BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Duhen ndërruar kuajt dhe jo karroca

Duhen ndërruar kuajt dhe jo karroca

Me trokitjen e ditëve të para të këtij viti kanë filluar edhe bubullimat në kampet politike shqiptare. Më të qeta këto në kampin e majtë ku tashmë frymon vetëm Rilindja dhe kryekomandanti tashmë e ka shtruar trasenë për të operuar vetë, pa patur nevojë për këshilla apo vënien në funksion të detyrimeve që në normalitet ia detyron statuti i partisë. Ka thënë që e dua karrocën të vetme. E siguroi këtë në mandatin që shkoi dhe është besimplotë se do ta ketë edhe këtë katërvjeçar që po vjen. Ka deklaruar se do ndërrojë thuajse 40% të deputetëve, duke u futur dridhma atyre aktualëve dhe vazhdon fushatën e inaugurimeve. Shpërnda çelësa andej – këndej, troket gotat më një teke raki edhe me demokratë dhe një ti hipur avionit dhe drejt e tek vëlla Erdogani që e ka pagëzuar dhe herë tjetër përpara një fushate dhe ku doli fitimtar. Ai shpreson në një replay. Ne urojmë që përpos përfitimeve politike që fiton vetë kryeministri shalëgjatë të kemi edhe ato ekonomike me këtë rast. Në të vërtetë bubullimat më të mëdha dhe të shumta në këtë prag fushate janë në kampin opozitar. Ndonëse me një optimizëm në dukje i suksesshëm dhe fitimtar, “brumi” që duket nuk është i kësaj cilësie. Prej gjendjes së përgjumshme që e ka karakterizuar gjithmonë drejtuesin zyrtar të opozitës Lulzim Basha, prej asaj që thonë gojët e liga se ai çdo moment pret udhëzime të reja nga Berisha apo Meta apo për shkaqe të tjera që do t’i analizojmë më poshtë, opozita që hera herës ka qejf ta quajë veten me mbiemrin “e bashkuar” ende nuk ka startuar në rrugën e vështirë të fushatës elektorale ose për të qenë sa më të saktë sapo ka startuar duke emëruar gjysmën e drejtuesve politikë në qarqe. Është një situatë e ngjashme kur në një lojë futbolli njëra skuadër fiton penallti dhe nuk zbatohet porosia e trajnerit që e ka përcaktuar se kush i gjuan në këtë rast penalltinë, por drejt topit shkojnë 5 apo 6 lojtarë që kanë të njëjtën dëshirë për të gjuajtur penalltinë. Opozita shqiptare e sotme ende nuk e ka përcaktuar se sa dhe si do të jetë e bashkuar. Dihet vetëm që boshti ku do të përdridhen partitë e tjera nuk është më binomi PD-LSI, por do të jetë vetëm PD. Por vetëm kaq. Kjo PD do të jetë e Lulit, Saliut apo e të dyve bashkë? Kjo PD do të jetë simotra e LSI apo do ta braktisë atë? (dhe gjasat janë që ashtu do të ndodhë). Po ndodhi kjo e dyta, do të jetë braktisje me neveri apo me mirëkuptim, për të lënë një shteg bashkëpunimi paszgjedhor? Kjo PD do të jetë edhe e Shpëtim Idrizit dhe Vangjel Dules bashkë apo do ta shkelmojë njërin prej tyre. Se dihet që ata nuk e honepsin dot njëri-tjetrin për të mos thënë më të rëndën, e urrejnë njëri-tjetrin. Apo aroma e pushtetit do t’ua shuajë ndjenjën e largësisë. Kjo PD do të kandidojë vetëm deputetët që seleksionuan Ruli, Mustafaj dhe Nishani apo Basha do t’i nxjerrë nga xhepi rezervë edhe deputetët që i shërbyen devotshëm në këtë gjysmë Parlament që po mbyllim? Front i vështirë duket për kryetarin de jure të PD. Ai akoma nuk ka përcaktuar të gjithë udhëheqësit politikë nëpër qarqe që nga ana e tyre do të kenë pretendime të shumta në përcaktimin e kandidatëve për deputetë. Dhe është e logjikshme. Nëse më bën prift mos më rruaj mjekrën thotë i mençuri popull. Dhe këta udhëheqës politikë që do marrin në dorë drejtimin e fushatës elektorale do të duan preferencat e tyre në listën e kandidatëve. Kjo është një betejë që duket larg, por do të jetë nga betejat më të rëndësishme dhe të ashpra të kësaj partie. Se ka udhëheqës politikë tek PD që do të fërkojnë duart vetëm për faktin që morën këtë post, por ka ca të tjerë që nuk e ulin aq lehtë hundën dhe do të kenë pretendime. Ka disa “çekanë” që i rrinë mbi kokë Bashës aktualisht sot. Padyshim që primar është Berisha që teksa deklaron se nuk ndërhyn në lista kandidatësh, realisht, e ka sëmundje të vjetër dhe të pashërueshme për të qenë ai “gongu” që dëgjohet në këtë parti në këto duele ringu, ku të gjithë duan të jenë kandidatë. Dhe ka një ves shumë të keq: I mban të gjithë në tiro dhe me shpresën se do t’i kandidojë dhe listën në KQZ e çon në limitet e kohës që duhet sepse i trembet rebelimit të kandidatëve dhe më keq akoma, nuk u lë atyre mundësi të kandidojnë për një parti tjetër. Vërtet Berisha e ka lënë de jure partinë, por të gjithë e dinë që de fakto është ai që shkel syrin dhe që ia tërheq veshin Bashës kur nuk kënaqet. Çekiç jo i lehtë është edhe Ilir Meta që ka nën hyqëm edhe Monikën. Duke parë shkërmoqjen e partisë së bashkëshortes ai po lufton të kapë ç’të kapë, të paktën të bëjë Monën dhe nja tre a katër deputetë, që t’i ketë si ferra nëpër këmbët e politikës së nesërme. Teksa nuk ia mban ta nxjerrë të vetme LSI në zgjedhje se e di që e pret katastrofa, ka shtuar presionin ndaj Lulit për marrëveshje përpara zgjedhjeve dhe disa herë edhe duke e kërcënuar se do të bëhet vetë lider i krahut opozitar. Vështirë t’ia dalë. Edhe nëse Luli nuk ka bërë një marrëveshje të fshehtë me Ramën, siç flasin gjithë ditën e ditës gojët e liga, për një bashkëqeverisje pas 25 prillit, atij nuk i intereson bashkëpunimi me Monën se edhe ai e ka ndjerë katastrofën e kësaj partie. I ngelen Duka, Mediu, Noka, Idrizi, Dule, Shehu. Përveç të parit që ende ruan reputacionin e një figure politike të pastër që ka ende shumë për të dhënë dhe mund të jetë fitues i padiskutueshëm në Durrës, të tjerët janë dyshues se mund të jenë garanci për fitoren opozitare më 25 prill. Të më ndjejnë për krahasimin po janë ca “kuaj” të lodhur në rrugën e politikës që vetëm e kanë mjelë atë pafundësisht. Paçka se mbledhin nga 10 - 20 vetë kur bëjnë takime nëpër rrethe ata edhe të afërmit nuk kanë për t’i votuar. Janë sprovuar të gjithë në poste drejtuese shtetërore dhe asnjë gjë pozitive nuk kanë shfaqur, nuk kanë lënë gjurmë pozitive, përkundrazi janë mbushur me afera korruptive dhe skandale që ende presin të zbardhen. Duket se edhe vetë Bashës i është mbushur mendja se ka ardhur koha që karrocës demokratike që ai mendon ta drejtojë i duhen ndërruar “kuajt” e lodhur dhe të vjetërsuar, jo thjesht në moshë, por edhe në ide dhe energji, në politikën shqiptare dhe që kërkojnë të hanë tagji duke vegjetuar. Kjo me sa duket nuk e lë atë të bëjë hapin e madh dhe të deklarojë se kë do të ketë në krah në këtë udhëtim të vështirë drejt fitores. Ai njihet përditë me presionet që këta aleatë i bëjnë edhe heshturazi e herë – herë edhe mediatikisht, por e ka të vështirë të gjuajë “penalltinë”. Ai e ka kuptuar se kjo penallti është fatale për të ardhmen e tij politike. Nëse ai dështon në çuarjen e topit në rrjet kësaj herë, pra nëse nuk fiton zgjedhjet do t’i duhet të marrë avionin për në Holandë dhe t’i thotë lamtumirë politikës shqiptare. Ai po mendohet gjatë për të gjetur lojtarë kalibri fitues, por tregu shqiptar për këtë kategori lojtarësh është i varfër. Ai po e kupton edhe vetë se tashmë votuesi nuk i ha premtimet si në librat e Zhyl Vernit, me rroga deri në 1200 euro e me pagesa totale të tarifave për studentët e ardhshëm. Ose e ka kuptuar se llogaria bankare e shtetit që ai ëndërron ta drejtojë pas 25 prillit nuk është e mbushur si llogaria bankare personale ndaj po ngurron të hedhë hapat e duhura në fillimin e fushatës elektorale. Ai e ka kuptuar se karroca demokratike nuk mban më më shumë peshë, por duhen ndërruar kuajt që ajo të shtojë shpejtësinë për në destinacion. Mirëpo kuajt politikë kanë teka (në fshatin tonë thonë kanë pordhë) dhe Luli ynë është në një udhëkryq të madh dhe vetëm ai e di si do të dalë prej aty.