Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

A e kemi sot arsimimin më cilësor, se sa para viteve 1990?

Postuar: 17/05/2018 - 07:45

Nga kjo pyetje, titulli i këtij shkrimi, ndonjë lexues mund të na akuzojë se jemi “nostalgjik i së kaluarës”, përkundrazi, realisht duhet që të pranojmë se edhe para viteve 1990, arsimimi tek ne ka shënuar arritje. Kjo u pa dhe pas hapjes tonë me Botën, kur fëmijët tanë të shkolluar këtu, nxënës e studentë çanë përpara në Perëndim, kjo falë punës së madhe të: edukatorëve, mësuesve, pedagogëve, të drejtuesve të Arsimit në Bazë e Qendër!

Pas vitit 1990 të ndryshimit të Sistemit e kalimit në “pluralizëm”, kam ndjekur me vëmendje ndryshimet e bëra dhe vazhdojnë gjatë këtij tranzicioni prej 26 vitesh, ku veç arritjeve ka dhe gabime e faje te rënda të papranueshme në çdo fushë, përfshirë dhe arsimimin e të rinjve e të rejave! Për ndryshimet e ndodhura dhe mos arritja e asaj që pritej nga viti 1993 e sot, unë për të ndihmuar sadopak kam shkruar një seri artikujsh në të gjitha gazetat, duke u përqendruar kohët e fundit në korrupsionin e madh që ka përfshirë gjithë Vendin, Drejtësinë e Administratën me mirëqenie: “Vetëm për pushtetarë e partiakë e varfëri për popullin e thjeshtë”!

Që të marrë përgjigje pyetja e shtruar në fillim për titull të këtij shkrimi, do të evidentoja disa nga shkeljet më të rënda në fushën e Arsimit këto kohët e fundit, sipas meje dhe shumë të tjerëve në dëm të arsimimit të nxënësve dhe studentëve tanë, krahasuar këto me “centralizimin” e para viteve 1990!

E para, rëndësia e veçantë e drejtuesve të aftë

Më 12 Korrik 1993 në Gazetën Lokale të Tiranës “Tribuna Demokratike” kam shkruar shkrimin: “Drejtuesi që drejton keq të zhgënjen e revolton!” I tillë qe Drejtori i porsa emëruar (militant partiak) në “Institutin e fëmijëve që s’flasin dhe s’dëgjojnë”, me aftësi as të një arsimtari të thjeshtë (për këtë lexo shkrimin), ku ndryshe nga paraardhësit këtu që gëzonin respekt, me aftësitë drejtuese e kërkese llogarie për të çuar punën e këtij institucioni përpara, kur tani u bënë hapa-mbrapa! Në këtë kohë, zëvendësimi i drejtuesve “të aftë” me “të paaftë” në Qendër e Bazë që masiv, fatkeqësisht, kjo vazhdon edhe sot, por a nuk është shumë shqetësuese kjo, kur dihet se vetëm i afti realizon edhe vepra, që kujtohen në shekuj e mbeten në Histori? Kjo e dobësoi shumë punën drejtuese dhe organizative në Institucionet e Arsimit, të Drejtuesve të shkollave në vartësi të tyre, pra të gjithë arsimimit dhe edukimit të të rinjve tanë! Sot, kur jemi të hapur ndaj Botës, me një informacion të plotë ndaj eksperiencave të tyre, me bazë materiale konkrete për mësim në shkolla shumë më të mira se sa ajo përpara, kur duhet të kishim arritje e hapa tepër më cilësorë, por rezultati tek ne lë për të dëshiruar?!

Shohim nxënës sot që kanë mbaruar arsimin e mesëm dhe nuk dinë tabelën e shumëzim-pjesëtimit, ose nuk dinë mënyrat e foljes e kohët e tyre dhe le më tej, kjo për mua e të gjithë jo e papranueshme, por është skandaloze! Unë me 4 klasa kolektive në fshatin Murth, ku sipas programit tabela e shumëzim-pjestimit përfundonte në klasën e tretë, të gjithë nxënësit jo që e dinin atë, por kishte dhe nga ata që shkonin dhe më tej (shembull): Nr.48=6x8 e 8x6 ose 48:8 e 48:6, por dhe 2x24, 3x18, 4x12 dhe anasjelltas etj. Po kështu në përfundim të klasës së katërt, nxënësit më bënin analiza të plota të të gjitha pjesëve të fjalive e frazave nga ana morfologjike. Këto rezultate qenë të evidentuara në këtë kohë në shkolla, jo vetëm nga kontrolli i Drejtorisë përkatëse të Zonës, por edhe nga kontrollet e vazhdueshme të ish Seksioneve të Arsimit në Rrethe, por dhe nga të Ministrisë së Arsimit që nuk mungonin dhe në ciklin e ulët, ku unë vetë në fshatin Murth jam kontrolluar nga një ish inspektor, Z. Bashkim Kaba.

E dyta, nuk mundet që të bëhet “masiv” Arsimi i Lartë

E papranueshme qysh në fillim me ndryshimin e Sistemit, qe dhe bërja e Arsimit të Lartë “masiv”, me synimin që pas atij të mesëm, të përfundohej nga çdo i ri dhe e re, duke lejuar hapjen e Universiteteve të reja Shtetërore e Private, por edhe Degëve të tyre në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë! Në këto kushte vërshuan që të gjithë në Universitete, kryesisht, edhe në degë të preferuara, kur të shumtët qenë nën nivelin e mesatares, po i tillë që shpesh dhe mësim – dhënia nga pedagogët në Fakultetet e hapura rishtas?! Sot kemi nga këto qindra e mijëra të diplomuar, me diplomë më tepër të marra me pagesa (syresh dhe të falsifikuara), që nuk i përgjigjen tregut, por fatkeqësisht, edhe të punësuarit nga këto kontigjente në administratën shtetërore, nuk lejojnë shoqërinë të ecë përpara! Jo vetëm nga eksperienca ime, por e të të gjithë kolegëve është e pafalshme, që të mendosh se të gjithë nxënësit janë në gjendje të mbarojnë arsimin e lartë, kjo është utopi!

Në Zvicër dhe vende të tjera të zhvilluara këtë seleksionim e bën vetë trupa arsimore në përfundim të ciklit “9-vjeçar”, ku duke parë aftësitë e secilit nxënës, përcakton qartë se kush nga ata duhet të ndjekë arsimin e lartë dhe të tjerët orientohen drejt arsimit të mesëm profesional, kjo është mrekullia! Po ky seleksionim i domosdoshëm tek ne nuk mund të arrihet tani, veçanërisht, me mësuesit e rinj (mësim-dhënësit) që (u shprehëm) vetë kanë mbaruar duke qenë nën mesataren e kërkuar! Këto pa humbur kohë të evidentohen sa më parë nga kontrollorë të aftë, për t’i larguar nga kjo detyrë e lartë fisnike, kur duhet përshëndetur këtu, (nëse bëhet realitet) edhe çka kemi dëgjuar nga goja e Kryeministrit, se tani dhe në vazhdim degët e Mësuesisë do të ndiqen vetëm nga student me mesatare të lartë. Para vitit 1990, mbështetur në mesataren reale të secilit nxënës pas përfundimit të shkollave të mesme, seleksionimi qe shumë më i saktë e i pranueshëm, veçse e keqja ishte se edhe nxënësit më të shkëlqyer, nuk mund të ndiqnin degët e dëshiruara, por degën ku i qe caktuar e drejta e studimit!

E treta, eksperimentimi “shumë tekste për një lëndë” qe marrëzi

Më ka habit fakti jo vetëm mua, por dhe kolegë të tjerë që diskutonim me to, kur në kuadrin e ndryshimit pas vitit 1990, veçanërisht në të dy ciklet e para, vërshuan në çdo klasë nga 3-4 tekste për çdo lëndë mësimore, ku mësuesi i lëndës do të ndiqte e vlerësonte se kush nga këto përvetësohej më mirë nga nxënësit, për të mbetur pastaj si përfundimtar, një çoroditje e vërtetë! Me ndryshimin e Sistemit, pa dyshim që tekstet shkollore do të pësonin ndryshimet e duhura, por a ishte në gjendje një mësues që brenda 45 minutash, me 35-40 nxënës në klasë, të bëjë dhe seleksionimin se kush nga këto tekste është më i arrirë edhe në presionin e autorëve të këtyre teksteve, për të fituar në biznesin e tyre, kjo qe e pamundur!

Është vepruar shumë drejt përpara viteve 1990 që teksti i çdo lënde mësimore i nënshtrohej një përpunimi të plotë nga autorët dhe specialistët më të mirë në fushën e Arsimit, ndihmuar dhe nga metodistë të Institutit të Studimeve Pedagogjike dhe pastaj ky tekst eksperimentohej edhe në shkolla të veçanta, nëse do t’i bëhej ndonjë ndryshim i mundshëm. Edhe sot (55 vjet më parë) më mbeten në mendje mësimet e hapura, që bëheshin për shkëmbime eksperiencash nga këto mësues – metodistë të përkryer, që përpunonin edhe tekstet, ku në qendër qe mësuesi në bashkëpunim me nxënësit dhe jo vetëm nxënësi, kur ky i fundit rolin e të qënurit në qendër e fiton vetëm në ato klasa me mbi 50% të nxënësve, që debatojnë si të barabartë me mësuesit e tyre dhe (u shprehën) jo të atyre në nivelin e sotshëm!

E katërta, një mendim për marrëdhënien Mësues-Nxënës-Familje

Krahasuar me para vitet 1990, kur brezi ynë ka punuar shumë më i qetë në detyrën e mësim – dhënies, të ndihmuar pa kursim (pavarësisht nivelit) dhe nga prindërit në mësim-edukimin e fëmijëve të tyre, tani pas këtyre viteve ky trekëndësh është cënuar shumë. Nuk është arsyeja kryesore që mësuesit sot paguhen më pak se profesionet e tjera, prandaj dega e Mësuesisë nuk ndiqet e frekuentohet nga ato më të mirët, kur kemi të bëjmë me profesionin më dinjitoz në shërbim të Kombit. Ashtu si dhe Rilindasit më pare, që për Kombin tonë bënin fli dhe pasurinë e tyre edhe sot mësuesi dinjitoz sakrifikon, por këtu kemi cënimin e rëndë të marrëdhënieve: Mësues-Nxënës-Familje, që në momente të caktuara për mësuesit bëhen të padurueshme! Në shumë raste (me nxënës të rritur) jo që kemi ofendime të nxënësve ndaj mësuesve: kërcënime për t’u vendosur nota të pamerituara, për t’i kaluar padrejtësisht nga klasat, për të mos shënuar mungesat e tyre etj. etj., por kanë arritur që edhe t’i gjuajnë e godasin, fenomene këto të pandodhura më parë?!

Tani në shkolla dhe nga drejtues të paaftë, gabimisht, i kërkohet llogari vetëm mësuesit për mos realizime të gjithçkaje, në shumë raste jo për t’i ndihmuar, por për t’i larguar nga puna e zëvendësuar me të tjerë të njohur, duke harruar nxënësit e vështirë, që përmendëm dhe shpesh prindër (pa nivel), që së bashku me fëmijët e tyre kërkojnë vetëm të drejtat e mos kryer asnjë nga detyrat, që u takojnë?! Nga kontrollet fare pa nivel të Drejtorisë Arsimore Tiranë kam dëgjuar, por dhe komunikuar vetë me mësues, ku, shkurtimisht, përmend këtu dy raste shumë poshtëruese, të thëna nga goja e tyre: “Rastis që nga kontrollorët e jashtëm, ose të shkollës neve na thuhet dhe të dalim jashtë nga klasa, ku në mungesën tonë pyeten nxënësit për të na vlerësuar?! Rast tjetër: “Kam një nxënës tepër të vështirë, fare i papërqëndruar, shumë ngacmues dhe s’qëndron ulur në bankë, për të cilin kam kërkuar ndihmën e drejtuesve të shkollës dhe të prindërve të tij, ku nga të parët më thuhet se ti e ke për detyrë që ta edukosh, ndërsa prindi më sugjeron që të lihet i lirë e të lëvizë, se kështu vepronte dhe në kopësht?!

E pesta, inisiativat e reja në shkolla duhen zbatuar pas eksperimentimit

Nuk mund që të kemi rezultate të mira në shkolla për format apo inisiativat e reja të çastit, që u ngarkohen atyre për t’i zbatuar praktikisht (ngado që të vijnë dhe kushdo qoftë autori i tyre), pasi ato futen pa i studiuar mirë, vlerësuar dhe eksperimentuar më parë, nëse do të jenë apo jo rezultative dhe mos të shuhen si flluska e sapunit akoma pa i praktikuar! Shumë debate “pro” dhe “kundër” këtë vit arsimor pati rekomandimi i Kryeministrit dhe i Ministrisë së Arsimit, që lëndët kryesore në shkollat tona të zhvillohen jo një orëshe, por dy orëshe, që dhe për mua kjo ka më tepër anë pozitive se sa negative, por kurrsesi nuk duhej që të zbatohej në mesin e vitit, kur planet mësimore nga mësuesit bëhen vjetore, duke krijuar amulli në punën mësimore- edukative, veçse të zbatohej në fillim të vitit të ardhshëm shkollor.

Ndryshe qe propozimi tjetër i fundit i para pak ditëve po në fushën e Arsimit të këtij viti, që pas orarit të mësimit nxënësit së bashku me mësuesit e tyre të qëndrojnë në shkollë, për të bërë detyrat, mundësisht aty të hanë dhe drekën, kjo jo vetëm për mua, por për shumicën është veçse absurditet! Për të mësuar konkretisht se kujt i “lindi në kokë kjo shpikje”, shkova në Ministrinë e Arsimit dhe pasi u informova, që s’ka dalë nga aty, shkova për takim me Drejtoreshën e Arsimit Tiranë, ku në mungesë të saj atë ditë dhe në kompetencë, më priti një Znj. tjetër e burimeve njerëzore, së cilës, i shtrova sa më poshtë, se pse qe absurditet ky propozim i fundit, duke i saktësuar edhe telefonin 067 22 44 344 për informacion:

Nxënësit të lodhur pas mësimit (4-6) orësh, pa një pushim të mirë në drekë, nuk janë në gjendje që të bëjnë detyrat, aq më keq që ata po të bëjnë detyrat, e quajnë të përfunduar përgatitjen në mësime!

Më e papranueshme është, zotërinj, se nuk mund të bëhen fillimisht detyrat, pa mësuar akoma teorikisht rreth 3 orë mësimet, për përvetësimin e të cilëve jepen ato!

Klasa është për mësim dhe jo mensë për të ngrënë, ku kryesore këtu për të mos marrë infeksione nxënësit, duhet të mos mungojë ujë që të lahen duart para ngrënies dhe larja e gojës pas ngrënies!

Për këtë duke parë disa intervista prindërish (patjetër selektive) në televizione të ndryshme, që përkrahnin këtë propozim “si inisiativë e mirë e tyre”, do të thoja se ata janë fare pa nivel, (si rasti i lartpërmendur), se ndryshe një prind me nivel nuk mund të përkrahë një absurditet të tillë, në dëm të fëmijës së vet! Përfundimisht, sa munda e përmenda në këtë shkrim për arsimimin e brezave të rinj, me fakte bëra të qartë arritjet e para viteve 1990, por dhe gabimeve të ndodhura pas këtyre viteve me ndryshimin e Sistemit, që ky ndryshim po të ish vlerësuar drejt, këto “të tranzicionit 26 vjeçar” do të qenë shmangur dhe Arsimi ynë sot do të qe shumë më përpara!

Për të qenë i besueshëm përpara lexuesve, për sa u shprehem këtu sipas titullit të synuar, shkurtimisht në fund të këtij shkrimi prezantoj, fillimin dhe fundin e karrierës time si mësues, me një përvojë 37 vjeçare, ku kam kontribuar në të 3 ciklet: të ulët, 8 - vjeçare, të mesëm dhe si drejtues para vitit 1990 në shoqërinë “e centralizuar” dhe pas këtij viti në atë “pluraliste”. Detyrën e nderuar të arsimtarit e kam filluar në vitet 1963-1964 në Malësinë e Tiranës, në fshatin Murth me 4 klasa kolektive, pastaj kam kaluar në fshatin fqinjë Shkallë, në Shkollën 8-Vjeçare, fillimisht mbaruar arsimin e mesëm pedagogjik, ndërsa në pamundësi për të vazhduar ditën (për ne me arsim profesional), në vitin 1978 “Pa shkëputje nga puna” kam mbaruar Universitetin Shtetëror Tiranë, Dega: Gjuhë-Letërsi Shqipe i diplomuar “Mësues për shkollat e mesme”.

Në vitin 1970 transferohem në Zonën e Kamzës, (4 vite këtu në dispozicion duke zëvendësuar mungesat në klasa të ndryshme), duke punuar me shumë tipa të veçantë dhe u njohur me forma të ndryshme mësim-dhënie të kolegëve, qe një eksperiencë e vyer dhe kjo. Pastaj po në këtë zonë emërohem mësues i gjuhës dhe i letërsisë në fshatin Qinam, ku qëndroj 5 vjet (1974-1978), duke dhënë mësim këtu ditën në Shkollën 8 – Vjeçare, por edhe pas dite në Shkollën e Mesme “Pa shkëputje nga puna”. Në vitin 1979 u emërova N/Drejtor i Konviktit në ish Politeknikumin “7 Nëntor”, sot “Harry Fultz”, ku me dëshirën time pas dy vitesh kam kaluar mësues - edukator në “Institutin e fëmijëve që s’flasim dhe s’dëgjojnë”, një eksperiencë e re pune dhe e veçantë, ndryshe nga ajo e arsimit të përgjithshëm. Vazhdova këtu për 20 vjet, gjer në Tetor (2000) të plotësimit të moshës për pension, duke u ndarë nga ky profesion më dinjitozi dhe më i respektuari në shoqëri, të cilin e kam dashuruar shumë dhe e dashuroj!

*Ish mësues, sot në pension./ Nga Elmaz AHMETAJ

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/08/2018 - 07:13

Ajo me të cilën ushqehen shqiptarët prej tre dekadash, sapo një ngjarje e rëndë ndodh në një cep

Postuar: 14/08/2018 - 07:11

Në funksion të integrimit në BE dhe kapërcimit të trashëgimive problematike të së kaluarës, rajon

Postuar: 14/08/2018 - 07:10

Këto ditë u nda nga jeta një ndër themeluesit e Partisë Socialiste të Shqipërisë, zoti Luan Hajda

Postuar: 12/08/2018 - 07:39

Janë të shpeshta rastet që dëgjojmë për dhunime të gruas në familje

Postuar: 12/08/2018 - 07:37

Për shqiptarët, vetgjyqësia është shumë e hershme.

Postuar: 12/08/2018 - 07:35

Skaneri i vetingut ka nxjerrë jashtë funksionit profesional gjyqtarë, prokurorë, punonjës në sist