BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Opinion / Editorial

Dy komitete ballë për ballë, një për mjekësi, tjetri veterinari!

Dy komitete ballë për ballë, një për mjekësi,

Prej fillimit të pandemisë sapo në Shqipëri mbërriti virusi si një mysafir i zbritur nga kozmosi, si të ishte një alien i ardhur nga larg për t`i shtuar botës një dimension të ri, atë të terrorit dhe frikës në Shqipëri, u ngrit Komiteti i Ekspertëve në përbërje të së cilit janë mjekët më të mirë të specialiteteve të ndryshme nga infeksionistë, epidiomologë deri tek shkencëtarë dhe autoritete të njohura brenda dhe jashtë vendit. Të gjithë me një barrë përvojë mbi supe, të përkushtuar si askush tjetër dhe me begraund të njohur tek të cilët kanë besuar dhe varur shpresat qytetarët që infektohen nga ky virus i rrezikshëm dhe kanë nevojë për asistencë mjekësore të specializuar. Komiteti i Ekspertëve deri kohë më parë edhe pse shumë aktiv nuk ishte i afishuar nëpër media, nuk doli në podiume dhe asnjëri prej tyre nuk i ra gjoksit. Askush nuk e paraqiti veten si një grup shpëtimtarësh të cilët meritonin përuljen e të gjithëve. Modest deri në dhimbje ata nuk u afishuan si zota që do bëjnë zap virusin. Askush prej tyre nuk publikoi këtë detyrë me vlerë të jashtëzakonshme, po ruajti thjeshtësinë, personalitetin, urtësinë, duke punuar pas kuintave dhe rekomanduar përditë organeve shtetërore hapat që duheshin hedhur për t`i dalë përball të keqes e cila sot cilësohet si gjendje kritike nga Ministria e Shëndetësisë dhe Përkrahjes Sociale. Barra për të përballuar këtë rrezik i takon qeverisë dhe institucioneve përkatëse. Personelit mjekësor nga maja e piramidës deri tek mjekët e infermierët pa lënë mënjanë prapavijën që nis me mjetet e urgjencës, autoambulancat, drejtuesit e tyre, oksigjenistët, farmacistët e gjithë ata që u ka rënë barra për t`u ndeshur me rrezikun e padukshëm, aktualisht ka marrë përmasa dhe kërkon bashkërendim dhe bashkëpunimin e tërë hallkave dhe zinxhirit të organeve, institucioneve për t`i vënë gjoksin dhe për të kapërcyer këtë fazë kritike, siç e cilësoi me të drejtë edhe zonja Ogerta Manastirliu në deklaratën e saj në komunikim me qytetarët. Nëse ka një arritje në përballimin e virusit, tregues që është i dukshëm, është pikërisht transparenca dhe komunikimi i përditshëm me qytetarët për t`u njohur në kohë reale me atë që ndodh në vendin tonë, si me rastet e infektimit qytet më qytet, me ata që ia hedhin dhe rikthejnë në jetë dhe me ata që fatkeqësisht nuk ia arrijnë t`ia dalin, për të cilët ndjemë keqardhje të thellë pasi janë njerëzit tanë, bashkëkombësit me të cilët jetojmë në këto troje. Në të gjitha shtetet anë e kënd globit nga veriu në jug, lindja - perëndim të globit, ajo që dallon është bashkëpunimi mes faktorëve të politikës dhe institucioneve shtetërore, ku në vendin tonë është minimizuar në premtime, propozime, anatemime, akuza, fyerje, denigrime duke e parë si front antiqeveritar. Momenti e do për t’u bërë të gjithë bashkë në një front me qëllim arritjen e suksesit. Vërtet ka kritika dhe bëhen sugjerime e akuza mes palëve, atyre që bëjnë qeverisjen dhe atyre në opozitë edhe në vendet e tjera. Po deri sot nuk dimë të krijohen komitete paralele, organizma hibride, gati si një falsitet si të kemi dy e më shumë shtete në të njëjtin territor të Shqipërisë. Vendi ynë ka një qeveri. Ka ministri të linjës që ka detyrimin kushtetues për t’u shërbyer shqiptarëve dhe për t`i mbrojtur edhe nga pandemia për t`i asistuar deri në banesë e spitale. Në realitet, beteja me Covid-19 është e ashpër dhe ka përmasa të gjera. Në këtë betejë, si për çdo problematikë në vendin tonë ndasitë janë të thella dhe përpjekjet për të përfitur nga fatkeqësitë ashtu si me pasojat e tërmetit të një viti më parë, janë të kudogjendura. Fatkeqësisht, shqiptarët janë duke ndjekur një film me metrazh të gjatë, para tyre shfaqen sekuenca, ku secili lider me dhe pa pushtet ka zënë pozicion dhe qëllon nga frëngjitë, duke mos e ndalur zjarrin me idenë se kështu dëmtojnë qeverinë, shkallmojnë Edi Ramën dhe zhvlerësojnë masat e marra, e paraqesin qeverinë dhe mistrinë të paaftë për të përballuar virusin. Injektojnë idenë standarde se masat e marra, janë të pamjaftueshme, duke arritur deri në akuza që kapërcejnë çdo imagjinatë normale. Kjo ka qenë arsyeja edhe e prezantimit të ekipit të ekspertëve që i anatemonte opozita si fasadë. Për të mësuar shqiptarët se cilët janë në të vërtetë. Në fronte të ndara, janë pozita dhe opozita. Sapo merret një vendimi i rëndësishëm nga mazhoranca, siç është ai i rimbursimit njëqind për qind i medikamenteve për të kuruar të prekurit nga sëmundja e rëndë në banesë dhe sigurohet kontrata e bëhet parapagimi për vaksinën që shqiptarët ta kenë që në fillim, si tërë vendet e tjera, menjëherë në podiumet e partive politike, dalin me nxitim oratorët dhe hedhin poshtë çdo përpjekje apo nismë që i shërben forcimit të sistemit shëndetësor dhe masave të rëndësishme të marra për të përballuar pandeminë. Politika është thellësisht e ndarë edhe për virusin dhe masat e marra për ta luftuar këtë të keqe që është mbarë botërore, kanë perceptime të ndryshme nga faktorët politikë e mediatikë. Sapo u garantuan medikamentet nga komiteti numër dy ai presidencial u propozua nga një aparat oksigjeni për çdo shtëpi. Veç garës për të bërë premtime dhe betime se nesër sapo opozita të vijë në pushtet, menjëherë do ndalet virusi dhe shërbimi shëndetësor do dominojë pandeminë. Propagandë e ethshme bëhet për të injoruar spitalet edhe fizikisht si mjedise. Po realiteti flet ndryshe. I ndodhur në qendrën shëndetësore të qytetit të Sarandës në mjediset e shërbimit të urgjencës, ajo që prek dhe shikon është vërtetë mbresëlënëse. Një qendër moderne e cila nuk ka asnjë dallim me spitalet me luksoze në vendet më të zhvilluara. Atje, ku kohë më parë frynte era nga të katër anët dhe të mbyste era e rëndë e banjove dhe godina dukej si një tunel pa dritare e dyer me pllaka të shqyera, sot është një qendër vërtet për t’u krenuar. Drejtori i spitalit, Erjon Dhroso, flet për një pavijon me disa mjedise anti kovid, ku të infektuarit vijnë, marrin shërbimin nga mjekët, qëndrojnë dhe kthehen në shtëpi. Sipas Dhrosos, shumë pak të infektuar nga Saranda u drejtohen spitaleve infektive në Tiranë. Në këtë mënyrë, sipas tij, dominohet me lehtësisht virusi dhe kurohen të prekurit me kovid. Përbri qendrës shëndetësore është duke u bërë rikonstruksioni tërësor i pavijonit të pediatrisë. I gjithi me donacione vullnetare, si Raiffeisen Bank e donatorë të tjerë. Spitali në Sarandë as mund të krahasohet me vite më parë së paku, si godinë, dhoma, zyra, ajrim, ndriçim, oksigjen dhe në tërësi si kompleks, duke përfshirë edhe shtëpinë e lindjes ngjitur, e cila është modeli më i mirë, jo vetëm për qytetin. Ajo që deklaron Kryeministri nuk është një slogan. Ndryshimi i spitalit nga dje në sot, është vërtet si nata me ditën. Dhe këto ndryshime janë pothuaj në të gjitha spitalet rajonale apo bashkiake. Në kulmin e debateve mes faktorëve politikë mbi përballimin e pandemisë nga shteti, qeveria dhe shërbimi shëndetësor nëse deri tani ishte në kuadër të debateve dhe akuzave ndarja që nga e hëna është edhe një ndarje fizike me struktura paralele mes qeverisë dhe Presidencës. Sot kemi dy komitete për luftën kundër pandemisë. Njëri është pranë qeverisë dhe ka në përbërje, siç thamë, mjekë të shquar, tjetra është pranë presidencës dhe në krye të tyre është veterineri, profesor Panariti. Si gjithë shqiptarët që e njohin intelektualin Panariti dhe ia dinë qetësinë me të cilën debaton apo flet, si dhe zotësinë në fushën e vet, i heqin kapelën dhe japin meritat që i takojnë. Po në pozicionin më të ri, atë të kryetarit të komitetit anti virus presidencial, duket se veterinaria po sfidon mjekësinë. Veterinerët janë mjekët e blegtorisë. Specialistë të nderuar pasi u shërbejnë qenieve të gjalla, të cilat janë në shërbim të jetës dhe njeriut, pa produktet e të cilave nuk mund të kuptohet jeta që nga mishi e qumështi, vezët deri te djathi e gjalpi aq të domosdoshme për jetesën. Po veterineri ka detyrën t’u shërbejë kafshëve, mjeku njerëzve dhe këto nuk janë e njëjta gjë. Nëse Presidenca do dëshironte të kontribuonte në betejën anti kovid do ishte më normale që nga një komitet dublant, paralel me atë që gjendet në Ministrinë e Shëndetësisë funksional prej kohësh dhe që ka kompetencat dhe mundësitë të hartojë politika shkencore për luftën kundër virusit specialistë të fushave të tjera qoftë edhe të veterinarisë, siç është zoti Panariti t`i bashkoheshin Komitetit të Ekspertëve të mjekëve. Të bashkonin dijet dhe përvojat. Të shkrinin në një arritjet shkencore. Kështu gjykimi shkencor i një profesori të respektuar si Panariti do i shërbente komitetit të mjekëve edhe me përvojën e profesionistëve të blegtorisë, konkretisht mjekut veteriner, i cili ka përvojën e vet, histori suksesi të dominimit të pandemive që kanë kapur ndër shekuj edhe vetë blegtorinë si qenie të gjalla në një vend si Shqipëria, ku blegtoria ka peshë të jashtëzakonshme në ekonominë tonë kombëtare. Dhe kështu do kishim një komitet me prestigj më të madh me një diapazon dijesh më të gjerë dhe efikas në shërbim të jetës së qytetarëve dhe betejës kundër pandemisë. Kështu siç po ndodh me komitet që mbin ngado, nuk është çudi që nesër të krijohen komitete të tjera paralele në ministri, selitë e partive të opozitës, drejtoritë qendrore deri në ndërmarrje. Dhe Shqipëria nga një komitet të ketë pse jo dhjetë, njëqind, njëmijë komitete. Dhe ky ansambël komitetesh dihet do i bëjë të gjithë rrëmujë. Njëri real. Tjetri imagjinar. Njëri tokësor, tjetri qiellor. Njëri do thotë po. Menjëherë tjetri jo. Jo. Jo. Dhe po të vijonim më tej pse jo do të kemi nga një komitet në çdo fshat e shtëpi më shtëpi. Dhe kështu do na përfshinte një tjetër epidemi. Ajo e krijimit të komiteteve në çdo shtëpi antivirusi. Sot le të kënaqemi vetëm me dy. Njërin në Presidencë, tjetri në qeveri. Njëri do shikojë nga toka, tjetri nga qielli. Njëri për tokësorët, tjetri për alienët. Dhe kështu me dy qeveri për korona virusin, njëri në Kryeministri që do jetë komiteti për mjekësi dhe ai në Presidencë komiteti për veterinari!