BREAKING NEWS

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora
x

Opinion / Editorial

Drejtori, perdet, ngjyrat e kinemasë ndryshojnë, por filmat po ata mbeten!

Drejtori, perdet, ngjyrat e kinemasë ndryshojnë, por filmat po ata

Sigurisht e kam përmendur dhe herë tjetër në opinionin tim, por sërish vlen ta përsëris atë "barsoletë batutë" Shkodre mbi diktaturën. Ishte koha kur nga fundi i saj, diktatura mundohej të bënte ndonjë ndryshim dhe në Shkodër doli "barcoleta" e kinemasë. Pak a shumë është kjo: Kur ndërruan drejtorin e kinemasë ai menjëherë vendosi perde të reja, riparoi karriget dhe leu me bojë kinemanë, por po të njëjtët filma luheshin aty. Ose ata filma që partia dhe ideologjia idiote e saj jepte, gjente ose toleronte. Kaq e shkurtë ishte, por barsoleta - batutë shkodrane, i kishte të gjitha brenda për atë që donte të kuptonte për politikën e asaj kohe! Çfarë kemi bërë demokratikisht, "lirisht" dhe ekonomikisht e politikisht, këto tre dekada tranzicioni refuzues për demokracinë në Shqipëri? Nga të gjitha palët në lojën politike të lodhshme, makabër demokracie dhe vrasëse e lirisë në thelbin e saj? Ne kemi tre dekada që ndërrojmë "drejtorët" e vendit ose kryeministra dhe presidentë apo lidershipe medemek djathtas dhe majtas! Ne kemi ndërruar perdet dhe ngjyrat e institucioneve dhe kemi riparuar dhe ndërruar karriget e tyre, por çfarë kemi bërë njësoj? E para, për tre dekada është po i njëjti "film" me pronën, ku përmblidhet marrëzia 7501 që nuk pranon, refuzon dhe mashtron me të drejtën universale dhe ligjore të saj. Kemi luajtur filmin e mos respektit human dhe ligjor me pronën dhe tokën. Kemi luajtur po të njëjtin film mashtrim dhe grotesk të modelit "toka i takon atij që e punon" ose në demokracinë tonë i përkthyer në "toka i takon atij që e zapton dhe me gjak e pushkë, bashkë me politikë e mbron". Kemi luajtur dhe pranuar të njëjtin film të himnizimit të zaptuesit dhe kriminelit si "parim kapitalist dhe i lirisë e demokracisë" të cilësuar dhe sajuar nga ne si - njeri i zoti dhe i fortë, që duhet respektuar dhe nderuar si pionier demokracie dhe kapitalizmi apo iniciative të lirë. E dyta, kemi luajtur për tre dekada po të njëjtin film të partisë pronë personale të tiranit sipër dhe demokracisë së brendshme të dhunuar dhe mos respektuar kudo dhe kurdo. Çfarë kemi bërë? Kemi krijuar "Zota" lidershipesh devijat dhe anti demokraci, duke dhunuar edhe lirinë dhe mendimin e lirë. E të gjithë këtë lloj metode kjo soj klase politike dhe këto parti e kanë çuar në formën e qeverisjes së këtij vendi fatkeq. Pra sa herë kanë marrë pushtetin kanë imituar partinë e tyre personale dhe në qeverisje. Shteti i tyre ishte dhe është formë dhe përmbajtje e partisë së tyre personale. E treta, filmi i tretë, i gjithmonshëm është mos përmbajtja dhe mos ndalimi në vjedhje. Ky film është më tragjiku dhe më i pamëshirshmi në establishmentet politike në Shqipëri. Nuk kanë masë dhe nuk ndalen së vjedhuri. Nuk ndalen së pasuruari në mënyrë arrogante dhe me një ambicie më të madhe se sa të "pitonit" që tenton të gëlltisë dhe një dem. Çajnë gojën dhe barkun apo lëkurën nga pangopësia alarmante që kanë për të "gëlltitur" gjithçka dhe kudo. E katërta, është filmi i çmendur i gënjeshtrës më të madhe të shitur dhe mbrojtur politikisht si të vërtetën më të rëndësishme. Këtë gjë e bëjnë folkpolitikanët arrogantë në tre dekada me një shoqëri që nuk njeh shembull tjetër përveç këtij. Kësaj shoqërie kur ju thua banalitetin më arrogant si mashtrim të besojnë realisht dhe përfundimisht si një politikan të "drejtë dhe të tyrin". E pesta, ne këto tre dekada kemi prodhuar shumë ligje dhe kemi ndryshuar akoma më shumë kemi bërë shumë të reja dhe kemi thyer shumë ato. E kjo, sepse në themel ka qenë i njëjti film i korrupsionit duke prodhuar dhe drejtësi super të korruptuar e plotësisht politike. Mirëpo Publio Cornelio Tacito thotë: “Ligjet janë të shumta, kur shteti është i korruptuar”! E ne pikërisht shtetin e tillë e kemi filmin kryesor të luajtur çdo ditë, jo vetëm këto tre dekadat e fundit. E gjashta, ne si shoqëri luajmë dhe shikojmë çdo ditë filmin e refuzimit të demokracisë dhe ligjeve të saj. Nuk pranojnë funksionin e saj të parë që është pluralizmi i ideve dhe mendimit në liri, nuk pranojnë shtetin e ligjeve dhe funksionimit në bindje ndaj tyre dhe nuk pranojmë pikë së pari - votën e qytetarit si model të ndërrimit kur bëhet shumica e pushtetit. Në themel të "demokracisë" sonë devijate ky parim nuk është pranuar dhe aplikuar pothuaj asnjëherë. Të gjithë të këqijat pastaj vijnë dhe shkojnë mbas pikërisht këtij deviacioni kriminal dhe absurd në tragjedinë tonë shoqërore dhe ekonomike që kemi sot. E fundit, ne kemi filmin më marrëzi dhe të turpshëm që është e njëjta klasë politike, ose establishment politik, që ka tre dekada që luan në kinemanë tonë të përbashkët dhe që për fat të keq, prodhohet e gjenerohet në mënyrë fëminore dhe idiote nga shoqëria shqiptare. E kam shumë frikë se çfarë do të bëjnë të tillë monstra edhe sot, asgjë përveç perdeve dhe ngjyrave nuk do të ndryshojnë. Kurse filmat ose filmi - do të jetë po ai. Vetëm ikja e tyre, shuarja e kësaj shoqërie politikisht apo ngritja e një shoqërie tjetër me shkallë mendimi filozofik dhe politik, mbase mund të ndryshojë film demokracie te ne! Përndryshe dhe për shume vite po të njëjtët filma do të shikojmë në kinemanë tonë - të zbukuruar gjithmonë ndryshe, vetëm ngjyrash dhe posterash!