BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Duke njohur Sevo Tarifën, dëshpërohem për të birin!

Duke njohur Sevo Tarifën, dëshpërohem për të birin!

Indicien për këtë shkrim e mora nga një debat në faqet e gazetës “DITA”, midis dy intelektualëve të njohur të vendit tonë, aktorit dhe regjisorit të mirënjohur, Pëllumb Kulla dhe ish-ambasadorit e profesorit Fatos Tarifa. Debati midis tyre kishte për personazh inxhinieren në pension, zonjën Luljeta Bozo. Zonja Luljeta, ka qenë një nga inxhinieret më të njohura të sistemit socialist, por ngaqë kishte vite në pension, pothuajse ishte harruar nga institucionet shtetërore. Ishte tërmeti i vitit 2019 dhe angazhimi vullnetarisht i inxhinieres në eliminimin e pasojave të tërmetit, ajo që e bëri atë personazh të ditës, duke fituar simpatinë e gjithë qytetarëve. Këtë “aset” të dobishëm e “privatizoi” kryeministri Rama dhe pa pyetur asnjeri, e vendosi Bozon në krye të listës se kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste. Sapo inxhiniere Bozo pranoi kandidaturën për deputete, u gjend përpara mikrofonave të medias vizive, me pyetjen provokative, se si e vlerësonte periudhën e socializmit. Pyetjes në fjalë, inxhinierja iu përgjigj thjesht dhe sipas bindjeve të saj: “Periudha e socializmit, - tha ajo, - kishte të këqija, por kishte më shumë të mira”! Kaq u desh që të nesërmen ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave që janë atashuar pranë opozitës, të shpërthenin kundër PS-së dhe kryeministrit Rama, duke e akuzuar se me inxhinieren e socializmit, po tenton të rikthejë kohën e “diktaturës”. Kur prisnim që kjo flluskë e propagandës bajate të PD-së me simotrat e saj, të pëlciste në ferrën më të parë, në debat aktivizohet profesor Fatos Tarifa, i cili, me një shkrim doemos të kualifikuar, i bën një mbrojtje të panevojshme inxhinieres Luljeta Bozo. Angazhimi i ambasador-profesorit tonë Tarifa, ngacmoi aktor - regjisorin dhe ish-ambasadorin tonë, Pëllumb Kulla, që gjendet me banim mijëra kilometra larg, përtej Atlantikut. Aktor-regjisori Kulla, nuk e ka me inxhinieren Luljeta Bozo, të cilën e konsideron një “viktimë” të mazhorancës aktuale, por me shkrimin e tij godet Profesor Tarifën, për mbrojtjen që i bën inxhinieres dhe kandidates për deputete. Këtu qëndron konflikti kryesor i “tregimit” tonë, i cili, nëse do ta merrte një dorë artisti në fushën e letrave, do të realizonte një skenar interesant për një film tragjikomik.

Nuk do të doja të merresha shumë me aktor-regjisorin e mirënjohur, Pëllumb Kulla, sepse falë profesionit të tij, ai është në gjendje të lozë rolin e çdo personazhi dramatik, komik, apo tragjikomik, që nuk i mungojnë shoqërisë njerëzore. Ai mohon nderin e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, që e dërgoi në universitet dhe madje në degën e Artit, ku ai dëshironte; ai mohon pushtetarët e kohës së socializmit, që e emëruan në detyra dinjitoze, si regjisor në trupat profesioniste të Vlorës e të Fierit; ai mohon mundësinë që i krijonte Kinostudio “Shqipëria e Re”, në materializimin e skenarëve të tij nëpër filma, etj., që duhet thënë ishin në raport të drejtë më aftësitë dhe kontributet e Kullës në këtë fushë. Por pas nëntëdhjetës, kur socializmi u përmbys, Kulla doli nga lëvozhga e disidentit dhe pasi mbaroi mandatin katërvjeçar “demokratikas” të ambasadorit të Shqipërisë pranë OKB-së dhe falë kësaj, “siguroi” nënshtetësinë amerikane dhe rezidencën familjare në Nju Jork, nisi të qëllojë me top mbi kohën e socializmit, që nga bedenat e imperializmit të përtej Atlantikut. Kështu ndodhi edhe në rastin e debatit për intervistën e inxhinieres Luljeta Bozo, ku zoti Kulla nuk pyet as për kontradiksionin e ligjëratës së tij, kur thotë: “Zonja Bozo, nuk gënjen që ka parë shumë të mira (në kohën e socializmit), por nuk duhej ta thoshte këtë pohim të sinqertë, që të mos rrezikonte fushatën ku është thirrur”. Këtë frazë të Kullës, jam i sigurt se nuk mund ta përtypë zonja Luljeta Bozo, sepse ajo ka qenë inxhiniere ndërtimi dhe jo aktore teatri, apo estrade, si zoti Pëllumb Kulla.

Ndryshe qëndron puna me profesor Fatos Tarifën. Profesori ynë, as që do t’ia kishte hyrë kurrsesi duelit mediatik me Pëllumb Kullën, sepse në këto tri dekada të fundit, të dy këta kanë qenë pothuajse në unison, në luftën apo kritikën dërmuese ndaj socializmit. Por kësaj radhe, Pëllumb Kulla, nuk u mor shumë as me socializmin, e as me Enver Hoxhën, por atakoi drejtpërsëdrejti Fatos Tarifën, kur duke kritikuar “mbrojtjen” që ky i fundit i bëri zonjës Bozo, shkruan se: “Zoti Fatos Tarifa nxiton ta mbështesë inxhinieren e moshuar, por dua t’i kujtoj atij, se nuk kemi asnjë faj teksa nuk zgjedhim se ku i hapim sytë kur vijmë në jetë dhe zotëria (Fatos Tarifa), i ka hapur të tijtë, bash në shtëpinë e sekretarit personal të diktatorit”. Pikërisht kjo frazë e fundit, që lidhej me familjen e tij, e bëri profesorin tonë të kërcente përpjetë. Mirëpo profesor Tarifa, në kundërsulmin e tij ndaj Kullës, bën disa lapsuse të pakorrigjueshme. Ndërkohë që i jep të drejtë inxhinieres Bozo, që thotë se sistemi socialist kishte më shumë të mira, nga ana tjetër deklaron të kundërtën e këtyre “të mirave” që ka konstatuar dhe përjetuar inxhinierja, por edhe vetë profesori. Kështu, profesori ynë gjatë replikës me Pëllumb Kullën, midis të tjerave, deklaron se: “Sistemi i socialist në vendin tonë nuk kishte asgjë komuniste”. Dhe këtë e thotë kur, jo vetëm babai i tij, por edhe ai vetë, për 36 vjet është shkolluar dhe ka punuar në këtë sistem, duke e brohoritur për çdo sukses që ai arriti, e që nuk ishin të pakët. Diku tjetër, profesori e quan liderin e socializmit, Enver Hoxhën, një udhëheqës brutal, por nuk e shpjegon se kundër kujt ishte brutal dhe pse. Po ta shpjegonte, gjë që ai i ka mundësitë teorike e praktike si profesor në fushën e politikës e të diplomacisë, do të thoshte një të vërtetë të pamohueshme se: Enver Hoxha ishte brutal dhe tepër i ashpër me armiqtë e popullit dhe të partisë, sepse këta armiq ishin jo vetëm brutalë, por fashistë të gjallë, që nuk lanë gurë pa lëvizur për të përmbysur pushtetin e popullit. Profesor ishte dhe Enver Hoxha, por jo profesor as mish e as peshk si profesor Tarifa. Diku më poshtë, profesori ynë shkruan një gënjeshtër të trashë, që askush nuk mund ta besojë: “Me atë njeri, - shkruan Fatos Tarifa, - që ju zoti Kulla dhe unë e kishim “udhëheqësin” e atdheut tonë të përbashkët në vitet e socializmit, mua nuk më lidh asgjë, përveç faktit që im atë, Sevo Tarifa, ka punuar për një periudhë të shkurtër si sekretar i tij”. Për 41 vjet pa ndërprerje (1944 – 1985), shumica dërmuese e shqiptarëve, ishin të lidhur shpirtërisht, moralisht, politikisht, ideologjikisht, në mënyrë organike më pushtetin popullor të dalë nga LANÇ, me Partinë Komuniste (PPSH) që e udhëhiqte këtë pushtet dhe me Enver Hoxhën, arkitektin e ndërtimit të shoqërisë socialiste. Aq më e fortë ishte kjo lidhje e familjes Tarifa, ku lindi, u rrit e punoi Fatosi, babai i të cilit, për disa vite me radhë, ishte çdo ditë pranë zyrës së Enver Hoxhës, ku merrte dhe sillte çdo mbrëmje në familje, impresionet e përftuara nga puna me udhëheqësin legjendar. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai implikon dhe babain e tij, kur diku më poshtë shkruan: “Babanë tonë, ne fëmijët e tij e kemi të shtrenjtë. Të shtrenjtë e kanë Sevon edhe 7 nipat e mbesat, si dhe 10 stërnipat e stërmbesat e tij, të cilët, ashtu si Sevon dhe mua, nuk i lidh asgjë,- ua them edhe një herë, nuk i lidh asgjë me Enver Hoxhën”. E pabesueshme të thuhet kjo nga një intelektual, që për 36 vjet është arsimuar e diplomuar në profilin që ka dashur, për më tepër ka shijuar miradinat e sistemit në fjalë më shumë se vërsnikët e tij, duke patur privilegjin e rrallë të merrte çdo mbrëmje nëpërmjet babait, të falat e udhëheqësit të partisë e të pushtetit socialist.

Në gjithë këtë tiradë të shkrimit të tij replikë me zotin Kulla, ngjashëm me shkrimet e tjera të këtyre viteve të demokracisë borgjeze, profesor Fatos Tarifa, jo vetëm ka marrë rolin e kameleonit, por për më keq, u ka dhënë dhe po u jep Pëllumb Kullave me shokë “municion” për topat e tyre neofashistë, të cilët qëllojnë pa pushim mbi LANÇ, mbi Dëshmorët e Kombit, mbi epokën socialiste, mbi vetë popullin shqiptar dhe Shqipërinë, që për faj të këtyre intelektualëve të kategorisë së Tarifës, gjenden sot në rrezikun e humbjes së dinjitetit dhe të identitetit. Nga ana tjetër, me këto shkrime e qëndrime permanente kundër së vërtetës, profesor Fatos Tarifa, nuk e mbron, por përkundrazi e dëmton familjen dhe babain e tij të nderuar, Sevo Tarifa, i cili, ndryshe nga sa thotë i biri Fatosi, ka qëndruar dhe qëndron pa u lëkundur në idealet komuniste, si atëherë kur ishte sekretar personal i Enver hoxhës. Për ta vërtetuar këtë që po them, po tregoj një moment shumë domethënës: Në vitin 2018, autori i këtyre radhëve, në emër të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e ftoi veteranin e PPSH, Sevo Tarifën, në kremtimin e 110 vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës, organizuar në Hotel Tirana Internacional. Ndryshe nga disa kuadro të ish-PPSH dhe shtetit socialist, që iu shmangën ftesës së PKSH, Sevo Tarifa, erdhi pa hezitimin më të vogël, pranoi të ulej në presidiumin e takimit solemn dhe madje na mbajti një fjalë tepër të ngrohtë, të veçantë dhe shumë kuptimplotë, për takimin e tij të parë më udhëheqësin e paharruar Enver Hoxha, takim që ndodhi në 60 vjetorin e lindjes së tij. Ishte e para herë që unë e takoja Sevo Tarifën. Ndonëse me një trup të imët, mu duk mal i lartë. Ishte përfytyrimi im, kur e mendoja pranë kolosit Enver Hoxha, që e bënte mal në sytë e mi, veteranin Sevo Tarifa. Ardhja e tij në aktivitetin e Partisë Komuniste ku unë militoj, ishte një mbështetje e madhe morale për ne, që nuk kemi as aftësitë, e as reputacionin e komunistëve të kohës së Sevo Tarifës. Por ndërsa krenohem se kam takuar e kam njohur komunistin veteran Sevo Tarifën, sekretarin personal dhe bashkëpunëtorin e Enver Hoxhës, hidhërohem pa masë për të birin, Fatosin, i cili, në vend që të jetë në krahun tim si komunist, e madje si profesor edhe në drejtimin e PKSH, e unë ushtar i tij besnik, ai gjendet në krahun e kundërt me mua, gjendet në limerin e ballistëve e neoballistëve, të cilët, as dje, as sot, e as nesër, nuk kanë qenë, nuk janë, e nuk do të jenë atdhetarë të vërtetë, por bashkëpunëtorë të fashizmit të djeshëm, e po të tillë edhe të fashizmit të nesërm.

Kur e kisha përfunduar këtë shkrim - replikë, pashë se gazeta “DITA”, qysh në orën 1:00 të datës 23 Mars, kishte botuar një shkrim paqëtues të Pëllumb Kullës me Fatos Tarifën, duke u vënë kështu kapak replikave midis njëri-tjetrit. Kjo gjë më bindi se argumentet e mia për një sintoni të kahershme midis Pëllumb Kullës dhe Fatos Tarifës, ishin të vërteta. Për luftën kundër socializmit dhe drejtuesve kryesorë të atij sistemi, “Tenxherja e gjen gjithnjë kapakun”.