Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Dualitet bashkëshortor për postin kryeministror?!

Dualitet bashkëshortor për postin kryeministror?!

Pretendentëve për postin e kryeministrit pas zgjedhjeve të 25 prillit të dekretuara tani edhe zyrtarisht, u shtohet edhe Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij, Zoti, Ilir Meta. Real apo imagjinar ky pretendim, mbetet për t’u parë. Deri tani dueli zhvillohej në distancë mes kryeministrit aktual, Edi Rama, kryetarit të PD, Lulzim Basha i motivuar në këtë garë edhe për faktin e të qënit në krye të opozitës për tetë vite dhe në distancë edhe pse në dukje refuzuese, Monika Kryemadhi. Edhe Monika është një kandidate potenciale. Në këtë mënyrë me pretendentin më të ri për në Kryeministri, ndeshja kryeministrore është shndërruar në katër këndore. Nëse beteja mes krerëve të opozitës dhe kryetarit të PS,është një ndeshje normale, e arsyeshme, futja në garë edhe pse me deklarata, hedhje fjale nga distanca, si me shkuesi, si pa adresë, i jep betejës për kryeqeveritar pamje shumëdimensionale, ku secili zhvillon betejën e vet. Kthimi i çiftit, Meta-Berisha njëri kryeministër e tjetri president, nusërim për të n-ën herë, është risia më e fundit pasi ata dalin nga ombrella si jashtë politikës për t`u qendërzuar në luftën për postin e kryeministrit dhe presidentit. Me sa duket, Ilir Meta nuk ndjehet i plotësuar në detyrën e kryetarit të shtetit në majë të piramidës së pushtetit, qytetari i parë i Shqipërisë. Ndoshta, kostumi presidencial i duket rrobë e vjetërsuar që duhet ndryshuar. Në vendin tonë të gjithë garuesit kanë të vetmin synim të kapin postin e kryetarit të qeverisë, jo se kështu i shërbejnë më mirë Shqipërisë, po partisë, shoqërisë, vetes, privilegjeve dhe garantojnë vijimësinë e pasurimit me firmë e vulë, vendime e tendera, shkurt kanë në duar financat e shtetit. Ky është qëllim i garës së ethshme dhe padurimit i të gjithë atyre që janë reshtuar njësh kolonë në fronte dhe janë të gatshëm të nisin betejën më të egër nga e cila sigurisht do ketë shumë viktima, sherre, zhgënjime, akuza, sharje premtime e përbetime. Secili nga pretendentët do hyjë në këtë garë gladiatorësh me kredencialet e veta. Berisha, Meta, i kanë provuar të gjitha postet. Nga dy herë kryeministra e president. Me më pak kredenciale mbetet Basha bile duket se spostohet pak nga pretendentët më të rinj pasi ai nuk ka pasur deri sot ndonjë gradë kaq të lartë. Në pamje të parë duket se është duke u kryer një eksperiment në epruvetë, si revolucionet në miniaturë apo thjesht një lojë kryeministrore. Lezetin garës ia jep kësaj here pretendenti më i ri,vetë presidenti. Meta deri kohë më parë është deklaruar se do jetë president deri në fund të mandatit edhe pse gjatë këtyre viteve në selinë e presidencës ka bërë jo vetëm presidentin, po më shumë kryeopozitarin, jo thjesht me dekrete dhe zhdekretime, po edhe me deklarata e fjalime, simbolika e betime, organizimin e protestave që janë tipar opozitar, ekskluzivitet i opozitës, siç ka qenë ajo e fillim marsit në bulevardin e Tiranës. Edhe pse kritikë më shumë se opozita deri tani asnjëherë nuk kishte shfaqur ambicien për kreun e qeverisë dhe do ishte jonormale pasi qëndron në karrigen e numrit një të shetit. Të lakmosh karrigen e kryeministrit në një kohë kur je president, kjo është vërtet qesharake. Nëse vërtetë kërkon ndryshim të postit, e ndershme është dorëzimi i një detyre për të marrë një tjetër. Ai i ka të gjitha atributet sipas Kushtetutës. Po me sa duket të gjitha këto nuk e plotësojnë presidentin përderisa ka shpallur ambicien për kryeministër. Në polemikën që ka përfshirë tërë forcat politike pas lajmit jo zyrtar të ambicies presidenciale për postin e kryeqeveritarit, natyrisht një ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit pasi do mësohet nga do lundrojë anija dhe nëse do fitohen zgjedhjet nga blloku opozitar, dorashka është hedhur për të qenë në krye të qeverisë, duke braktisur detyrën e presidentit. Rrëmujë institucionale në një kohë kur nëse presidenti preferonte të udhëhiqte opozitën e kishte në dorë gjatë tërë kësaj kohe të hetimit parlamentar për shkarkimin e tij, mund të bënte një zbythje të butë, duke u lënë të kuptonin shqiptarët se nuk ishte dakord me komisionin hetimor parlamentar dhe i sfidonte duke ua lënë Presidencën bosh. Po llogaria e bërë në këtë mënyrë nuk ishte rrugëzgjidhje. Si politikan i rrahur në beteja tri dekada nuk mund t`ia toleronte vetes një hap të tillë dhe t`i linte dorë të lirë mazhorancës në një zgjidhje tjetër, duke lënë presidentin jashtë skenës politike ose duke ia dorëzuar në pjatë të argjend Ramës. Zgjedhja e këtij momenti për të lëshuar në mjedisin shqiptar njoftimin se Meta në 26 prill do japi dorëheqjen dhe do i jap lamtumirën Presidencës mundet të jetë edhe një shashkë sa për t`u lëshuar një karrem, si një skedinë me të cilën të merren politikanët tanë që vrapojnë pas lajmeve bombastike. Sensacioneve dhe kur ato janë tymnaja apo vetëm për propagandë dhe zhurmë. Po nëse lajmi do të rezultojë i saktë, gjë për të cilën ska pse të mos merret si real pasi jemi mësuar me deklaratat publike së paku katër herë deri tani se do japë dorëheqjen pas çdo përplasje nga data e zgjedhjeve vendore deri tek komisioni parlamentar që kishte objekt antikushtetueshmërinë e veprimeve të presidentit. Kështu lajmi se do ndodhë dorëheqja dhe nga president, Meta do jetë kryeministri i Shqipërisë në rast të fitores së opozitës, nuk është besuar nga opinioni i gjerë shoqëror dhe është marrë me humor pasi nuk është e para herë që dëgjojnë dhe kjo mbase do jetë e treta e vërteta. Mosdorëheqja apo heqja dorë e funksionarëve më të lartë të piramidës shtetërore, është e drejtë ekskluzive e tyre. Dhe jep apo jo Meta dorëheqjen nga president, është vendim i tij dhe nuk mund të paragjykohet pasi ai është mbi palët dhe garanti i unitetit të popullit. Ndoshta llogaritë i dalin se kështu bëhet edhe më garant dhe paanshmëria nuk ka asnjë vlerë pasi politika në vendin tonë nuk ka kahje parimore dhe e përçmon këtë rregullore. Shumë forca politike kanë provuar lëvizjen, majtas, djathtas, qendër. Duket si një lojë. Të gjithë kemi në kujtesë nga fëmijëria si gjyshet tona hidhnin topin me gjalmë në pllakat e oborrit dhe nisnin të thurnin triko. Macet e shtëpisë e merrnin gjalmin e hapini, e shtrinin i ngatërronin, shkurt loznin. Kështu edhe njoftimi për pretendimin e Metës për u bërë për herë të tretë kryeministër është një lloj loje,t estim që u bëhet qytetarëve, së pari garanci për militantët që nuk do jenë vetëm, se, ai, i pari i shtetit do jetë njëshi i ekzekutivit, ndaj forconi radhët,votoni në masë, na mbështesni, qëndroni monolit, besoni se pas zgjedhjeve jeni të sigurt për punë, poste detyra me rëndësi, privilegje, pasuri. Kështu dueli për kryeministër me treshen, Rama-Basha- Monika, merr dimension të ri. Në garë ka hyrë me artileri presidenti. Nëse gara, Rama dhe gjithë të tjerët është e natyrshëm, justifikuar, si betejë mazhorancë- opozitë, presidenti në mes dy blloqeve, është adrenalinë, karrikim i militantëve se tani Komandanti i Përgjithshëm ka hyrë në betejë është super garanci për militantët e tij. Dhe Presidenca do presë mysafirin e vjetër. Dyshja simpatike, post pluralizmit, kthehet në shoqërinë e vjetër, Presidencë dhe qeveri. Binom më simpatik zor të gjendet në Shqipëri. Jemi me fat për sundimtarët e tri dekadave, miq, armiq, të dashuruar, të sharë të akuzuar, po vijnë përsëri, si të ishin djem të rinj. Ka edhe një dimension tjetër në garën kryeministrore. Është çifti bashkëshortor Monika-Meta. Zonja Monika edhe pse ka refuzuar të jetë në krye të qeverisë, është kandidate dhe mbetet brenda fushatës elektorale. Kështu, veç dimensionit pozitë-opozitë, Basha- Rama–Monika, dueli brenda çiftit bashkëshortor, presidencial, Zonja e Parë me presidentin. Ky dualitet është vërtet një risi, po edhe çudi se si çifti bashkëshortor është në garë për postin kryeministror. Në këtë mënyrë, dueli mes pretendentëve, merr përmasë të re. Në betejën Rama-Basha-Zonja e Parë edhe Presidenti i sapo futur në garë. Gara për kryeministër të Shqipërisë merr një pozicion të ri dhe do jetë risi, dualiteti bashkëshortor, për postin e ri kryeministror!