Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

E duan Azemin gjallë, po Rudinën politikisht e vranë

Postuar: 14/03/2019 - 07:23

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në një parti e cila së fundi vetëm emri i ka mbetur demokratike. Në historinë e gjatë të jetës së saj, ka pasur përjashtime dhe largime që e kanë skeletizuar, gërryer e shqyer këtë forcë politike, duke detyruar të iki ajka e intelektualëve, veçanërisht themeluesit e saj që më shumë se vlerë janë llogaritur si kërcënim për t’u zënë vendin. Në vend të tyre kanë mbërritur titanët, pedantët, të shumëshkolluarit, shakaxhinjtë e demokracisë dhe delirantët e partisë. Përjashtimet nga partia të “tradhtarëve”, atyre që kanë dalë nga rreshti nuk mund të numërohen pasi lista është kilometrike.

E fundit në radhën e të dënuarve si tradhtarë të partisë është Rudina Hajadari. Ky përjashtim nuk është një akt i zakonshëm, as një rutinë statuore që mund të kalonte pa lënë gjurmë në psikikën e shqiptarëve së pari të demokratëve edhe të atyre që nuk merren me politikë, që jetojnë këtu apo që kanë vite rezident në shtetet e huaja, ku punojnë dhe janë integruar. Kjo, jo vetëm për faktin se është e bija e Heroit të Demokracisë dhe themeluesit të PD në vitin e largët 1990, po së pari për faktin se e bija ndryshe nga i ati, vjen në politikën shqiptare me një formim perëndimor, me një koncept modern për demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë, edhe pse pa përvojë politike. Deri kohë më parë asnjë nga ne nuk e njihte Rudinën. Ishte thjeshtë një emër. Pjestare e familjes Hajdari. Vetëm kaq, asgjë më shumë. Ajo vërtetë nuk i njeh labirintet e kësaj politike, prapaskenat dhe inatet provinciale të udhëheqësve dhe liderëve që nuk të falin në se guxon të dalësh kundër rrymës dhe t’i thuash, jo, zotave të plotfuqishëm, atyre që e shikojnë partinë si shtëpinë dhe familjen e tyre biologjike, ku as mund të hysh e të dalësh me kokën tënde. Rudina është një nga fëmijët e të ndjerit Hajdari, zgjedhur pas vdekjes kryetari i përjetshëm i PD-së. Sa qe gjallë provoi përjashtimin së paku dy herë nga partia që themeloi. Nuk flasim për heqjen e imunitetit si deputet, se kjo ishte gati periodike. Tani i erdhi radha të bijës të pësoj të njejtin fat. Rast i rrallë, unikal që nga një familje të përsëritet e njejta histori në një përputhje absolute, si të ishte një copy-paste dhe të flaken nga një derë, baba dhe bijë. E dhimbshme dyfish, jo për largimin e saj nga partia që themeloi i ati i cili sakrifikoi gjithçka dhe i dha asaj shpirtin e vet, po për një qëndrim ekstremist që lë në hije edhe vetë Partinë Komuniste, e cila para se të përjashtonte një individ i bënte së paku një gjyq paraprak në forumet e partisë dhe dëgjohej edhe ai për agrumentat e veta. Dëgjohej deri edhe fjala e fundit e të dënuarit me urimin: -Të rrojë partia dhe partia ime më dënon!

Në realitet, përjashtimi i individëve që kanë mbajtur qëndrim ndryshe në periudha kohore të caktuara është veprim ekstrem i kësaj force politike, e cila nuk është se ka kufizuar largimet vetëm tek individët, po së fundi është vetëpërjashtuar nga sistemi dhe ka dalë në rrugë për ta përmbysur atë sistem që pretendon se solli pas një sundimi të gjatë të diktaturës komuniste në vitin 1990. Argumentat që përpiqen mendimtarët dhe analistët e PD-së për shkaqet e përjashtimit të Rudinës nga partia, janë vërtetë qesharake. Dikush deklaron se ajo nuk ka qenë asnjëherë anëtare e partisë. Dhe trajtohet si të kishte hyrë kontrabandë në radhët e saj. Se i është bërë një nder që u zgjodh deputete dhe largimi i saj është qëndrim që nuk e përfshin këtë parti në këtë akt, pasi është një elektron i lirë që mund të zgjedhë si të dojë. Po qe se nuk është anëtare e partisë, pse merret një vendim përjashtimi për atë që nuk ekziston? Zonja Hajdari në realitet edhe pse ishte deputete e PD-së nuk ishte se kishte përfituar ndonjë privilegj të madh aq më pak përfitime prej saj. Ajo zgjodhi të marri mandatin në siglën e saj më së shumti për bindjet, por edhe traditën familjare. Zgjodhi të bëhet deputete në një moment që vetë PD kishte më shumë nevojë për emrin e saj, se ajo për PD në kushtet kur rrjedhjet e figurave historike janë pafund. Ndoshta Basha donte të kishte një ekuivalencë me Topallin apo Bregun. U zgjodh edhe për atë që përfaqësonte. Në këtë kuptim, më shumë i dha se i mori partisë që themeloi i ati. Unë, si shumë të tjerë kemi mësuar për Rudinën nga koha kur u bë deputete. Deri atëherë, pak qytetarë e dinin se në SHBA ishte me studime Rudina Hajdari. Të tjerë e mësuan kur u nominua në listat fituese të PD-së për qarkun e Tiranës. Po deri këtu ishte një njohje vetëm protokollare sa për kuriozitet. Njohja reale nisi më vonë. Së pari në një fjalim në përvjetorin e themelimit të PD në Qytetin Studenti. Një fjalë ndryshe nga kornizat dhe improvizimet standarte që shihen dhe retushohen me dhjetra herë për të qenë në një vijë me politikën e partisë. Ajo, atje foli me individualitet, larg fjalimeve me parulla e deklarata që nuk vlejnë. Po njohja për Rudinën u bë më e plotë që kurse ajo vendosi të veprojë ndryshe nga vija zyrtare e PD-së, e cila në një vendim ekstrem dorëzoi mandatet e deputetëve dhe iku nga parlamenti me shpresën se do i imponohej mazhorancës me një veprim ekstra për të marrë pushtetin në tavolinë.

Karta që luajti PD dhe LSI nuk solli asgjë në strategjinë e opozitës, përkundrazi e largoi gjithnjë e më shumë nga demokracia reale dhe beteja për integrim. Mbyllja e një porte të rëndësishme, siç është Kuvendi e delegjitimoi tërësisht PD dhe e nxori në rrugë. Doli në rrugë të madhe, armatosur me mjetet e dhunës dhe kërcënimet permanente. U shndërrua në një parti që nuk lë moment pa brohoritur se: -E duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe e shpuri këtë vend te gropa. Si çdo parti autoritariste e udhëhequr me stilin e Sali Berishës e administruar nga menaxheri Lulzim Basha nuk mund ti falte tradhtinë dhe qëndrimin ndryshe Rudinës. Aq më pak asaj. Llogaria në këtë parti bëhet në këtë mënyrë: Të na kthejë shpinën ne që e morëm nga Amerika për dore këtë emigrante “çupëlinë” dhe të na braktisi? Të iki nga ne e bija e themeluesit të PD-së, motra e Kirit që del në protesta dhe mban fjalime? Kjo nuk mund të tolerohet. Aq më tepër për Rudinën, të cilës sipas tyre i është bërë dhuratë mandati i deputetit. Po gjykimi i liderëve të PD-së nuk mbetet këtu. Shkon shumë më larg. Të na turpërojë neve, një e re pa përvojën tonë që kemi tridhjetë vjet që mbajmë mbi shpinë demokracinë dhe Shqipërinë? Si guxon moj vajzë, a di ku shkel? Po pse kështu shpërblehet nderi? Se të gjithë këta të sotmit e gjykojnë veten si babagjyshë, dhurues që kanë në dorë partinë dhe vetëm ata mund të bëjnë edhe ndonjë nderë i cili kurrsesi nuk mund të shpërblehet me tradhti. Trajtimi i largimit të Rudinës nga vija politike e PD-së dhe deputetëve të tjerë, të cilët dorëzuan mandatet nuk mund të përtypet aq kollaj nga udhëheqësit e vjetër dhe të rinj që drejtojnë PD-në. Edhe pse shumë prej tyre janë bërë anëtarë forumesh dhe deputet se kanë baba filanin dhe nënë filanen. Edhe Rudina ka pasur influencën e emrit të të atit. Po me qëndrimet e saj ajo kapërceu, jo vetëm bijtë e baballarëve që u shpërblyen për respekt të tyre, po edhe vet Bashën që asnjëherë nuk mundi të kapërcente bamirësin që i dorëzoi partinë. Ajo edhe pse në një kohë të shkurtër u prezantua si Rudina dhe jo si e bija e Azemit. Nisi të gdhendë emrin e vet, profilin e saj, të mbrojë pavarësinë dhe individualitetin se nuk mund të jetosh një jetë nën hijen e askujt qoftë ai edhe Azem Hajdari. Pikërisht, ky pozicionim i acaroi baballarët e PD-së. Ata do pranonin që dhjetra deputetë të tjerë të mos dorëzonin mandatet. Do i justifikonin qëndrimet e tyre. Do i etiketonin si jo mirënjohës dhe dru të shtrembër, po vetëm kaq. Më mirë të gjithë le të dilnin kundër, po jo Rudina për atë që përfaqëson që nga themelimi i PD-së. Qëndrimi i saj llogaritet si dëm i pariparueshëm për këtë parti, e cila kërkon vetëm bindje dhe nënshtrim. O të gjithë me një gojë, një mendje, një kokë ose ajo kokë që vepron ndryshe duhet prerë. Ndaj edhe u përjashtua e bija e Heroit të Demokracisë. Liderët e sotëm nuk mund të tolerojnë një veprim që u duket si luftë ndaj atyre personalisht edhe pse është një qëndrim demokratik dhe personal i diktuar nga një formim tjetër.

Besojmë se Rudina do jetë zëri i demokratëve të braktisur në parlament. Ajo sigurisht do jetë më kritike se vet Lulzimi. Zhurma që bëhet dhe vlerësimi i opinionit për të nuk është thjeshtë për Rudinën. Po për mentalitetin e PD-së, e cila përjashtimet nuk i bën vetëm për të larë hesapet me ata që i dalin ndesh, po për të luajtur me bllofin se askush nuk është në atë sallë nga radhët e saj. Pra ata që ulen në parlament janë jashtë partisë. Janë të shpallur hasha prej saj. Kështu që kot lodhen për t’i konsideruar si opozita e re si përfaqësues të pakicës. Po Rudina dhe tërë ata që do ulen në atë sallë do të bëjnë politikën e partive që i kanë zgjedhur dhe miratuar në listat e kandidatëve. Dhe janë legjitimë, siç tha edhe kryetari i prezencës së OSBE-së në vendin tonë. Nuk përjashtohet që shumë prej tyre të ngrenë zërin dhe të kërkojnë reforma më të thelluara. Të jenë të sinqertë me zgjedhësit e tyre pasi nuk do ta kalojnë kohën me sherre dhe beteja, me mjete dhe armë që përdorte opozita e vjetër Në këtë kontekst, Rudina si një zë i ri do të jetë patjetër më kërkuese se gjithë ish kolegët. Po do dijë të bëjë politikë të ndershme e do ofrojë dialog, do mbështesë interesat e demokratëve të braktisur nga tempulli i demokracisë! Lulzim Basha dhe ata që e rrethojnë, disa të sapombërritur në PD edhe pse deklarojnë se e duan Azem Hajdarin gjallë, simbolin që përfaqëson, kërkojnë ta kenë flamur në betejat e partisë, kryetar të përjetshëm, e duan Azemin gjallë po, Rudinën të bijën, e duan politikisht të vrarë!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/05/2019 - 07:14

Tito shpiku në fakt, të famshmen "Bashkim Vëllazërimin" mes popujve të ish Jugosllavisë!

Postuar: 21/05/2019 - 07:13

Ishte vendimi i Kongresit të Përmetit, ai që i dha shfaqjes tonë teatrale partizane titullin &ldq

Postuar: 21/05/2019 - 07:11

Politikanët tanë, veçanërisht ata në opozitë, pa përjashtuar edhe ndonjë zë të mekur minor, si të

Postuar: 19/05/2019 - 07:54

Shqipëria dhe shqiptarët po përjetojnë atë që pritej.

Postuar: 19/05/2019 - 07:52

Veprimi i 18 shkurtit i opozitës së votuar për të dalë përfundimisht nga parlamenti është dënuar

Postuar: 19/05/2019 - 07:50

Në intervistën në VOA, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, u përpoq të dukej si një tjetër Moni

Postuar: 18/05/2019 - 07:38

Prof.