BREAKING NEWS

Rama flet për prestigjozen “Le Monde”: Shembja e Teatrit Kombëtar prodhoi një gënjeshtër të madhe

Rama flet për prestigjozen “Le Monde”: Shembja e Teatrit
x

Opinion / Editorial

E kaluara nuk futet në thes!

E kaluara nuk futet në thes!

Si çdo sistem edhe socializmi kishte shtet dhe “prizat” e tij mbi të cilat mund të debatohet gjatë nga këndvështrimi i sotëm demokratik, por duke bërë dallimin mes punës korrekte dhe atdhedashëse brenda ligjeve e rregullave të kohës dhe abuzimit që nuk njeh sistem. Një tjetër iniciativë po ndërmerret për të bërë lustracion me fokus tek e shkuara e “gogol”, fjalët komunist e Sigurim Shteti. Një retorikë biografish që realisht stonon në demokraci jo se “çelësat” e politikës e administratës i ka sot tjetërkush, por dhe se rrezikon të shndërrojë në farsë ndarjen reale me të shkuarën, provokojë kohezionin social dhe bëjë “tymuesen” me gjueti shtrigash kur prioritet sot janë reformat dhe ndëshkimi i abuzimit elitar. Shoqëria ka vërtet nevojë për transparencë dhe drejtësi ndaj abuzimit të djeshëm e të sotëm pa dallim, por nëse duhet një “biografi” për lustracion në shtet apo politikë, ajo është korrektësia qytetare ndaj ligjit dhe rregullave në shoqëri. Lustracioni bardhë e zi antikomunist nuk është drejtësi dhe qytetarët në demokraci nuk mund të “stampohen” si çifutët dikur. Ai diskriminon apriori mbi kritere ideologjike apo vendit të punës, etiketon e përflet kontributin e dinjitetin e qytetarëve korrekt që në çdo sistem besojnë në shtet, ligje e rregulla dhe nuk abuzojnë me to. Dhe që në masë, qoftë komunistë apo në Sigurimin e Shtetit, ishin qytetarë idealistë që kontribuan për vendin dhe që sot, më shumë se shpërfillja e punës, i brengos përfolja e saj deri në anatemim. Retorika e pasinqertë e lustracionit dhe e antikomunizmit në “thes” ngërthen në vetvete një mish-mash interesash e ndjesish pas. Nga “tymuese” për maskimin e abuzimit politik elitar dhe “dekor” për protagonizëm “demokratik” përmes indoktrinimit të njëanshëm të brezave të pas viteve ‘90, mania për kult në politikë me taborë ndjekësish dhe privilegje pas, iluzione nga të humburit historikë që demokracinë e njësojnë me revanshizmin, shfryrje dufi nga të kompleksuarit e të frustruarit që koha u ndrydhi ambiciet me apo pa të drejtë dhe urrejnë patologjikisht pa dallim etj. Ai degradon në farsë kur mendon se shumë prej të prekurve, në mos në moshë të thyer, nuk janë më me ne. Vetëm nëse hallin e kanë jo t’i lënë sot ish-komunistët e sigurimsat pa punë, por të hedhin sa më shumë gurë në lumë që zullumi politik tinzar ta kalojë paq atë, apo t’u marrin “erzin” në pleqëri me iluzionin se mbase zbardhen ca faqe të nxira historikisht. Qoftë zhvillimi demokratik, ashtu dhe reformat në vend, nuk mbahen peng nga qytetari korrekt ndaj ligjit e shoqërisë në çdo sistem, por nga politika e shpërfytyruar dhe e korruptuar e tranzicionit. Elitë politike kjo në konflikt direkt interesi me krye-reformat dhe interesin qytetar, nga ligji pronës që ligjëron abuzimin me të, vota-peng që garanton pushtet dhe drejtësia klienteliste që i nxjerr “faqebardhë” në zullumin epik. E nëse lustracion, sfida nuk është qytetari që pas viteve ‘90, komunist, sigurims, ballist a monarkist qoftë, aspiron njëlloj demokraci, shtet ligjor, integrim në BE dhe miqësi unike me SHBA, por politika e mbrapshtë e tranzicionit që zullumi e ka rreshtuar në anën e kundërt të popullit dhe historisë. Tek “Shtëpia me Gjethe” bashkë me gjethet ra edhe misteri, por hapja si standard demokratik edhe për Sigurimin e Shtetit, duhet “t’i japë Çezarit, çfarë është e Çezarit”! Sigurimi Shtetit operonte mbi bazën e një platforme sipas së cilës punonjësi duhej t’i shërbente me devotshmëri atdheut, popullit, shtetit, se çdo dyshim duhej të vërtetohej trecipërisht nga agjentura, survejimi dhe teknika operative (Shtëpia me Gjethe, sot muze), se të dyshuarit duhej të thirreshin e këshilloheshin paraprakisht etj. Abuzimi duhet demaskuar, por po aq sa neverit spiunimi i të pafajshmit tek radha e qumështit, po aq neverit, në mos më shumë edhe spiuni që fliste shqip dhe bëri duvanë e të huajit apo heshtja e konfuzioni politik rreth kolaboracionizmit e tradhtisë historike që as alibia e antikomunizmit nuk i bën derman. Në përballjen me veglat e atyre që përfituan nga 1913, ka kontribut e rol edhe Sigurimi i Shtetit dhe etiketimi “famëkeq” i tij në këtë rast i shkon për shtat vetëm gjuhës së antishqiptarizmit shekullor në rajon. Ky kontribut duhet të njihet dhe zërë vend në muzeun e historisë. Degradimet dhe njëanshmëritë me pretekstin e transparencës tek muzeu Shtëpia me Gjethe, Bunkeri etj, për realitete të “Perdes së Hekurt” që hasen edhe në Perëndim (por nuk vënë tellallin si ne), dekorimet e nderimet arbitrare të antikomunizmit pa dallim etj., nuk janë reflektim objektiv ndaj së shkuarës, por futje në “thes” si dikur që cënon jo vetëm punën e kontributin e djeshëm korrekt, por dhe vetë imazhin e disidencës reale antikomuniste në vend.

Historia niset nga faktet. Muzeu “Shtëpia me Gjethe” ishte vërtet seli e Teknikës Operative së Sigurimit të Shtetit, por teknika dhe nëpunësit nuk ishin pjesë e rutinës agjenturore apo dëshmitarëve të përfolur për gjyqe farse. Teknika Operative thjesht verifikonte e konfirmonte nëse të dhënat e agjentëve në terren ishin korrekte dhe në parim, ishte në vetvete një hallkë kundër abuzimit me llafin e gojës që merrte në qafë qytetarin e pafajshëm. Vetë përgjimi nuk ka pse etiketohet apriori si “mëkat” sa kohë shërbimi i fshehtë e teknika operative i vënë fre paligjshmërisë brenda shtetit dhe mbron interesat e tij ndaj shteteve jo miqësorë me të. Nuk janë shpikje shqiptare e diktature, por ekzistojnë kudo dhe kurdo sa të ketë shtete dhe interesa në mes.

Anatemimi dhe akuzat për politizim e abuzim të Sigurimit të Shtetit nuk janë arsye për të shpërfillur rolin e kontributin e tij në mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar përballë shteteve që përfituan nga viti 1913 dhe synonin jo thjesht fundin e komunizmit, por të vet shtetit shqiptar (ndryshe nga të tjerë që synonin ndërrim regjimi, por jo dobësim të kombit shqiptar). Vetë fjala “spiun” nuk ka pse shpërdorohet sidomos nga politika që për ironi shkëmben vazhdimisht mes vetes akuza për ujdi e cënim të interesit shtetëror e kombëtar dhe inkurajon mitin urban të qytetarit dixhital që përgjon zellshëm si “kufitar” partiak dhe nuk denoncon në polici, por tek lideri partiak. Përçapjet për lustracion, sikurse edhe hapjet pa kriter e garanci të arkivave, mund të kompromentojnë dhe sekretin shtetëror, vijimësinë e integritetin e shtetit e institucioneve dhe identitetet e personave në shërbimin e fshehtë që kanë kontribuar e kontribuojnë në mbrojtjen e interesit shtetëror ndaj shteteve që përfituan nga 1913. Inkuizicioni nuk ka punë me mesazhin e shenjtë dhe besimtarin human, ndonëse politizimi i institucioneve dhe marrja në qafë e të pafajshmëve mbetet njollë për atë kohë, duhet bërë dallimi mes abuzimit dhe institucionit, qoftë socializëm apo demokraci (ngjarjet e ‘97). Abuzimi nuk njeh sistem dhe drejtësia po ashtu. Qoftë ndaj abuzimit të djeshëm apo atij 30-vjeçar “demokratik”, qoftë ndaj përgjimit që mori në qafë të pafajshmin apo spiunit të shtetit antishqiptar. Pa drejtësi dhe vlerësim të të dyja anëve të medaljes, nuk ka histori, por marketing politik dhe “trakte” që u del boja shpejt. Atë e shkruajnë historianët dhe jo politikani që tundohet në zellin si gjykatës e prokuror. Kemi nevojë për paqe me të shkuarën e jo mbetur peng i saj. Që nga barrë e ndasi historike të jetë pasuri që na bën tok e çmohet nga të gjithë.