BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Opinion / Editorial

Dridhja e parave të dyshimta

Dridhja e parave të dyshimta

Vetingu i sistemit të drejtësisë tek ne u tregua funksionues edhe në muajin më të vështirë të pandemisë së Covid-19 në mars të këtij viti, duke përjashtuar nga sistemi i drejtësisë kryesisht gjyqtarë që nuk justifikonin pasurinë e tyre. Deri tani, gati mbi gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve të vetuar (kontrolluar) kanë dalë problematikë dhe nuk janë konfirmuar në detyrë. Ndër ta, mbi 87 për qind syresh nuk kanë mundur të sjellin argumenta dhe dokumentacion të mjaftueshëm për të bindur komisionin e vetimit për ligjshmërinë e burimeve të financimit të shtëpive, makinave, magazinave, dyqaneve dhe llogarive bankare që kanë ata dhe familjet e tyre. Ky sistem i pagabueshëm kontrolli, kjo “gijotinë” për të korruptuarit në drejtësi duhet të na shërbejë si vend, qytetarë, por sidomos Kuvendit të Shqipërisë, për të dalluar qartë dhe përdorur pa vonesë mjetin e vetëm për të realizuar pastrimin e ish-zyrtarëve të lartë (ish-ministra, ish-sekretarë të përgjithshëm, ish-drejtorë drejtorish të rëndësishme që kanë lëvizur paranë shtetërore, etj.- të cilët një pjesë sot janë edhe në politikë), ose të zyrtarëve të lartë të sotëm. Tema qendrore e Kuvendit që do të nisë punën në shtator duhet të jetë pikërisht kjo. Nisja e vetingut në radhët e drejtuesve të administratës sonë publike dhe në radhët e politikanëve. Puna e Inspektoratit të Përgjithshëm të Kontrollit të Pasurisë dhe të Konfliktit të Interesit nuk mjafton. “Peshimi” i gjyqtarëve dhe prokurorëve që po ndodh prej një viti e gjysmë tashmë, me verifikimin e imtë nga një komision i pavarur, i mbikëqyrur nga SHBA dhe BE, i burimeve të pasurisë së tyre, është mjeti i vetëm i stërprovuar në efektivitetin e tij, për të shporrur të korruptuarit dhe hajdutët nga administrata e lartë shtetërore dhe nga politika. Asgjë tjetër nuk mund ta rikthejë besimin e humbur tek shumë nga qytetarët tanë tek administrata shtetërore dhe shteti. Njëlloj sikurse konfiskimi i fundit nga SPAK i pasurive të një investuesi në media tek ne solli një dridhje gati tërmetore tek të gjithë ata që zotërojnë pasuri me aksione të korrupsionit dhe ryshfetit në shtet, apo nga tregtia e narkotikëve. Gati askush më (me përjashtim të ndonjë budallai) nuk ka dëshirë të mburret e të tregojë për hotelin, motelin, dyqanin, butikun, shtëpinë e dytë, të tretë apo të katërt, apo makinën e shtrenjtë, kur nuk i ka fituar nga djersa në emigracion apo fitimet nga biznesi i ndershëm në Shqipëri. Erdhi më në fund edhe kjo kohë. Koha e frikës së madhe të pasunarëve nga paratë e dyshimta. Kjo frikë dhe stepje e tyre duhet shfrytëzuar. Duhet të ngremë një presion pozitiv mbi Kuvendin tonë të sotëm, që të përgatisë dhe miratojë një ligj për vetingun e administratës publike dhe të politikanëve në mënyrën se si po pastrohet drejtësia jonë. SPAK nuk duhet lënë vetëm. Ai vërtetë ka ndihmën e Ambasadës amerikane në Tiranë, e cila u rreshtua menjëherë pas vendimeve të fundit të tij. Mirë do të ishte që me këtë drejtpërdrejtë të reagonte edhe Delegacioni i Bashkimit Europian këtu tek ne. Aq më tepër që drejtohet nga një ish-prokuror. Po mbështetja e shoqërisë sonë civile? E opinionit tonë publik? Deri tani SPAK prej tyre ka marrë vetëm heshtje dhe frikë. Nuk duhet të kemi frikë të mbështesim strukturat e drejtësisë së re, të cilat po provojnë të përballen me të paprekshmit tek ne. Ja përse Kuvendi ynë duhet vënë përballë presionit pozitiv në ditët e para të shtatorit. SPAK nuk mund të kontrollojë të gjithë të korruptuarit dhe vjedhësit e administratës sonë publike, apo të politikës sonë. As edhe të gjitha hyrjet e parave të pista në ekonomi, në ndërtim, tregti, turizëm apo media. SPAK i vetëm nuk mund të pastrojë të gjithë shtetin tonë! Prandaj na duhet Kuvendi dhe nismat e tij ligjore. Vetingu në administratë, pra në shtet dhe në politikë. Kjo është rrugëdalja. Kjo është drita në fund të tunelit. Të përfitojmë tani nga dridhja e zotëruesve të parave të dyshimta dhe të pista. Nga frika e tyre. Të mos kemi frikë të bashkohemi me SPAK dhe me të huajt që po na mbështesin.