BREAKING NEWS

Ja planet e dhunshme të Berishës për të marrë PD, skenar si në 1998 për të sulmuar selinë dhe larguar me forcë Bashën

Ja planet e dhunshme të Berishës për të marrë PD,
x
BREAKING NEWS

Ish-këshilltari i nxjerr të fshehtat Berishës, Grid Rroji: Franca po mbështet në prapavijë Saliun në luftën me SHBA, bashkë me Metën synojnë trazira

Ish-këshilltari i nxjerr të fshehtat Berishës, Grid Rroji: Franca
x
BREAKING NEWS

Rama fton Bashën të ulen në tryezë për vetingun në politikë, tregohet i gatshëm të dëshmojë në Komisionin Hetimor për 25 prillin

Rama fton Bashën të ulen në tryezë për vetingun në
x

Opinion / Editorial

Dyqani i së vërtetës

Dyqani i së vërtetës

-Më falni, ky është dyqani i së vërtetës?

-Po! Dyqani i të vërtetave! Çfarë lloj të vërtete doni? Të vërtetë të pjesshme, të vërtetë relative, të vërtetë statistikore, plotësisht të vërtetë, gjithë të vërtetën?

Pra, këtu shisnin të vërteta... Asnjëherë nuk e kishte menduar, madje as në fantazitë më të çmendura se diçka e tillë ishte e mundur... Të shkosh në një vend dhe të marrësh të vërtetën, qenkësh e mrekullueshme!

-Dua të vërtetën e plotë, gjithë të vërtetën,- tha burri pa mëdyshje. Jam kaq i munduar nga gënjeshtrat, mendoi me zë të lartë. Nuk dua as përgjithësime, as iluzione, as mashtrime apo tallje.

-Dua të vërtetën e plotë, gjithë të vërtetën,- korrigjoi veten përpara shitëses.

-Si të dëshironi zotëri. Më ndiqni!

Vajza e shoqëroi klientin në një cep të dyqanit dhe, ndërsa i tregonte një shitës me pamje të rreptë, tha: “Zotëria do t’ju shërbejë”. Shitësi u afrua dhe priti klientin të fliste.

-Erdha të blej të vërtetën e plotë, gjithë të vërtetën.

-Aha. Ok! Më falni, a e dini çmimin?

-Jo! Sa kushton?- pyeti burri me mospërfillje.

Në realitet e dinte se do ta blinte të vërtetën, gjithë të vërtetën, sado që ajo të kushtonte.

-Për të vërtetën, për gjithë të vërtetën,- tha shitësi- çmimi është se asnjëherë më në jetë nuk do të keni qetësi!

Një rrëqethje e përshkoi trupin e burrit. Nuk e kishte menduar se kostoja do të ishte kaq e lartë...

-Të falenderoj... Më fal...- pëshpëriti.

Bëri prapakthehu dhe doli nga dyqani duke parë dyshemenë. E ndjeu veten pak të trishtuar, kur e kuptoi se nuk ishte ende i përgatitur për gjithë të vërtetën, apo që ende kishte nevojë për disa gënjeshtra për të gjetur paqen; disa mite dhe përralla për t’u arratisur apo se kishte nevojë për disa justifikime për të përballuar vetveten... Hodhi një sy të fundit nga dyqani i të vërtetave dhe... “Ndoshta më vonë, ndoshta një herë tjetër”, mendoi duke u larguar...

***

E përmenda në hyrje të këtij shkrimi këtë histori, sepse e gjithë kjo më solli në mendje një tjetër histori, një vjershë, në fakt, të disa njerëzve të verbër, të cilëve u duhej të përshkruanin një elefant vetëm me anë të prekjes. Në vjershë secili nga të gjashtë udhëtarët kap një pjesë të ndryshme të elefantit dhe më pas u përshkruan të tjerëve se çfarë ka zbuluar. Një prej burrave gjen këmbën e elefantit dhe e përshkruan atë të jetë e rrumbullakët dhe e ashpër si një pemë. Një tjetër prek dhëmbin dhe e përshkruan elefantin si një heshtë. Një i tretë kap bishtin dhe këmbëngul se një elefant është si një litar. Një i katërt zbulon feçkën dhe këmbëngul se elefanti është si një gjarpër i madh. Secili po përshkruan të vërtetën. Dhe ngaqë e vërteta e tij vjen prej përvojës vetjake, secili ngul këmbë që ai di çfarë ai di. Çdonjëri pati nga një mendim të tijin, por edhe pse kishin pjesërisht të drejtë të gjithë ishin në gabim. Ne e shohim këtë histori nga larg dhe qeshim. Në fund të fundit, ne e dimë se si duket një elefant. Kemi lexuar për ta, i kemi parë në filma dhe madje shumë prej nesh e kemi parë një elefant me sytë tanë. Ne besojmë se e dimë të vërtetën se çfarë është një elefant. Që dikush mund të gjykojë bazuar në një pikëpamje të së vërtetës dhe ta zbatojë atë për tërësinë, duket pa kuptim ose madje e pabesueshme. Nga ana tjetër, a nuk e dallojmë vetveten te këta gjashtë burra të verbër? A kemi qenë ndonjëherë fajtorë për të njëjtin model mendimi?

Historitë e mësipërme gjenerojnë tre pyetje, të cilave pjesërisht do t’u jap përgjigje më poshtë.

Pyetja e parë është: Ç’është e vërteta? E dyta: A është vërtet e mundur të dihet e vërteta? Së treti: Si duhet të reagojmë ndaj gjërave që duken në kundërshtim me të vërtetat që kemi mësuar më parë?

***

E vërteta përkufizohet përgjithësisht si përputhja e çështjeve me faktet dhe realitetin. E vërteta është një besim i njeriut, që bazohet mbi faktet empirike (e vërejtura), fetare ose shkencore. Ndërsa feja beson të njohë dhe shprehë të vërtetën, filozofia shtron pyetjen nëse kjo është e mundshme. Filozofia kërkon të vërtetën, metafizika merret me natyrën e së vërtetës, arsyeja merret me mbrojtjen e saj, ndërsa epistemologjia (shkenca) merret me njohjen e së vërtetës.

Ka shumë pohime të ndryshme rreth çështjes se çfarë përbën të vërtetën, si përkufizohet dhe njihet ajo, çfarë roli luan dituria e fituar dhe e zbuluar, dhe nëse e vërteta është e kushtëzuar, përkatëse, qëllimore, apo tërësore. Ana e kundërt e së vërtetës është gënjeshtra apo e rrema, e cila përcaktohet si thënia me qëllim e të pavërtetës.

***

E vërteta dhe politika

“Të vërtetat” ku kapemi për të formuar cilësinë e shoqërive tona, si edhe të karaktereve tona individuale. Shumë shpesh këto “të vërteta” bazohen në prova të paplota e të pasakta dhe, nganjëherë, u shërbejnë qëllimeve shumë egoiste. Njerëzit me të drejtë kanë dyshuar se “e vërteta” dhe “politika” nuk mund të shkojnë bashkë sepse janë dy koncepte në kundërshtim njëra me tjetrën. Një oksimoron i vërtetë. Mashtrimet dhe gënjeshtrat rregullisht janë trajtuar si mjete të nevojshme dhe justifikuese, jo vetëm për profesionin e politikanit apo demagogut, por edhe për liderët e shtetit. Kjo luftë në mes politikës dhe së vërtetës na mundëson të kuptojmë shumë rreth natyrës dhe dinjitetit të fushës politike dhe gjendjen e së vërtetës në një botë mashtrimesh dhe gënjeshtrash. Kjo situatë na mundëson të kuptojmë se cila është dobia që e vërteta të jetë impotente, ndërsa fuqia gjithmonë të jetë mashtruese. Nëse kjo është ashtu, atëherë çfarë realiteti posedon e vërteta nëse është e pafuqishme në fushën publike? Dhe pse e vërteta në të njëjtën kohë është garantuese e realitetit të ekzistencës së qenieve njerëzore? Sot, e vërteta faktike nuk është asgjë tjetër përveçse një opinion dhe kjo është arsyeja pse opinionistët e sotëm, madje edhe politikanët e kanë shumë të lehtë të diskreditojnë të vërtetën faktike vetëm si një opinion ndryshe. Sot, e vërteta faktike ngrihet nëpërmjet dëshmive të gënjeshtërta, të dhënave, dokumenteve që mund të dyshohen si jo të vërteta. Përderisa e vërteta faktike ekspozohet ndaj armiqësisë së opinionistëve dhe politikanëve, atëherë bëhet e cenueshme me pasoja të rënda. Pasoja e gjithë kësaj është se e vërteta në këto kushte nuk mund të mbijetojë. Shqipëria është e stërmbushur me shembuj të mashtrimeve masive. Sjelljet politike të shumë figurave publike dhe politike e kanë dëmtuar aq shumë të vërtetën, saqë e kanë sjellë shtetin buzë greminës për shkak të pasivitetit dhe humbjes së besimit të qytetarëve që duhet të jenë një nga mbrojtësit më të denjë të së vërtetës. Si rezultat i gjithë kësaj, sot dominojnë në skenën politike, por pse jo edhe publike, një sërë figurash politike dhe publike që karrierën e tyre e kanë ndërtuar në kurriz të së vërtetës, duke punuar natë e ditë që e vërteta kurrë të mos dalë në sipërfaqe. Nuk ka asnjë diskutim se një nga arsyet kryesore që vendi ndodhet në këtë gjendje të kaosit total është fshehja e së vërtetës për të gjitha këto fenomene që e kanë karakterizuar vendin në këto 31 vite të shpalljes së pluralizmit, por fatkeqësisht edhe të tranzicionit të tejzgjatur qëllimisht. Nuk ka dyshim se krijuesit e këtij imazhi mashtrues e dinë shumë mirë se ata duan të mashtrojnë popullin në tërësi, por rezultati i këtij mashtrimi do të varet kryesisht nga ajo se cilët oponentë dëshiron lideri të mashtrojë. Ajo ç’ka pastaj ndodh është një proces automatik. Përgjatë tërë historisë, njerëzit që janë marrë me të vërtetën gjithmonë kanë qenë të vetëdijshëm për rreziqet që lindin nga kërkimi dhe mbrojtja e së vërtetës. Për sa kohë këta persona nuk janë përzierë me pjesën tjetër të njerëzve, ata gjithmonë kanë qenë të mbuluar me tallje. Mirëpo, të gjithë duhet të kuptojnë se grupet e manipuluara edhe vetë manipuluesit do të vazhdojnë ta mbajnë imazhin propagandues të paprekshëm. E vërteta, edhe pse e pafuqishme dhe gjithmonë e rrëzuar, posedon një fuqi brenda vetes, dhe në momentin kur do të dalë në sipërfaqe do të shembë të gjithë falsitetin e ndërtuar nga figurat politike e publike të këtij vendi. Pavarësisht tentativave të këtyre të fundit që të fshehin të vërtetën, ata janë të pafuqishëm të shkatërrojnë të vërtetën. Ndërsa u shpjegoj studentëve të mi figurat letrare përqendrohem veçanërisht tek “oksimoroni”. U jap shembullin “Heshtja që flet” ose “Heshtja që shurdhon”. U shpjegoj ndërtimin e figurës dhe kuptimin, forcën dhe muzikalitetin që krijohet nga dy fjalë që përjashtojnë njëra-tjetrën, që janë të kundërta apo përjashtojnë njëra-tjetrën, por që bashkohen e japin një kuptim të ri. Dhe sot, në 2021, e vërteta dhe politika nuk duhet të trajtohen më si oksimorone.