BREAKING NEWS

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste
x

Opinion / Editorial

E kam mik fëmijërie ndaj e shaj me rob shtëpie!

E kam mik fëmijërie ndaj e shaj me rob shtëpie!

Populli kur do të ironizojë dikë që të shan e të rreh dhe deklaron se e bën për të mirën tënde, si mik, vëlla, shok, kushëri, krushqi, ka zgjedhur sentencën e njohur: Kush të rreh të do më shumë. Këto fjalë i kemi dëgjuar qysh se kur kemi hedhur hapat e parë zbathur e zhveshur pranë çezmës së lagjes, poshtë një kodrine, ku mblidhej tërë mileti në pritje të radhës për të marrë ujin e pakët me të cilin shuanin etjen, përgatisnin gjellën, pastronin shtëpinë, lanin rrobat dhe u jepnin ujë bagëtive. Atje në kruan ku shkruheshin kronika pa fund që memorizoheshin në kujtesën tonë fëmijërore, shumë herë për ngatërrim radhe që më të vjetrit i thonin sira, jo në pak raste na këpusnin nga një të sharë vënçe dhe më të papërmbajturit na shkulnin veshin, duke na e zgjatur si të ishte prej llastiku, kur u trazonim bucelat apo u hidhnim miza kali gomerëve të shumtë që mbushin sheshin para tubit të çezmës, një tubë e giztë, i ngrënë nga vitet prej ujit që vinte nga malet, që e shtrembëronte rrjedhën dhe shumica derdhej jashtë grykës së enës. Në të vërtetë, inatin e kishin me mungesën e ujit dhe pritjen e gjatë që i mërziste dhe i largonte nga punët e shumta. Çuditërisht prindërit tanë nuk mërzitshin kurrë që burrat e lagjes apo lagjeve të tjera na shkulnin veshët dhe na i bënin si shollë këpuce. U duan, u kanë xhan, pa u rrahin na pëshpëritnin në vesh. Dhe ne si fëmijë sepse na kishte hipur një dëshirë e madhe t`u afroheshim të mëdhenjve për të na dëftyer dashurinë, duke na shkulur veshët, flokët apo ndonjë pëllëmbë në prapanicë. Po gjithnjë këtë e merrnim si dashuri përmes dhunës. Ishin kohë të tjera, shumë të largëta dhe komunikimi mes nesh ka qenë i tillë që shoqërohej me rreptësi e me shfrim mërzie nga hallet e shumta që përjetonin të parët tanë pasi u duhej të qëndronin netë pa gjumë për të na ushqyer e veshur dhe përsëri u mbeteshin shumë punë pa prekur. Kohë të vështira. Mungonte deri edhe buka. Paraja nxirrej me njëmijë mundime dhe numri i frymëve që prisnin të ushqeheshin ishte i madh. Ishte koha kur nuk të lejohej të mbaje lopë, dele, deri edhe pula. Sistem që shqiptarët e përmbysën në 1990, duke i hapur rrugë ekonomisë së tregut. Kujtimet e shamatave për ujin kanë mbetur si legjenda të largëta pasi lagjja e qyteti, ku u ritën ka sot njëzetë e katër orë ujë në ditë dhe prona private u ka krijuar mundësinë që të fitojnë dhe jetojnë shumë më ndryshe, natyrisht jo në luks as në bollëk. Është fryt i punës vetëmohuese të fermerëve që mbarështojnë blegtori dhe zhvillojnë frutikulturën më produktive në shkallë vendi, konkurruese në mbarë Ballkanin dhe më gjerë. Nisur nga këto ndryshime epokale, kujtimet nga e kaluara e shara edhe e rrahura kishte një bazë, një shtrat që vinte nga ngushtësia e kohës, privacionet, mungesat e theksuara, fukarallëku. Po kurrsesi mllefi dhe pezmatimi nuk kishte bazë etjen për pushtet, përfitimet, privilegjet, pasi ata që qëndronin me orë të tëra para grykës së çezmës, kishin të vetmin qëllim: Mbijetesën. Po kurrsesi nuk u shkonte ndërmend të shaheshin për ofiqe e pushtet. Sot, kohët kanë ndryshuar. Shumica e sherreve e ka zanafillën tek etja dhe padurimi për të arritur në majë të piramidës shtetërore, për të drejtuar shtetin, ekonominë, për të hedhur në dorë financat publike, taksat, tatimet, PPP-ët, naftën, prodhimin, rrugët, koncesionet, aeroportet, mineralet, marrëveshjet me shtetet, për të bërë politikën e jashtme, për pakte e marrëdhënie të gjithëfarëllojshme. Po fatkeqësisht, jo në emër të interesave të popullit, po familjes, fisit, partisë, anëtarësisë, individëve me pushtet. Kjo ëndërr për pushtet i ka shndërruar shumë prej bashkëkombësve të mi në agresiv pa kufi që nuk lënë rast pa fyer e telendisur cilindo që u del përpara për t`i vënë thikën në grykë atij që ka pushtetin, drejton qeverinë, drejtuesve të lartë e atyre më të zakonshmëve deri tek punëtorët e pastrimit të rrugëve. Të gjithë trajtohen si pengesë për fitoren. Arsyeja? Për të vjelë frytet e shumta që të jep pushteti. Kjo i ka bërë, jo pak politikanë edhe ata që mbahen për shumë të ditur që kanë drejtuar institucione dhe dikastere të arsimit, mjedisit, kulturës, të lëshojnë gojën, të kamxhikojnë cilindo, të shpallin armiq, të godasin me plumba fjalësh ata që i mbajnë larg posteve dhe pushtetit. E shikojmë këtë kudo. Në zyrat luksoze, para ekraneve të televizioneve kombëtare, ku skifterët e medias, ata që vetemërtohen opinionistë të paanshëm, bëjnë potere të madhe, shajnë mbarë e mbrapsht cilindo që nuk është në vijën ideologjike, me partinë që përfaqësojnë, nuk mbajnë ison e porositësve të tyre. Të vjen vërtet keq kur dëgjon fjalë nga më monstruozet që edhe fjalori shqip i ka me pullë të kuqe kur kanë përballë, jo një koleg të tyre, po kryeministrin e vendit dhe e trajtojnë si të ishte preja për ta shqyer, duke mos i lënë radhë të argumentojë, të bëjë arsyetimin e tij, të ballafaqohet, të flasi me shifra e prova, jo me slogane dhe gënjeshtra siç veprojnë ata farë analistësh që zhveshin shpatën dhe presin sa majtas djathtas. Nuk e lënë të ftuarin të flasi, të sqarojë, duke e shndërruar studion në arenë beteje mes gladiatorësh. Të vjen keq kur shikon se si analistët e vendosin veten në pozicion superior, mendimtarë të lirë, mbahen si të shumë kualifikuar. Nuk pyesin, po shantazhojnë. Nuk dëgjojnë, veç flasin pa pushim me fjalor ordiner. Kur shikon moderatorët e opinioneve që ndërhynë sikur të jenë, jo opinionistë, po politikanë të partive si bëjnë duel me fjalën, me sharjet, me etiketimet, me vënie gishti mbi cilindo që përpiqet të argumentojë të kundërtën e sponsorëve dhe paguesve për debatet që shumë herë i ngjajnë inkuizicionit ose gjyqeve popullore në sallat e mëdha me anëtarët e frontit demokratik, ku dëgjoheshin thirrjet linçuese, frenetike:Të varet në litar! Të digjet në turrën e druve! Të plaset njëqind vjet në burg dhe të mos shikojë diell me sy! Të mbyllet në çmendinë! Anatemime që nuk i ka njohur as koha e Xhordano Brunos kur viheshin përballë turrës së druve të inkuizicionit përvëluese e shkatërrues të gjithë ata që preknin shenjtërinë e kishës. Nuk çuditemi se si një tufë opinionistësh zbatojnë me kaq ashpërsi porositë e partisë që nëse keni përballë kryeministrin Edi Rama ta shqyeni. Mos e lini një sekondë të argumentojë, tregoni vendin, copëtojeni, është armiku i shqiptarëve, kreu i bandave, i korruptuar, hajdut i votave. Dhe logoreja rrjedh lumë për kryeministrin e një mijë e një të zezave si të ishte, jo Rama, po Neroni i Romës. Të porositurit, ata që bëjnë të njëjtën shfaqje sa herë dalin në ekrane, bëjnë jo politikë, po super politikë. Asnjë argument logjik. Asnjë pritshmëri, analizë, fakte, prova, si të bënin monolog me copy paste të kryetarit Lulzim Basha e tutorit të tij Berisha. Vetëm akuza, shpifje, një mal i tërë aq sa bëmat e gjithë kryeministrave të Shqipërisë së bashku nga themelimi i shtetit shqiptar deri sot nuk mund të justifikojnë gjithë këtë mllef. Shumë prej atyre që bombardojnë me akuza kryeministrin me subjekt trajtimi i mbetjeve, beteja me pandeminë në nisje apo në fund të sharjeve i fusin edhe sloganin se e kanë mik e njohin që nga fëmijëria. Pa cituar gjithë xhentëlmenët, shakaxhinjtë, kronistët, xhevahiret që shpërndajnë me zë të lartë si e argumentojnë fyerjen, sharjen ose rrahjen përmes poshtërimit dhe denigrimit, e cila bëhet përditë duke akuzuar të parin e fisit në brezat e shekuj deri tek nëna dhe babai i ndjerë, duke fyer edhe të vdekurit, mjafton të shfrynë dufin e mllefin që evidentohen përditë nga i pari i shtetit tek i fundit të rreshtit që kërkon të bëhet personazh me “Alo, Bashkimi jeni” në pikë të mëngjesit. Ajo që veçohet, si më origjinalja me gjetjen, si qershi mbi tortë në fyerje është zonja Nora Malaj. Si të gjithë kur mësuam se Nora u sëmur nga covidi, uruam shërim të shpejtë dhe u mallëngjyem me tregimin e saj të sinqertë për vuajtjet që përjetoi. U gëzuam që ia hodhi dhe lutemi për shëndet dhe vetëm gëzime dhe lumturinë e fëmijëve dhe njerëzve të dashur të saj. Nuk do ta veçonim Norën, pasi ai nuk është sharja e vetme, po është më origjinalja. Nuk do thonin asgjë nëse edhe ajo do bënte detyrën si një nga figurat politike me begraund të njohur, një jetë në krye të dikasterit të edukimit, arsimit që presupozon kulturë, mirësjellje, maturi, kujdes, mençuri kur argumenton dhe flet për jetën e të tjerëve edhe kur në shënjestër vendoset kryeministri. I pari i qeverisë nuk është i paprekshëm. Përkundrazi është personi më i atakueshëm për vetë pozicionin që mban dhe detyrën që kryen. Jam i bindur se Edi Rama s`do ta ketë dëgjuar fare fjalimin e Norës dhe etiketimin që i bëri figurës me parashtesën e togfjalëshit se e ka mik të fëmijërisë dhe nuk e fsheh këtë fakt sikur të ishte një fatkeqësi, apo ndonjë gjëmë dhe jo një fakt i zakonshëm, rutinor, rastësi ashtu si shumë të tjerë janë rritur bashkë me personalitete që më vonë u bënë presidentë në SHBA, shkencëtarë që shkuan në hënë, u vlerësuan nobelistë në shkencat ekzakte apo letërsi. Të kesh jetë të përbashkët fëminore, miqësi edhe me Edi Ramën nuk është as privilegj as ndonjë çudi apo fatkeqësi. Ai është kryetari i zgjedhur i Partisë Socialsite të Shqipërisë, partia më e madhe në vend, gjithnjë më e votuara me numrin më të madh të deputetëve të fituar nga vota e popullit. Politikan karriere, tre herë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe tetë vite kryeministër, pa folur për pozicione në Internacionalen Socialiste apo sot në krye të OSBE-së për të cilën Malaj ironizon. Si i tillë duhet të ndihesh mirë nëse ke pasur miqësi qoftë edhe në fëmijëri. Të tjerët nuk e kanë takuar asnjëherë, veç nga ekran i televizionit, dikush e do dhe jo pak e urrejnë. Normale kjo qasje. Punë bindjesh, interesash, shijesh dhe preferenca politike. Po zonja Nora kur deklaron se e ka mik fëmijërie nuk gëzon të drejtën që ta fyejë. Fëmijëria nuk fyhet as hidhet në cepat e harresës aq më pak të urrejtjes. Sigurisht për të bërë diferencën për burrat që simpatizon kur kanë kaluar moshën e fëmijërisë, në kuptimin politik natyrisht, është në shijen e saj dhe të drejtën e vet të veçojë ata që vlerëson si burrë shteti dhe ata që urren. Po kurrsesi nuk gëzon të drejtën që faqe tërë botës të përzgjedhë si epitaf dy vargje të Agollit me të cilat kërkon të godas përmes fjalës agolliane, thënë në një kontekst ndryshe në një kohë tjetër në rrethana që nuk kanë asnjë pikë takimi dhe përngjasimi me atë që i vë detyrë vetes zonja Nora kur citon se: Ta kesh mik të prish punë, ta kesh armik të ha m... Jo çdo varg i shkruar edhe nga korifenj të poezisë janë gjithnjë mjet ilustrimi që mund të përdoren jashtë kontekstit. Pastaj, a nuk tingëllojnë si kërcitje dhëmbësh dhe poshtërim këto fjalë në gojën e një zonje, e cila na ka mësuar dhe edukuar fëmijët në breza të tërë nga e cila kemi pritur të mësojmë edhe ne, kulturën e ligjërimit dhe rrëfimit të qetë, të peshuar, mirëmenduar? Zonja Malaj nuk besoj se ka nevojë të shkruajë sot biografinë e saj kur është bërë kaq e afirmuar. As të bjerë në sy të partisë. Ajo e ka shkruar biografinë dhe vetëm i heq pikë personalitetit kur flet për miqtë e fëmijërisë dhe u vesh si pelerinë vargjet kur i ke miq dhe në se i ke armiq. Dhe në fund nuk harron të thotë se e ka mik të fëmijërisë. Edhe mik edhe armik. Mik në fëmijëri, armik në pleqëri i thonë kësaj. Pasi e nxin, i kalon një rul me bojë fosforeshent që të ndriçohet më shumë tabloja që pikturon me vargjet e poetit. Pikërisht se Nora e ka mik fëmijërie kryeministrin e Shqipërisë e rreh me fjalë?! Kësaj i thonë: Të kam mik fëmijërie ndaj të shaj ty dhe me rob shtëpie!