SPAK para “provës së zjarrit”, avokat i njohur paralajmëron arrestimin e Edi Ramës, ja aferat ku dyshohet se është përfshirë kryeministri
Idajet Beqiri: Si e ngriti Flamur Noka mini-fabrikën në Greqi me valixhet me euro nëpërmjet dy njerëzve të tij të besuar nga Kukësi dhe Fieri që përfunduan në burg, ja detajet nga afera e madhe që ndodhet në duart e SPAK
Ja pse Grenell është lidhja e dyshes Berisha-Meta me Edi Ramën, si po i varin shpresat tek njeriu i Donald Trump për të shpëtuar nga sanksionet e SHBA duke shitur ishullin e Sazanit, Evi Kokalari nxjerr detajet e forta
Richard Grenell konfirmon pazaret Rama-Berisha për ishullin e Sazanit, ja detajet e marrëveshjes me dhëndrin e Donald Trump
Edi Rama pazare të pista me Vuçiç dhe Grenell për të ringjallur idenë e copëtimit të Kosovës, media gjermane plas “bombën”, ja çfarë fshihet pas investimit të dhëndrit të Donald Trump në ishullin e Sazanit
Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja çfarë përmban marrëveshja e Edi Ramës me “Rithemelimin”, nga shkatërrimi i SPAK dhe rrëzimi i ligjit të dekriminalizimit, te ngritja e komisionit anti-reformë
Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti Bajram Begaj, te Xhaçka dhe Belinda Balluku, zbardhen shkeljet e rënda penale për interesat e oligarkëve, si u vendos në rrezik siguria kombëtare, operacionaliteti i Forcës Detare dhe detyrimet...
Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të suksesshëm Taulant Balla, policia mbledh gëzhojat e ekzekutimeve
E ç’të duhet shkolla, po pate paranë?!
Shkruar nga Ramazan SHERJA 2 Qershor 2020
Po mbyllet viti shkollor 2019-2020, i cili për nxënësit dhe studentët do të mbetet ndoshta si viti më i veçantë i jetës së tyre shkollore. Masat e rrepta kundër koronavirusit kanë goditur rëndë, ashtu si çdo sektor tjetër të jetës, edhe procesin mësimor në shkolla. Megjithë punën e mirë që bënë mësuesit dhe drejtuesit e arsimit në të gjitha nivelet dhe strukturat e arsimit, pavarësisht çfarë mund të thonë kritikët e sëmurë, përsëri duhet pranuar se mësimi online, në kushtet e shtëpisë, ka mangësitë e veta për arsye krejtësisht të justifikuara. Por jo vetëm për këtë vit shkollor rezultatet në procesin mësimor edukativ, nuk kanë qenë në lartësitë e duhura. Ka vite që cilësia e transmetimit dhe përvetësimit të dijeve në shkolla përgjithësisht ka rënë. Këtu krahas disa faktorëve objektivë, siç janë zhvillimet e fundit social-politike në vend, ka ndikuar edhe një koncept nënvleftësues që ekziston përgjithësisht tek brezi i ri. Po pse ka ardhur duke rënë këto vite interesi i nxënësit dhe studentit për dijen? Sot në kushtet e ekonomisë së tregut, ku konkurrohet me cilësi dhe alternativë, edhe interesi i të rinjve duhet të ishte maksimal, ndodh e kundërta. Zhvillimet e vrullshme në vendin tonë, jo në përputhje me rregullat e ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor, kanë bërë të mundur që tek mjaft nxënës e studentë të jetë rrënjosur koncepti i marrjes kollaj të shkollës, ose i nënvleftësimit të saj. Tek shumë të rinj sundon koncepti i gabuar: “E ku hyn në punë shkolla sot”. Sot, në kohën e modernizimit dhe sofistikimit të kryerjes së shumë procese të punëve, në vend që të rritet pasioni dhe lufta për rritjen e nivelit të dijes, po ndodh për ditë e më tepër distancimi i nxënësit e studentit nga dija e vërtetë shkencore. Kjo ndodh sepse sot ndonëse flitet shumë për reforma në arsim e meritokracinë në punësim, diplomat dhe masterat në shumicën e rasteve mbeten formale e nuk po hyjnë më në punë atyre që i kanë fituar ato me djersë. Ato këshillat e djeshme që na jepnin më të mëdhenjtë, prindërit, mësuesit dhe njerëzit me mend si : Vini mendjen shkollës, se shkolla ha bukë”, “Lexoni sa më shumë, se leximi është dituri e kulturë”, “Ku ka me shkollën, shkolla nuk të lë rrugëve”, “Mos e hiqni librin nga dora, se leximi është dije” etj., etj., sot, kur elifimatraku është bërë profesor, e analfabeti është vetëdeklaruar president firme e qarkullon në duar miliarda, këto këshilla të vlefshme janë zëvendësuar me injorimet “Kush po pyet për shkollën sot, sot a ke paranë e mikun”, “Ç’harxhon kohën kot me shkollën e librat, ata nuk të japin më bukë”, “ E kush ka parë hajër nga librat, gjej mikun e siguro ndonjë punë që ka para” e të tjera përçmime për shkollën e librin si këto. Libri përgjithësisht është poshtëruar në maksimum nga shumica e të rinjve, sepse është vrarë meritokracia dhe konkurrenca e ndershme. Vendin e tyre, që se zuri fill demokracia, e ka zënë rruga miqësore, nepotizmi, korrupsioni dhe dallaverja. Pra fakti që nuk vlerësohet sa e si duhet meritokracia e profesionalizmi, shkollari me vlera reale është dekurajuar. Vendet e preferuara të punës i zë, jo ai që ka marrë me meritë diplomën përkatëse, por ai që ka mikun e paranë. Herë militantizmi partiak e herë nepotizmi dhe korrupsioni, kanë bërë të mundur që administrata dhe vendet e tjera të preferuara të mbushen me mediokër që kanë shpatullat e ngrohta. Në kushtet kur një vend pune zihet nga një mediokër që nuk ka e ka fituar diplomën me djersë, ose e ka atë false, atëherë ai që djersin mbi libra, e flak atë tutje dhe thotë “i bëfsha naftën shkollës! Unë u treta mbi libra, kurse vendin e punës e zë ai që nuk ia ka fare haberin shkollës, por që ka mikun e fortë”. Dhe shembujt ku në mjaft dikastere e institucione shtetërore sundon nepotizmi dhe mediokriteti janë të shumtë. “Në tre drejtori konkurroi vajza ime për punë - thotë një qytetar nga Lapraka, por edhe pse sipas pikëve u radhit ndër vendet e para, në asnjë vend nuk u punësua. Kur u interesuam na thanë në konfidencë se vetëm i pari është punësuar sipas meritës, kurse vendet e tjera janë zënë me porosi e urdhër nga të mëdhenjtë. Biles kohët e fundit nuk ka as punësime të militantëve partiakë, edhe pse ata plotësojnë të gjitha kriteret e përcaktuara në ligj. E keqja është se ky mentalitet po futet edhe tek subjektet private. Edhe këtu në mjaft raste ndërhyn miku. Dihet që kompanitë private janë në luftë të përhershme për të sfiduar konkurrentët e tyre e për të fituar autoritet në rritje, nëpërmjet përsosjes teknologjike e rritjes cilësore e sasiore të prodhimit. Por në klimën e krijuar në Shqipëri edhe disa nga drejtuesit e këtyre kompanive nuk po i kontrollojnë plotësisht vartësit e tyre e nuk po e shmangin dot nepotizmin dhe korrupsionin. “Nga mënyra se si e organizuan konkursin dy kompani private- na thotë një i ri që ka mbaruar shkëlqyeshëm fakultetin ekonomik- krijova bindjen se procedurat ishin serioze dhe punësimet do t’i shërbenin realisht rritjes së rezultateve. Por edhe pse fitova pikët maksimale në të gjitha fazat e konkurrimit, asnjëra nga kompanitë nuk më punësoi. Më thanë se do të më njoftonin kur do të filloja, por kjo nuk ndodhi dhe në vendin tim kishin marrë një me arsim të mesëm. Prapë miku dhe paraja e kishin bërë të veten. Kjo më zhgënjeu shumë dhe për një çast desha ta gris edhe diplomën edhe masterin që mbaja”. Injorimi i meritokracisë dhe vlerave të shkollës në punësim, është arsyeja kryesore që kemi një cilësi të dobët në universitete. Studentët pa përkrahje, djersinë mbi libra, e marrin mastera me zotësinë e tyre, por në përgjithësi ato mbeten pa punë, ngaqë ata nuk kanë as mikun dhe as paranë. Në këto kushte, kur vendet e punës i zënë mediokrit, ose ata me diploma false, ai që e ka për zemër shkollën, ose e braktis fare atë, ose lufton për një pesë, duke arsyetuar me të drejtë: përderisa studentë të shkëlqyer kanë mbetur rrugëve pa punë, ose kanë emigruar jashtë vendit, atëherë ç’më duhet shkolla, pse të lodhem e të harxhoj kohën kot me të?! E kujt po i hyn në punë më shkolla”. Fakti që studentët që fitojnë shkollën me meritë nuk arrijnë të punësohen sipas diplomave përkatëse, ndikon negativisht edhe për nxënësit e shkollave të mesme. Ata ose do ta neglizhojnë fare vazhdimin e shkollës së lartë, ose do të përpiqen të rrisin artificialisht në rrugë të pandershme mesataren, duke menduar se do ta gjejnë një mik apo do të paguajnë para për të përfunduar edhe shkollën e lartë, me sigurinë se do të punësohen më vonë aty ku u do zemra, pavarësisht nga aftësitë e tyre. Aty ku flitet më shumë për meritokraci dhe profesionalizëm, aty ka më shumë nepotizëm e mediokritet. Në shumë zyra ndodh që vartësit janë më shumë të aftë e më cilësorë se shefat e drejtuesit e tyre. “Në institucionin që punoj -më thoshte një ish-shok i shkollës së lartë, as që i ka parë kush meritat, kontributet e rezultatet në punë. Drejtori ka një diplomë të shkollës së lartë me mesatare note 6, po ashtu edhe shefat e sektorëve, kanë mesatare note të ulët në diplomat e tyre, dhe këto të fituara tani në shkollat e demokracisë, ku nuk ka mbetur kush pa diploma, madje disa kanë edhe dy, por i mbajnë postet ngaqë kanë miq e kanë ndërruar teserat disa herë sipas partisë që merr pushtetin. Kurse unë kam mesataren e notës më të lartën në diplomë, kam dhënë prova të suksesshme në disa vende pune, por as që i ka shkuar mendja njeriu për mua e më kanë lënë në një post të rëndomtë, si shkresurinë e thjeshtë. Kur i kërkova drejtorit të më transferonte në vendin e punës që më takonte, e që deri tani e kishin drejtuar nëpunës pa arsim përkatës, ai pasi më teorizoi ca fraza për meritokracinë, më në fund më tha me sinqeritet: “Aty nuk të çoj dot. Duhet të kesh mik të madh që të kapësh atë vend pune”. Ky është realiteti, pavarësisht nga deklaratat nëpër ekrane të atyre që gjoja përgjërohen për meritokracinë e konkurrencën e ndershme. Shpërfillja e arsimit dhe meritokracisë është atentati i sigurtë që i bëhet së ardhmes së kombi. “Arsimi është metodë baza e përparimit dhe e reformimit social”, shkruante Xhon Dju.