BREAKING NEWS

Ja planet e dhunshme të Berishës për të marrë PD, skenar si në 1998 për të sulmuar selinë dhe larguar me forcë Bashën

Ja planet e dhunshme të Berishës për të marrë PD,
x
BREAKING NEWS

Ish-këshilltari i nxjerr të fshehtat Berishës, Grid Rroji: Franca po mbështet në prapavijë Saliun në luftën me SHBA, bashkë me Metën synojnë trazira

Ish-këshilltari i nxjerr të fshehtat Berishës, Grid Rroji: Franca
x
BREAKING NEWS

Rama fton Bashën të ulen në tryezë për vetingun në politikë, tregohet i gatshëm të dëshmojë në Komisionin Hetimor për 25 prillin

Rama fton Bashën të ulen në tryezë për vetingun në
x

Opinion / Editorial

Dritëroi nuk ka ikur, ka akoma shumë për të na thënë, me fjalën e tij të mençur!

Dritëroi nuk ka ikur, ka akoma shumë për të na

-Me rastin e 90-të vjetorit të lindjes-

Dritëroi i madh, ka më shumë se katër vite e gjysmë që është ndarë prej nesh fizikisht, por jo mendërisht, jo shpirtërisht. Ne, nuk ndahemi nga mendja e tij e ndritur, nga fjala e tij e artë, nga këshillat e tij të mençura, nga shpirti i tij human i lidhur kaq pazgjidhshmërisht me njerëzit e kësaj Toke që me aq mjeshtëri i këndoi jetës njerëzore, natyrës të marra të gjitha si një e tërë. Ajo ç’ka është më kryesorja, njerëz si Dritëroi, si çdokush tjetër, vdesin fizikisht, por nuk vdesin në mendime, si dijetarë të mëdhenj, si monumente e gjenij. Do të kalojnë edhe shumë vite e shekuj e sa më shumë që të kalojnë aq më shumë do të afrohet Dritëroi, do të dëgjojmë fjalën e tij të mençur, këshillat e tij të vyera, demokratin e vërtetë i cili me kohë shpërtheu “kafazin” e partisë e doli në liri, në lirinë që kërkon poeti... Me të drejtë një poet i huaj, thoshte: “ Dritëroi është një nga poetët më të mëdhenj popullorë të Shqipërisë, një Homer i gjallë i Ballkanit”! Dhe, me të drejtë, Dritëroi, si askush tjetër ai mbetet një poet i dalë nga balta e tokës nga shpirti i saj, “një plis i saj” siç thotë vetë. Ai mbetet një gjigant i fjalës së mençur. A ka vdekur Homeri, autori i “Iliadës” dhe Odisea” megjithëse kanë kaluar më shumë se njëzet e tetë shekuj? Përveç këtyre, a mundet të vdesë Dritëroi e të ndahet nga toka e tij që aq shumë i këndoi me zemër? Ai do të ndahet nga toka atëherë kur të ndahet “plisi” si pjesë përbërëse e tokës. Dritëroi, ishte pjesëz e Tokës, ai ishte: “Njeriu i tokës”... “Këtyre grykave jetova dhe u rrita. / Ngrihej dielli nga malet e binte në det. / I spërkaste hëna shelgjet e borigat. / Ku flinin zogjtë tulitur në fletë. / I bëra miq shpezët e bagëtitë / Dhe në bar i mahnitur u shtriva e të flija rashë / U mundova ugareve përditë / Dhe pa asnjë grusht toke pa e mbjellë me një filiz s’lashë /. Akoma ç’të flas?/ Më ke parë ti, Atdhe, se cili kam qenë, / Edhe nëse jam lodhur për një çast, / Kokën në prehrin tënd kam vënë”! Dritëroi ishte si çdo ugar i saj, si çdo lumë e përrua, si çdo lule që çel, si çdo gurgullimë lumi, si çdo plis i kësaj toke, si çdo burim uji, si çdo arrë e mbjellë me grurë, si drita që ndrit e nuk do të shuhet kurrë, e do të “vdesë” atëherë kur të “vdesë” toka, kur të “vdesin” ugaret e do të “ndalojë” të marri frymë, kur të ndalet gurgullima e lumenjve, kur të mos dëgjohet më picërrima e zogjve, kur të mos mërzejë cjapi me zile. “O toka ime që të lërova e të thura këngë, / Që të kam dashur plisin dhe barin / Që të kam fshirë me duar, me mëngë / Në c’vënd ma lë varrin /? Më mirë ma bëj diku në një brazdë / Apo larg mbi përrua ndofta / Mbi mua të tundë bishtin e saj një laraskë / Duke më sjellë lajme nga bota / Nga Bota që e pata të mbyllur sa rojta”. E pikërisht brenda “portës” me “llozin” e kyçur, poeti shpalosi idetë e tij përparimtare, idetë e të ardhmes. Ishte ky “lloz” ndarës kufiri mes të shkuarës dhe të ardhmes, si kufiri midis gjeniut Dritëro që i kishte dhuruar bujarisht natyrës fuqinë e talentit të tij të madh dhe atij personazhit robërues të këtyre talenteve për dekada të tëra në një kohë kolere për robërinë dhe pikërisht për këtë “lloz” i madhi Dritëro, lëshoi kushtrimin për ta thyer përpara gjithë botës aty në mes fanatikëve e nostalgjikëve. Shkrimtarët dhe artistët nuk u përkasin sistemeve e politikave, por historisë e në këtë kuptim ata ndikohen vetëm nga rrymat e epokat letrare dhe as nuk duhen ngatërruar as si politikanë, as si biznesmenë e as si administratorë të rëndomtë, por ata janë e do të mbeten një përvojë e mençurisë shekullore e kohës që i japin emrin e tyre, apo koha që i jep emrin e vet. A nuk është Dritëro Agolli një parashikues i mençur i të ardhmes? Vetëm njërin krijim të tijin të përmendim, romanin “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo” që ironizon e satirizon me një humor të thellë grotesk, personazhet e situatat, na përshkruan hapur dhe nuk është shumë vështirë për të kuptuar, rënien e mbarimin e të ashtuquajturit sistem socialist-komunist, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europën Lindore e më gjerë. A nuk është Dritëro Agolli edhe një patriot e atdhetar i madh, kur thotë që dëshira ime ka qenë të bëhesha mësues, profesor që të mësoja fëmijët e fshatit, t’ua mësoja gjuhën e bukur shqipe që s’ka më të bukur në botë se ajo. E këtë dëshirë ia plotësuan dhjetëra e qindra mësues e mësuese nga të gjithë fshatrat e Devollit që ia plotësuan këtë “dëshirë” të tij, e shërbyen me përkushtim në të katër anët e Shqipërisë, në zonat e thella e të vështira. Dritëro Agolli, ishte edhe politikan, një politikan i një lloji të veçantë, një udhërrëfyes i mendimit demokratik dhe i urtësisë popullore në të gjitha proceset demokratike e ato të tranzicionit, duke qenë realist i çiltër, i guximshëm e i hapur, e largpamës për të ardhmen, një lider i paqes e i pajtimit kombëtar e mbarë botëror. Do të më duhet këtu të citoj pjesë nga intervista e tij e pabotuar tek shprehet: “Si të gjithë ne, mbajmë peshën e së kaluarës komuniste në mënyrën e të menduarit, në mënyrën e të punuarit, krijuarit, dhe drejtuarit apo qeverisjes. Kështu, administratën e kemi të ngrirë, të centralizuar dhe të ngathët si në socializëm, e cila nuk lëviz po nuk pyeti instancat më të larta. Partia në pushtet, qoftë e majtë apo qoftë e djathtë, vendos për kuadrin, madje ajo cakton në punë edhe një shërbyese. Drejtësia nuk është e pavarur, pasi bën ç’thotë partia. E plot vese të tjera që rrjedhin nga socializmi totalitar, vese që i ka në të gjitha vendet ish-socialiste. Por ne kemi edhe veset tradicionale kombëtare. Kemi bajraktarizmin. Duam të jemi kaposhë. Nuk e pranojmë humbjen dhe nuk duam të shohim njeri mbi veten tonë. Jemi intolerantë dhe ngulim këmbë në të drejtën tonë edhe sikur të shtrembër ta kemi. Nuk duan ta shohim mirë tjetrin. Po të na mbushet mendja edhe e djegim. I kemi qejf djegiet dhe shkatërrimet në prag të ndryshimit të qeverive dhe pushteteve. Jemi hakmarrës dhe e mbajmë gjatë mërinë. I vështrojmë njerëzit sipas fisit (biografisë). Bëjmë shpejt dhe lehtë tarafe dhe klane për ta dërmuar kundërshtarin. Nuk ia themi në sy të metat shokut, por i shpërndajmë ato përmes thashethemeve. "Si gjithë njerëzit s’dua ta shkoj jetën / Të ha ç’pështyj, ta kthej përditë fletën / Të blegërij si delet tok në vathët / T’ia marr në kor avazit tënd të ngathët / Por dua të jetoj diku si zhgabë/ Të jem një mendjemadh e ters i prapë / Të bredh, të shkas, të sillem tundur-shkundur / Përmes asaj që quhet “e pamundur”/ Të rroj me burra, mos vrapoj me lepuj, Të jem përpara botës dy – tre shekuj”. A ka kush t’i kundërshtojë këto të vërteta për të sotmen e për të ardhmen? Dritëro Agolli, ishte një artist i kalibrit botëror, i artit të madh të popullit, njohës i thellë e realist, që edhe kritikët më në zë e kanë vështirë ta kategorizojnë, shkrimtar apo gazetar, publicist, poet apo prozator, novelist apo romancier, komedian apo fabulist, dramaturg apo skenarist filmash. Ka edhe shumë arsye të tjera që Dritëroin e bëjnë të pavdekshëm. Mbi të gjitha, ai është një shqiptar i madh, është devolli me taban, për të cilin është shumë krenar, sepse siç shprehet vetë, shkrimtar atë e bën: “Kjo tokë, ky lumë e kjo fushë, këta fshatare bujq mjeshtra, këta baballarë e nëna mjeshtra të mëdhenj artistë e punëtorë”! “Më lër të bie në prehrin tënd të ngrohtë o hallemadhja shekullore / Të puth duart e tua më të mirat në Botë / I ngazëllyer të hesht me heshtje foshnjore”! Dritëroi ka dhënë mesazhe për të ardhmen, për shoqërinë, për familjen, për dashurinë, për respektin e krenarinë për prindërit etj. duke e ruajtur familjen si bërthama shoqërisë, si bërthama ku projektohet e ardhmja e shoqërisë, ku fillojnë e nuk shuhen kurrë dashuria e respekti... “Gjithë dashuritë për nënat që janë e do të vijnë / Në prehrin tënd të Madh i kam vënë / Gjithë dashuritë për gratë, për shokët e miqtë / T’i kam sjellë t’i ngrohsh o Nënë, / Jeton dashuria për ty / Se birin tënd, s’e thau civilizimi” /! A nuk marrin sot një vlerë të veçantë mendimet e tij filozofike për vetë kohën që po kalojmë e plagët që po përjeton shoqëria jonë? A nuk kemi të drejtë të themi që zëri i Dritëroit sot, tingëllon më fuqishëm se kurrë? Si askush tjetër Dritëroi, një gjeni i vërtetë ka skalitur e pikturuar shpirtin e njeriut e kësaj qenie më të lartë njerëzore, atë njeri ashtu si e kërkon koha, si e kërkon e ardhmja. Le të gjendemi pranë, mendimit e fjalës së tij kur ishte gjallë, edhe sot që e lexojmë në testamentin e tij, amanetin e tij nëpërmjet veprës e krijimtarisë së artë e të pasur me vlera të mëdha kombëtare, që mund të krahasohet me një thesar përrallor për Shqipërinë. Sot, pas vdekjes se tij, e kujtojmë me krenari, me atë mendje të ndritur e largpamëse, duke i treguar edhe një herë Europës plakë, e botës së qytetëruar, se nga ky truall e vatan kanë dalë gjeni e njerëz të mëdhenj që kanë bërë e bëjnë epokë, histori për të mirën e njerëzimit e paqen në mbarë botën. I përjetshëm në histori, i paharruar në ardhmërinë e brezave. Ndaj sot, në nëntëdhjetë vjetorin e lindjes së tij, kemi të drejtë të themi: Jo, Dritëro, ju nuk keni vdekur, keni për të na thënë akoma shumë nga krijimtaria juaj e artë për sot e për shekujt që do të vijnë. Ndaj kemi të drejtë të themi: “Mbi brazdat e kohëve të ndrit poezia, o Dritëro i përndritur, Dritëro Shqipëria! Zbrit të flasim pak / për arrat me grurë / Për hallet e mëdha / Që nuk na u hoqën kurrë”! Në ditët e fundit para “lindjes” së tij, Bashkia Devoll, nëpërmjet aktiviteteve të shumta na e sollën më afër e na çmallën me Dritëroin. Drejtoria Arsimore me të palodhurën Imelda Cucka në “Javën e Dritëroit”, hartoi një program të veçantë me programe artistike në të gjitha shkollat e fshatrave të Devollit, ku përfshiheshin recitime nga krijimtaria e Dritëroit. U hapën ekspozita me punimet e nxënësve në pikturë apo veprimtari sportive e kampionatet e volejbollit midis shkollave. Një vend nderi për këtë i përket shkollës “Ethem Shkaba” të Vranishtit, ku drejtor është “bilbili” i Devollit Endri Fifo, Shkolla e mesme Bilisht, Shkolla Bracanj etj.