Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Drejtorët e rinj do i skanojë Braçe, po të vjetrit kush i filtron?

Drejtorët e rinj do i skanojë Braçe, po të vjetrit kush i

Kërkesa e kryeministrit për skanimin e drejtuesve të rinj, punësimeve në administratë, duke kaluar nga zyra e zëvendëskryeministrit, Erjon Braçe, është një risi e cila duhej zbatuar kohë më parë. Është e sigurtë se drejtorët e rinj, ata që do bëhen pjesë e armatës së administratës që do emërohen në periudhën e mbetur deri në zgjedhjet e pritshme do kalojnë në lupën e rreptë të shtetarit të thekur që nuk bënë kompromis me ligjin dhe kriteret që duhet të ketë kandidati për t`u emëruar në vende pune në shërbim të qytetarëve. Besojmë se miku me të nuk ka asnjë akses për të ndikuar. Braçe nuk pranon rrethimin nga kushërinj, miq apo funksionarë partie. Ky është perceptimi im së paku. Drejtor është baras me drejtim të një institucioni, pavarësisht nga përmasat dhe numri i punonjësve. Drejtimi, është arti i kombinimit të aftësive profesionale dhe menaxheriale, ku presupozohet, korrektesë, ndershmëri, aftësi profesionale, zotësi, kulturë dhe gadishmëri për t`u shërbyer atyre që të kanë dhënë mundësinë të drejtosh. Nëse i referohesh emërimeve në këto tri dekada, vihet re se në jo pak raste drejtuesit janë përzgjedhur pa asnjë kriter. Përzgjedhja e shumë prej tyre, është bërë nën trysninë e partisë fituese të pushtetit. Shumë herë emërimet janë influencë e deputetëve të qyteteve apo zonave. Pa miratimin e tyre, zor të zësh një pozicion drejtues në administratë. Në shumicën e rasteve, deputetët kthehen në drejtorë të personelit që emërtohen burimet njerëzore. Që deputeti të sugjerojë individë të spikatur pas konsultimeve me grupet e interesit, forumet drejtuese të bashkive apo njësive administrative, kjo nuk përjashtohet. Nuk është ndërhyrje e gabuar. Po kur deputetët merren edhe me pastrueset e zyrave, punonjës të shërbimeve, lulishtareve, pastrimit, bojaxhinjve atëherë edhe emërimet e punësimet janë subjektive dhe vetëm për votë. Përzgjedhja e drejtuesve të aftë, të zotë, të kulturuar, me përvojë, kualitete profesionale, të ndershëm të sjellshëm, të kulturuar nuk mund të bëhen brenda pak orësh mbështetur në simpati personale. Kërkohet studim i kandidatëve, listim sipas meritës dhe profesionalizmit, diskutime të hapura, njohje të cilësive të atyre që përzgjedh. Vlera e drejtuesve në bazën e piramidës shtetërore në administratë kanë më me peshë se emërimet në majë të piramidës qeveritare. Nuk mund të ketë qeveri të suksesshme me drejtues problematikë, të paaftë, përtacë nga ata që ta nxijnë jetën, të korruptuar, indiferentë, me mungesë mobilizimi dhe interesimi në zgjidhjen e problemeve. Drejtorë ka dhe do të ketë në tërë sistemet. Drejtimi kërkon drejtues. Përzgjedhja subjektive, pa testim të rreptë, pa i peshuar nga të gjitha drejtimet pengon progresin. Një nëpunës problematik prish më shumë punë se disa ministra së bashku. Nëpunësit kanë të bëjnë me popullin. Kërkohet të jenë, jo vetëm kompetentë, të ndershëm, njerëzorë, të arsyeshëm, të dëgjueshëm të papapërtuar, aktiv, të sinqertë. Qytetarët shkojnë në zyrat e shtetit të tyre dhe duan të gjejnë atje drejtues që t`i shikojnë në sy. T`i mirëpresin. Të mos i shikojnë nga duart e xhepat. Të mos i sorollatin e t’i lodhin. Drejtuesit janë të detyruar t`i dëgjojnë qytetarët edhe kur ata nuk kanë të drejtë. Kjo nuk do të thotë se të gjitha kërkesat do marrin përgjigje pozitive. Kur qytetarin e pret përzemërsisht, e begenis, e dëgjon, ai largohet besimplotë se problemi që ka apeluar do marrë zgjidhje. Kur nuk ka të drejtë dhe nuk merr atë që kërkon nuk largohet i fyer, i zëmëruar. Më dëgjuan së paku, mendon. Edhe pse nuk më zgjidhën nuk ka problem. Jo të gjithë kanë të drejtë për pretendimet e tyre. Në jetën e përditshme, jo pak janë konfliktet mes individëve. Pala që nuk ka të drejtë, kuptohet do akuzojë, do kritikojë drejtuesin e institucionit, qeverinë, kryeministrin. Kjo është e pashmangshme. Po një drejtues serioz, zgjidh dhe nuk krijon probleme. Nuk të fut në telashe. E gjithë kjo varet nga drejtuesit. Cilësia e shërbimit, zgjidhjet janë produkt i drejtimit. Zbatimi i ligjeve përjashton subjektivizmin, lufton dhe eliminon korrupsionin. Po përzgjedhja e drejtuesve të rangjeve të ulta apo të larta, jo në një rast bëhet me subjektivizëm, anësi, shkuesi. Dhe ndodh që disa sapo emërohen japin dorëheqjen. Tipik është rasti me Kadastrën e Vlorës. Arsyeja është e qartë. Janë individë pa të zgjedhur symbyllur. Të lëkundur, me probleme profesionale. Ku testohen drejtuesit e institucioneve, cilat janë filtrat që evidentojnë punën e tyre? Si matet produkti që japin? Kush janë armata e kuadrove rezervë? Si janë studiuar dhe klasifikuar? Nëse njësitë e shërbimit nuk japin kuponin tatimor. Nëse hotelet fshehin të ardhurat. Njësitë e shitjeve shesin dhe kryejnë veprimtari të pakontrolluara, atëherë përgjegjësia është e drejtorit të Tatimeve, ekipit që drejton. Nëse në shërbimin spitalor mungojnë ilaçet, ka mangësi në shërbimin ndaj pacientëve, drejtuesi ka përgjegjësi dhe duhet të japë llogari. Nëse në kadastrën e rrethit shkon dhe ndeshesh me radhë të gjata. Të thonë nuk punon sistemi. Të sorollatin për një firmë do thotë se drejtuesi nuk e organizon punën. U ndodha këto ditë në zyrën e drejtueses së re të Kadastrës në Sarandë, Kozeta Statha. Ajo vjen pas katër vjet drejtim të Portit Detar. Në tavolinë mes dosjeve të shumta kishte mëngjesin të paketuar marrë në fast food pranë zyrës. Të pa prekur fare. Ishte ora 14:00. E pyeta përse ende nuk kishte ngrënë? Më tregoi se nga mëngjesi kishte pritur shumë qytetarë për ankesa të ndryshme. Gatishmëria e drejtueses së re për të pritur dhe sqaruar qytetarët që kanë shqetësime për regjistrimin e pronave më bindi për përkushtimin dhe ndjeshmërinë e saj me qytetarët. Shpresoj të mbetet e përkushtuar deri në fund, ashtu siç ka pasur edhe drejtues paraardhës, etalon të përkushtimit, ndershmërisë, profesionalizmit në këtë institucion të anatemuar përgjithësisht, si Armand Hysi që gdhihej e errej në institucion dhe nuk u akuzua nga askush për asnjë shkelje ligjore. Edhe sot, një vit e gjysmë pas ikjes së tij, i ndjeri Armand mbetet shembulli i drejtuesit të motivuar që la pas emrin e tij të mirë. Drejtori i Degës së Sigurimeve Shoqërore të Sarandës, Thoma Kallojeri, ka një përvojë dyzetë vite në shërbim të qytetarëve. Se është i përkushtuar, i gatshëm, dashamirës me shtresën me ndjeshmërinë më të lartë, siç janë pensionistët dhe invalidët ndaj ka fituar statusin drejtor i mirë, njeri i përkushtuar. Po a ka drejtorë perfektë? Cili është kriteri për të klasifikuar të mirët dhe ndarë të këqijtë? Kërkohet një mekanizëm që të skanojë punën e drejtuesve të çdo rangu, qofshin. Qeveria aktuale ka krijuar institucione, si DAP, Platformën e Bashkëqeverisjes, portalin e-albania, mësuesin më të mirë dhe shumë mekanizma përzgjedhjeje. Treguesit e arritur prej tyre, ballafaqohen me qytetarët. Këto janë mekanizma efikase. Po themelore mbetet të dëgjohet zëri i hallexhinjve, si janë trajtuar ata. Deri tani kjo ka munguar. Ndaj kërkesa e kryeministrit për skanimin rigoroz të drejtorëve dhe të punësuarve të rinj që do kalojnë në filtrin e Erjon Braçes, është një kërkesë që do sjellë seriozitet në emërime e përzgjedhje. Po a është mjaftueshëm? Mirë të rinjtë do kalojnë seleksionimin, përzgjedhjen. Po ata që kanë nisur ditën e parë të punës drejtor dhe do pensionohen në drejtim, si do skanohen? A do ketë për drejtuesit me stazh të gjatë për të vetmen meritë se e kanë grurë me të mëdhenjtë, se janë miq e shokë me deputetët, pjesë e klaneve, se kanë dikë që i promovon dhe i mbron si do klasifikohen për punën që kanë kryer? Do mbeten një jetë drejtorë? Do dorëzojnë karrigen vetëm kur të ndërrohen pushtetet? Administrata e ka po aq imperative të kalojë në sitë të imtë, jo vetëm drejtorët e rinj, po edhe të vjetrit, të kalojë në filtrat e institucioneve dhe të japin llogari për atë që kanë bërë dhe nëse nuk kanë zbatuar ligjin, janë të korruptuar, jo vetëm duhen larguar, po edhe të dërgohen në prokurori e gjykata. Nën shembullin e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të vihen në rresht edhe drejtorët e punonjësit ekzistues apo të ardhshëm të administratës. Kush e meriton të mbetet? Të tjerët që janë në ato poste nga influenca e rekomandime miqsh, apo për tesër partie të largohen! Ndryshe mund të kesh një qeveri të fortë, qeverisje të ndershme, reformiste e progresiste, të pastër, të pakorruptuar, po çirakët, ingranazhet në bazë të heqin gurët e themelit dhe kalaja nuk ka ku të mbahet Është e destinuar të rrëshqasë në humnerë.