BREAKING NEWS

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik raportimesh për UFO-t në Itali, ja rasti i paprecedentë që ka kapur radari në aeroportin Malpensa në Milano dhe lidhja me pandeminë e COVID-19

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik
x

Opinion / Editorial

Duke jetuar ditë të bardha, s’duhen harruar ditët e zeza

Duke jetuar ditë të bardha, s’duhen harruar ditët e zeza

Luftën për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokraci, e shohim si ka flakëruar edhe në regjimet antipopullorë të së kaluarës. Është pasqyruar dhe në gazetën “Drita”, që botohej në Gjirokastër. Le të sjellim disa të dhëna nga “Ditari” i muzeologut të shquar Lefter Dilo.

“Kuçedra e mjerimit

me shumë kokë”

Mjerimi, hante kokën e shumë të varfërve, vdisnin pleq e të rinj edhe për bukën e gojës. Mjerimi revoltonte fukarain, shpirti i rinisë qëndronte i bukur. Por nuk mposhtte ndjenjën e patriotizmit. Edhe ajo pak bukë që ishte gatuhej me pluhurin e druve të sharruara. Ndërsa parësia, ushtarakët e autoritetet e pushtetit ushqeheshin me bukë të bardhë, popullit i mungonte edhe buka e misrit. Muaj me radhë njerëzit rronin duke ngrënë lakra të ziera. Një fshatar nga Erindi punonte në banesën e një diplomati italian Angelo Gabianino, i cili qenin e vet e ushqente me bukë të bardhë. Një ditë që mungoi italiani, erindioti e hëngri vetë bukën e bardhë, por qeni u sëmur! Diplomati e kuptoi dhe fshatarin e pushoi nga puna! Nëpër faqe të shtypit lexohen ditët e zeza që kalonin të varfërit. Në ditarin e tij mësuesi i shkollës së Meçites Arshi Çabej shënonte: “Nga data 26 tetor 1918-maj 1919 shkollave u jepej nga 50-70 dërhem bukë një herë në ditë. Në fillim pa të holla, pastaj me pagesë”. Në gusht 1920: “Në Gjirokastër vijnë natën 100 karvanë me bereqet në javë. E blejnë fshatarët me 16 grosh okën. Kjo quhet “Mëkat i madh për të mjerin popull ngrihet gjer në 5 franga dhe më shumë, gjë që do të bëjë të vuajë akoma më tepër populli i mjerë. Shtypi kërkon të ndalohet depozitimi i bereqetit nëpër magazinat e tregtarëve, për ta shitur atë “si frëngu pulën”, pas një kohe”. Nën presionin e popullit hapet një furrë buke, ku kjo shitet 40 franga më pak. Shtresat e varfra nuk janë në gjendje ta blejnë bukën të shtrenjtë. Shtrenjtësia e saj gjatë këtyre ditëve cilësohet “një kuçedër”. Sikur të mos mjaftonte mungesa e bukës, problem ishte edhe mungesa e ujit të pijshëm. Njerëzit “ishin të detyruar të përdornin ujin me shushunja, kafenetë, restorantet e shumë dyqane qelben”. Në kushte të tilla shkon një komision në Itali “për një inxhinier hidraulik, gjoja për të sjellë ujë”. Nga populli u mblodhën të holla, por ato u bënë “rrush e kumbulla”. Ujë nuk do të shoh me sy populli, gjersa në fuqi të jenë bejlerët. Për këtë udhëtim u harxhuan 28. 000 franga ari”. Kjo jetë nuk durohej. Një pjesë e burrave dhe e djemve ishte e detyruar të merrte rrugën e kurbetit. Në Amerikë do të hyjnë vetëm 287 shqiptarë në vit. Nga këta 58 çdo muaj. Një pjesë e shqiptarëve donin të shkonin në Australi. Por për këtë kishte kushte të rënda: ata që do të niseshin nga ana e Brindizit, duhet të paguajnë 28 stërlina dhe të kenë në xhep 15 stërlina, të cilat ishin të detyruar t’i merrnin nga tregtarët fajdexhinj, duke venë peng shtëpi e katandi. Deri më 6 dhjetor 1924 shkuan në Australi për punë 300 shqiptarë. Emigrimi nga fshati në qytete e deri jashtë shtetit do të bëhej më i theksuar në vazhdim. Më pas poeti Ilia Q. Laska në Tiranë do të shkruante “Lëvizja demografike në këta vjet, shumë toka pjellore të lëna djerr, prapa shpine fshatin, me vrap në qytet, rrugën drejt botës secili e merr…”.

 

“Beu nuk duhet të dalë deputet”

 

Për liri e demokraci realiteti ishte edhe më keq. Kjo dukej qartë ne zgjedhje. Ishte koha e Revolucionit demokratik me në krye Fan Nolin, i cili vizitoi Gjirokastrën më 27 gusht 1923. Gazeta “Drita” shënon se më 20 nëntor do të luftohet kandidatura e Mufit beut, me arsye e me dokumente, se “beu nuk duhet të dalë deputet”. Ligji për zgjedhjet e deputetëve parashikon se votimi do të bëhet me zgjedhje të dyta, jo i drejtpërdrejtë. Kandidati duhet të jetë 26 vjeç e lart. Në 12 mijë banorë 1 deputet. Zgjedhësin e dytë e zgjedhin 250 qytetarë. Mufit Libohova ka deklaruar se “kërkon votat e nikoqirëve, domethënë të pronarëve të parësisë dhe jo të “helezë-belezës”, fjalë turqisht që shqip do të thotë të “këpucëgrisurve”. Fjalë që përbuzin njerëzit e “opingës”. 3 janar 1921. Në qarkun e Gjirokastrës kërkohet një Asamble Kushtetuese, sepse Kushtetuta turke nuk durohet më në kushtet e Shqipërisë, i jepet fuqi tiranisë, nuk pajtohet me karakterin e shqiptarit liridashës, se shqiptari tani nuk do më sulltanë mbi kokë dhe prandaj ngulte këmbë që “të mblidhet sa më pare Asambleja Kushtetuese”. Duke e sjellë këtë në kohën e sotme, Izet S. Çulli e shpreh bukur me një fabul: “O kaproll, i tha një dre, një mendim pse nuk ma dhe: “Ç’dallim ka prej Skënderbeut princi ynë, i madhi i dheut?” -Skënderbeu, o llapush, thoshte “Lirin’ e gjeta mes jush”, ndërsa sot “Sulltani ynë” thotë: “Ua solla unë lirinë”!

Vazhdojnë kërkesat për votime të drejtpërdrejta dhe me zgjedhje të dyta. “Drita” shkruan: “Në qoftë se do të votohet për kokë, do të fitojë “opinga”, se po të jetë për “okë”, do të fitojnë kundërshtarët, domethënë mufidistët”. Me këtë shkrim demokratët duan të thonë se po t’i jepet popullit e drejta direkte e votës, do të dojë t’i japë votën “opingës”, që mbron interesat e tij, duke kundërshtuar kështu votimin për okë, që ishte votim sipas sistemit turk të trashëguar nga sundimi otoman. Opinion i popullit është se zgjedhjet e dyta janë për ata “që kishin ca napolona, se i varfëri dhe i riu nga mosha sado mend që të ketë, nuk fiton asnjëherë”. Më tej: “Sot puna ka ndryshuar, populli kërkon të dijë biografinë e atyre për të cilët do të japë votën. Votuesi do të mendohet mire dhe të dijë se për kë do ta hedhë votën. Në qoftë se ai që kërkon të zgjidhet është i dyshimtë, populli nuk duhet t’i japë as gjysmë vote. Të mos gënjehet askush si herët e tjera, por të hapë sytë, të votohen ata që do ta përdorin votën siç do populli vetë. Shpallet në Gjirokastër programi i Partisë Demokratike (Popullore), e cila synon të tërheqë votat e popullit”.

Në 17 shkurt 1921, beu i vogël, kryebashkiaku Javer beu botoi një shpallje tërë demagogji, në emër të bashkisë, ku thotë se “pasi të dalë deputet Mufit beu, do të largohet nga Bashkia”. Kryetari i bashkisë shkruante e vepronte me intriga kundër atyre që bënin pjesë në partinë e “opingarëve”, i mënjanonte nga puna, i pushonte, i largonte, me qëllim që të mos veprojnë në dëm të interesave të bejlerëve. Beu “i vogël” luftonte patriotët që kishin marrë pjesë në Luftën e Vlorës, ishin kthyer andej me flamurin e fitores. Partia e “Opingarëve” drejton shigjetat ndaj “asllanistëve” ose Asllan Partisë, (siç quhej atëherë partia e beut të Libohovës). Gazeta shkruan artikuj e fejtone kundër Mufit beut. Mufit Libohova urrehet kudo në Shqipëri dhe grushti vendimtar i jepet në Gjirokastër. Në Delvinë, Libohovë dhe Tepelenë filluan zgjedhjet për deputet. Krahinat e tjera mbaruan. Kudo fituan kundërshtarët e Mufit beut, të cilët kishin me javë të tëra që përpiqeshin për të mos lejuar beun “e madh” të dilte fitues. Më 17 mars 1921 populli e pret shumë ftohtë Mufit beun që shkon në Delvinë për kandidaturën e tij. Të nesërmen përfunduan fare zgjedhjet për deputetët e parë. Fushata elektorale zgjati 4 muaj, ku u ndeshën një grup djemsh të varfër intelektualë e të burrëruar në një anë, me injorancën, pasurinë dhe intrigat e bejlerëve ose “tymit të oxhakut”, nga ana tjetër. Borgjezia luftoi dhelpërisht dhe dinakërisht me anë të parasë, por populli nuk mposhtej. Beu i Libohovës u thye keq dhe shtypi shkroi se “Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo çiflig i tij”. Në këtë situatë njerëzit përparimtarë luftojnë të vjetrën: Sami Dalipi shkruan një artikull kundër heqjes nga puna të 22 arsimtarëve, të cilët nga presioni popullor u morën përsëri në punë. Kronisti i atyre ditëve shkruan se “Agallarët nuk e kanë dashur dhe s’kanë qenë të lidhur me punën, ata shikojnë punën me ozura, me bastun në dorë dhe e kishin për mburrje që s’punonin”. Kundërshtohej regjimi qeveritar, sepse “një ditë regjim në Shqipëri është si një të ecur bishulla dhe praptazi”. Më 11 prill 1921. Gjirokastra përcjell deputetët e parë për në Parlamentin e parë të vendit. Automobili ishte zbukuruar me flamurë dhe me një pale opinga në krye, që ishin varur si shenjë e Partisë Popullore. Në ceremoninë e përcjelljes mungonte vetëm kryebashkiaku i qytetit, ose “beu i vogël”, i cili mbante zi për humbjen në votime të efendiut të tij, Mufit beut të Libohovës…

Në 15 prill 1921 zhvillohen votimet për anëtarët e Këshillit të Bashkisë së qytetit. Konservatorët, agallarët dhe efendilerët arhondë dhe pleqtë rreshtohen kundër djalërisë dhe ideve përparimtare, duke anuar nga “beu i vogël”. Kur u panë votat doli se disa tregtarë, agallarë e arhondë, që kishin fituar me mashtrime, nuk dinin as shkrim e këndim në gjuhën shqipe! Ndaj u kërkua të anuloheshin zgjedhjet. Kështu ndodhi dhe në Libohovë, ku u rrëzuan 4 bashkëpunëtorë të Mufit beut, sikurse ai vetë nuk e zotëronin gjuhën shqipe… Në 16 prill 1921 në Gjirokastër, nga 2800 veta u paraqitën në votime 1130 zgjedhës. U vërtetua se grupi i beut të vogël u ndihmua nga klerikët, agallarët, pleqtë dhe efendilerët. Megjithëse fitoi grupi i beut të vogël, njerëzit përparimtarë kundërshtuan përfundimin e zgjedhjeve. Gjyqi vendosi anulimin e tyre. “Drita” shkroi: “Ty popull, që të kursehet një mirëdita, ti që nuk përfillesh fare në shumë raste, vijnë kohëra që të lusin për një votë dhe zemra jote e kthjellët, ndërgjegjja jote e pastër, gabohet… Mos ki besim te efendilerët, që kanë mend më pak se ju, dhe dy shkronja të Turqisë, po nuk vlejnë asnjë pesëshe”. Më 11 dhjetor 1923: “Mufit Libohova s’ka për të qëndruar dot në betejën elektorale. Ai bën propagandë dhe blofe për të fituar miq. Bredh nëpër katunde, në Tepelenë, në Përmet, nuk i zënë këmbët dhè. U bën fshatarëve mijëra komplimente dhe ha e pi me ta në rrogoz, që të tregohet se është nga sua (fis demokratik). Populli atij i njeh dhëmbë e dhëmballë dhe asnjëherë nuk u mashtrua nga kompania e vet. Beu i madh kishte shokë Fejzi Alizotin, Islam beun, Vehip Runën… Më 27 janar 1924 jepet një lajm gazmor: “Avni Rustemi kishte fituar në Kosovë. Demokratët mbushën qytetin gjithë duartrokitje. Thirrja e zjarrtë ishte: Rroftë demokracia! 23 mars 1924: Mufit Libohova, për hakmarrje, pasi u vendos në kolltukun e Tiranës, pushon nga puna kundërshtarët e vet, të gjithë ata që votuan kundër tij në zgjedhjet elektorale. Ai arrin të pushojë zgjedhës të dytë në Delvinë, po kështu Ramiz Harxhin, që ishte komisar i Bashkisë së Këlcyrës. Këtu arriti të emërojë nëpunës edhe çaushët (policët e bashkisë).

 

***

 

Do të mjaftonin këto për të krijuar një ide për gjendjen e regjimit feudo-borgjez antipopullor dhe shpirtin fisnik e atdhetar të popullit të varfër, njëherazi edhe duke reflektuar për ditët e sotme, në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimin të organizuar, për të cilat flitet përditë. Ideja që përshkon faqe të gaztës “Drita” është: “Më mirë të vdesësh dhjetë ditë më parë, se të jetosh dhjetë vjet në varfëri”!