dhe kështu i vinte në rresht kollaj. Edhe kur ndodhi rrotacioni i pushtetit, për vendosjen e një drejtësie të vërtetë, jashtë politikës u bë pak, sepse rrënjët antidemokratike dhe të padrejtësisë të pushtetit berishian ishin futur shumë thellë. Por jo vetëm kaq. Socialistët që erdhën në pushtet, në emër të një pushteti “më të moderuar” dhe “të evropianizimit të partisë”, si dhe të një qëndrimi tej liberal se “ne socialistët nuk jemi si ata”, se “do të ngremë shtetin ligjor”, Fatos Nano e liberalizoi fare partinë dhe mbolli kudo kulturën e mosndëshkimit. Në vend që të ngrihej një shtet i fortë ligjor, në raport të drejtë me një demokraci funksionale, Fatos Nano harroi gjithçka kur arriti majat e pushtetit, duke arritur deri aty sa që nuk ndëshkoi dot ligjërisht as ata që e burgosën dhe e njollosën si hajdut e kriminel padrejtësisht. Mosndëshkimi i së keqes që mbolli kudo Berisha, i bëri edhe më të egër kundërshtarët politikë që kishin vetëm emrin demokratë, kurse kryeministri, në vend që të mbështetej tek armata e ndërgjegjshme e socialistëve të vërtetë, të cilët kishin sakrifikuar shumë për të,u largua prej tyre dhe i harroi ata, dhe kështu u detyrua ta lërë pushtetin.

Nëpërmjet dinakërisë kopiste të Berishës dhe xhuvelizmit pragmatist, u bë prapë rotacioni i pushtetit dhe politika u hipokritizua dhe personalizua,kurse drejtësia u vu plotësisht në shërbim të saj. Dhe kështu duke luajtur me shtetin e së drejtës, lufta për një drejtësi reale u fut në kalendat greke. PS me Edi Ramën erdhi në pushtet me shpresën e madhe për ta futur vendin në rrugën e reformave. Dhe nisën realisht reformat në të gjithë sektorët e jetës, ku kjo e drejtësisë qe kryesorja. Shumë reforma patën deri diku rezultat, por kjo e drejtësisë, që është thembra e Akilit e një demokracie të vërtetë, po ecën mes vështirësive e pengesave të mëdha. Pavarësisht se këtu faji kryesor është i opozitës që nuk e deshi asnjëherë drejtësinë e kulluar dhe të pavarur, edhe qeveria që është krejtësisht e PS duhet të kishte bërë më shumë. Po bëjmë gjashtë vjet që merremi me reformën në drejtësi, duke e konsideruar atë edhe si kushti bazë për integrimin në BE, dhe rezultatet e deritanishme nuk po bindin plotësisht as popullin dhe as ndërkombëtarët. Vetingu që u trumpetua me të madhe për një drejtësi të vërtetë, pak ka lënë gjurmë ndershmërie. Kastës së drejtësisë që ngriti në sistem Sali Berisha deri tani nuk i është dridhur qerpiku. Vërtet u hoqën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mjaft prokurorë e gjykatës të korruptuar, por ama kë komision “dogji” edhe disa punonjës të ndershëm të drejtësisë, ndërkohë që u konfirmuan disa koka të korrupsionit, madje disa ngjitën shkallë më të larta të sistemit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në emër të pavarësisë që i jepte ligji i hartuar me konsensusin e dy forcave politike, në përgjithësi nuk bëri hetim, nuk bindi subjektin e marrë në gjykim, nuk e ndau sa e si duhet barin e njomë nga i thati, por në emër të asaj se “e gjithë drejtësia është e korruptuar”, skualifikoi edhe prokurorë dhe gjykatës që i bënin nder drejtësisë shqiptare. Këtu nuk mund të mohohen edhe selektimet sipas urdhrave politikë. Në disa raste argumentat, puna, ndershmëria nuk u morën parasysh nga Komisioni, edhe pse ligji parashikonte se duheshin analizuar me objektivitet të tre treguesit, pasuria, profesionalizmi dhe figura e pastër. Opinioni i shëndoshë i sheh gjyqtarët e prokurorët që kanë mbyllur çështje madhore, që kanë liruar kriminelë vrasës, e grabitës pronash që me paratë e korrupsionit kanë ngritur vila e kanë hapur biznese, dhe di ta bëjë dallimin me ca ta të tjerë që kanë një apartament e një makinë të thjeshtë, e mezi shtyjnë muajin me rrogën që marrin. Kam provuar vetë në kurriz vendimet e padrejta të disa gjyqtarëve dhe mund të përmend edhe emra, por ama jam çuditur, kur ata janë konfirmuar në detyrë pa siklet edhe pse notojnë në pasuri. Vetingu u bë vetëm për ata që iu nënshtruan atij me shpresën se ndershmëria e drejtësia do triumfonte e do të konfirmoheshin.

Realisht ata u dogjën, kurse ata që dhanë dorëheqje, ata që morën leje lindjeje apo raporte mjekësore, u lanë të qetë për të ngrënë gëzuar makropasurinë e vënë padrejtësisht në kurriz të këtij populli fukara. Në kushtet kur është ngritur SPAK dhe BKH, janë rritur edhe shpresat e të varfërve se më në fund do të vihet drejtësi edhe në këtë vend. “Të varfërve u duhet të shpresojnë te drejtësia, të pasurit mbarojnë punë me padrejtësinë”, shkruante Bertol Breht. Ndoshta mund të bëjë diçka edhe KÇK, që po përpiqet të ngrejë qeveria, por sa të ngrihet ajo e kur të fillojë të veprojë, secili nga të inkriminuarit dhe të korruptuarit ka mbaruar punë. Pra si shumë po vonohet vendosja e drejtësisë në këtë vend të varfër. “Sa më e ngadalshme është drejtësia, aq me vështirësi arrihet”, theksonte Ilija Markoviq. Kurse W. Savage deklaronte se “Drejtësia e vonuar është padrejtësi”.