Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

E dogjëm Ramën me revolucion në fotot me karton

Postuar: 17/03/2019 - 07:39

Këtë gjashtëmbëdhjetë mars u bashkova me grupet e mëdha të qytetarëve në shëtitjen e mëngjesit. Buza e detit ishte mbushur plot. Nga deti një puhizë e lehtë trazonte flokët e gjata të një grup vogëlushësh. Nënat e reja me karrocat e fëmijëve dhe të rinjtë të përqafuar në dashurinë e tyre, ecnin me hapa të ngeshme. Nën rrezet e diellit të marsit, të apasionuarit pas detit, janë zhytur në blunë e thellë dhe shpërndanin stërkalat e kripura të cilat lagnin pendët e pulëbardhave që fluturonin ultasi. Më tutje qëndistaret kishin shpalosur mbi bordura copat e endura të gatshme për t’i tregtuar tek turistët që zbresin në fundjavë në portin e Sarandës. Është prag sezoni turistik. Gjimnazistët ecin të lehtësuar nga pesha e mësimeve të javës pasi është ditë pushimi. Klubet janë mbushur plot. Secili në qejf të vet. Bizneset e turizmit i japin dorën e fundit hoteleve për t’i bërë edhe më luks. Ka një pamje mbresëlënëse qyteti. Qetësia mbizotëron kudo. Dëgjon të flitet për sportin, librat, futbollin, filmin më të fundit. Për gjithçka. Ajo që të bën përshtypje është heshtja për protestën në Tiranë. Sikur nuk po ndodh asgjë. Edhe grupet që pinë kafe dhe mbi kokë kanë TV as që i hedhin vështrimet mbi ecejaket e protestuesve që shfaqen non stop. Të preokupuar janë vetëm operatorët. Qytetarët jo. Dhe këtë nuk e lexojmë për indiferentizëm. Arsyet janë shumë më të thella. Janë psikologjike, shoqërore, përvoje, mosbesimi te politika. Me sa duke askush nuk i merr seriozisht për ata që vendosin për ditën e fundit të stabilitetit, për rënie, rrëzim, për shkatërrim e ngecje. Ka kaluar plotësisht ajo fazë. Është shumë e largët dhe ka mbetur si një kujtim i dhimbshëm. Qytetarët duan jetën. Punën bizneset, të ardhurat. Nuk janë më ajo ekonomia e të gjithëve dhe e askujt. Secili është vet zot i jetës së tij. Kërkojnë stabilitet. Duan më shumë Europën se premtimet boshe të një opozite e cila nuk ka asnjë orientim dhe ka braktisur sistemin demokratik. Më shumë se fjalimet e Lulzim Bashës dëgjojnë e besojnë amerikanët, gjermanët, francezët, italianët. Ata që në tërë këto vite nuk e kanë lënë vetëm këtë vend. Më shumë i besojnë stabilitetit të një vendi antar të NATO-s. Nuk përfillin dhe iu duken si prehistorik ata që deklarojnë se do bëjnë qametin do djegin vendin. Sa larg janë opozitarët tanë nga pulsi dhe mendimi i shqiptarëve! Ku i do opozita dhe ku janë ata?! Kur tek qytetarët prek këtë qetësi olimpike, kur nuk dëgjon asnjë koment mbi ata që marshojnë në Tiranë edhe ti që i ke vënë detyrë vetes të mbledhësh opinione e të njihesh me indikatorin që mat shqetësimin e shoqërisë, sa vend zënë ultimatumet opozitare për përmbysje pushteti, vrasje, plumb ballit, burgosje, internime, vdekje oligarkëve, djegie të Ramës si kryeministër e njëmijë betime, sikur këtu do ndodhi dita e fundit e botës dhe ndeshesh me indiferentizmin popullor, përcjelljen në heshtje, pa emocion të zhurmës së marshuesve, thua: -Shqiptarët e kanë kapërcyer kohën kur qëndronin tërë sy e vesh dhe besonin se mund të destabilizohej me tundjen e shkopit të opozitës. Që trembeshin se forcat agresive dhe dhuna mund të krijonin situata të pakëndshme. Se në çdo 10 vjet do kishim nga një ’97-të. Dhe me të drejtë. Nuk është vetëm fakti se demokracia tek ne është sot më e pjekur dhe qytetarët më të emancipuar e më të mësuar me përrallat e Berishës-Bashës, Monikës për shembje pushteti me dhunë, për kohë të mbaruar, për largime me forcë. Përkundrazi janë koshientë.

Ajo që vendos nga sot e tutje se cili do jetë pushtet e cili opozitë, është vetëm vullneti i popullit. Vota në zgjedhje. Është shoqëria jonë e cila nuk është më në vitin zero. Përkundrazi në atë nivel se dhuna të sjell fat e pushtet privilegje e pasuri me sa duket kanë mbetur në mentalitetin e ca liderëve që u ka shkrepur në kokë se mund të bëjnë ç`të duan me këtë vend e këtë popull kur janë vetëm ca periferik të inatosur dhe armatosur me mllef e urrejtje dhe se nuk kanë asnjë mundësi imponimi me dhunë të arrijnë asnjë prej synimeve të tilla ogurzeza. Është koha që Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, Sali Berisha e Nokat, ish gjyqtarë e humbës të kazinove, e të tjerë rreth tyre, të mendojnë strategji ndryshe, të njohura ligjore e demokratike për të arritur tek fitorja e pushtetit. Në se nuk arrijnë të mësojnë këtë mekanizëm dhe nuk i referohen kësaj filozofie që ushtrohet në tërë botën do mbeten një grusht fanatikësh të braktisur edhe nga ata pak ushtarë që sot duke qenë nën efektin e ekstazës së injektuar nga liderët e çartur që mësyjnë institucionet dhe premtimeve boshe për t’u ngjitur në fron, me marshime, me grusht shteti, dhunë, kanë për të mbetur përgjithmonë pakicë dhe asnjëherë nuk do ta arrijnë pushtetin që kërkojnë. Basha dhe Monika, dy ortakët, fanatikët e opozitës që u duket vetja si strateg luftarak, vetëm gjatë këtyre tridhjetë ditëve kanë marrë aq qortime nga faktori ndërkombëtar dhe aq shuplaka nga të dyja faqet sa duhet vërtetë të reflektojnë. Jo më pak goditje kanë marrë edhe nga brenda tyre nga ata që iu kanë ikur nga rreshti dhe kanë zgjedhur të jenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Me rrugën e nisur nuk shkojnë askund, veç në izolim. Rrethimet me disa herë të Kryeministrisë, bilbilat e fonitë, daullet e molotovët, sulmet banditeske ndaj forcave të rendit, veç u plotësojnë dosjen për të qenë më të atakueshëm para drejtësisë. Ata edhe kur i ftojnë demostruesit edhe kur ikin për t’u fshehur nuk i shpëtojnë përgjegjësisë. Demostrat nuk janë nga populli, po nga lartë, ndaj dhe fuqia e tyre është e zbehtë. Më shumë se pushteti, djegia e mandateve o i ka trullosur plotësisht dhe u ka çorientuar orientimin liderëve të opozitës. Busulla ka mbetur tek fuqia e inteligjencës së Flamur Nokës, i cili në fjalimin “brilant” para turmës bën thirrje për marshime dhe aksione, rrethim të Kryeministrisë e Kuvendit. Për një çast atij dhe ata që e rrethojnë u duket se janë mbi kalanë e Krujës dhe si të ishin ballabanët e Sulltanit. Nëse opozita bën vetëm mendjen e carahoshëve, shkon me këto mendësi, atëherë atje do mbeten në periferi të bedenave kryeministrore. Ja u bë edhe protesta, u cilësua më e madhja në historinë e Shqipërisë. U gëzuam e morëm forcë me shifrat astronomike. Ta besojmë opozitën se mblodhi mijëra militantë dhe t’i quajmë gënjeshtarë dronet e fotografitë nga lart. Në shesh do vendoset edhe për ndonjë 16 tjetër. Po pastaj? E ngritëm në qiell edhe këtë marrshim. Dëgjuam sloganin e këtyre tridhjetë viteve. E nisëm me: “Meksi ik! Berisha ik! Nano ik! Majko ik! Meta ik! Rama ik, ik, ik, po ik fare! U ngrit zëri në qiell kundër kryeministrit. U bë copë sipas stilit të Bashës dhe Monikës. U sha e u anatemua duke iu drejtuar edhe vetë Zotit përmes Abas Aliut, siç bëri antarja e kryesisë së LSI-së. Po pastaj? Ja u marshua në Tiranë. U qëndrua ditë natë- rreth Kryeministrisë. Marrim rastin ekstrem: U pushtua godina e qeverisë. Edhe parlamenti ra në duart e forcave kryengritëse! Ja i morëm tërë televizionet kombëtare? Pushtuam godinën e Ministrisë së Brendshme, atë të Jashtme e të Mbrojtjes? Po në llogari të fundit ku mbërritëm? Vërtetë morëm pushtetin me dhunë? Vallë godinat janë pushteti? Po popullin si e llogarisim?! Fituam! Fituam! Brohorasin mitingashët. Urra, urra, thërrasin liderët. E shporrëm, e shporrëm gjëmojnë protestuesit. Më tutje në sfond dikush që mban në dorë një parullë të madhe prej kartoni që e mendon se është vetë revolucioni, i kërkon bashkëprotestuesit në krah. -Ma ndiz pak or vëlla! Dhe ai i zgjatë çakmakun në buzë. Po kolegu i bërtet. Ku i ke sytë. Nuk është cigare e vërtetë. Dua të djeg këtë pamflet. Dua të shkrumboj këtë karton. Ndize ta bëjmë shkrumb e hi. Është ai, ai, ai. Është kryekrimineli! Vëri flakën, ndize zjarr, ta hedhim në pus të zi këtë mavi qeveri! Dhe flakën i vënë kartonit dhe “digjet” Rama i kartonit.

Kemi vite që jetojmë në demokraci. Askujt nuk mund t’i pengohet e drejta të ngrihet, të zihet, të shahet, të marshojë, të dëgjohet, të debatohet, të dialogohet. Protestat le të bëhen sa herë i do opozita, po politika këtu tek ne duhet të gjykojë, jo me emocion as me entuziazëm e mburrje për numra e shifra. Nuk është normale që opozita, para çdo proteste të hapë thesin e gënjeshtrave, të premtojë e të mashtrojë, të varfërit, të zakonshmit, intelektualë e banorë në hall. Ata që marrin përsipër se do sjellin ndryshimin duhet ta dinë se qytetarët nuk janë aq naivë të mos lexojnë mes thirrjeve dhe betimeve si të kenë zbritur sot nga planeti mars. Pikërisht në këtë 16 mars. Ata që llastohen, kanë mbi shpinë histori e bëma që kurrë nuk mund të shuhen. A nuk janë ata që mbi këtë vend e këtë popull nuk lanë kusur pa provuar? A nuk sollën vjedhjen e votës? A nuk vranë në mes të ditës, pikërisht atje ku sot bëjnë trimoshat? Të gjitha i dinë, të gjithë. Nuk ka ndryshuar asgjë mes regjisorëve dhe organizatorëve. Ata ishin, ata janë. Dhe po ata që i veshin me simbolika dhe përpiqen t’i shfaqin si engjëllorë disa komentatorë, janë po ata që këtë kanë bërë në tërë jetën tonë. Megjithatë, nga sot do nisin llogaritë. Në protestë do thuhet se ishte tërë Shqipëria. Se bosh mbeti Konispoli, pa njerëz Malësia, Erseka e zbrazur, ishte i tërë Kukësi edhe Peshkopia. Të gjithë në Tiranë. Do hyjnë në garë, llogaritarët, do mburren delegatët, do i ngrenë në qiell militantët. Komentatorët do bëjnë kërdinë dhe analistët do vijojnë të nxijnë. Dhe si pas çdo proteste do piketohet ajo e radhës. Me të njejtin qëllim. Të gjitha kundër Ramës. Dhe shqiptarët do shikojnë si e dogjën Ramën në protestën mbarëpopullore. Dhe do qeshin me ata që bënë tërë këtë “revolucion” dhe në fund dogjën Ramën në karton.

NgaBardhyl BEJKO

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2019 - 22:58

Sistemi bankar në Shqipëri është në ditën e vet më të zezë, duke u kthyer në institucion jokredibël dhe aspak transparent për publikun shqiptar dhe grupet e interesit.  Kjo bankë sot drejtoet nga një guvernator m

Postuar: 18/07/2019 - 07:15

Kjo farë demokracie, që s’po hyn ende në brazdë, ka sjellë një çoroditje, që fjalën e lirë

Postuar: 18/07/2019 - 07:13

Nuk do të rrinte pa bërë demagogji dhe llafollogji prej somnambuli politik dhe të pa afti të meri

Postuar: 18/07/2019 - 07:11

Lajmin se Monika Kryemadhi, ka një pallat në “Unazën e re” e kumtoi Presidenti Meta n

Postuar: 17/07/2019 - 07:15

Nëse i kthehemi retrospektivës për t'u ballafaquar me shprehjen epokale të bashkimit kombëtar

Postuar: 17/07/2019 - 07:14

- 422 mijë të punësuar nuk paguajnë kontributet!182 milionë euro deficit të skemës fundosin buxhe

Postuar: 17/07/2019 - 07:10

(Nuk di, pse mu kujtua kjo thënie e Shvejkut nga Bugjeovica)