BREAKING NEWS

COVID-19/ Më shumë se 2 mijë testime! Ministria e Shëndetësisë tregon sa persona rezultuan të infektuar ditën e sotme

COVID-19/ Më shumë se 2 mijë testime! Ministria e
x

Opinion / Editorial

Duajeni pushtetin, por dashuroni shtetin

Duajeni pushtetin, por dashuroni shtetin

Dashuria është një ndjenjë e pastër dhe e zjarrtë që lind në zemrën e njeriut për dikë, frymor apo jo. Sipas zanatçinjve të gjuhës së sotme shqipe, ndonëse në bazë të fjalës të duash dhe të dashurosh është vetë kjo fjalë e madhërishme, ato edhe janë edhe s’janë sinonime të njëra-tjetrës. Kjo sepse tek e para futen një galeri e tërë njerëzish, sendesh, fenomenesh. Njeriu do edhe të afërmit, edhe miqtë e dashamirët, materiale dhe sende të çmuara, ëndrra të shumta dhe mund t’i ndërrojë ato sipas momenteve të ndryshme. Tjetër është të dashurosh. Kjo ndjenjë më së shumti është shpirtërore, ndodh rrallë në jetë (tek besnikët dhe të pjekurit në moshë e mendime vetëm njëherë) dhe jeton deri në pavdekësi. Të dashurosh do të thotë të të ketë hyrë “miza” në tru e në stomak dhe gjithë qenia jote shpirtërore jepet e tëra ndaj asaj apo atij që dashuron.

Mesa duket politikanët shqiptarë të këtyre 30 viteve të fundit i dinë mirë këto gjëra teksa e duan me thonj e me dhëmb pushtetin, madje jo vetëm njëherë dhe nuk e kanë dashuruar asnjëherë Shqipërinë që e kanë lënë në pikë të hallit. Politikanë e drejtues të të dy krahëve politikë së deritanishme në Shqipëri spektri është i prerë bardhë e zi, ose me ne ose me ata, të majtë ose të djathtë. Dhe të dy palët kanë qeverisur me rrotacion pothuajse të barabartë në vite dhe teksa e kanë mjelë Shqipërinë, shtetin e kanë lënë më keq se sa e kanë gjetur. Le ta themi me zë të lartë dhe të përmendim emër me emër dhe Sali Berishën edhe Fatos Nanon, Ilir Metën, Lul Bashën edhe deri kryeministrin e sotëm se ndonëse kishin mundësi të panumërta, nuk ditën apo nuk deshën të bënin hapin galopant për ta rreshtuar vendin tonë në një hap me vendet europiane e së paku me vendet fqinjë. Është e dhimbshme deri në kufijtë e ekstremes të pohosh sot se edhe pas 30 vjetësh të sundimit të së ashtuquajturës demokraci, ne nuk jemi në gjendje të bëjmë zgjedhje të sigurta e të lira kur fqinjët tanë në Malin e Zi, në Maqedoni e madje edhe në Kosovë i nxjerrin rezultatet punë ditësh dhe ne duam muaj të saktësojmë atë. Hedhja e përgjegjësisë nga njëra anë në tjetrën është justifikim i kotë sepse të dy palët e kanë patur pushtetin jo vetëm 4 vjet, por edhe për 8 vjet rresht dhe nuk kanë mundur të bëjnë një Kod Zgjedhor të qëndrueshëm. Arsyeja është fare e thjeshtë: secili që ka qenë në pushtet ka bërë Kod Zgjedhor që shiu të binte në arën e tyre, domethënë kanë dashur pushtetin dhe nuk kanë dashuruar shtetin. Po të donin këtë të fundit do të gjenin forca, sepse edhe asistenca e huaj ka qenë me tepricë, për të siguruar baza të forta për transparencë në votime dhe sidomos në numërime për të mos humbur jo vetëm kohë në shpalljen e fituesit, por edhe për të mbyllur njëherë e mirë edhe problemin e madh të kontestimeve, që në vendin tonë është më shumë zhurmaxhi se sa vetë votimet. Dhe gjithmonë ndodh që pozita dhe opozita luajnë si Tomi dhe Xherri, duke u bërë me rrotacion një herë miu dhe herën tjetër maçoku. Kur dalin fitues tregojnë muskujt edhe dhëmbët ndërsa kur janë humbës nuk lënë kancelari të botës pa tundur. Dhe nuk u bën shumë përshtypje as kur janë në rolin e Tomit dhe as kur u duhet të veshin qyrkun e Xherrit. Historia e drejtimit të shtetit këto 30 vitet e fundit ka treguar se ata që kanë qenë në kupolën e shtetit jo vetëm kanë qenë pa përvojën e duhur drejtuese por edhe të papreokupuar për të ndërtuar një shtet të së drejtës. Ata janë treguar thjesht si ata xhepaxhinjtë e shumtë të autobuzave që kur fusin duart në xhepat e të tjerëve nuk mendojnë se ç’dëm u shkaktojnë atyre, por kanë qëllim vetëm të mbushin xhepin e tyre. Kështu edhe pushtetarët tanë. Askush prej tyre nuk ka luftuar për qëndrueshmëri ekonomike apo edhe politike në vendin tonë, por si e si të pasurojnë veten dhe ata që kanë përreth. Argument më bindës se sa e vërteta e thjeshtë që vetë deputetët marrin nga rreth 2 milionë lekë të thata rrogë nga buxheti i shtetit dhe taksat e qytetarëve (nuk po përmendim bonuset e tjera që rrjedhin nga të qënit deputet) ndërsa familjet e thjeshta që edhe një punë normale nuk e gjejnë dot, marrin nga 30 mijë lekë të vjetra asistencë. Nuk ka më veprim qesharak dhe grotesk edhe përpjekja e fundit që gjoja pushtetarëve po u digjet zemra dhe duan ta bëjnë rrogën minimale 300 mijë lekë të vjetra. Raport gati 1 me 10 me rrogat e tyre. A kanë qenë ndonjëherë të varfër këta deputetë dhe ta kenë provuar se si e nxjerr një muaj një familje me katër vetë me dy rroga minimale dhe njërin fëmijë e kanë në shkollë të lartë?! Po të mos donin vetëm veten, por të dashuronin shtetin ata do të gjenin rrugë të shumta për ta bërë Shqipërinë. Nuk po marr shembullin e presidentes kroate që sapo mori pushtetin shiti avionin presidencial dhe 30 benza në dispozicion të ministrave, por shembujt po i marr nga historia shqiptare. Babai i Kombit, Ismail Qemali shiti edhe 6 rrënjët e fundit të ullinjve që i kishin mbetur për kauzën e madhe të Shqipërisë. Luigj Gurakuqit i gjetën disa monedha në xhep kur i bënë atentat ndonëse ishte ministër i Financave. Le të më shajnë pasuesit e të ndjerit Hysni Milloshi, por Ahmet Zogu (nuk kam ndonjë debulesë për figurën e plotë të tij dhe t’i mbaj gjynahet për braktisjen e vendit në një situatë të vështirë) bëri ç’bëri luftoi t’i jepte fytyrë europiane shtetit teksa edhe instruktorët për forcimin e policisë dhe ushtrisë i mori nga vende të zhvilluara europiane si Holanda e Gjermania. Le të më shajë miku im Ritvan Mersini dhe ballistët e tjerë, por Enver Hoxha (le t’i rëndojnë atje ku prehet gjynahet e shumta që bëri) i bëri për këtë popull nja dhjetë hidrocentrale dhe e bëri ligjore ndjekjen e shkollës së mesme për të gjithë popullatën. Le të bëjnë edhe këta karkalecat e sotëm vepra që mbeten në historinë shqiptare dhe të justifikojnë qëndrimin e tyre në krye të shtetit. Të mos rendin pas lartësive të pallateve ku përfitojnë milionë dhe pas rrugëve që i planifikojnë nga 6 metra të gjera dhe i përfundojnë sa gjerësia e një makine. Por këta nuk mund të bëjnë asgjë sepse duan pushtetin të pasurohen dhe nuk dashurojnë Shqipërinë që do rrojë në shekuj.