Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dy data zgjedhjesh për dy “Republikat” tona

Postuar: 15/06/2019 - 07:14

Për një kohë jo të shkurtër, Shqipëria kishte dy parlamente. Njëri, ai zyrtari, brenda selisë, i ligjshmi, dalë nga vullneti i popullit, ku deputetët e mazhorancës diskutojnë dhe miratojnë ligje në Tiranë, kryeqytetin e vendit, sipas traditës shekullore dhe tjetri ai, agresivi në rrugë. I pari institucional në respekt të Kushtetutës. I dyti, fiktiv që ndryshon selitë sipas qyteteve, mbledhur herë në motele dhe shumicën në resorte, ku veç diskutimit për përmbysjen e qeverisë edhe hahej edhe pihej, sipas menusë preferenciale, sponsorëve dhe oreksit të deputetëve të parlamentit numër dy. Parlamentet binjakë nuk bashkëjetuan gjatë. Asnjëherë nuk u bashkuan dhe nuk gjetën qetësi apo bashkëpunim. Secili eci në shinën e vet. Njëri përpara, drejt progresit, tjetri prapa në regres. Parlamenti zyrtar brenda kornizave kushtetuese, tjetri me seli në rrugë, i armatosur jo me fjalën, po me armët që dinë t’i përdorin më së miri. Në vend të ligjeve: Gurë. Hunj. Molotovë. Kapsolla. Vezë. Bojë. Shigjeta. Harqe. Deri sa deputetët e parlamentit të rrugës dorëzuan edhe mandatet dhe braktisën dhunshëm tempullin e demokracisë, beteja ishte në distancë, po ende brenda një republike. Kur u gris kontrata me votuesit në emër të demokracisë dhe kauzës së përmbysjes së pushtetit, çdo gjë ndryshoi rrënjësisht. Ndryshime që patën në themel, jo votën po dhunën.

Po dy parlamentet nuk ishin asgjë para situatës së sotme, ku shqiptarët përjetojnë një gjendje skandaloze në shtëpinë e tyre ku jetojnë, këtu në vendin tonë. Si të mos mjaftonin protestat e përditshme, nxirja e Shqipërisë faqe tërë botës kur militantët u mpakën dhe financat firasën dhe produkti i menduar ishte pranë zeros, në lojë hyri “garanti” i Kushtetutës, përfaqësuesi i “unitetit” të popullit. Vetë Presidenti Ilir Meta. Vërtetë nuk doli në bulevard me molotov në dorë. Po me një vendim përmes të cilit ç`dekretoi datën e vendosur prej tij në pajtim dhe konsultim mes palëve dhe në afatet e domosdoshme kushtetuese, pasi loja kishte hyrë në fazë finale dhe në vend të saj nuk caktoi asnjë datë zyrtare se kur do të bëhen zgjedhjet për pushtetin vendor në Republikën e Shqipërisë. Arsyeja e anulimit të datës së zgjedhjeve të 30 qershorit u argumentua nga Presidenti, si lëvizje për të shpëtuar vendin nga një përplasje, e cila mund t’u kushtonte jetën e shumë qytetarëve. Po themelorja, sipas tij se nuk plotësoheshin kushtet e opozitës. Dhe zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë. Pluralizmi duhej garantuar. Në konferencën e pasdites, pas asaj të mëngjesit, ai u rekomandoi edhe ndërkombëtarëve në emër të sovranitetit, pasi u betua se do mbronte Kushtetutën me qetësi dhe si shqiptar, ta lexonin saktë veprimin e tij. Pra ai ishte në të drejtën e vet dhe vendimin e kishte marrë për të mënjanuar dhunën dhe përplasjen mes palëve. Edhe pse kishte detyrimin të caktonte një datë, këtë hap nuk e hodhi. Arsyeja? Do binin dakord palët. Po cila palë do ishte dakord dhe cila jo? Nëse partitë opozitare, ato të “mëdhatë” që zgjodhi të thërriste të parat, nga PBDNJ, Agrare, Kristiandemokrate, Republikane deri tek partia “Zgjidhja”, duke i llogaritur me peshë në shoqërinë tonë nuk bëri asnjë llogari nëse mazhoranca, e cila është palë në këto zgjedhje do ishte apo jo dakord me anulimin e datës së zgjedhjeve pasi fushata është në mesin e saj dhe janë bërë takime të shumta në qytete të vendit, ku votuesit kanë marrë pjesë me mijëra si mbështetje për mazhorancën dhe datën e vendosur në 30 qershor. Duke injoruar tërësisht këtë faktor me të cilën Meta nuk mund të luajë, pasi është mazhorancë dhe qeveris vendin, ka rënë në ujdi me partitë e vogla që të debatojnë për një datë të re zgjedhjesh. Në kushtet kur shoqëria shqiptare është ndarë thellësisht për kushtetutshmërinë e veprimit të Presidentit dhe në parlament pesë orë u debatua një rezolutë, ku u dëgjuan të gjithë dhe u dhanë argumente shteruese për veprimin e Presidentit, si dhe në sfondin e konferencave të shpeshta të zotit Meta për të mbajtur të pandryshuar vendimin e për ta përligjur lojën e faktit të kryer, është në kërkim të një date të re për zgjedhjet e pushtetit lokal.

Pas datës së vendosur zyrtarisht, të pranuar nga palët, e cila mbështetet me të drejtë nga mazhoranca që është e vendosur të votojë pikërisht në këtë ditë që vlerësohet e pandryshueshme për mazhorancën dhe koalicionin e partive me PS në sfondin politik, vjen rrotull edhe një datë tjetër që mbështetet nga ata që janë rreshtuar me partinë e Presidentit dhe vetë atë. Është një datë, e cila ende nuk është konturuar pasi po bëhet një betejë kushtetuese dhe ligjore për të mos shkelur ligjin, Kodin Zgjedhor dhe vetë Kushtetutën, që realisht janë përmbysur tërësisht. Ç`dekretimi i 30 qershorit i ka dhënë krah veprimeve dhe akteve banditeske për shkatërrimin e zgjedhjeve dhe ka prodhuar antimitingje në disa qytete, ku kërkohet të ndizet beteja mes atyre që duan zgjedhje dhe shkojnë drejt votimit në 30 qershor dhe atyre që mezi presin të luftojnë në llogoret e hapura për t`iu kundërvënë vullnetit të popullit. Në këtë ballafaqim, natyrisht që zjarrin më të madh e ndezi vetë ai që duhet ta qetësonte dhe shuante. Garanti i unitetit kombëtar, i cili nga mënyra si veproi, jo vetëm u bë palë dhe mbajti anësi ekstreme, po edhe hapi një front të ri lufte mes palëve, pro dhe kundër, ku janë përfshirë, jo vetëm faktorët politikë, po dhe ata mediatikë deri dhe vetë shoqëria, që është e polarizuar thellë, pasi secila palë sjell argumente që i duhen për t`iu imponuar palës tjetër.

Në kërkim të një date tjetër zgjedhore, në kundërshtim me çdo parim kushtetues dhe përcaktimet strikte të Kodit Zgjedhor, duket se po vihen përballë dy republika brenda territorit të Shqipërisë. Të dyja me qytetarë shqiptarë. Njëra, që do shkojë në zgjedhje në 30 qershor dhe për këtë vazhdon betejën zgjedhore së bashku me KQZ, si i vetmi organ që drejton dhe zhvillon zgjedhjet së bashku me një dyzinë komisionesh zonale e qendra votimi, të cilat për fat mbështeten gjerësisht edhe nga faktori ndërkombëtar, po edhe një republikë tjetër, ajo që mezi pret një datë ndryshe për të shprehur vullnetin në kutitë e votimit. I bie që Presidenti Meta ta ndajë veten dhe Presidencën në dy pjesë. Njëra të komandojë republikën zyrtare, atë që është brenda kornizave kushtetuese dhe tjetrën atë që kërkon patjetër të ketë një datë tjetër zgjedhjesh. Mes këtyre dy republikave, qëndron populli shqiptar. Ustallarët, atje në majën të Olimpit, lëvizin fijet për të ndarë e përçarë, mundësisht për t’i hedhur kundër njëri-tjetrit popullsitë e dy republikave. Dhe jo se nuk ka pasur akte të dhunshme antizgjedhore. Një i tillë u regjistrua në Lushnje, ku antimitingu i opozitës ishte në linjë me republikën imagjinare, atë që kanë projektuar Meta, Berisha, Basha, Monika. Jemi në kushtet kur duhet të presim se si do organizohet kjo republika e re, ajo që kërkojnë udhëheqësit tanë anti zgjedhje që i janë kundërvënë republikës së ligjshme, e cila është për zbatim të ligji dhe Kushtetutës dhe lufton për të shmangur paligjshmërinë. Po kështu do dëgjojmë shumë argumente dhe do njihemi me kërkesa nga më absurdet. “Republika e re”, e cila është në pritje të datës që do caktohet për zgjedhjet, do ketë natyrisht stemën, Kushtetutën, territorin, ashtu siç është vepruar në tërë këto vite me dy datat e çlirimit, me dy parlamentet, me dy qeveri, me dy polici, me dy ushtri. Shkurt, po skicohet një republikë që do t’i ketë të gjitha. Dhe Presidenti do zgjedhë, ku do ta vendosi Presidencën, në këtë zyrtaren apo atë imagjinaren. Kjo mbetet për t’u parë. Po në këtë republikën e sforcuar që pret një datë të re zgjedhjesh, ka një dallim esencial. I mungon populli votues. Dhe populli nuk mund të klonohet, as të shuhet, aq më pak të delegohet. Ky është i vetmi minus që republika e re nuk mund ta kompensojë. Dhe sigurisht, projektuesi do dështojë!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/11/2019 - 07:17

(17 nëntor 1944-17 nëntor 2019: 75-vjetori i çlirimit të Tiranës)

Postuar: 19/11/2019 - 07:15

Shoqëria jonë ka një mangësi të jashtëzakonshme në trashëgiminë e saj të sotme, të ardhur deri më

Postuar: 19/11/2019 - 07:13

Tani që u shua, ndoshta për një periudhë të caktuar kohe, mundësia e hapjes së negociatave me BE,

Postuar: 17/11/2019 - 19:17

Dita e sotme si një ditë përkujtimore për çlirimin e kryeqytetit nga

Postuar: 17/11/2019 - 07:47

“Nga të gjitha fatkeqësitë që mund ta gjejnë një Komb, asgjë nuk është më tragjike dhe me k

Postuar: 17/11/2019 - 07:45

Për mendimin tonë, për politikën shqiptare në përgjithësi, sindroma e mosrespektimit të të rinjve

Postuar: 17/11/2019 - 07:44

Jam një nga tre milionë shqiptarët që jetoj në Shqipëri.